MILOSAO

Historia e Komnino-s, shqiptarit që në 1464 ishte anëtar i Këshillit të Madh të Venedikut

08:02 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Avni ALCANI

 

Kush ishte Komino, që në vitin 1464 u pranua  anëtar i Këshillit të Madh të Venedikut?

Rreth 21 vite më parë, në mediat e shkruara shqiptare u bë e njohur një stemë heraldike e vitit 1464, e cila ishte zbuluar në Bibliotekën Marciano të Venecias nga studiuesja e njohur italiane, Prof. Dr. Luçia Nadin (Itali). Emblema u gjend në një katalog stemash heraldike, të cilat ishin kopje të një dorëshkrimi të shekullit 15-të. Stema u publikua për herë të parë në revistën “Brezi 9” (Tetovë 1996), me titull “Stema e Aranitëve”,1) e autorëve Luçia Nadin dhe Jaho Brahaj. Stema është e vizatuar në formën e një shqyti (mburoje) me figurë ku paraqitet një shqiponjë me dy krerë me ngjyrë të verdhë, e vendosur mbi një sfond në ngjyrë blu. Një vit më pas emblema u përfshi në librin “Emblemat shqiptare” (Tiranë 1997), të autorit J. Brahaj,2) dhe pas disa vitesh në librin “Immagini e dokumenti della biblioteca nazionale…”, të autores L. Nadin.3) Zbulimi i kësaj steme heraldike ishte shumë i rëndësishëm për historinë dhe kulturën kombëtare, pasi e pasuroi heraldikën shqiptare me një stemë të re, që i përkiste Familjes Princërore të Aranitëve, njërës prej familjeve më të mëdha dhe më të rëndësishme të historisë shqiptare në shek. e 15-të.
Ajo që tërheq vemendjen e stemës është një tekst i shkurtër që e shoqëron atë, në të cilën, e përkthyer në shqip, lexohet: “Komino i derës së Zotit Retini të Shqipërisë mbi Skuteri, Zot në anët e atij vendi, i cili u pranua dhe u bë antar i Këshillit të Madh, sepse kështu iu duk me vend Sinjorisë sonë për ta nderuar dhe për ta patur simpatizant tonin. Kjo u bë në vitin 1464”.4) Dy autorët e botimit të stemës në artikullin e tyre shkruajnë se kjo emblemë i përkiste familjes së njohur arbërore të Aranitëve dhe se pas emrit Komino janë tre djemtë e Gjergj Aranitit.5) Por a ishte Komino i dokumentit të mësipër njëri nga djemtë e Gj. Aranitit? Disa të dhëna në lidhje me zotërimet e pronave të Aranitëve në vendin e quajtur “mbi Skuteri”, na shtyjnë të mendojmë se Komino i dokumentit të mësipërm nuk ka qenë djali i Gj. Aranitit, ndaj është shumë e rëndësishme që të zbulojmë, së pari, se kush ishte ky Komino, që ishte pranuar antar i Këshillit të Madh të Venedikut në vitin 1464 dhe, së dyti, kush person fshihet pas emrit “Retini të Shqipërisë”.
Të marrim në analizë emrin Komino, për të parë nëse ai i përkiste një emri të familjes Araniti. Historianët që janë marrë gjërësisht me origjinën e emrit Araniti, shkruajnë se kjo familje në shek. e 15-të zotëronte disa emra, si: Araniti, Komneni, Golemi, Topia, Spada, Çermenika etj.6) Prof. Dhimitër S. Shuteriqi, një nga njohësit dhe studiuesit më në zë të familjes Araniti, ka shkruar se “kur emrat Aranit, Komnen dhe Golem i gjejmë dy nga dy ose të tre sëbashku, atëhere mund të themi me mjaft siguri se kemi të bëjmë me familjen e famëshme (Araniti)”.7) Emri Komnen i familjes gjendet i shkruar në dokumente të ndryshme edhe me variantet: Cominatus, Comninno, Connoneuili, Cominovich, Cominati, Comino, Comneno etj.,8) ndaj emri Komino (Comino) i dokumentit që po trajtojmë, është lehtësisht i vërtetueshëm që lidhet me një Aranit.  ‘


Emri Retini paraqitet pak më i vështirë për t’u identifikuar, pasi del për herë të parë në një dokument me këtë emër. Shuteriqi, kur merr në analizë emrin Araniti, sjell disa variante të tjera të tij, të cilat kanë dalë në dokumenta të ndryshme, si Arainiti, Arayniti, Arniti, Arnith, Arrianiti, Harryajniti, Harianites etj.9) Emri Retini nuk është hasur si i tillë në asnjë rast, as në dokumenta të kohës e as në shkrimet dhe studimet e autorëve të ndryshëm. Variantet e emrave “Aranit” dhe “Komnen” janë shkruar nga hartuesit e huaj të këtyre dokumenteve, të cilët, duke mos qenë emra të njohur për ta, nuk  kanë mundur që t’i shqiptojnë dhe t’i shkruajnë drejt ato. Edhe në këtë rast emri Retini është i shkruar gabim. Ai është një shtrembërim i variantit të emrit Araniti për Areaniti apo Arniti.
Pas emrit Retini qëndron Gjergj Aranit Komneni. Ai ka qenë figura kryesore e familjes gjatë shek. të 15-të dhe kreu i “derës” së Aranitëve. Për bëmat dhe kryengritjet e tij ngadhnjimtare kundër osmanëve, Gj. Araniti ishte bërë i njohur jo vetëm Venedik e në qytetet e tjera të Italisë fqinje, por edhe në mbretëritë e kancelaritë e mëdha europiane. Në të njëjtin dokument flitet edhe për një tjetër stemë heraldike, e cila i përkiste familjes Kastrioti. Në tekstin që shoqëron emblemën shkruhet se emblema i përket një të quajturi “Kastriotas”, i cili ishte pranuar gjithashtu antar i Këshillit të Madh të Venedikut.10) Aty shënohet edhe emri i Gjergj Kastrioti Skënderbeut si figura qëndrore e familjes Kastrioti, që në dokument quhet i “shtëpisë së zotit Skanderbeg”, i cili, ashtu si Gjergj Araniti për fisin e Aranitëve, njihej dhe nderohej nga të gjithë si kreu i fisit Kastrioti, si brënda ashtu dhe jashtë Arbërisë.
T’i rikthehemi përsëri emrit Komino për t’iu përgjigjur pyetjes sonë se cili Aranit qëndron prapa këtij emri. Komino i mësipërm nuk mund të ketë qenë Gjergj Aranit Komneni, pasi burimet historike thonë se ai kishte vdekur para vitit 1464,11) vit në të cilin Komino i dokumentit të mësipërm ishte pranuar antar i Këshillit të Madh të Venedikut. Por as djemtë e Gj. Aranitit nuk mund të kenë qenë, siç pretendojnë dy autorët e publikimit të emblemës, të cilët shkruajnë se me emrin Komino lidhen tre djemtë e Gjergj Aranitit,12) pasi në dokument nuk shkruhen tre, por vetëm një emër. Në një dokument të mëparshëm të po atij viti, i cili mban datën 13 maj 1464, janë shënuar emrat e tre djemve të Gj. Aranitit. Thomai, Kostandini dhe Araniti ishin shpallur “nobili”, d.m.th., fisnikë të qytetit të Venedikut dhe ishin marrë në mbrojtje nga Sinjoria.13) Në dokument, i cili është publikuar nga historiani gjerman Babinger (“Fundi i arianitëve”, Tiranë 2004), shkruhet: “Thomas Comino, Constandinus et Areniti fra(tr)es, d(omi)ni in patribus Albanie, figli quandam M(agnifi)ci et potentis d(om)ini Areaniti”.14) Por as njëri prej tyre, si, p.sh., Toma Araniti, i cili ishte djali më i madh i Gj. Aranitit, nuk mund të ketë qenë, pasi ai ishte ende i mitur dhe, për shkak të moshës, ishte i pa aftë që të mbante mbi supe misione të rëndësishme politike, ushtarake e diplomatike. Një vit  më parë (1463), shkruan F. Babinger, nëna e tyre Despina Araniti i ankohej Këshillit të Madh të Sinjorisë për Skënderbeun, për shkak se ky i fundit i pati kërkuar që djali i saj i madh, Thomai, që ishte ende i mitur, të shkonte për të luftuar te Sulltani.15) O. Shmid, autori i librit “Skënderbeu” (Tiranë 2009), shkruan se: “Thoma Araniti një herë për njëherë as që nuk mbahej në konsiderat si aleat, në vend të tij doli në pah e jëma…”.16) Dhe vërtetë, ishte  nëna e tyre Despina Araniti, e cila tre vjet më vonë, dhe pikërisht në vitin 1467, do t’i drejtohej për ndihmë Sinjorisë për të luftuar kundër osmanëve, duke dërguar atje njërin nga vasalët e saj, Ilia Bosin, i cili, në emër të zonjës së tij, lidhi marrëveshje të rëndësishme me Venedikun.17) Një vit më parë, më 25 shator 1463, Këshilli i Madh i Venedikut kishte përmbushur edhe një kërkesë të Skënderbeut për të pranuar djalin e tij, Gjonin, në radhët e aristokracisë së Venedikut.18)
Atëhere shtrohet përsëri pyetja se cili ishte ky Komino, që ishte pranuar antar i Këshillit të Madh të Sinjorisë? Zgjidhjen e kësaj pyetje do ta gjejmë te dokumenti që shoqëron emblemën, ku kemi një detaj shumë interesant e të rëndësishëm, i cili do të na çojë në zbulimin e enigmës sonë. Aty shkruhet: “Komino i derës së Zotit Retini të Shqipërisë mbi Skuteri, Zot në anët e atij vendi” (nënvizimi im-A.A.), që do të thotë se ky Komino ishte zot jo në Skuteri, por mbi të. Skuteri-a, apo Skuterra e sotme, është një fshat pranë Mushqetasë në krahinën e Kërrabës së Tiranës, që ndodhet në krahun e majtë të lumit Erzen. Mbi Skuterrë, atje ku buron edhe lumi i Erzenit, ndodhet krahina e Tomadesë. “Në mesjetë, – shkruajnë dy autorët Nadin dhe Brahaj, – Skuterra ishte kufiri që ndante dy krahinat e njohura Tomadhen dhe Çermenikën”.19) Në regjistrin kadastral Osman të vitit 1467, të Vilajetit të Dibrës, Dulgobërdës, Rijekës dhe Çermenikës, Tomadhea emërtohej si “Krahina e Tamadhesë”.20) Skuterra e ka në kufi krahinën e Tomadesë, kurse krahinën e Çermenikës e ka shumë lartg prej saj. Çermenika shtrihet në jug të krahinës së Tomadhesë dhe zbret deri në luginën e lumit Shkumbin.


Lind pyetja: Kush kishte qenë Komino që kishte zotëruar fshatrat e Tomadesë në shek. e 15-të, para pushtimit të tyre në vitin 1467 nga osmanët? Dy autorët Nadin dhe Brahaj në artikullin e tyre të përmendur lenë të kuptohet se janë bijtë e Gjergj Aranitit. Çermenika, shkruajnë ata, kishte qenë në zotërim të Gj. Aranitit dhe bijve të tij dhe se ajo (Çermenika) ishte qendra e princit Gjergj Araniti.21) Por, a është e vërtetë se Gj. Araniti dhe bijtë e tij i kishin pasur në zotërim dy krahinat, të Çermenikës dhe Tomadesë, dhe se Çermenika kishte qenë qendra e zotërimeve të tij? Burimet historike flasin krejt të kundërtën, që Gj. Araniti dhe bijtë e tij nuk i kanë pasur në zotërim të gjitha fshatrat e Çermenikës dhe veçanërisht fshatrat e Tomadesë. Historianët shkruajnë se disa nga pronat e Gj. Aranitit ndodheshin në jug të krahinës së Çermenikës, në luginën e lumit të Rrapunit. Sipas historianit gjerman Franc Babinger, një nga njohësit më të mirë të Aranitëve, i cili shkruan se “Gjergj Arianiti, duhet të ketë qenë rreth viteve 1443 zot i Çermenikës (në skajin jugor të malësisë, në territorin e Rrapunit), i pjesëve nga Mokra dhe Shpati…”.22) Prof. Dhimitër S. Shuteriqi i shtyn edhe më në jug pronat e Gj. Aranitit, kur shkruan në artikullin e tij “Aranitët. Zotërimet” (Tiranë 1967), se “Gj. Araniti i kishte zotërimet në pjesën qëndrore dhe jugore të viseve ku sundoi familja e tij në Çermenikë, Polis-Qukës dhe Mokër. Zotërimet e tij kufizoheshin, po edhe përzjeheshin me ato të Muzakës, vëllait të tij, dhe, me sa duket, ishin kryesisht nga ana e majtë e Shkumbinit (Shënimi im-A. Alcani)”.23) Prof. Shuteriqi, në studimet e tij për Aranitët, shkruan se Polisi ishte kryeqendra e Gj. Aranitit. Në një artikull kushtuar viseve të Aranitëve në vitin 1467, të cilat i quan “Aranitia”, ai shkruan se Polisi “ishte kryeqendra e Gjergj Aranitit dhe e pasardhësve të tij, me kështjellën në Kryekorrë (Crepakore-Krepi i Korrës), midis Vilanit e Sopotit të sotëm”,24) duke na dëshmuar se Çermenika nuk ka qenë kryeqendra e zotërimeve të tij.
Kush Aranit i zotëronte fshatrat e Çermenikës dhe Tomadesë? Kronisti Gjon Muzaka shkruan se disa nga fshatrat e krahinave të Çermenikës dhe Tomadesë i zotëronte Muzak Komneni, i cili ishte nipi i Gjergj Aranitit, nga vëllai i tij Vladan Komneni. Në “Memorien” e tij kronisti Gj. Muzaka shkruan se “Muzak Komneni, që thirrej nga populli i Angjelinës, kishte një kështjellë që quhej Bjeshka (Biescha) dhe mjaft fshatra të tjerë që janë në Çermenikë dhe Tomadhi”.25) Muzhaq Komneni, sipas Barletit, “thirrej edhe me mbiemrin Golem Arianiti…”.26) Duhet të kemi parasysh se Gjon Muzaka ishte një njohës i mirë i familjes Araniti, për shkak të lidhjeve të krushqisë që kishin dy familjet mes tyre.27)
Dëshmia e Gjon Muzakës, se Muzhaq Komneni kishte qenë “Zot” i fshatrave të krahinës së Tomadhesë “mbi Skuteri”, ka zgjidhur përfundimisht enigmën se Araniti me emrin Komino, që përmendet në dokumentin e stemës heraldike të Aranitëve dhe që ishte pranuar si antar i Këshillit të Madh të Venedikut, ishte Princi arbëror Muzhaq Komneni, djali i Vladan Komnen Aranitit.
Pas vdekjes së Gjergj Aranitit, aleatit më  të madh dhe më të rëndësishëm të venedikasve, figurat më me emër të madh në familjen Araniti ishin Moisi Golemi, Muzhaq Komneni dhe vëllai i tij Gjuric Vladani, të cilët ishin gjeneralët dhe kapedanët më të shquar të ushtrisë së Skënderbeut. Dokumenti që kemi përpara është një dëshmi e qartë se venedikasit kishin pasur interesa dhe dëshironin që, pas vdekjes së Gjergj Aranitit, t’i vijonin politikat e tyre të afrimit me pasardhësit e Aranitëve. Nuk janë ende të njohura motivet se përse venedikasit kishin zgjedhur pikërisht Muzhaq Komnenit për ta pasur aleatin e tyre. Sipas mendimit tonë, arsyet duhen të kenë qenë, së pari, se Muzhaqi kishte qenë një kapedan i sprovuar i ushtrisë së Skënderbeut dhe besnik i këtij të fundit, së dyti, se ai ishte në lidhje gjaku me dy prej lidërve më të shquar të kryengritjes antiosmane të shek. të 15-të dhe aleatët më të mëdhenj të venedikasve, me Gjergj Aranit Komnenin dhe Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ky i fundit e kishte Muzhaqin nip nga motra e tij, Angjelina Kastrioti.
Dokumenti i mësipërm dëshmon edhe një herë për rëndësinë e madhe që i kushtonin venedikasit aleancave me familjen e madhe të Aranitëve, si dhe për personalitetin e Muzhaq Komnenit, që ai e gëzonte jo vetëm te klasa e aristokracisë arbërore, por dhe te aleatët e mëdhenj e të rëndësishëm, siç ishte Republika e Venedikut, një nga shtetet më të fuqishme europiane të kohës.
________________________
1)    Nadin, Brahaj 1996: Revista “Brezi 9” (korrik-gusht) Tetovë, faqe 36;
2)     1997: Emblema shqiptare, faqe 39-41 dhe 43-45;
3)    Nadin: Immagini e dokumenti della biblioteca nazionale…, faqe 25;
4)    Nadin, Brahaj 1996: Po aty, faqe 36;
5)    “A është fjala për Aranitët në dokumentin tonë që i përket vitit 1464? Dimë se kishte vdekur Gjergj Araniti para këtij viti dhe kishte lënë tre djem”. Po aty, faqe 36;
6)    Shuteriqi 1965: Aranitët. Emri dhe gjenealogjia, faqe 3-4;
7)    Shuteriqi 1965: faqe 8;
8)    Shuteriqi 1965: faqe 3-4;
9)    Shuteriqi 1965: faqe 4;
10)    Brahaj 1997: faqe 43;
11)     Gjergj Arianiti duhet të ketë vdekur tashmë që në vjeshtë të vitit 1463…”, Babinger 2004: Fundi i arianitëve, faqe 26;
12)     Po kështu, kur bëhet fjalë për djemtë e Gjergj Aranitit në fund të shek. XV dhe në fillim të shek. XVI, ata si mbiemër kanë Komino”, Nadin, Brahaj 1996: Art. i cituar;
13)     Shmid, 2009: faqe;
14)    Babinger 2004: faqe 27;
15)     Babinger 2004: faqe 26;
16)     Shmid, 2009: faqe 198;
17)     Shuteriqi 1965: Dy dokumente të kohës së Skënderbeut, gazeta “Drita”;
18)     Babinger 2004: Po aty, faqe 26-27;
19)     Nadin, Brahaj 1996: faqe 36;
20)    Arkivi i Institutit të Historisë: Defteri emrëror…, faqe;
21)    “Çermenika ishte qendra e princit Gjergj Araniti”. Nadin, Brahaj 1996: faqe 36;
22)     Babinger 2004: faqe 17;
23)     Shuteriqi 1967: faqe 71;
24)     Shuteriqi 1981: faqe 135;
25)    Muzaka 1996: faqe 36;
26)    Barleti 1983: faqe 402;
27)     Muzaka 1996: faqe 35, 36 dhe 37;


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.