LIFE STYLE

ISHP: Fëmijë e të moshuar, si shmangen rreziqet nga i nxehti

07:46 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me ardhjen e verës, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rreziqet e motit të nxehtë, sidomos për sa u përket kategorive të njerëzve në nevojë, si të moshuarit dhe fëmijët. Në këtë kuadër, për të moshuarit këshillohet që:
Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C.
Të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11:00-18:00.
Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta.
Të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku.
Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë.





Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar, është mirë që:
Personi të vendoset në një vend të freskët.
T’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë.
T’i jepet të pijë lëngje.
Të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës.
Rregulla të arta për të nxehtët
Mos dilni në orët e nxehta.
Vishni rroba të lehta.
Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.
Mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit.


Disa rregulla të cilat ndihmojnë për të mbrojtur shëndetin e të rinjve
Mos u largoni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli.
Pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj.
Konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione.
Konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta.
Freskoni dhomat me ventilatorë apo kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25° C.
Ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë kondicionerin para se të lëvizni me të.
Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina.
Bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturën 25° C.
Ruajini ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit.
Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C, dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur. Fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, kockat dhe lëkurën. Ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.


Si t’i mbrojmë fëmijët nga dielli

Foshnjat nga 0-6 muaj
Foshnjat nga 0-6 muaj nuk duhet të mbahen apo të ekspozohen në diell. Lëkura e tyre është shumë e ndjeshme nga dielli dhe ka pak melanomë, pigmenti që u jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve, dhe që siguron një mbrojtje nga dielli. Prandaj, foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme të diellit.
Përdorni mburojat e lëvizshme në dritaren e makinës për të mbrojtur fëmijët nga rrezet që vijnë përmes dritares.
Shëtitini me karrocë herët në mëngjes përpara orës 10:00 dhe pas orës 17:00, duke përdorur mbrojtësen e diellit që kanë karrocat.
Vishini me rroba të lehta pambuku të cilat mbulojnë krahët dhe këmbët.
Zgjidhni një kapelë të gjerë që t’i mbrojë fëmijës fytyrën, qafën dhe veshët.

Foshnjat nga 6-12 muaj
Foshnjave apo bebeve në këtë moshë duhet t’u përdoret krem mbrojtës ndaj diellit
Mbrojtja është e njëjtë si te foshnjat e vogla, vetëm se duhet të përdoret edhe kremi i diellit.
Përdoren kremra me faktor mbrojtës mbi 20, dhe lyhen pjesët e zbuluara të fëmijës.
Shumë e rëndësishme është që kremi t’i vihet foshnjës rreth 30 minuta para se të dalë jashtë, t’i rivihet prapë çdo dy orë, pas larjeve në det apo nëse është djersitur shumë.
Fëmijët e vegjël 1 vjeç deri në 6 vjeç
Sigurohuni që fëmija të rrijë në hije nga ora 10:00-17:00. Kontrolloni mjedisin e jashtëm ku fëmija juaj luan për t’u siguruar që ka hije të mjaftueshme.
Sigurohuni që fëmija të jetë i veshur me rroba të lehta pambuku, të lyhet me krem mbrojtës me faktor mbrojtës mbi 20 që të jetë rezistent ndaj ujit.
Fëmijët duhet të mbajnë kapelë dhe syze dielli. Kapelja duhet të jetë e gjerë që t’i mbrojë qafën, fytyrën dhe veshët.
Si të mbrohen fëmijët nga temperaturat e larta
Në stinën e nxehtë fëmija duhet veshur me rroba të lehta pambuku, po ashtu kur vihet në gjumë.
Fëmija duhet larë me ujë të vakët, dhe kur ka puçrra lëkura duhet tharë lehtësisht me peshqir.
Temperatura e dhomës të mos jetë e lartë dhe ajri të qarkullojë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.