KULTURË

Artistët pa status, kërkojnë sindikatë

09:30 - 20.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Reshat Ibrahimi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, në të gjitha vitet e tij si kryetar, nuk ia ka dalë të mbrojë sa dhe si duhet interesat e artistëve në Shqipëri. Nuk ia ka dalë as të zgjidhë problemet e tyre, madje shpesh, nuk ia ka dalë as që zëri i tij (tyre) të dëgjohet.
Në 10 vitet e fundit, Statusi i Artistit është përmendur rëndom herë si premtim nga pushtetarët, herë si problem nga artistët – duket se asnjëra palë nuk e ka marrë aq seriozisht sa ta vërë në jetë, për aq kohë sa në 2017-ën, situata duket si 10 vite më parë.
E në 10 vite janë ndërruar së paku tri qeveri, së paku 6 ministra Kulture. Ankesat nisin me kontratat kolektive, me çështjet e pagesave, me pushimet nga puna, me honoraret, me pagesën dysheme, me kontratat 3 dhe 6-mujore, me heshtjen nga ana e ministrisë, me premtimin e pambajtur, me veshin e shurdhër nga partitë politike, që siç është vënë në dukje nga vetë artistët, gjatë kësaj fushate nuk kanë shpalosur ndonjë plan për art e kulturë. Në kushtet kur sindikata aktuale nuk funksionon si duhet, disa artistë lajmëruan në fundjavë në rrjetet sociale për një takim, ku të bashkëthemelohej një sindikatë a union.
TAKIMI dhe DEBATET      
Vendtakimi ishte salla e Teatrit Kombëtar në orën 11:00. Prej nismëtarëve ishte Kastriot Çipi, ish-drejtor i Eksperimentalit. Rreth 30 artistë u mblodhën nga teatrot e Tiranës e rretheve. “Çdo koleg duhet ta ndjejë veten të ftuar. Njoftoni kë të mundeni. Nuk ka protokoll. As kryesi. As kryetar. As nuk do të jetë mbledhja e fundit”, thuhej në njoftimin “Facebook”-ian, i cili nuk arriti të mbërrinte tek të gjithë, për aq sa prania qe shumë e vogël, duke shkaktuar edhe batuta sipas të cilave “edhe sindikata e peshkatarëve ishte më e organizuar”.
Qe kujdesur të vihej në dukje se “kushdo që ka pasur nismën, apo edhe ka ndërtuar çfarëdolloj organizate artistësh, si edhe kushdo që do të mendojë se sindikata jonë nuk do ta përfaqësojë si duhet, duhet të jetë i qetë se kjo nismë nuk ia ngushton kurrsesi hapësirat e lirisë”.
Citohej me këtë rast, edhe Kontrata Kolektive Kombëtare e Punës (ÇNL 2014-2017) që mbron të drejtat e artistëve dhe punonjësve të sektorit të kulturës në Itali që e kanë nënshkruar jo një, por tri sindikata.
Kastriot Çipi, Alert Çeloaliaj, Genc Fuga, Armando Bora, Marjana Kondi, Gentian Zeneli, Ben Derhemi, Elma Doresi, Klodi Hoxha, Gent Hazizi, Indrit Çobani, Gent Deçka, Ndriçim Xhepa, etj., etj., qenë të pranishëm.


Pyetja e parë që shtrohej ishte nëse duhej të bashkoheshin me sindikatën e Ibrahimit apo duhej të themelonin një të re. Plus-minuset e diskutuara qenë disa por Ben Derhemi, Gent Zeneli dhe Alert  Çeloaliaj theksuan se ndarja në disa bashkësi veçse do t’i dobësonte, se ajo që e forcon një sindikatë nuk është kryetari, emri i tij, apo i kryesisë, por forca që i japin anëtarët, artistët e sa më shumë të jenë, aq më të fuqishëm do të jenë për të bërë zërin të dëgjueshëm në ministri e më lart.
“Mendoj se duhet të jemi të gjithë bashkë, sepse jemi pak, por të gjithë ata që mendojnë ndryshe, i konsideroj partnerë, jo konkurrentë”, thoshte Çipi në njoftim, por nuk pranoi të bashkohej me sindikatën e Ibrahimit. “Unë thjesht nuk e shoh veten aty. Nuk e kam menduar në asnjë moment që të bëhem pjesë e asaj sindikate”, tha ai duke ngulmuar që të merrej një vendim gjatë takimit të së hënës.
Ben Derhemi shtoi se, “jashtë vendit sindikata të mbron se ka fuqi ekonomike, e me gjithë të metat që ka sindikata aktuale, ka pas artistë që përmes saj kanë marrë 30 rroga për pushim nga puna”.
“Na duhet sindikatë, jo shoqatë. Shoqata nuk negocion me punëdhënësin, organizata sindikale po. Nuk duhet të ketë vetëm një kryetar, por një kryesi. Unë dua sindikatë të re”, replikoi Çipi, ndërsa më pas ndërhyri Gent Zeneli, i cili tha se “nuk ka nevojë për struktura paralele. Po të duam e heqin Reshatin. Ajo që është të riformohet e të ribëhet. Ne nuk do bëjmë biseda kush je ti, e kush jam unë. Ne flasim me Reshatin dhe e zgjidhim, diskutojmë. Ai e merr fondin dhe forcën nga ne. Pa ne nuk ka forcë”.
Fjalën e mori sërish Ben Derhemi, i cili mbi Ibrahimin, tha që “kot i bini në qafë atij. Po pati dy sindikata, do tallen me ne siç kanë bërë deri tani. Po të ishim bashkë, nuk do kishim përfunduar me kontrata 6-mujore. Ndodhi se nuk ishim bashkë. Mendoni se ka artistë të rinj me të cilët sillen si kafshë, kanë qëndruar 4 muaj në teatër gjithë ditën  e kanë marrë 280 mijë lekë rrogë dhe janë lekë të vjetra. Le të krijojmë një standard që të mos e thyejë njeri, një pagë dysheme nën të cilën të mos paguhet askush”.
Armando Bora bëri thirrje që beteja të mbetet me shtetin dhe jo të bëhet betejë për kryesi. Pas shumë debatesh, pa mbërritur në një pikë të përbashkët, u la që takimi i dytë të jetë sot, e martë në orën 17:00 në Teatrin Kombëtar, duke njoftuar edhe Cirkun e Teatrit e Operës që dje mungoi. Në fund, sheh pak shpresë për një të nesërme ndryshe, kur artistët, pra vetë artistët, nuk ia mbërrijnë të bien dakord mbi sindikatën, emrat, kërkesat. Mbase prej mendimeve kaq kundrathënëse kemi mbërritur në këtë pikë, pas 27 vitesh liri.
REAGIMI I PASDITES
“Mbledhja e sotme më bëri të përfytyroj se çfarë mund të kishte ndodhur, nëse në dhjetor ’90, në sallën e televizorit të godinës nr.13 të Qytetit Studenti, do të vinin ca anëtarë të lumtur të Bashkimit të Rinisë së Punës dhe do të na thoshin se nuk duhej të bënim një organizatë të re, sepse ekzistonte një, se nuk duhej të përçaheshim, por duhej të ishim të bashkuar dhe se Lisien Bashkurti mund të jepte dorëheqjen po t’ia kërkonim ne”, shkroi Çipi në “Facebook” dje pasdite. I shtoi se “BRPSH nuk e bëri atëherë atë gabim, kështu që neve nuk na u desh ta bënim këtë zgjedhje. Por, kjo situatë u krijua kur një grup shkrimtarësh donin të rrëzonin kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Limoz Dizdari. Mblidheshin të gjorët e shpallnin datën e Kongresit, bazuar në statut, me më shumë se 20% të firmave të anëtarësisë dhe kur vinin në Lidhje e gjenin derën e oborrit të mbyllur me zinxhir hekuri e me dryn. Unë nuk kam ndërmend ta bëj këtë gjë”. Kastriot Çipi e mbylli shënimin e tij me fjalët “të gjithë ata që mendojnë si unë, janë të lutur të na bashkohen në një mbledhje tjetër, kësaj herë me rend dite të përcaktuar qartë”.
2013
Statusi i artistit njeh miratimin e vështirësisë së punës, garantimin e marrëdhënieve të punës, të dhënies së pensionit të invaliditetit, pensionit të parakohshëm, pension pas vdekjes së artistit, shpërblim kur dëmtohet aksidentalisht etj. Një pikë e rëndësishme ka të bëjë me ndryshimet në ligjin aktual të sigurimeve shoqërore. Sipas ligjit aktual, artistet dalin në pension në moshën 60-vjeçare dhe artistët 65 vjeç. Kjo i detyron valltarët të kërcejnë deri në këtë moshë apo akrobatët të bëjnë ushtrime fizike. Në statusin e premtuar që kur ministër ishte Aldo Bumçi, parashikohet ulja e moshës së pensionit të paktën për balerinët, valltarët dhe artistët e cirkut në 50 vjeç për femrat dhe 55 për burrat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.