OPINION

Të mos na shkelë me thundrën e vet “liria”!

07:22 - 19.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Dom Artur Jaku

 

Ndërsa na ndan një javë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit, prej nga ku dalin ligjvënësit tonë për 4 vjet, është më vend të kemi parasysh që e ardhmja si edhe korrupsioni nis me ne. Prandaj njeriut i kërkohet që të veprojë sipas një zgjedhjeje të vetëdijshme e të lirë, domethënë i nxitur dhe i drejtuar nga brenda dhe jo prej një shtytjeje të verbër apo prej një detyrimi thjesht të jashtëm.

Liria është “banesë e brendshme” thotë Hana Arendt, ndaj le ta ruajmë këtë banesë, le ta bëjmë më të bukur e më të vlefshme duke ruajtur së pari, dinjitetin!

“Një shoqëri e drejtë mund të realizohet vetëm në respektimin e dinjitetit transcendent të personit njerëzor” (Doktrina shoqërore e kishës, nr.132)

E dinjiteti përbaltet me tregtinë e votave. Fenomeni i blerjes së votës, është pothuaj aq i hershëm sa shteti shqiptar.

Kolec Çefa në librin e vet për “Orën e maleve” na dëshmon se në votimet e viteve 1920 “shpërdoroheshin me mija napolona për qëllime korrupsioni në kohë të zgjedhjeve”.

Sot, pothuaj 100 vite më pas, përballemi sërish me të njëjtin fenomen, për çfarë më duhet të them se, nuk mund të pranojmë më të jemi “të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”.

Te njeriu liria është shenjë e shëmbëlltyrës hyjnore dhe si pasojë, shenjë e dinjitetit sublim të çdo personi njerëzor (Gaudium et spes, nr.17)

Shitja e votës, është shitje e dinjitetit.

Shitja e votës është shitje e lirisë, është shitje e të drejtës për me zgjedhë.

Zgjedhjet janë edhe zgjidhje; janë mundësia për me zgjedhë mes disave jo mes atyre që paguajnë më shumë.

E nëse zgjedhjet duhet të jenë delegimi i të drejtave, shitja e votës bëhet shitje e së drejtës, pranim e legjitimim i korrupsionit, duke e kthyer atë në një farë neodiktature, ku nuk ke më të drejtë për të pyetur e për të kërkuar llogari, se të kanë ble e me të kanë ble heshtjen e fjalës.

Duke qenë se trumbetojmë me të madhe, “Shqipërinë e lirë e demokratike”, duhet ta besojmë që të jetë e tillë.

Le të mos na shkelë me thundrën e vet “liria”!

Kërcënimi e presioni për vota, ambiciet e lakmia për pushtet dhe përdorimi i çdo mjeti për të arritur qëllimin do e bënte këtë vend një barkë që zhytet. Shpëtojeni nga mbytja!

Në fund, por jo për nga rëndësia, një mesazh për ata që do të jenë fituesit:

Shqipëria duhet të bëhet e të gjithëve, jo e disave, qofshin ata fitues apo jo. Po kujtoj mesazhin e Pjetër Pepës, në librin kushtuar martirëve, atyre që dhanë jetën me mbrojt dinjitetin: “Fituesit, duhet të respektojnë kundërshtarin e të mbjellin paqe. Nuk duhet të shfrytëzojnë mundësinë për ta shkatërruar kundërshtarin, e sidomos të mos përdorin intrigën, shpifjen, manipulimet”.

Duke ju lutur Zotit për një Shqipëri që garanton lirinë, demokracinë e drejtësinë, i ftoj besimtarët e bashkëqytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës, një e drejtë e fituar me mund, e të zgjedhin atë që besojnë se është më e mira, që iu shkon për shtat vlerave e traditave të tyre.

Në fund dua ta mbyll me fjalët e Shën Palit drejtuar bashkësisë së romakëve (Rom 15,14,15) “Vëllezërit e mi, jam plotësisht i bindur se edhe ju vetë jeni plot mirësi, plot me çdo dije, të aftë për të këshilluar njëri tjetrin. Megjithatë, ju shkrova pjesërisht pak si më guximshëm, për t’jua përkujtuar gjërat pak a shumë të njohura”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.