MILOSAO

Kisin, pianisti që u quajt “gjenial” me piano-koncertin No.1 të Çajkovskit

08:09 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Sul Gragjevi, kritik i muzikës                                                                                                                                                                                
Harallamb Fandi, kritik i arteve

Performanca e Berlinit, 31 Dhjetor 1988, me pianistin Evgenij Kisin dhe dirigjentin e BPO Herbert von Karajan, mbetet ngjarja historike më e madhe e të dy ‘gjenive’. Koncerti u organizua me rastin e festës së Vitit    të Ri. Në atë kohë pianisti Kisin  ishte vetëm 17 vjeç por interpretimi i tij në piano ishte tepër elegant, tingulli i pianos doli i pastër si kristali, toni i pianissimo’s ishte i këndshëm dhe tërheqës ndërsa virtuoziteti i pianistit të ri shkëlqeu veçanërisht në finale. Në rubato ai u tregua, gjithashtu mjeshtër i vërtetë. Të gjithë ata që patën fatin të ishin në sallë në atë fund viti, prej interpretimit të pianistit Kisin dirigjuar prej Karajanit të madh, u zhytën në një atmosferë vërtet misterioze, plot emocione melodish të bukura ‘çajkovskiane’. Cadenza e pjesës së parë ishte gati e heshtur ashtu si dirigjenti dhe orkestra, që fillimisht qëndruan në heshtje, bashkë me audiencën berlineze në sallë. Pas kësaj, orkestra e theu heshtjen   me duart e Karajanit ndërsa Kisin-i e mbajti audiencën të magjepsur me melodinë e paharrueshme të koncertit.   Ai luajti si gjithnjë, në mënyrë të moderuar veç duke krijuar efekt të madh. Harqet e Filarmonisë së Berlinit ishin në një nivel të lartë dhe shpesh ndikuan në rritjen e forcës emocionale, plot bukuri dhe ekspresion. Virtuoziteti dhe muzikaliteti i pianistit 17 vjeçar shkëlqeu në të gjithë piano-koncertin, duke u dalluar prej interpretuesve të tjerë të këtij piano-koncerti. Ai fitoi admirimin e të gjithëve, që prej masave të para të Allegro’s. Evgenij Kisin luan në mënyrë brilante dhe orkestra performë në standardin e saj më të lartë duke sjellur kështu një performancë të eksituar  të një punimi të interpretuar shumë shpesh.
Vihet re te koha e parë se disa pasazhe që mendohet se janë në pianissimo, ata në fakt janë pianississimo (ppp) veçanërisht aty ku tempo është e ngadaltë. Pianisti Kisin, edhe pse e luajti koncertin e pianos në Si b minor me 4 minuta më shumë, se sa Emil Gilels, efekti mbi audiencën ishte i madh sepse kjo i krijoi mundësi muzikës të shkëlqente më tepër, me një madhështi të paparë , duke sjellë një moment emocional, të cilin Çajkovski e kishte llogaritur saktësisht me orkestrimin.  Gishtërinjtë fantastikë të pianistit Kisin duken qartë në dvd jo vetëm për shpejtësinë e goditjeve mbi tastet e pianos por edhe në akordet masivë. S’ka dyshim se balanca midis solistit Kisin, dirigjentit dhe orkestres ka qenë shumë e qëndrueshme.
Një performancë e tillë, triumfuese, si kjo e vitit 1988, ende nuk është parë nga pianistë të tjerë dhe për këtë, është quajtur ‘performanca botërore’ e pianistit më të mirë dhe e dirigjentit më të mirë. Piano-koncerti i Çajkovskit No.1 në Si b minor, arriti rezultat monumental. Dirigjenti legjendar e mbështeti dhe inkurajoi pianistin e ri, adoleshent, Kisin. Pasioni i tij, forca e pabesueshme, aftësia, shkathtësia bashkë me muzikalitetin ishin në shkallën më të lartë dhe u regjistruan menjëherë në Dvd dhe Cd, për tu bërë frymëzim për të gjithë muzikantët e rinj, admirues të muzikës së Çajkovskit. Mbrëmja e Berlinit, e 31 Dhjetorit 1988, do të ishte mbrëmja më e bukur e pianistit të ri deri atë kohë, kujtimi i së cilës do të mbetej për gjithë jetën.
Në fund të koncertit dirigjenti legjendar, i përlotur nga përshtypja e interpretimit brilant të pianistit të ri, u dëgjua të ketë thënë me zë të ulët “gjeni”.


Por si u arrit kjo mrekulli?                                    
Për ta kuptuar më mirë këtë duhet të njihemi më parë me veprën dhe përhapjen e saj që nga performanca e premierës së koncertit i cili u bë për Kisin-in shndritës i rrugëtimit të tij pianistik.
“Piano-concerto famous” e quajnë koncertin për piano dhe orkester në Si b minor të P.I.Çajkovskit si të shkruar më 1874-75. Premiera e koncertit u bë në Boston më 25 Tetor 1875 me Hans von Büloë në piano. Në fakt, Çajkovski e kompozoi veprën për ta interpretuar Nikollaj Rubinshtein-i, pianist virtuoz dhe drejtor i Konservatorit të St.Petersburgut, gjithashtu dhe mik i kompozitorit. Mirëpo ai nuk pranoi ta luante koncertin në premierë duke e quajtur si të “painterpretueshëm” dhe partiturën, si të “pavlerë”. Në të njëjtën kohë, pianisti i famshëm kërkoi nga kompozitori që ta rishkruante koncertin, por Çajkovski nuk pranoi t’i bënte asnjë ndryshim, madje tha:” Unë nuk do ta revizionoj koncertin e pianos, nuk do t’i lëviz veprës asnjë notë dhe do ta publikoj saktësisht ashtu siç është”. Përveç kësaj, Çajkovski menjëherë ia dedikoi koncertin e pianos pianistit Hans von Büloë.
Në Janar 1875, Çajkovski e përfundoi edhe orkestracionin e koncertit duke e plotësuar kështu të gjithë punën, pa e ndryshuar nga dorëshkrimi dhe kërkoi nga pianisti gjerman Hans von Büloë ta ekzekutonte pasi i dërgoi të gjithë partiturën e re të shkruar. Premiera e Bostonit pati një sukses të madh, masiv.
“Koncerti juaj op.23 në Si b minor-i shkruante Büloë Çajkovskit- tregon me brilancë, një arritje të shënuar midis punimeve tuaja në muzikë, në saj të talentit tuaj të jashtëzakonshëm”….”Ju meritoni mirënjohjen e të gjithë pianistëve, sepse e pasuruat botën e muzikës si kurrë më parë. Aty gjen origjinalitet të pashoq, forcë, fisnikëri, krahas momenteve mahnitëse në të gjitha pjesët, një pjekuri të formës së koncertit, të stilit, me harmoni conssonante…Me një fjalë, ky margaritar i Juaji i vërtetë, ka për të merituar mirënjohjen e të gjithë pianistëve”. Ndërsa Çajkovski, në një letër që ia dërgonte Rimskij-Korsakovit, i shkruante për suksesin e madh të performancës së Bostonit:” Me ç’dëshirë e dëgjonin amerikanët! – Në çdo ekzekutim të koncertit tim, finalja e von Büloë-t ishte e destinuar të përsëritej”.
Hans von Büloë ishte figurë e rëndësishme e botës muzikore Gjermane, ai e krijoi dhe e ngriti figurën e vet si pianist dhe dirigjent qysh në fillimin e karrierës së tij. Pianisti gjerman nuk ishte nacionalist çjerrës dhe e mori piano-koncertin e Çajkovskit me shumë interes e dëshirë për ta interpretuar. Suksesi ndërkombëtar i koncertit No.1 op.23 e bindi edhe Nikollaj Rubinshteinin për vlerat e tij, të cilat e bënë të zejë një vend shumë të rëndësishëm në repertorin pianistik botëror. John Dëight, një kritik lider i Bostonit e pranoi që koncerti i Çajkovskit ishte brilant dhe eksitues, dhe shtoi,-  “A thua do të mësohemi ta admirojmë një muzikë të tillë?”
Dhe, koncerti i Çajkovskit, filloi të dëgjohet nëpër Europë. Mbas vlerësimittë kritikut të njohur Vienez, Hanslick, reputacioni i Çajkovskit u ngrit me shpejtësi. Mirëpo është interesante se në Moskë, piano-koncertin No.1 në Si b minor e dirigjoi Nikollaj Rubinshtein ndërsa në piano luajti Sergej Tanjejev. Rubinshtein e ka luajtur atë piano-koncert disa herë dhe ai u bë koncerti shumë popullor. Koncertet dhe pjesët e tipit koncertal për piano, violinë dhe violonçelo për orkester, që lidhin pasurinë dhe qartësinë e materialit me hapësirën e virtuozitetit dhe dimensionin simfonik, u bënë veprat muzikore më të shquara jo vetëm në Rusi por në një shkallë të konsiderueshme edhe në artin muzikor botëror. Nga tre koncertet e pianos, koncerti No.1 i Çajkovskit ishte më brilanti. Ai vinte i fuqishëm, plot lirizëm, me pasuri ngjyrash dhe me melodi patetike-romantike. Elementët e virtuozitetit dhe ato të teknikës për pjesën e pianos, pasqyrojnë pastër “trupin dhe gjallërinë e punimit” (Boris Asafjev). Orkestra dhe solisti në piano luajnë si dy partnerë të barabartë, por që luftojnë me njëri-tjetrin, konkurojnë mes tyre dhe harmonikisht e mbështesin njëri-tjetrin.

Po tjetër për koncertin Kisin-Karajan?                                                                
Më 1988, Kisin takohet me Herbert Karajanin për interpretimin e piano-koncertit të Çajkovskit. Hyrja e Kisinit në skenë dhe afrimi me dirigjentin ishte e qetë dhe si e papritur. Impresario i tij, Hans-Dieter Gohre e ftoi Kisinin dhe familjen e tij të qëndrojë në Munich para se të fillonte turin e tij në Austri dhe Zvicër, me ‘Virtuozët e Moskës’. Në mëngjes Gohre e thirri pianistin e ri dhe bisedoi me të për koncertin e Berlinit. Karajani, pasi kish parë rregjistrimet e Kisinit që ia kish dërguar ky, ishte dakord që të dirigjonte koncertin e pianos me Kisinin. Evgenij Kisin mbante mend detajet e çdo minute të takimit me Karajanin si dhe efektin e jashtëzakonshëm të dirigjentit mbi të: “Anna Pavllovna Kantor, më tha mua që nuk e kisha luajtur asnjëherë ‘Fantazinë e Shopenit’ që e kisha bërë gati për Karajanin”- tha pianisti i ri.  Efekti ishte i dukshëm i dyanshëm. “Kur mbarova së luajturi në piano, kujtohet Kisin, “ia hodha sytë Karajanit, bëra disa hapa drejtë tij dhe ai më dha një të puthur, hoqi syzet dhe fshiu lotët me një shami dore”. E shoqja e Karajanit i tha pianistit Kisin mbas takimit: “Jam martuar më të tash 30 vjet por asnjëherë nuk e kam parë atë në këtë gjendje të thellë emocionuese”. Evgenij Kisin, është një talent i jashtëzakonshëm në piano. “Unë studioj më tepër se 5-6 orë në ditë sepse talenti nuk mund të realizohet pa punuar. Kur ishte në majën e talentit të tij, pianisti Amerikan, Van Cliburn, fitoi Konkursin Ndërkombëtar “Çajkovski’ për piano, me piano-koncertin No.1 op.23 në Si b minor dhe ky është shembull i qartë i asaj që, pa punë, talenti mjerisht mbetet një asgjë”.
Aleksander Borisoviç Goldenvajzer tha për pianistin Kisin: “Ky djalosh kur luan në piano, bisedon me Zotin”.
Kisin afrohet me Anna Pavllovna Kantor e cila ishte pedagoge nga më të mirat për fëmijët në shkollën e muzikës Gnjesin të Moskës. Ai shpjegon:” Isha 6 vjeç. Njëra nga shoqet dhe koleget e nënës time, jepte mësim në fortepiano në shkollën e muzikës Gnjesin. Ajo ishte e martuar me pianistin dhe pedagogun e njohur të Moskës, Evgenij Liberman i cili nuk merrej me mësimin e fëmijëve në shkollën e pianos. Atëhere ai më foli për Anna Pavllovna, njëra nga pedagoget më të mira të fëmijëve në Moskë, organizoi takimin pa i treguar prindërve të mi të cilët atë kohë nuk donin që unë të bëhesha muzikant. Derisa motra ime mësonte muzikë, ata e dinin se sa punë e vështirë ishte dhe menduan që unë duhet të merresha me diçka tjetër. Ata mendonin që unë duhet të shkoja për të mësuar anglisht pesë herë në javë. Mirëpo, takimi u organizua në atë mënyrë që prindërit pasi u bindën, më dërguan në shkollën e muzikës Gnjesin të Moskës (shkollë e themeluar nga tri motrat Gnjesin-sinonim i përsosurisë në muzikë dhe disiplinë)”.
Kisi, sipas legjendës, qysh kur ishte 11 muajsh, filloi të përsërit tonet e Bah-ut të cilat i luante në piano motra e tij. Sa filloi të ecë, i shtriu gishtërinjtë mbi tastet e pianos duke u përpjekur të luante melodi të cilat i kish dëgjuar në radio. Për fëmijë të tillë  në Moskë ekzistonte vetëm shkolla Gnjesin. Kisin mësoi shkëlqyeshëm me Anna Pavllovna e cila u bë pjesë e familjes Kisin. Kjo bashkë më të ëmën e pianistit e shoqëronin gjeniun e thjeshtë romantik nëpër vendet jashtë Rusisë ku kishte koncerte. Talenti i pianistit Kisin shpërtheu në vitin 1984, kur ai interpretoi dy piano-koncertet e Shopenit me Orkestren e Filarmonisë së Moskës.
“Fillova ta luaj muzikën në piano me vesh, pa partiturë. Ishin dy gjëra të rëndësishme për mua, në fillim ta dëgjoj muzikën dhe menjëherë ta luaj në piano. Kështu ekzekutova në piano ‘Ballaten e Shopenit’, ‘Rapsodinë’ No.12 të Listit, ndërsa nëna i tha Pavllovna’s që unë e dua improvizimin e muzikës time. Në Gnjesin qëndrova 12 vjet. Gjatë kësaj kohe familja e jonë u afrua shumë me Annën e cila të gjithë jetën e saj ia kushtonte nxënësve të vet”. Pianisti i famshëm Rus Kisin (45) mbetet një pianist me një karrierë mahnitëse, ai tashmë konsiderohet një interpretues legjendar në piano. Në tri dekada, që prej përqafimit të monumenteve të repertorit pianistik, që prej Shopenit, me të cilin për herë të parë bëri emër, e deri  te thellësitë emocionale të Shumannit dhe të virtuozitetit të pastër të Listit, Evgenij Kisin shkëlqeu dhe u bë një nga muzikantët më të shquar e më të rëndësishëm të kohës sonë. Evgenij Kisin e interpretoi piano-koncertin e Çajkovskit edhe në Boston mbas 110 vitesh që prej premierës së koncertit me pianistin Hans von Bülow.
Në muzikën instrumentale është e rëndësishme që të kuptohet se si kompozitori do t’a donte që t’i interpretohej muzika e tij. Kështu Çajkovski patjetër interpretohet ashtu siç e shkroi muzikën e tij të piano-koncertit No.1, pra vetëm në mënyrën ‘çajkovskiane’ dhe siç pohonte legjendari Yehudi Menuhin, të gjithë instrumentistët Rus janë të admirueshëm në teknikën dhe temperamentin e tyre dhe se veprat e autorëve të vendit të vet ata i interpretojnë më mirë nga të tjerët. Dhe shton më tej:”Çajkovski mbetet një gjigand, ai preku zemrën humane. Unë e ndiej muzikën e tij baletike prej së largu, ai ishte shumë elegant dhe kompozitor aristokratik.     Çajkovski ishte nga ata pak Rusë të kohës së tij që e adhuronte Mozartin. Kisha kënaqësi kur dirigjoja simfonitë e tij No.4,5 dhe 6 “.
Dhe Menuhin, kish shumë të drejtë kur vlerësonte muzikën e bukur baletike të Çajkovskit i cili thoshte që, kushti parësor i çdo krijimi artistik është-bukuria. Muzika e Çajkovskit është plot lirizëm, e pastër, e kthjelltë dhe magjepse.
Andrej Gavrillov, pianist e dirigjent Rus shton: “Asnjëtjetër kompozim klasik nuk interpretohet kaq shpesh si piano-koncerti No.1 në Si b minor, jo vetëm në performancat publike, por edhe në konkurset ndërkombëtare të pianos. Një interpretim i shpeshtë i koncertit i ndjekur me admirim e delikatesë nga publiku, e ka bërë këtë koncert të jetë brilant e madhështor. Ky piano-koncert, filozofi simfonike e jetës, me modulime melodike të shpirtit të njeriut, është ekzistencializmi simfonik i ëmbël Rus që i përket dhjetëshes të veprave më të mira të krijuara prej genit njerëzor. Për interpretimin e piano-koncertit No.1 të P.I.Çajkovskit duhet të jeshë jo vetëm një pianist me teknikë të përsosur por edhe të kesh përvojë të pasur, të njohësh mirë kulturën Ruse të shek.19 por edhe ta kuptosh thellë filozofinë religjioze Ruse ose siç e quajmë ndryshe, zgjuarsinë organike të jetës”.
Çajkovski,  duke punuar mbi piano-koncertin No.1, u orientua nga pianizmi madhështor i Nikollaj Rubinshteinit, në artin e ekzekutimit të të cilit, virtuoziteti i lartë, vrulli dhe forca sigurojnë te dëgjuesi një veprim të pakthyeshëm.
Sa për kujtesë, në vitin 1880, Çajkovski vendosi t’ia dedikojë piano-koncertin No.2 pianistit Nikollaj Rubinshtein për interpretim të jashtëzakonshëm të piano-koncertit No.1. Koncerti  i pianos në Si b minor përmban teknikë pianistike të përsosur përveç pasazheve, oktavave, akordeve masivë, por gjithashtu episode lirikë, qartësi, kthjelltësi dhe ekspresion të thellë. Çajkovski shfrytëzoi ciklin e trekohëshit klasik për koncertin por duke krijuar një koncept krejtësisht novator. Pjesa e parë, 865 masa, 23:41, ka një hapje ikonike, madhështore, që zor se mund të gjendet te ndonjë koncert tjetër. Fillon me katër kornot e stuhishme dhe me tetë akordet në Si b minor të orkestrës që lajmërojnë temën lirike dhe pasionante në Re b maxhor të introduksionit. Tema dëgjohet tri herë, orkestra-piano-orkestra dhe nuk shfaqet më deri në përfundimin e ‘allegro con spirito’. Kjo pjesë është e pasur me fantazi krijuese, me kontraste të guximshme e të papritur, me kulmime të fuqishme, me ngritje të fuqishme dramatike dhe momente të qetësisë, në mbarim të cilave arrihet përfundimi madhështor trimfues mbas shumë përpjekjesh.
Andantino semplice, 170 masa, 8:33, është shkruar në formën tripjesëshe, në Re b maxhor dhe është një nga lirizmat më të bukura të Çajkovskit. Mbas një introduksioni shumë të shkurtër të pizzicatove, flauti ekspozon temën të shoqëruar nga pizz. e harqeve me një ngjyrim pastoral që gradualisht zotëron karakter më ekspresiv. Më pas, edhe violonçelo, oboe dhe piano përsërisin temën e bukur.  Çajkovski bashkoi linjat e dy pjesëve të ciklit simfonik tradicional-pjesën lirike dhe scherzo. Në të gjithë pjesën e dytë, një rëndësi të madhe paraqet forma-variacion e zhvillimit të materialit tematik. Finalja e piano-koncertit, allegro con fuoco, 301 masa, 8:46, në Si b maxhor, është energjike dhe sjell një impresion të madh dhe entuziazëm te dëgjuesit. Kjo finale, ashtu si në të gjithë punimet simfonike të mëdha të Çajkovskit, paraqet daljen nga sfera e brendshme shpirtërore, në botën e zhurmshme, plotngjyrshme të gëzimit popullor. Për temën bazë të finales, Çajkovski shfrytëzoi melodi të njohura Ukrainase por që i ndryshoi duke i shtuar karakterin e “tokatës” ritmike që më të shumtën, ishte tipike për këngë dansi. Kësaj teme i kontrastohet e dyta, lirike, gjërësisht e këndueshme. Të dy temat në kontrast, nuk i nënshtrohen përpunimit, por thjeshtë alternohen në atë vazhdimësi për të cilën, tema e parë ruan të pandryshueshme formën e ekspozicionit dhe tonalitetin kur tema e dytë, e ndryshon tonalitetin e saj. Kjo finale është shkruar në formën rondo-sonata, që haset edhe në literaturën koncertale të shek.19. Kjo formë e Çajkovskit interpretohet me interes dhe origjinalisht: në këtë rast formohen si të thuash, tre cikle të vegjël analogë, të përbërë nga alternimi i disa formave. Në ciklin e fundit inkludohet Coda e karakterit triumfues.
Piano-koncerti No.1 në Si b minor op.23 i Çajkovskit sot konsiderohet si një nga numrat kyç të repertorit pianistik të pjesës më të madhe të koncert-pianistëve në botë. Vetëm shikojeni ndryshimin midis “Emperorit” të Beethoven-it dhe “Emperorit” të Çajkovskit në interpretimet e pianistit Evgenij Kisin, dhe ska nevojë për koment.

A thua, ashtu siç thoshte Nurejevi i famshëm që çdo  balet-danser, çdo mëngjes, duhet të përkulet para portretit të Çajkovskit, këtë gjë duhet ta bëjnë edhe pianistët para partiturës së tij!?
Herbert von Karajan, gjeti te Evgenij Kisini, interpretuesin më të dëshirueshëm të tij, më të mirin, për piano-koncertin No.1 të P.I.Çajkovskit.
Sot, piano-koncerti No.1 i P.I.Çajkovskit është një nga produksionet më të ekzekutuar në repertor. Veçanërisht   ai tingëllon shumë shpesh gjatë ditëve të Konkursit Ndërkombëtar “Çajkovski” në Moskë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.