KULTURË

Rrëfimi i Avni Rustemit: Si e vrava Esat Pashën

10:00 - 16.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Skifter KËLLIÇI 

 

(Vijon nga numri i djeshëm)

Cituam në pjesën e parë të këtij punimi një letër të Mustafa Krujës, që lidhet me atentatin e Avni Rustemit. Duhet të vëmë në dukje se Mustafa Kruja ka qenë më 1919 sekretar i delegacionit shqiptar të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Versajë, (FESH 2, 2008, faqe 1362), që pas janarit të vitit 1920 u zëvendësua, me qeverinë e Sulejman Delvinës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës.
Nga sa kuptohet, të dy janë njohur më 1921, kur u zgjodhën deputetë të Kosovës, (kështu quhej krahina e Hasit), në zgjedhjet e para parlamentare. Më pas kjo miqësi duhet të jetë bërë në e ngushtë, kur Mustafa Kruja ishte tashmë anëtar i Federatës “Atdheu” që drejtohej nga Avniu. Dhe, ndonëse kaq të njohur, duket qartë se as atij, ashtu si tërë shokëve të tij, Avni Rustemi nuk i është shprehur rreth atentatit, për të cilin gjatë procesit hetimor dëshmon kështu: “Kalova një dy herë para portës së hotelit në rrugën ‘Kastilione’, kur pashë se po dilte Esat pasha, që e njihja mirë pasi e kisha takuar shpesh në Shqipëri dhe pikërisht në Durrës. Esat Pasha ecte ngadalë dhe tërë krenari. Me ta parë atë, tërë historia e Shqipërisë m’u ngjall në shpirtin tim. Një turbullirë e madhe më pushtoi. Atëherë rrëmbeva nga xhepi i djathtë revolen me gjashtë fishekë që mbaja me vete dhe qëllova shumë, pa ditur sa herë mbi Esat pashën që ishte dy hapa larg meje. Esat Pasha ra me një herë dhe unë hodha armën time për tokë. Unë pohoj se veprimi im ka qenë krejt spontan dhe nuk e kam paramenduar”. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi “Avni Rustemi”, dosja 2, faqe 73).
Sekretari për të cilin shkruan Mustafa Kruja në letrën tij, nuk quhej Stavri, por Gjergj Goga dhe ishte nga Durrësi, ku kishte punuar si drejtori PTT-së më 1919. Avniu merr informata për të nga Mithat Frashëri, pjesëtar i delegacionit shqiptar që tashmë përfaqësonte qeverinë e Tiranës në Konferencën e Versajës. Aty Mithat Frashëri e porosit Avniun “…të shkojë në një ekspozitë shqiptare në Paris, ku mund të takojë ndonjë shqiptar, i cili mund ta ndihmonte të gjente adresa shkollash, ku ai të perfeksiononte dijet e tij”. (“Avni Rustemi para organeve hetimore dhe gjyqësore franceze”, Jusuf Alibali, “Studime historike” nr.2, 1964, faqe 216).


“Kështu Avni Rustemi gjeti rast të shkojë në këtë ekspozitë, të njihej me Gjergj Gogën, të mësonte prej tij se ishte sekretar i Esat pashës dhe se banonte së bashku me të në hotelin ‘Kontiental’, në rrugën ‘Kastilione” (po aty).
Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse vitet e fundit, përveç romanit tim “Atentat në Paris”, mbi motivet e tij Pëllumb Kulla, ka shkruar dhe vënë në skenë dramën modeste “Dy krisma në Paris”. Por ka rëndësi të veçantë ky fakt: Avni Rustemi, si gjatë procesit hetimor, ashtu edhe gjyqësor, i përmbahet tezës së vrasjes së Esat Toptanit pa paramendim, vrasje e kryer nga ai vetë, pa asnjë shtytje tjetër, sidomos nga qeveria e Tiranës, e cila, nga sa pamë, ishte e interesuar që të eliminohej fizikisht ky tradhtar, tepër të rrezikshëm për fatet e Shqipërisë në atë periudhë.
Jo më kot një ditë pas atentatit, pra, më 14 qershor, kur jo vetëm shtypi francez, por edhe ai botëror shkruante për këtë atentat, duke e cilësuar gabimisht Esat pashën kryeministër të Shqipërisë, në gazetën “Ymanite”, botohej ky njoftim:
“Zyra e shtypit shqiptar, është e autorizuar të deklarojë se Esat Toptani nuk kishte ndonjë funksion zyrtar, për më tepër, kurrë nuk ka qenë kryetar i shtetit shqiptar ose kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, siç e kanë quajtur gazetat franceze. Të drejtat e popullit shqiptar i mbron delegacioni i qeverisë së ligjshme, i zgjedhur nga Kongresi i Lushnjës, i cili prej kohësh ndodhet në Paris”.
Por, të kthehemi përsëri te procesi gjyqësor kundër Avni Rustemit që u zhvillua në Paris në fund të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920.
EQREM BEJ VLORA
Në librin e tij “Kujtime” Eqrem bej Vlora shpreh habinë se si “…Drejtësia franceze me një manipulim të habitshëm të ligjit e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe se qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë pra, kapardisej nëpër Tiranë dhe brohoritej si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”(faqe 215).
Është për të ardhur keq se si Eqrem Vlora, të bëjë një gabim të tillë, kur nënvizon fjalën “manipulim të ligjit nga drejtësia franceze”. Për sqarim, prokurori Blosh Larok në pretencën e tij kërkoi që Avniu të dënohej me vdekje, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal, sepse kishte krye një veprim tërësisht të vullnetshëm, pra me paramendim. Por ishte mbrojtja që Rustemi i bëri vetes me guxim dhe gjakftohtësi, pastaj edhe mbrojtja e avokatit dë Monzi, dhjetëra e dhjetëra letra dhe telegrame që ishin drejtuar Ministrisë se Drejtësisë së Francës dhe gazetave franceze nga tërë anët e Shqipërisë, madje dhe nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, ku kërkohej lirimi i Avni Rustemit, të cilat ndikuan te juria, siç dihet e përbërë nga njerëz të profesioneve të ndryshe midis të cilëve dhe të thjeshtë, që kështu Avniu të dilte i pafajshëm dhe të lirohej që në sallën e gjyqit. Po citoj vetëm njërin prej këtyre telegrameve:
“Populli i Vlorës në një miting madhështor të mbajtur sot, vendosi t’i bëjë thirrje ndërgjegjes të së lartë të Gjykatë së Parisit. Ai pret që të merret parasysh dëshira e flaktë e popullit shqiptar, që të lërë të lirë studentin tonë, Avni Rustemi, i cili bëri një vepër patriotike duke qëlluar Esat Toptanin dhe duke çliruar atdheun tonë nga një e keqe shkatërrimtare. (“Dokumente dhe materiale historike”, Tiranë, 1959).
Por edhe më dërmuese ndaj pohimeve shumë të gabuara të Eqrem bej Vlorës është një dorëshkrim që ruhet në Arkivin Qendror Historik të Shqipërisë, ku nënvizohet:
”Verdikti i pafajësisë që u dha është dëshmi e drejtësisë që i bëhet çështjes shqiptare, të njohur keq deri tani, si dhe një përgjigje e mirë e thirrjes së një populli që lufton me dëshpërim për lirinë dhe pavarësinë e vet”. (AQSH, fondi “Avni Rustemi”, dosja 19, faqe 2-4.)
Lind me të drejtë pyetja: “Po si nuk u dërgua nga mbështetësit e Esat pashës”, të paktën në Tiranë, qoftë një telegram, a dy gisht letër, ku të kërkohej dënimi me vdekje i Avniut, që kishte vrarë këtë “atdhetar” të madh shqiptar, si nuk u ngrit nga populli shqiptar qoftë dhe një këngë për të. Ndryshe ndodhi me Avni Rustemin, të cilit kudo, anembanë Shipërisë u ngritën këngë si kjo: “O Avni Rustem Marina, shkove burra, shkove trima/ Qëllove si vetëtima/ Si vetëtima qëllove, Esat pashën ç’e rrëzove!/ Shqipërinë ç’e shpëtove!”
PARATË PËR NË PARIS
Nga sa kujtonin Sejfulla Malëshova dhe Reshat Këlliçi, e kishin pyetur edhe ata Avniun kur ishin takuar me të në Tiranë.
“Në një nga bisedat tona, – më thoshte xhaxhai, kur po përfundonte librin e tij ‘Me djemtë e ‘Bashkimit”, botuar më 1964, së bashku më Sejfullain e kemi takuar shpesh Avniun. Jemi njohur me të në bankat e Kolegjit Italo-Arbëresh të Shën Mitër Koronës në Kalabri, ku kemi kaluar katër vjet së bashku më shokë të tjerë. Ai kurrë nuk ka folur me hollësi rreth këtij atentati dhe as për gjashtë muajt e kaluar në burg…”.( Kjo, veç të tjerash, dëshmon se ai kërkonte lavdi nga ky akt, nuk kërkonte bujë gazetash, se ai ruajti deri ne vdekje një vendim kaq të madh për fatet e popullit tonë, që ende nuk ishin zgjidhur plotësisht).
Nuk po zgjatem në hollësi të tjera të këtij atentati, sepse për të është shkruar gjatë. Por një fakt ka rëndësi: Avni Rustemi i përmbahet tezës së vrasjes pa paramendim, të kryer nga ai vetë pa asnjë shtytje tjetër, sepse nuk donte në asnjë mënyrë që autoritetet hetimore e pastaj gjyqësore franceze të dyshonin së mos ai ka qenë i shtyrë dhe financuar prej qeverisë së Tiranës, fakt i cili mund të jetë i vërtetë, po t’i referohemi letrës së Mustafa Krujës, ku nga sa pamë, ai shkruan se paratë për të shkuar në Paris ia ka dhënë Ahmet Zogu, pra ministri i Brendshëm i qeverisë së Tiranës.
Nëse Avniu e mbrojti veten me tezën se e vrau rastësisht Esat pashën, pa paramendim, këtë natyrisht e bëri, pse jo, që edhe t’i shpëtonte dënimit me vdekje.
Atentatorët politikë që ka njohur historia, vërtet kanë kryer akte të tilla ndaj personave kundërshtarë, por qoftë vetëm ose me ndihmën e të tjerëve, kanë arritur të humbasin gjurmët, ose janë kapur më pas.
Avni Rustemi mund ta kryente atentatin e tij edhe me ndihmën e ndonjë ose disa mërgimtarëve që jetonin dhe punonin në Francë. Nuk ishte e pamundur që të tillë mërgimtarë të gjenin një makinë, qoftë dhe me qira, në të cilën pas atentatit Avniu të futej në të e bashkë me ta të zhdukej e të humbte gjurmët në Parisin gjigand, ku atëherë jetonin rreth 5 milionë banorë. Mirëpo ai nuk pati në ndihmë askënd, qëlloi, vrau një tradhtar dhe qëndroi, i bindur se do të kallej në burg, por edhe do të dënohej me vdekje, sado që do të mbrohej me tezën e vrasjes pa paramendim të një tradhtari shumë të rrezikshëm ndaj fateve të atdheut. Dhe kishte një arsye shumë objektive që veproi në këtë mënyrë. Sikur ta kryente atentatin në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë, kishte shumë gjasa se do të zbulohej se ai ishte ndihmuar për të kryer atë nga njerëz me ndikim në qeverinë e ligjshme në qeverinë e Tiranës, në mos nga ajo vetë.
ATENTATET E FAMSHME
Një akt të tillë, mund ta bëjë vetëm një njeri që nuk njeh vdekjen. E kanë bërë këtë akt me harakiri besnikët fanatikë të perandorit japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore. E kanë kryer dhe e kryejnë sot edhe fundamentalistët islamikë, por për qëllime terroriste. Kurse Rustemi, e kreu atë për hir të atdheut.
Por të përmendim raste atentatesh të tilla bujshme historike, ku atentatorët, ndryshe nga Avni Rustemi, ia kanë mbathur dhe kanë humbur ose janë përpjekur të humbin gjurmët:
Xhon Bushi më 14 prill 1865 vret në teatrin “Ford” të Uashingtonit presidentin amerikan Linkoln. Arrin të zhduket, për t’u kapur dhe vrarë më vonë.
Më 28 qershor të vitit 1914 studenti boshnjak, Gavrillo Princip, vret në Sarajevë Franc Ferdinandin, princin trashëgimtar të Austro-Hungarisë. Përpiqet të largohet, por kapet.
Më 30 qershor të vitit 1918 Fania Kapllan qëllon dhe plagos Leninin në një miting të mbajtur në Petrograd. Kërkon të humbasë gjurmët, por kapet.
Më 22 nëntor të vitit 1963 Li Osvoldi qëllon dhe vret nga çatia e një godine në Dallas presidentin amerikan Kenedi. Kërkon të largohet, por kapet.
Nga atentatet e kryera në
Shqipëri
Në mars të vitit 1913 Osman Bali, me urdhër të Esat pashës vret Hasan Riza pashën, komandantin turk të garnizonit të Shkodrës që po mbronte këtë qytet nga rrethimi serbo-malazez dhe humbet gjurmët.
Në prill të vitit 1924 Isuf Reçi vret Avni Rustemin pas shpine në Pazarin e ri në Tiranë dhe fshihet. Vritet më 1944 nga forcat partizane.
Më 1931 Aziz Cami me shokë kryen në Vjenë atentat kundër Zogut, por në vend të tij vritet adjutant, Llesh Topallaj. Azizi bën përpjekje të largohet, por kapet nga policia austriake.
Më 1926 Myslym Peza vret në fushën e Namasgjasë në Tiranë Osman Balin dhe zhduket.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare Lym Keta dhe të tjerë guerrilas kanë kryer atentate kundër gjerarkëve fashistë dhe u kanë shpëtuar ndjekjeve të pushtuesve italianë dhe gjermanë.
Kurse Avni Rustemi pasi vrau Esat pashën, për arsyet që janë shpjeguar më sipër, nuk lëvizi nga vendi, edhe pse e dinte se po shkonte drejt vdekjes së sigurt.
Sidoqoftë, disa nga enigmat, për të cilat u shkrua më sipër, mbeten, sidomos enigma më e madhe: Kush e mbështeti Avni Rustemin të shkonte në Paris për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe cili, ose cilët qenë ata që i dhanë shumën e parave që do t’i duhej për të qëndruar në Paris, deri ditën që do të kryente këtë vepër të madhe atdhetare?…
Si i kaloi Avni Rustemi gjashtë muajt e burgimit, sidomos pas datës 10 shtator 1920, kur atij iu dorëzua në qeli aktakuza e vrasjes së Esat pashës prej tij me paramendim? Cilët ishin shqiptarët që morën pjesë në procesin gjyqësor kundër Avni Rustemit, në ditët fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 1920? A u takua Avniu me shqiptarë, pasi u lirua nga burgu? A u shoqërua me ta ato ditë?
Çfarë itinerari zgjodhi ai për t’u kthyer nga Parisi në Shqipëri? Udhëtoi vetëm, apo me ndonjë shok? Ku përfundoi revolveri “Smith&Uesën”, që përdori Avni Rustemi për të vrarë Esat pashë Toptanin dhe që shërbeu si “corpus delicti” gjatë procesit gjyqsor?
Kur do të kemi në Arkivin e Shtetit dosjen e procesit gjyqësor të Avni Rustemit? A mund të bëhen sot përpjekje nga ambasada jonë në Paris që kjo armë të gjendet, të sillet në Shqipëri dhe të vendoset në një stendë të Muzeut Historik Kombëtar?
Sa shumë enigma e mbështjellin atentatin e Avni Rustemit më 13 qershor të vitit 1920…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Si shpjegohet qe ekspertiza ligjore e drejtesise Franceze vrasjen e Esat Toptani nuk e vertetoi se e ka vrare Avni Rustemi. Ne baze te kesaj ekspertize drejtesia (Gjykata) franceze e liroi Avni Rustemin nga akuza si vrases. Te tjerat qe gjykata franceze e liroi se protestuan shoqatat shqiptare jane budallalleqe.

    Përgjigju ↓