Intervista

Nano zëvendës i tij në Presidencë? Meta: S’ekziston asnjë fantazmë që të më sjellë shqetësim, Ruçin e marr…

10:46 - 17.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryetari i Kuvendit, njëherësh president i zgjedhur, Ilir Meta deklaroi dje se Gramoz Ruçi nuk do të ketë mandat deputeti, por i propozon të jetë këshilltar i tij në Presidencë. Pas deklaratave të Ruçit nga Fieri, Meta u shpreh dje në emisionin “Kapital” në “Vizion Plus” se nuk e ka problem të japë dorëheqjen si president dhe të jetë ministër me Petrit Vasilin kryeministër.

Është një pyetje e vështirë ndoshta për politikanët, sa për ta hapur këtë bisedë: mos më votojnë më pak se herën e kaluar njerëzit? Kjo duhet të jetë një pyetje e tmerrshme…

Duket që ka një ankth të tmerrshëm për fat të keq të ish-bashkëkryetarit tim të Aleancës për Shqipërinë Europiane, z. Rama, i cili me sa duket ndien një distancë të madhe të qytetarëve, të votuesve nga ai vetë, që për fat të keq ka tensionuar në një mënyrë të padrejtë gjithë këtë fushatë. Për mua kryesore dhe më e rëndësishme është që të gjithë qytetarët shqiptarë të votojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë demokratike, të pacenuar nga askush.

Dje z. Gramoz Ruçi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, ka thënë që nëse presidenti nuk e dekreton qeverinë – është fjala për ju, pas një deklarate që ju e bëtë më herët, bëtë një kërcënim, një paralajmërim që mund të mos dekretonit qeverinë e ardhshme, pra presidenti do të shkelte ligjin në këtë rast dhe do provonte shkarkimin, pra Ilir Meta mund të shkarkohet. Cili është komenti juaj?

Së pari, mua më vjen keq që një kolegu im i hershëm në politikë, pavarësisht nga raportet ndryshme, siç është z. Ruçi, me përvojën që ka, sepse ai ka edhe përvojën e Berishës së parë edhe përvojat e mëpasshme, në vend që të luante një rol edhe më të rëndësishëm për shkak të eksperiencës në moderimin e qëndrimeve dhe sjelljeve të z. Rama si me opozitën, si me demokracinë, si me partnerët brenda koalicionit, është kthyer në një zëdhënës tipik i ‘Rilindjes’, siç janë edhe shumë të tjerë, të cilët nuk kanë qenë dikur socialistë në atë parti, që i kishte vlerat të veçanta. Por, është e qartë që edhe z. Ruçi është bërë pjesë e ‘Rilindjes’. Këtë e ka edhe nga stresi, sepse është i 9-ti në listë, por për këtë nuk ia ka fajin as LSI-ja, as populli i Fierit.

Pra, nuk i trembeni fare një shkarkimi në qoftë se ata do të vendosnin, do të donin, ose do të kërkonin ta bënin një gjë të tillë?

Së pari, unë nuk kam asnjë shqetësim për këto çështje as për emërime, as për zgjedhje, as për shkarkime. Stresin e kanë të gjithë ata, të cilët kanë frikë nga vota e lirë. Kanë frikë edhe nga vota e lirë e fëmijëve, e 18-vjeçarëve dhe nxisin, përdorin dhunë kundër tyre. Por, z. Ruçi nuk do të ketë mandat deputeti dhe ky nuk është faji im. Ky është faji i z. Rama, që e ka vënë të 9-in në listë, kështu që maksimumi që mund të bëj është ta marr këshilltar në Presidencë, të mbulojë marrëdhëniet me opozitën.

Disa militantë socialistë i keni dëgjuar që kanë filluar të thonë se nëse Meta nuk e dekreton qeverinë, e dekreton presidenti Nano. Mesazhi është i qartë apo jo?

Së pari, nuk habitem për shashka të tilla kaq qesharake. Nuk ekziston asnjë fantazmë që t’i sjellë një shqetësim Ilir Metës, aq më tepër rinisë së Shqipërisë, që sot është me Ilir Metën dhe Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të të rinjve të Shqipërisë, të së ardhmes së tyre. Për sa i takon dekretimit të qeverisë, unë nuk kam thënë se nuk dekretoj qeverinë, sepse Shqipëria në çdo rast do të ketë qeveri. Kam thënë që nuk dekretoj asnjë për kryeministër, apo ministër që përfshihet në cenimin e standardit të zgjedhjeve. Kështu që ky është qëndrimi im ,të cilin nuk e ndryshoj dhe nuk më intereson fare…

Kryeministri Rama është cituar në shtyp, pasi u ka dërguar SMS njerëzve të tij, ku thotë: “LSI-ja nuk ka më shanse që të bëjë të tretin të vërtetin”. Është kjo e treta e vërteta mes Ilir Metës dhe Edi Ramës?

Së pari, Edi Rama ka të drejtë që LSI-ja nuk është më e treta e vërteta, LSI-ja është forcë e parë, LSI është forcë e paparë, këtë do ta tregojë edhe 25 qershori. Ai ka një problem të madh me demokracinë, ka një problem të madh me zgjedhjet e lira, ka një problem të madh, ka vetëm një reformë në mendjen e tij: si të përqendrojë të gjitha pushtetet në dorën e tij. Asgjësoi demokracinë brenda Partisë Socialiste, bëri një referendum në parti për të mos bërë zgjedhjet. E kishte shumë më të lehtë të bënte zgjedhjet, të respektonte statutin dhe të konkurronte me Ben Blushin. Natyrisht, do të fitonte për shumë arsye, por e pati më të lehtë të bënte një referendum që të mos bëheshin më zgjedhje për kryetarin në Partinë Socialiste.

Edhe ju jeni kritikuar për zgjedhje të pandershme në vitin 2001.

Për çfarë arsye jam kritikuar? A mund të të them diçka? Po, jam kritikuar, sepse në zgjedhjet e vitit 2001 ka ndodhur një fenomen i paparashikuar në raundin e dytë të zgjedhjeve, që ishte fenomeni i “Dushkut”, ku në Dushk që ishte zonë maxhoritare u bë një manovër, që e bëri lidershipi i asaj kohe i Partisë Socialiste për të marrë më shumë mandate sesa i takonin. Pra, ishte një devijim i votave dhe u morën më shumë mandate sesa i takonin në kurriz të përfaqësimit të opozitës, u kalua shifra 84, sepse atëherë presidenti zgjidhej me 84 vota, me idenë që kryetari i Partisë Socialiste në atë kohë të bëhej president. Kjo u kritikua nga BE-ja, pati një rezolutë nga BE-ja, që tha se qeveria e së majtës është legjitime, pra fitorja për shumicën ishte legjitime, por kjo manovër që u bë për presidentin ishte jo legjitime dhe nëse nuk zgjidhet presidenti me konsensus, sepse është cenuar standardi i zgjedhjeve…

Po dhe ndodhi ajo që ndodhi…

Jo vetëm ndodhi ajo, por ka ndodhur edhe diçka tjetër që ju nuk e mbani mend, normale se këtu ka shumë zhvillime, arsyeja pse unë kam dhënë dorëheqjen më pas ka qenë se Fatos Nano donte patjetër të bëhej president. Unë ia kam bërë të qartë atij. Madje ka propozuar një marrëveshje me shkrim, që unë të bëhesha kryetar i PS-së, edhe kryeministër, para se ai të bëhej president. I kam thënë se kjo gjë nuk mund të ndodhë, për arsye se ne do të bllokojmë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, sepse opozita tani ka një certifikatë nga BE-ja. I kam thënë madje: “Edhe ti s’ke ç’e do Presidencën, do të vijë Berisha atje, do të të rrethojë në Presidencë dhe nuk do të rrimë të merremi me këtë punë tani, kështu që e vetmja rrugë – i kam thënë – është kjo: Presidentin ta zgjidhni me konsensus dhe unë kam qenë mjaft aktiv për këtë zgjidhje, kur u zgjodh z. Moisiu, dhe ti, meqenëse e ke me kaq merak, bëhu kryeministër, s’ka asnjë problem”.

Po e përmbledh pyetjen, se këtë pyetje bëra: A është e treta e vërteta mes Ramës dhe Metës këtë herë, apo në politikë asnjëherë mos thuaj “kurrë”? Një përgjigje të shkurtër.

Do të të jap një përgjigje shumë të sinqertë. Unë kam qenë ekstremisht i sinqertë me Edi Ramën, edhe pse prej kohësh e di se ai që në momentin që bën një marrëveshje, zëre se nuk e ka bërë. Por kjo nuk ka të bëjë thjesht me raportin tim me Ramën, se po të ishte për raporte personale, unë kurrë nuk do të bëja një marrëveshje me Edi Ramën për shkak të karakterit dhe integritetit tim dhe për shkak të problemeve të tij karakteriale, gjithashtu. Të jesh i sigurt se nëse LSI-ja do të bënte koalicion me PD-në, LSI-PD përsëri do të merrnin mbi 80 mandate në vitin 2013. Kjo është e padiskutueshme. Por mendova që për të mirën e vendit të bënim një gjë të tillë dhe unë i kam dhënë Edi Ramës çdo gjë që ai ka dashur. Edhe për gjërat që unë i kam thënë se kjo është e gabuar, që ky person nuk është për këtë punë dhe koha ka treguar se unë kam pasur të drejtë.

Për sa i përket shqetësimit për kryeministër dhe për president, se ndoshta LSI-ja i merr të dyja bashkë, nuk ka asnjë shqetësim…

LSI forcë e parë, që më 25 qershor do të dalë patjetër, në varësi me rezultatin e përgjithshëm, ne jemi të hapur për çdolloj zgjidhjeje që ndihmon stabilitetin afatgjatë të vendit. Nuk është se unë presidentin e kërkova me patjetër, përkundrazi insistova që presidenti të vihej në paketë për opozitën për t’i dhënë një garanci për zgjidhje. Kështu që unë nuk kam asnjë problem, edhe të jem ministër me Petrit Vasilin kryeministër dhe president të zgjidhet një tjetër.

Parashikoni edhe dorëheqjen nga presidenti i vendit?

Unë jam për çdo zgjidhje që ndihmon Shqipërinë, por ajo që e shpëton Shqipërinë në këto zgjedhje është “LSI forcë e parë”. Kjo është kryesorja, sepse dy partitë e tjera, jo partitë, sepse kam respekt për Partinë Socialiste, si Parti Socialiste, dhe për Partinë Demokratike, si Parti Demokratike dhe kam qenë tepër korrekt në bashkëpunim me këto forca, politike, ata e dinë vetë, pavarësisht se çfarë janë të detyruar të thonë, edhe këta që shajnë LSI-në tani, sepse mendojnë se do të marrin vota nga LSI-ja dhe shikojnë se shumë njerëz që kanë qenë me ata besojnë LSI-në, në darkë këta të çojnë korrier: “Shiko, mos na e vër veshin shumë për këto punë që themi se çfarë do të themi ne, se ne po na ikin të gjithë njerëzit me LSI-në, si t’i mbajmë njerëzit e tjerë…”.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.