DOSSIER

DOSSIER / Letra e gazetarit për Enverin: Si më propozuan në Spaç për spiun birucash

08:42 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Dashnor KALOÇI

 

Zbulohet letra e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, Halil Laze, (djalë dëshmori dhe nipi i Heroit të Popullit, Asim Zeneli), dërguar diktatorit komunist Enver Hoxha në vitin 1982, pasi ai kishte vuajtur shtatë vjet dënimin në kampin e Spaçit.
Letra për diktatorin: “Kur shkova në shtëpi, qava nga fjalët e nënës dhe vitet e dënimit m’u fshinë nga kujtesa. Në kampin e Spaçit na provokonin duke folur në emrin tuaj, thonin se kjo është diktatura e Enver Hoxhës. Komisari Shahin Skura, na thoshte; mos shkruani, se letrat vijnë tek unë?! Në Hetuesi, sajonin atentate ndaj jush, si p.sh. Dhimitër Lalës?! Grupet e arrestuara për hedhje traktesh në Korçë e Durrës ku ishte Mihallq Ziçishti, i dënonin më pas për agjitacion e propagndë…, por juve ju kanë dizinformuar….?!”.
Dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë kapitull të librit, është një letër e Halil Lazes, i cili pas viteve ’90-të, ka qenë tepër i njohur si gazetar e publicist dhe, ku për disa kohë pati drejtuar si kryeredaktor gazetat “Drita” (organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë) dhe “Liria”, (organ i Shoqatës Kombëtare të të Dënuarve dhe Burgosurve Politikë të Shqipërisë. Ndërsa para viteve ’90-të, Laze është njohur si gazetar me shumë emër i shtypit ushtarak, kryeredaktor i gazetës “LUFTETARI” (që në fillimin e viteve ’70-të), dhe, gjithashtu, si poet e autor i disa vëllimeve me poezi e tregime. Por karriera e tij u këput në mes diku nga viti 1976, kur ai sapo ishte martuar kishte krijuar familje dhe i gëzohej lindjes së një djali. Halili u arrestua dhe u dënua “për faje politike’, pak kohë pasi ishin dënuar krerët kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, të akuzuar si “Grupi puçist në Ushtri” me në krye Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon dhe një numër të madh ish-ushtarakësh të lartë të Ushtrisë, të konsideruar si bashkëpunëtorë apo mbështetës të tyre. Arrestimi dhe dënimi i Lazes, i cili ishte djalë dëshmori dhe njëkohësisht nipi i Asim Zenelit (Hero i Popullit), thuhej se erdhi për të vetmin shkak, se emërimi i tij në krye të gazetës “LUFTETARI”, ishte bërë nga Hito Çako (Drejtori Politik i Ushtrisë), i cili siç dihet u ekzekutua duke u pushkatuar së bashku me Ballukun e Dumen. Pas vuajtjes së dënimit në kampin e tmerrshëm të Spaçit (kamp i punës së detyruar, ku asokohe vuanin dënimin edhe një numër i madh shkrimtarësh e artistësh, kolegë e miq të tij, emra të njohur si; Visar Zhiti, Zyhdi Morava, Ali Oseku, Maks Velo, Edison Gjergo, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Dhimitër Lala, etj. etj.), Laze kthehet pranë familjes dhe menjëherë i shkruan një letër Enver Hoxhës, ku denoncon disa nga makinacionet dhe provokimet që iu bëheshin bashkëvuajtësve të tij, të dënuar politikë në kampin e Spaçit. Dërgimi i asaj letre në adresë të diktatorit komunist, (që ia ka deleguar më pas për “zgjidhje” ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai), duket se ka ardhur jo më shumë prej asaj që Laze mund të besonte në drejtësinë e tij (të Enverit), se sa i detyruar nga rrethanat familjare, për një “rregullim biografie”?! Pasi siç e thamë edhe më lart, ai ishte djalë dëshmori dhe nipi i Asim Zenelit, (Hero i Popullit), për të cilin veç të tjerash ishin shkruar këngë e ishin realizuar edhe tablo të mëdha figurative. Por sidoqoftë këtyre, ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se Laze ka guxuar dhe ka denoncuar disa prej makinacioneve, provokimeve, etj. gjëra me të cilat përballeshin të burgosurit politikë të kampit të Spaçit në atë kohë, ku ai vetë kishte vuajtur plot shtatë vjet dënimin. Lidhur me këto e të tjera, na njeh dokumenti i mëposhtëm arkivor, të cilin ashtu si dhe pjesa më e madhe e atyre të publikuara në këtë libër voluminoz, po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.

 

PARTIA E PUNES SHQIPERISE

KOMITETI QENDROR Tiranë, më 27-10-1960
Nr. H-492/Prot. Sekret
MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDESHME
(Shokut Hekuran Isai)
TIRANE
Me porosi të shokut Enver po ju dërgojmë një fotokopje e të quajturit Halil Laze, banor i kryeqytetit në rrugën V. Huta 107/1 apart. 14 për t’u parë nga ana juaj.
Me porosi
Haxhi Kroi
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Sh. Hekuran
 PERMBLEDHJE
 Halil Laze, i shkruan shokut Enver se pas 7 vjet heqje lirie, u kthye pranë familjes në qytetin e Tiranës.
 Letërshkruesi ngre këto çështje:
 – Në kampin e Spaçit, ku vuajti dënimin, ka parë, mësuar dhe jetuar disa gjëra që përveçse revoltimit i ngjallën edhe dyshime. Thotë se atëhere i shkroi shokut Enver një letër dhe ndaj tij ndryshoi qëndrimi (e vunë në birucë, në punë dhe fronte të vështira, e provokonin etj). Bile komosari i tha: Mos shkruaj se letrat vijnë tek unë”.
 – Më 1975-1976 – thotë letërshkruesi u arrestuan shumë veta me akuzën se atëhere qenë shkruajtur disa parrulla reaksionare në qytetin e Korçës. Por sipas letërshkruesit atyre u ishte marrë firma dhe ishin dënuar për agjitacion e propagandë”. Deri në gusht të vitit 1982, sa isha unë në kamp, nuk kishte ardhur asnjë autor i parrullave”.
 Kur Mihallaq Ziçishti shkoi në Durrës – vazhdon letërshkruesi – u shkruan përsëri parulla reaksionare (bile disa me dimensione të mëdha – Shijak). Përsëri ndodhi i njëjti skenar.
 – Për të dënuarit si agjent (grupi polak etj.), thotë se janë dënuar për agjitacion e propagandë dhe për nene të tjera ordinere. Letërshkruesi dyshon se do të jetë dezinformuar shoku Enver.
 – Për të dënuarit kosovarë, për spiunazh, thotë se ata ngulin këmbë që t’i ketë dënuar UDB-ja.
 Letërshkruesi pretendon se në kampin e Spaçit shkeleshin ligjet dhe spekulohej me emrin e shokut Enver duke thënë se “kjo është diktaturë e Enver Hoxhës”. Thotë se për kampin dhe hetuesinë ka dhe gjëra të tjera që, po të ketë interes është gati t’i bisedoj me një Sekretar të Komitetit Qendror.
Bashkëngjitet letra
25.10.1982
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

 

Letra e Halil Lazes për Enver Hoxhën

Shumë shqiptarë u janë borxhlinj Juve dhe Partisë për gjithë ato të mira që u keni sjellë. Familja jonë, e në veçanëti unë që po ju shkruaj këtë letër, u jemi Juve njëqint herë borxhlinj, dhe nuk dimë si t’ua shpërblejmë. Kur u ktheva në shtëpi, fjalët e para të nënës dhe motrës të takimit pas shtatë vjetësh, ishin falenderim për Juve që hapët edhe njëherë derën e shtëpisë së Asim e Sherif Zenelit. Të më besoni si djalin tuaj se qava nga emocioni dhe vitet e dënimit mu fshinë nga kujtesa.
Besimin tek Ju dhe te Partia, s’e kam humbur dhe s’do ta humbas kurrë. Këtë e kam thënë në hetuesi (Krujë), në gjyq dhe kudo.
Në kamp të Spaçit kur vuajta dënimin, pashë, mësova dhe jetova disa gjëra, që përveç revoltimit, më ngjallën edhe dyshime. U shkrova juve një letër. Pas disa ditësh, ndryshoi qëndrimi ndaj meje. (Dënim në birucë, punë në fronte të vështira, provokime etj). E kuptova se letra nuk kishte mbërritur në dorën tuaj. Bile komisari, (Shahin Skura) na thosh hapur: “Mos shkruani se letrat tek unë vijnë”.
Tashi që mbarova dënimin, mendova se mund t’u interesojnë disa gjëra, prandaj po u shkruaj shkurtimisht, vetëm esencën:
1. Në vitet ’75-’76 u shkruan disa parrulla reaksionare në qytetin e Korçës. U arrestuan shumë veta. Bënë hetuesinë (disa edhe në Tiranë) për parrullat, pastaj u dënuan për agjitacion; duke u marrë firmën që nuk do të tregonin se përse e kishin bërë hetuesinë. Deri sa isha unë në kamp (gusht ’82), nuk kish ardhur asnjë autor i parrullave. (?)
2.    Kur shkoi Mihallaq Ziçishti në Durrës, u shkruan përsëri parrulla reaksionare (bile disa me dimensione të mëdha – Shijak). Përsëri ndodhi i njëjti skenar.
Dyshoj për saktësinë e informimit që u kanë bërë juve si dhe për autorësinë e shkrimeve.
3.    Në qytete të ndryshme e sidomos në Tiranë janë dënuar individë dhe grupe agjentësh. Atje morra vesh se ishin dënuar për agjitacion dhe për nene ordinere. (Hetuesinë edhe këta e kanë bërë për agjenturë).
Dyshoj se edhe juve ju kanë dizinformuar për këto grupe (Grupi polak, etj)
4.    Shumë të dënuar kosovarë (veçanërisht për spiunazh), ngulnin këmbë për pafajësinë e tyre. (Kish bile nga ata që thoshnin se më ka dënuar UDB-ja).
5.    Tek të gjithë të dënuarit e viteve ’75 e këndej, (sidomos te komunistët) në hetuesi këmbëngulnin për të vënë patjetër edhe diçka për Ju.
6.    Të dënuar të veçantë (për agjitacion), në hetuesi është injektuar mendimi për atentat kundër Jush (p.sh. Dhimitër Lala), etj.
7.    Te disa të riatdhesuar është ngulur këmbë që ata të pranonin në gjyq se i kishte kthyer me dhunë Sigurimi i Shtetit.
Dyshoj se kjo është bërë për të mashtruar udhëheqjen e Partisë e ndoshta edhe për të përvetësuar vlera materiale.
8.    Në kampin e Spaçit, sa herë që shkeleshin në mënyrë flagrante normat dhe ligjet, spekullohej me emrin tuaj. Bile në disa raste u thuhej shprehimisht: Kjo është diktatura e Enver Hoxhës. Më ishte krijuar bindja (dhe kjo më nxiti më shumë ahere t’u shkruaja) se kishte një tendencë të hapur për të na armiqësuar me çdo kusht me Juve dhe Partinë.
9.    Shumë të dënuar merreshin nëpër Degët e rretheve me muaj të tërë dhe bënin rolin e provokatorëve profesionistë. Një propozim të tillë ma bënë edhe mua. Unë s’pranova se u thashë se kjo është jashtë normave të Partisë. Më thanë se ne (Sigurimi), s’bën asgjë pa aprovimin e Byrosë Politike. Ua kërkova me shkrim. Më lanë rehat pasi më kërcënuan.
Për kampin dhe për hetuesinë kam edhe disa gjëra të tjera, nëqoftë se do të kini interes jam gati të bisedoj hollësisht me një nga sekretarët tuaj.
Duke u shprehur edhe njëherë mirënjohjen për gjithëshka keni bërë për familjen tonë, u uroj nga zëmra jetë të gjatë e të lumtur.
20 tetor 1982

Me respekt
(Halil Laze)
Adresa:
Në punë                   Në shtëpi
Halil Laze                 Lagjia 2 rruga “V. Huta”
N.N. Miniera,          N-107/1 Ap.14 Tel. 5007
Kërrabë                    Tiranë


Shfaq Komentet (2)

Leave a Reply to Tartufi Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

    1. Halil Lazija,,,, me prejardhje barbare i zbritur nga stanet
      e Laberise si biri i nje barbari stanar i vrare ne lufte i
      ritur pas nje nene te ndere nga barbari i Lazajve. I shkolluar dhe me detyre te shkruante per shtipjen dhe barbarine,Pas litarit qe i dhane barbarit tjeter Hito Cakos
      dhe ky u zvarit ne burgje dhe kampe te shtipjes,,, i braktisur nga nena nga motra me nene jo me baba,nga gruaja
      e tij dhe i braktisur dhe nga femijte e tij ne te tere kohen e burgut, Ky Halili pasi doli nga burgu i shtipjes se diktatures me ne krye pederastin Enver, i shkruan pederastit letren e tij te dale tani pas vdekjes se tij si
      nje dokument per te mesuar te gjithe,,,, qe nje i degjeneruar barbar sa do te vuaj ky do ti falet krye barbarit te degjeneruar deri ne vdekje. Komentusi eshte nje i burgosur i Spacit i atyre viteve,qe e ka takuar dhjetra here kete Halil Laze ate kohe.

      Përgjigju ↓