OPINION

Serbia e do një reagim nga BE, Tirana dhe Prishtina

07:23 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shaban MURATI

 

Nëse dikush në çdo cep të Europës do të kishte guxuar të ngrinte memorial apo të bënte ceremoni shtetërore lavdërimi për ushtarët nazistë, do të kishte rënë tërmet politik, diplomatik, juridik dhe propagandistik në shkallë kontinentale. Por nuk ndodhi asgjë, kur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përuroi në 14 qershor memorialin e ushtarëve serbë, të vrarë në prillin e vitit 1999, në kulmin e ofensivës ushtarako-policore serbe për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër popullit shqiptar të Kosovës, ku u vranë 15 mijë shqiptarë, u zhdukën disa mijëra të tjerë dhe u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre mbi një milion shqiptarë. Spastrimi etnik dhe gjenocidi që ndërmorën forcat ushtarake serbe kundër popullit shqiptar, ishte krimi i madh shtetëror kundër njerëzimit, i cili e bëri Europën demokratike, bashkë me SHBA, që të ndërhynin me fushatën ajrore mbi objektet ushtarake serbe dhe ta detyronin ushtrinë dhe qeverinë e diktatorit Sllobodan Millosheviç të kapitullonte e të largohej nga Kosova. Në luftën për mbrojtjen e jetës, familjeve dhe të lirisë së popullit u ngritën me dhjetëra mijëra luftëtarë të UÇK për t’i rezistuar agresionit fashist serb.

BE duhet të reagojë ndaj kësaj shfaqjeje të turpshme zyrtare të Serbisë në mbrojtje të krimit të luftës, sepse presidenti, qeveria dhe shteti serb po glorifikojnë politikën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër popujve të tjerë. Domethënia e këtij veprimi është se presidenti dhe qeveria e Serbisë e mbrojnë dhe janë gati ta përsërisin atë politikë fashiste të Millosheviçit ndaj popujve jo serbë në Ballkan. Presidenti serb e cilësoi luftën barbare të forcave fashiste serbe kundër popullit shqiptar në Kosovë si “Termopilet serbe”. Ai shtiret sikur nuk e di që lufta e Koshares ishin Termopilet shqiptare, sepse pushtuesi ishte Serbia, e cila po zbatonte spastrimin etnik të popullit shqiptar, që jetonte në trojet e veta. Sipas logjikës fanatike nacionaliste të presidentit serb, të cilit ka mbetur ora te koha kur ishte anëtar i qeverisë së Millosheviçit, i bie që krimineli ndërkombëtar i luftës, Millosheviç, të shpallet “Leonidha i ri i Serbisë”. Me këto qëndrime, Vuçiç sfidon Europën dhe OKB-në, të cilët e kanë damkosur Millosheviçin si kriminelin më të madh ndërkombëtar të luftës në Europë, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Presidenti serb sfidon Europën, sepse sapo u betua si president, shpall politikë zyrtare reabilitimin dhe glorifikimin e gjithë kriminelëve serbë të luftës dhe të gjithë forcave ushtarake serbe që kanë kryer krime lufte në Kosovë, në Bosnjë, në Kroaci, etj.

Glorifikimi i spastrimit etnik dhe i gjenocidit në Kosovë po ndërmerret nga presidenti i një shteti, të cilin BE me indulgjencë të madhe e ka pranuar shtet kandidat dhe ka hapur bisedimet e pranimit për anëtar. Nuk e kuptoj se si mund të justifikohet avancimi në rrugën e anëtarësimit në BE të një shteti, udhëheqja e të cilit jo vetëm nuk kërkon falje, por mbron krimin dhe kriminelët e luftës dhe politikën gjakatare të Serbisë së Millosheviçit kundër popujve jo serbë. Sjelljet profashiste të Serbisë dëshmojnë se ajo nuk e ka seriozisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, për të cilin është angazhuar para BE-së, dhe asaj i duhen bisedimet me Kosovën në Bruksel si alibi e avancimit të procesit të anëtarësimit në BE.

Sfida arrogante e presidentit, e qeverisë dhe e shtetit serb ndaj BE shpjegon pse Serbia, jo vetëm nuk po bashkëpunon me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, por po i mbron dhe po i promovon kriminelët e luftës, siç tregon refuzimi i Beogradit për të dorëzuar tre kriminelë të kërkuar lufte, ndër të cilët njeri është deputet në parlamentin e tanishëm serb. Deputet është tani edhe krimineli famëkeq i luftës, Vojislav Sheshel.

Në këtë shfrim arrogant nacionalist të presidentit serb ka edhe BE pjesën e fajit, sepse BE nuk tha gjysmë fjale, kur në drejtimin e qeverisë dhe të shtetit serb erdhën në grup ish anëtarët e kabinetit të kriminelit Millosheviç. Konkretisht erdhën në fuqi Presidenti Tomislav Nikoliç, kryeministri Aleksandër Vuçiç, ministri i Jashtëm Ivica Daçiç, kryetarja e parlamentit Maja Gojkoviç, që të katër anëtarë të kabinetit të Millosheviçit. Bashkë me ta, edhe shefi i tanishëm i shtabit të ushtrisë, Ljubisha Dikoviç, një kriminel lufte, një nga komandantët e operacionit të spastrimit etnik në Kosovë në 1999. Para pak kohësh shoqata e mirënjohur joqeveritare serbe “Qendra e Ligjit Humanitar” shfaqi një dokumentar, ku akuzon shefin e shtabit të sotëm të ushtrisë serbe, Ljubisha Dikoviç, për përfshirje në krime lufte në Kosovë dhe për operacione të fshehjes së kufomave. Sipas dokumentarit, rreth 1400 civilë janë vrarë në vitin 1999 në zonat e Kosovës, që ndodheshin nën kontrollin e Brigadës së 37-të të ushtrisë jugosllave, të komanduar nga Ljubisha Dikoviç.

Ardhja në pushtet e gjithë garniturës qeveritare millosheviçiane në kohën e “demokracisë”, nuk kishte dhe as ka të bëjë me të ashtuquajturën të drejtë të personit për ndryshim. Riardhja në pushtet e garniturës qeveritare të Millosheviçit ishte riardhja e së njëjtës filozofi, mentalitet dhe politikë nacionaliste, e cila sintetizohet në aktin e 14 qershorit të glorifikimit të politikës fashiste të spastrimit etnik dhe të gjenocidit kundër shqiptarëve.

BE duhet të reagojë, sepse nga 19 shtete demokratike, që bënin pjesë në aleancën e madhe humanitare, që ndërhyri ushtarakisht për të ndalur ushtrinë serbe të zbatonte spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1999, 17 prej tyre ishin shtete europiane dhe shumica e tyre ishin anëtarë të BE. Askush nuk mund ta kuptojë se përse Hungaria, e cila mori pjesë në ndërhyrjen e aleancës së 19 shteteve kundër ushtrisë serbe në 1999 dhe e ka njohur Kosovën së shtet, tani dërgon përfaqësuesit e saj diplomatikë të vendosë kurorë në 14 qershor në memorialin glorifikues të spastrimit etnik, bashkë me përfaqësuesit e Bjellorusisë, Qipros, Venezuelës, Kubës, të cilat ndjekin politika pro ruse dhe nuk e kanë njohur Kosovën.

Është vërtet e papranueshme që në Beograd ekipi i spastrimit etnik dhe i gjenocidit kundër popujve të tjerë, pra ekipi i Millosheviçit, i jep vetes të drejtën të japë mend se kush duhet të qeverisë popujt dhe shtete e tjera. BE nuk duhet të heshtë përballë absurditetit që ish-qeveritarët e Millosheviçit sot në pushtet ne Beograd, ngrihen dhe kundërshtojnë qeverinë e ish-luftëtarëve të UÇK, që luftuan për mbrojtjen e jetës, familjeve dhe lirisë së popullit. Presidenti i Serbisë, Vuçiç deklaroi në 12 qershor se koalicioni i veteranëve të luftës, që fitoi shumicën në zgjedhjet në Kosovë do të krijojë shumë probleme për ne. Madje ai tha se Serbia do të donte të shihte rezultate të tjera në zgjedhjet në Kosovë. Vuçiç nuk u shpreh se fitorja e cilës forcë politike shqiptare do ta kënaqte Serbinë, por kjo situatë, kur ish- qeveritarët e spastrimit etnik guxojnë të gjykojnë ish-luftëtarët e lirisë, është një arrogancë, të cilës BE duhet t’i thotë “mjaft”.

Ndaj kësaj sfide antimorale dhe antihumane, që ndërmerr presidenti serb, duhet të reagojë Prishtina. Duhet të reagojë, sepse presidenti i Serbisë, duke glorifikuar politikën e spastrimit etnik dhe gjenocidin serb të 19 viteve më parë, rivendikon shtetin dhe territorin Kosovës, shpall strategjinë e zhbërjes së lirisë dhe të shtetit të Kosovës si në 1999, përligj krimet e përbindshme të forcave ushtarake serbe ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë. Duhet të reagojë Prishtina, sepse kjo, që bën presidenti i Serbisë, është ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të shtetit të pavarur të Kosovës. Kosova nuk mund të pranojë as rivendikimet koloniale serbe, por as poshtërimin, që presidenti serb i bën luftës dhe sakrificave të popullit të Kosovës dhe të luftëtarëve të lirisë të UÇK. UÇK mbrojti popullin e vet në tokën e vet, lirinë e të drejtat dhe jetën e popullit të vet. Lufta e UÇK ishte një luftë legjitime, e drejtë, çlirimtare, për liri e pavarësi dhe nuk mund të njolloset nga histeria zyrtare fashiste, që deformon thelbin dhe përmbajtjen e konfliktit të vitit 1999.

Prishtina duhet të reflektojë se bisedimet me Serbinë në Bruksel dhe marrëveshjet e nënshkruara me të nuk po funksionojnë, sepse ka përballë në tryezën e bisedimeve një president dhe një shtet, që glorifikon spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër shqiptarëve. Më e pakta, që mund të bëjë qeveria e re e Prishtinës është që të protestojë ashpër në raundin më të parë të bisedimeve midis dy qeverive në Bruksel dhe t’i kërkojë BE dhe Beogradit ndërprerjen e veprimtarisë serbe kundër shtetit të pavarur të Kosovës. Bisedimet për hir të bisedimeve nuk kanë vlerë dhe nuk marrin as kuptim dhe as perspektivë, nëse vërtiten pa fund në çështje teknike për kadastra e targa, dhe nuk hyjnë në rrugën kryesore të njohjes së shtetit të Kosovës.

Ndaj glorifikimit të politikës së spastrimit etnik serb në Kosovë duhet të protestojë edhe Tirana. Për herë të parë Presidenti i Serbisë dhe gjithë mediat shtetërore serbe në datën 14 qershor formuluan akuzën e re, të padëgjuar zyrtarisht më parë, se Shqipëria në vitin 1999 ka dërguar ushtrinë e saj të rregullt për të luftuar kundër ushtrisë serbe në Kosovë. Kjo akuzë duhet hedhur poshtë si e pavërtetë, sepse heshtja ndaj saj mund të ketë implikime diplomatike, politike dhe historike. Duhet hedhur poshtë, sepse me këtë insinuatë flagrante Beogradi synon të legalizojë të pavërtetën, që edhe Shqipëria paska qenë pjesë e konflikteve ish-jugosllave, që shpërthyen nga agresionet e Serbisë kundër katër popujve jo serbë të ish-Federatës komuniste të Jugosllavisë. Me këtë akuzë serioze zyrtare presidenti i Serbisë synon të përligjë veprimtarinë kriminale, që ndërmori ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë, kur hodhi dhe mbolli mijëra mina në territorin e Shqipërisë, nga të cilat janë vrarë dhjetëra dhe janë sakatuar qindra qytetarë të Shqipërisë. Është skandaloze që Tirana nuk protestoi asnjëherë për këtë akt agresioni të Serbisë kundër Shqipërisë. Unë e kam ngritur dhjetëra herë çështjen e reparacioneve që Shqipëria duhet t’i kërkojë Serbisë për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga minat serbe në territorin e Shqipërisë. Për fat të keq, që nga viti 2001 i rivendosjes së marrëdhënieve me Serbinë e deri tani, asnjë qeveri në Tiranë nuk e ka ngritur dhe t’i kërkojë Beogradit reparacionet për këto krime serbe në territorin tonë. Kur s’flet viktima, krimineli nxiton të marrë pozën e saj, dhe përgjumja diplomatike e Shqipërisë ka inkurajuar presidentin, qeverinë dhe shtypin zyrtar serb të shpifin sikur ka qenë Shqipëria ajo që paska ndërhyrë ushtarakisht dhe paska luftuar kundër ushtrisë serbe. Memecllëku zyrtar i Tiranës dhe i Prishtinës ndaj Serbisë gjatë gjithë këtyre viteve që nga 1999 për shumë akuza, insinuata dhe shtrembërime, ka trimëruar Serbinë ta paraqesë veten në arenën ndërkombëtare si viktimë e shqiptarëve.

Tirana dhe Prishtina nuk duhet të harrojnë se heshtja për çdo cenim të interesave tona kombëtare nuk është as pjekuri dhe as moderacion. Nuk është as diplomaci. Po të ishte kështu, do të ishte shpërblyer Shqipëria dhe Kosova për këtë sjellje me statusin e shtetit kandidat në BE para Serbisë. Në diplomaci qengji i urtë nuk pi as nënën e vet. Interesat kombëtare e shtetërore mbrohen duke ngritur fort dhe vazhdimisht problemet, jo vetëm në planin dypalësh Shqipëri-Serbi dhe Kosovë-Serbi, por në të gjitha forumet rajonale, europiane dhe ndërkombëtare. Merrni shembull nga Izraeli, që edhe mbi 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdon demaskimin dhe gjuetinë e nazistëve, dhe askush nuk guxon t’i marrë në mbrojtje nazistët dhe jo më t’u ngrejë memoriale.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Te gjitha çeshtjet qe ngre Profesori, jane te drejta dhe ulëritëse. Jam nder deshmitaret okulare te vendeve te minuara, si edhe te njerezve te gjymytuar, per te cilet kam bere edhe shkrime.Ateherë, pra ne vitin 2002, pyesja veten:-Ku ka qene shteti yne kur minohej nga serbët territori shqiptar? Sepse minimi eshte proces qe kryhet diten me diell, nuk eshte nje bombe, qe e hodhe prej se largu. Madje, kur u ngrit “biznesi” serb, ne lulishten para Piramides, shkrova Editorialin me.titull “Shqiptarët, ne konsumatorët e minave të qofte-zuara”. Ateherë, shteti yne ishte inekzistent, pra në letra. Le te urojme te jetë tani. Por… te shohim, votojme njehere, e pastaj, bëjmë-ç’bëjmë!…

    Përgjigju ↓