Show-Bizz

Rrëfehet “Miss Shqipëria 2017”: Unë më e bukura? Ja si ndihem me kurorë

09:43 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Alessia Çoku është vajza e përzgjedhur për të mbajtur titullin “Miss Shqipëria 2017”, duke qenë rrjedhimisht bukuroshja e 19-të e konkursit të bukurisë më jetëgjatë në hapësirën mbarëshqiptare. Nën regjinë e Petri Bozos dhe skenarin e Alda Bidës, magjia e festës zgjoi edhe qytetin e vogël të Tepelenës, ku vendasit e quajtën Alessian një Miss që, përveç bukurisë, do kujtohet edhe si vlerë, pasi u zgjodh në kalanë e Ali Pashë Tepelenës. “Deliart Association” në rrugëtimin e pandërprerë këta 19 vjet, përveç së bukurës reklamon edhe vlerat e qytetarisë dhe historisë shqiptare. Kastro Zizo dhe rikthimi i Einxhel Shkirës në ekran, gjigantët e muzikës shqiptare Aleksandër Gjoka, Endri e Stefi, Flaka Krelani e Renis Gjoka, i dhanë larminë e ngjyrave spektaklit të bukurisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, “Miss Shqipëria 2017”, vajza që do na përfaqësojë në “Miss Globe Internacional”, tregon rrugëtimin e saj në këtë event.
Jeni shpallur “Miss Shqipëria” mes 31 vajzave të tjera të bukura; ç’do të thotë ky çmim për ju?
Është privilegj të jesh më e bukura ndër të bukura, gjë që do të më japë mundësinë të përfaqësoj Shqipërinë, vendin tim, në konkurse ndërkombëtare.
A krijuat miqësi me vajzat e tjera?
Ka qenë një nga eksperiencat më të veçanta për mua. Pata mundësinë të njoh e të lidh miqësi, dhe jam e sigurt që do të jenë miqësi që do të jetojnë gjatë në kohë. Ne ishim mike dhe rivale në të njëjtën kohë.





A e keni ndjerë konkurrencën mes vajzave të tjera gjatë grumbullimit?
Sigurisht që po, ka pasur konkurrencë, e kam ndjerë, sepse të gjitha ishim aty për të njëjtën arsye, për të marrë kurorën.
Çfarë do të kujtoni nga kjo eksperiencë?
Brenda një kohe relativisht të shkurtër ne vajzat pjesëmarrëse në “Miss Shqipëria” mundëm të udhëtojmë, të shtegtojmë në shumë vende. Pamë relieve të ndryshme, det, mal, fusha, shkëmbinj. U njohëm me historinë e vendeve që vizituam. Patëm një proces të shijimit të natyrës që për brezin tonë është gjithnjë e më i pakët.
Turi i lëvizjeve të “Miss Shqipëria” a ju lodhi?
Kishte lodhje, por ne mundëm të shihnim vende të cilat jo vetëm nuk i kishim parë, por edhe nuk do të shkonim enkas për t’i parë. Mendoj se kemi mësuar shumë.
Mendon se do ta ndryshosh pamjen pas fitores së kurorës?
Të ndryshoj pamjen? Nuk kam arsye, unë jam “Miss Shqipëria”, pra jam shpallur vajza më e bukur, kështu që nuk besoj se kam nevojë të ndryshoj (buzëqesh).
Çfarë është bukuria për ju?
Bukuria është komplekse, është e ndryshme. Nuk kam një përkufizim të saktë, por mendoj se bukuria nuk është vetëm pamja e jashtme. E brendshmja e çdo individi, e zbukuron pamjen apo e shëmton atë.
E ke parë më parë “Miss Shqipëria”, a ke ndonjë Miss të preferuar?
E kisha informacionin që bëhej si kompeticion, por nuk e kisha ndjekur asnjëherë, kështu që, nuk kam ndonjë Miss të preferuar. Pak apo aspak kam dëgjuar për to.


A ke marrë pjesë ndonjëherë në ndonjë konkurs?
Po, kam marrë pjesë në konkursin “Reggineta di Mare” në Itali, ku është vendlindja ime, por “Miss Shqipëria” ishte shumë më madhështor si spektakël.
A është pasion yti modelimi?
Sigurisht që po! Më pëlqen arti, dhe në këtë moment pasarelat dhe fotografitë. Më pas, ku i dihet…
Sa të mbështet familja në këtë pasion tëndin?
Mendoj që është një mbështetje shumë e madhe për mua. Më qëndrojnë gjithnjë pranë. Mami ka qenë gjithnjë një shtysë që unë të jem pjesëmarrëse.
Të pëlqen të vazhdosh rrugën e modeles, të prezantueses; cilat janë ëndrrat në sirtar për ty tani?
E thashë edhe pak më lart që më pëlqen shumë. Për sa i përket prezantimit, pse jo, nëse më jepet mundësia! Për ëndrrat në sirtar, tani kam shumë, por më mirë të mos e “hap” sirtarin.


Ëndrra jote e madhe, cila është?
Të shkollohem siç duhet dhe të bëhem dikush, që të lë një gjurmë të mirë në jetë.
Përshtypjet që të la shërbimi fotografik i parë? Emocionet, sa arrije t’i kontrolloje?
Gjatë turit me “Miss Shqipëria” patëm mundësinë të fotografoheshim gjatë gjithë kohës. Në setin fotografik zyrtar që ishte për revistën “Miss Shqipëria”, kur udhëtonim, dhe po ashtu patëm fat të njihnim Roberto Granatta, një nga fotografët më të famshëm. Të fotografoheshe ishte emocion i veçantë, jo vetëm se nuk kisha provuar fotografim profesional, por edhe për faktin se ajo fotografi do të mbetej në revistën zyrtare.
Raporti me ushqimin?
Kam një metabolizëm shumë të mirë dhe për këtë arsye kam një raport të mirë me ushqimin.
Fenomeni i anoreksisë dhe shoqëria që propozon imazhe publicitare, të cilat shpesh, deformojnë konceptin e shëndetit dhe elegancës.
Sa është i rëndësishëm, sipas teje, një edukim ushqimor i ekuilibruar për të gjithë rininë, e sidomos për ju modelet?
Regjimi ushqimor është i rëndësishëm për të gjithë, për modelet në mënyrë të veçantë. Nuk mendoj se anoreksia duhet stimuluar, sepse kur shndërrohesh në personazh publik, sigurisht që ke vëmendjen më të madhe dhe mund të bësh të gabojnë ata që të ndjekin. Eleganca është përkujdesje, dobësia është anoreksi.
Interesa të tjera përveç modës?
Më pëlqen të udhëtoj, të shoh vende që nuk i kam parë. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja (tashmë flas italisht, anglisht dhe po mësoj spanjishten), sepse gjuha e huaj është një dritare, një mundësi për të kuptuar e njohur më shumë. Kam shumë interesa të tjera si puna e ëndrrave.
Cilat konsideron ikona bukurie, si femërore ashtu edhe mashkullore?
Gigi Hadid (modele e “Victoria Secret”), ndërsa për meshkuj s’di të më ketë tërhequr vëmendjen dikush.
Mbresat e tua nga konkursi i sapozhvilluar “Miss Shqipëria 2017” e nga kurorëzimi me çmimin “Miss Shqipëria 2017”?
Unë mbaja numrin 30 në sfilata, dhe në momentin që po lexohej Top 10, kur u lexua edhe numri i parafundit, po mendoja ‘kaq ishte, thjesht një eksperiencë e bukur’. Por, kur u tha numri dhe emri im pata emocion, aq sa lëvizjen për të shkuar në rresht me vajzat e tjera e bëra si të isha në ëndërr. Të mos flasim pastaj për momentin e kurorëzimit, që më bëri të derdh lot nga emocionet! Sinqerisht, nuk e prisja. Ishte një emocion vërtet i madh, të cilin është e vështirë të gjej fjalë për ta treguar.


A mund të na tregosh se çfarë ndjesie ke marrë në këto ditë pas fitores tënde? Si kanë reaguar të afërmit, shoqet, mësuesit, apo edhe njerëzit e tjerë?
Kjo është pjesa të cilën do të doja ta shpjegoja gjatë. Pas fitores së kurorës, unë u ula sërish mes vajzave konkurrente në autobus për të shkuar te festa pas spektaklit. Në telefon më vinin urime nga shoqet, shumë prej të cilave nuk e dinin që unë kisha marrë pjesë. Po ashtu më vinin edhe informacionet se kush kishte shkruar për mua. Kthimi nga Tepelena në Tiranë më bëri të takohem me njerëz që kishin parë spektaklin dhe kërkonin të bënin fotografi, madje më bënë një intervistë. Emocionet që kam marrë nga të njohur e të panjohur më kanë bërë të ndihem e veçantë, jo vetëm për faktin që jam “Miss Shqipëria”, por edhe për vëmendjen që do të kem në vazhdim. Është bukur kur merr emocione, e në mënyrë të veçantë kur nuk i pret.
Çfarë ju ka mbetur në mendje nga momenti i kurorëzimit?
Fakti që publiku e priti vlerësimin me duartrokitje, dhe që unë nuk kontrolloja dot lotët, që sigurisht ishin lot të një personi të lumtur. Ishte realizuar ëndrra ime!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.