DOSSIER

Dossier / Raporti sekret: Poetët Gjakova, Papleka, Isaku dhe Marku, vjersha me gabime të rënda ideore

10:30 - 20.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Dashnor KALOÇI




Publikohet për herë të parë raporti sekret Komitetit Qendror të PPSH-së i 24 marsit të vitit 1980, i mbajtur nga Mehmet Karakushi, në mbledhjen e Sekretariatit, ku merren në analizë shkrimtarët dhe artistët më të njohur për veprat e tyre ‘moderniste e armiqësore’.
Ka qenë 24 marsi i largët i vitit 1980-të, kur në një nga sallat kryesore të godinës së Komitetit Qendror të PPSH-së, u mbajt një mbledhje e zgjeruar e Sekretariatit, e cila drejtohej nga vetë Ramiz Alia, sekretari përkatës që mbulonte propagandën, artin e kulturën. Në atë mbledhje, apo më saktë seancë plenare, do diskutohej një temë mjaft e mprehtë dhe tepër e rëndësishme, që kishte të bënte me inteligjencën e lartë krijuese, siç quheshin asokohe shkrimtarët dhe artistët, e gjithashtu me problemet e krijimtarisë së tyre kulturore e artistike. Nisur nga rëndësia që mbarte në vetvete ky problem, përveç disa prej anëtarëve të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe qeverisë, si: Ramiz Alia, Manush Myftiu, Xhelil Gjoni, Tefta Cami etj., aty asistonin edhe drejtuesit kryesorë të artit, kulturës dhe institucioneve artistike të kryeqytetit si: Dritëro Agolli, Marash Hajati, Anastas Kondo, Thanas Leci, etj. Në raportin e përgatitur nga anëtari i Komitetit Qendror, Mehmet Karakushi, në emër të grupit të punës së sektorit të edukimit të Komitetit Qendror, me temë: “Disa probleme të pastërtisë së përmbajtjes së krijimtarisë letrare artistike”, do të merreshin në analizë një sërë problemesh, që kishin të bënin me këtë fushë tepër delikate të inteligjencës krijuese. Kjo mbledhje nuk ishte aspak rutinë, por përkundrazi, e një rëndësie tepër të veçantë dhe tema që ishte zgjedhur nuk ishte e rastit, pasi në atë periudhë kohë dy-tre vjeçare ishin pushuar nga puna, internuar, burgosur apo dhe pushkatuar disa emra të njohur të artit e kulturës, shkrimtarë, poetë, dramaturgë, përkthyes etj., si: Genc leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela, Telat Agolli, Visar Zhiti, Dhimitër Lala, Halil Laze, Ali Oseku, Gani Ratkoceri, Eqerem Biba, Hysenil Duma, Eduart Gjoka, etj. Rëndësinë e kësaj mbledhjeje nuk ia jepte vetëm pjesëmarrja e gjerë e saj, me disa prej figurave e personaliteteve më të larta partiake e shtetërore të asaj kohe, por edhe problemeve që trajtoheshin në raportin e përgatitur me këtë rast, ku merrej në analizë puna e disa prej institucioneve më të rëndësishme kulturore dhe artistike e vendit, si Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve, Radio-Televizioni, Opera dhe Baleti, Teatri Popullor, Estrada e Shtetit, Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’, gazetat ‘Zëri i Popullit’, ‘Bashkimi’, ‘Zëri i Rinisë’, etj. Madje, jo vetëm kaq, por aty u diskutuam me detaje dhe hollësira puna dhe veprat e botuara dhe të pabotuara të mjaft prej emrave më të njohur të artit e kulturës, si shkrimtarë, poetë, dramaturgë, piktorë, skulptorë kineastë, etj., personazhe të njohura si: Ismail Kadare, Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Naum Prifti, Fadil Kraja, Ndoc Gjetja, Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku, Ramiz Lika etj. Dhe disa prej tyre si poetë e dramaturgë të njohur: Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi e Naum Prifti do të akuzoheshin se në vëllimet e tyre me poezi, kishte probleme serioze, madje deri reaksionare dhe armiqësore. Ndërsa, disa poetë të tjerë si: Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku e Anton Papleka, kritikoheshin e akuzoheshin për një krijimtari ‘larg realizmit socialist’, pasi poezitë e tyre që ishin me ‘gabime të rënda ideore e artistike, hermetike dhe me ndikime e shfaqje të ideologjisë së huaj’, u lexuan nga hartuesi i raportit edhe në atë mbledhje të sekretariatit?! Për më shumë rreth këtyre emrave dhe problemeve që cituam më lart, si dhe për mjaft personazhe të njohur të letërsisë, kulturës dhe artit, na njeh dokumenti arkivor që po botojmë të plotë në tri numra radhazi të “Gazeta Shqiptare”, ku përveç raportit të mbajtur nga Mehmet Karakushi, do publikojmë gjithashtu edhe debatet në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qendror të drejtuar nga Ramiz Alia, ku u mor në analizë puna dhe vepra e disa prej shkrimtarëve e artistëve më të njohur të vendit.


Raporti i Komitetit Qendror, mbajtur nga Mehmet Karakushi
Tema: DISA PROBLEME TË PASTËRTISË SË PËRMBAJTJES SË KRIJIMTARISË LETRARE ARTISTIKE
Përmbajtja e krijimtarisë sonë vazhdimisht vjen duke u pasuruar dhe duke u forcuar në të gjitha llojet dhe gjinitë e letërsisë dhe arteve. Ajo karakterizohet nga fryma militante dhe nga tendenca e shëndoshë klasore dhe nga një nivel më i ngritur kulturor dhe artistik. Ky nivel ideor dhe artistik në përgjithësi i kënaqshëm, ka bërë që masat e gjera punonjëse të shtojnë interesin përherë dhe më shumë për letërsinë dhe artet tona. Vazhdimisht po rritet numri i lexuesve në botimet tona, i spektatorëve që ndjekin shfaqjet teatrale, filmat, ekspozitat e arteve figurative, apo në emisionet e radios dhe televizionit. E gjithë kjo shpjegohet me atë, që letërsia dhe artet tona pasqyrojnë në mënyrë të gjithanshme dhe me vërtetësi realitetin e sotëm dhe historik, trajtojnë probleme të rëndësishme të shoqërisë sonë, zbulojnë virtytet e larta të njeriut, të luftëtarit për liri dhe socializëm dhe të bashkëkohësit tonë. Këto realizime janë meritë e shkrimtarëve dhe artistëve tanë, që me punën e tyre krijuese vazhdimisht po materializojnë në veprat letrare dhe artistike idetë e partisë dhe vijën e saj marksiste-leniniste, parimore dhe konsekuente, po vënë në jetë këshillat dhe mësimet e shokut Enver për një përmbajtje të shëndoshë të krijimtarisë dhe për një nivel të lartë artistik, që të përshtaten me stadin e sotëm të zhvillimit të shoqërisë.
Partia duke qenë e ndërgjegjshme për rolin e artit dhe të letërsisë në edukimin e njerëzve, tregon një kujdes të madh për të gjitha forcat krijuese. Ajo drejtimin e letërsisë dhe arteve, siç porosiste Lenini, i ka bërë pjesë përbërëse të gjithë punës së saj. Sot organizatat e partisë duke u ndihmuar nga afër, e konkretisht nga Komiteti i Partisë, duke u marrë më mirë me problemet e përmbajtjes së letërsisë dhe arteve, kanë fituar një përvojë të pasur drejtuese. Ato tanimë e njohin gjendjen e përgjithshme të zhvillimit, të procesit të krijimtarisë si dhe problemet e saj, dinë arritjet dhe vështirësitë, sukseset dhe dobësitë, pasi kanë vënë në lëvizje më mirë hallkat dhe organizimin në fushën e kulturës dhe artit.
Me gjithë këto arritje, gjatë procesit të zhvillimit të letërsisë dhe arteve, kohët e fundit kanë dalë disa probleme që kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe pastërtinë e saj. Doemos këto shpjegohen me presionin e ideologjisë së huaj borgjeze dhe revizioniste, shpjegohen me ekzistencën në luftës së klasave, që vepron në të gjitha fushat e jetës dhe shoqërisë sonë.


Duke ndjekur zhvillimin e gjithanshëm të letërsisë dhe arteve, në disa krijime të botuara dhe të pabotuara vihen re shfaqje të huaja, që cenojnë përmbajtjen. Këto shfaqje nxjerrin krye herë pas here në poezi dhe në prozë, apo dramaturgji, në artet figurative dhe në muzikë. Ato paraqiten në forma të ndryshme, si në figuracionin e errët, në deformimin e realitetit, në estetizime të tepruara, në kërkime formaliste etj. Natyrisht, nuk mund të themi se këto janë tendenca dhe prirje përgjithësuese, por ndaj tyre nuk duhet heshtur. Është shumë pozitive që organizatat e partisë i njohin dhe i zbulojnë këto shfaqje, por dobësia qëndron kurdoherë te mjetet dhe rrugët për t’i parandaluar ato në mënyrë që të mos përsëriten. Nuk është e mjaftueshme vetëm t’i zbulojmë të metat dhe dobësitë që vihen re në krijimtarinë artistike. Kjo nuk është njohje e plotë. Njohja e plotë kërkon që të gjenden mjetet më efikase për t’i luftuar dobësitë dhe për të përcaktuar rrugët më të përshtatshme për mënjanimin e të metave. Prandaj është e domosdoshme që të forcohet mendimi unik i ndërgjegjshëm për pastërtinë e përmbajtjes së krijimtarisë. Për këtë duhet të luftojmë në një front unik të gjitha organet dhe organizatat; që nga organizatat e partisë dhe gjer te redaksitë, komisionet, kolegjiumet, sektorët e komiteteve ekzekutive, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe Ministria e Arsimit e Kulturës. Nuk duhet që një organizatë të jetë konsekuente dhe tjetra të bëjë lëshime, që recensenti fjala vjen të jetë i butë dhe redaktori i rreptë. Për mbrojtjen e vijës së partisë në arte duhet që të gjithë të kemi mendim unik dhe të gjithë të jemi konsekuentë.


Duke marrë shkas nga analiza dhe vrojtime të ndryshme, që janë bërë kohët e fundit në institucionet kulturore dhe artistike në redaksitë e gazetave dhe shtëpitë botuese, e shohim të arsyeshme të ndalemi konkretisht në disa probleme të luftës kundër shfaqjeve të huaja për forcimin e përmbajtjes së letërsisë dhe arteve. Ne do të nisemi nga disa fakte reale, pa bërë analiza të gjera të problemeve të krijimtarisë.
I. Në krijimtarinë e pabotuar dhe të paekspozuar janë vërejtur disa shfaqje të huaja, si gabime ideore, shtrembërim i realitetit, ndikim nga arti modernist, ndonjë prirje formaliste dhe vargje të errët, që disa herë mund të tingëllojnë ideologjikisht të gabuara. Fenomene të kësaj natyre janë dukur jo vetëm tek autorë të rinj, por edhe në shkrimtarë me përvojë, që kanë botuar disa vëllime. Është një gjë e mirë që organizmat përkatëse, si drejtoritë e këshillat artistike, redaksitë dhe komisionet përkatëse kanë konstatuar me kohë këto të meta dhe nuk kanë lejuar të publikohen. Por, tërheq vëmendjen fakti se shkruhen vepra me gabime të tilla, prandaj lind nevoja që t’i shikojmë disa nga këto shfaqje të huaja dhe të nxjerrim konkluzionet e duhura për punën tonë. Vepra me gabime ideore dhe shfaqje të tilla, në krahasim me tërë krijimtarinë e pabotuar, zënë më shumë se 10-15 për qind të tyre, megjithatë nuk duhet ta nënvleftësojmë këtë problem.
a) Në poezi. Gjatë vitit 1979 u kthyen pesë vëllime të autorëve me përvojë si Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku, Ndoc Papleka etj., mbasi një pjesë e vjershave kishin gabime ideore, në prirje formaliste, ose ishin të paqarta dhe krijonin keqkuptime. Autorët në këto krijime janë të prirë nga kërkime formale për hir të një ‘origjinaliteti’, më shumë të shtirë dhe jo të diktuar nga realiteti. Natyrisht, në to ka edhe mungesë të mjeshtërisë, mungesë të gjetjes së mënyrës së të shprehurit.
Për të kuptuar natyrën e këtyre krijimeve po sjellim një shembull nga një poezi e pabotuar e poetit Agim Gjakova: ‘Nëse nata është plakë/ atëherë nata lind nuse e përvajshme/ po stolitë e dëshiruara në muzgun e parë/ nëse nata është urrejtje/ atëherë yjet janë shkëndijë e saj./ Nata po fsheh rrobat e veta të zeza/ nëpër gropa të ndyta, në gremina të thella/ tinëzarja natë, që më la pa gjumë këtë kohë kaq të gjatë’.
Vjersha të tilla të pabotuara ka plot, por përmendëm këtë për të tërhequr vëmendjen se autori i saj errësirën dhe shfaqjet e formalizmit, përpiqet që t’i justifikojë se janë për gjendjen në Kosovë. Në këtë rast harrohet se poezia jonë duhet të jetë e kuptueshme dhe e konceptuar sipas parimeve krijuese të realizmit socialist, pavarësisht se çfarë mjedisi përshkruan apo ka parasysh autori.
Shfaqjet e huaja që janë vënë re në poezinë e kohëve të fundit kanë disa karakteristika të veçanta në krahasim me ato që janë kritikuar gjatë Plenumit të IV të Komitetit Qendror të PPSH-së.


Së pari, në disa vjersha të pabotuara dhe në ndonjë krijim të publikuar, bie në sy një konceptim abstrakt, jashtë kushteve konkrete historike, pa një analizë klasore dhe poezitë e arta botëkuptimore. Flitet në përgjithësi për Globin dhe njeriun’, ‘bota dhe unë’, njeriun dhe antinjeriun’, drita dhe antidrita, errësira dhe drita, etj. Në krijime të tilla, veçanërisht të poetëve që përmendëm më lart, mendohet se trajtohet tema e madhe njerëzore, por në fakt, këto ide janë të varfra e të paqarta, të cilat shpesh krijojnë ekuivoke dhe keqkuptime. Këta janë poetë të talentuar dhe përpiqen të sjellin zërin e tyre origjinal në poezi. Por, rrugën drejt këtij origjinaliteti, ata nuk duhet ta kërkojnë në fushën e formës. Në radhë të parë, ajo kërkohet në zbulimin e përmbajtjes së re të mendimeve të freskëta. Prandaj te redaktorët dhe poetët me përvojë, shtypi dhe Lidhja e Shkrimtarëve duhet t’i ndihmojnë më shumë, krijuesit t’i bëjnë vërejtje dhe kritika konstruktive.
Së dyti, kur trajtohet tema e luftës kundër burokratizmit theksohen aq shumë fenomene negative, sa duket sikur në shoqërinë tonë, këto janë tipike dhe të përgjithshme. Nga ana tjetër, ndonjëherë kjo temë konceptohet gabim si luftë kundër njerëzve me përgjegjësi.
Së treti, në temën intime, dashuria hiperbolizohet dhe del si qëllimi dhe ideali i vetëm i heroit lirik. Kjo është vënë re në ndonjë vepër në prozë, ashtu dhe në disa poezi. Psh., me këtë temë një poet i ri ka shkruar një vjershë, ku i thotë se dashurës se e gjithë jeta e tij tek ajo varet, se kjo vajzë i ka marrë gjithçka poetit dhe e ka lënë lakuriq.
b) Në prozë veprat e pabotuara me gabime ideore kanë qenë më të pakta. Duke përjashtuar romanin ‘Në moshën e burrave’ të kritikuar para dy-tre vjetëve për ndikime të dukshme nga frojdizmi, në veprat e tjera të pabotuara ka spikatur kryesisht e meta themelore: që i është mëshuar aspekteve negative, ndërsa forcat progresive dhe revolucionare ose lihen krejtësisht në harresë, ose dalin krejt të zbehta. Për dobësi të kësaj natyre janë kthyer vitin e kaluar 4-5 romane. Po dhe këtu problemi s’është vetëm tek paaftësia artistike, por në konceptimin e temës. Kështu psh., në romanin e pabotuar ‘Ëndrrat mbarojnë në mëngjes’ (autor Agim Isaku) flitet kryesisht për jetën e rinisë, por autori është përqendruar në dashuriçkat, ku spikat një ndjenjë e theksuar sensualizimin dhe është lënë fare jeta e aktivitetit shoqëror e rinisë sonë. Siç do të vëmë në dukje më poshtë, kjo e metë është e theksuar edhe në ndonjë vepër të botuar.
Në disa tregime të pabotuara, në qendër të konfliktit vihen disa persona të borgjezuar, të cilët me konceptet dhe veprimet e tyre shihet se janë kundër shoqërisë sonë, por lufta kundër tyre është e zbehtë. Duke pasur parasysh se përgjithësisht autorët e këtyre vëllimeve nuk janë të rinj, por kanë dalë me disa vëllime, kuptohet se në disa krijues ka dobësi të theksuara në formimin ideologjik, ka paqartësi në probleme ideoartistike si për tipizimin, ashtu edhe për natyrën kontradiktore në shoqërinë tonë etj.
Në fushën e dramaturgjisë gjithashtu ka pasur vepra që s’janë botuar për gabime ideore, si dhe disa pjesë që nuk janë shfaqur se komisionet përkatës si kanë gjetur me të meta të mëdha të kësaj natyre. Kështu në një dramë të pabotuar, shkruar nga Ndoc Papleka, në qendër të saj vihet besa shqiptare, e konceptuar në mënyrë të përgjithshme dhe jo klasore. Besa himnizohet deri në atë shkallë, sa një malësor për hir të Kanunit fsheh dhe mbron edhe armikun e tij pushtues.
c) Në artet figurative nuk janë lejuar të ekspozohen krijime me gabime ideore, por megjithatë në veprat e papublikuara janë dukur shfaqje të huaja. Në pikturë janë paraqitur punime të mpleksura me elemente formaliste nga ekspresionizmi, stërmadhime dhe deformime të pjesëve të trupit, silueta figurash të rëna moralisht etj.


Është vërejtur preokupacion për koloritin si qëllim në vetvete, duke u dhënë tablove ngjyrë formale rozë, të kuqe, apo të verdha që tingëllojnë jashtë idesë së subjektit dhe që e kanë burimin në ndikimin e rrymave të ndryshme të artit modernist. Nuk ka munguar dhe ndonjë imitim nga arti ynë mesjetar dhe ikonografia.
Në skulpturë kemi pasur edhe raste të ndonjë plagjature të plotë. Njëri ka kopjuar një monument të plotë të huaj, të cilin e imiton dhe e paraqet si origjinal. Një tjetër imiton një skulpturë sovjetike, për të krijuar një tablo pikture, ndërsa një piktor, kopjon një fotografi nga një revistë e vjetër sovjetike, për të kompozuar veprën e vet.
Edhe në skulpturën e paekspozuar kemi pasur raste të deformimit të gjymtyrëve e të tipareve të njeriut, siç u vu re gjatë kontrollit paraprak në disa punime në ekspozitën e arteve figurative me rastin e 100- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilat komisioni i hoqi. Këto vepra s’janë ekspozuar dhe janë kritikuar, por ndonjëherë për kërkime të tilla formaliste është teorizuar në ndonjë shkrim, duke vënë në dukje se pikërisht kur autori ‘kapërcen moshën’, ajo i pëlqen më shumë.
Ç) Në film është kritikuar ndonjë vepër për shfaqje sensualizmash, për të evidentuar pjesët e trupit të femrës, ose për ta paraqitur bukurinë e trupit si qëllim në vetvete. Në filmin ‘Përtej mureve të gurta’, janë bërë kritika të drejta për etnografizëm jashtë idesë së veprës etj. Në ndonjë film, si te ‘Çeta e vogël’, u vunë re shtrembërime në fakte historike dhe paraqitje jo me vërtetësi e ngjarjeve. Në këtë film minimizohet heroizmi i heronjve të Vigut, nuk paraqitet drejt roli i qarkorit të partisë dhe zbehen tej mase vështirësitë e luftës në ato zona. Për këtë arsye, filmi u ndalua të qarkullojë.
Gjatë diskutimit të kësaj krijimtarie të pabotuar janë shfaqur mendime se kjo është një krijimtari e panjohur për publikun dhe nuk përbën ndonjë problem me rëndësi, prandaj nuk duhet diskutuar dhe nuk ka nevojë të merremi me të. Ky është një mendim i gabuar, i kritikuar edhe në Konferencën e Partisë së rrethit të Tiranës. Duke kritikuar krijimtarinë e pabotuar, neve nuk thyejmë ndonjë normë të etikës krijuese, përkundrazi, ndihmojmë për formimin e koncepteve të shëndosha në shkrimtarët dhe artistët. Pastaj me krijimtarinë e pabotuar, ne do të merremi vazhdimisht, pasi atje gjejmë qëndrim dhe koncepte të huaja, të cilat përbëjnë një fenomen negativ shoqëror, që duhet çrrënjosur. Kjo është brenda praktikës së përgjithshme të punës së partisë për të parandaluar fenomenin negativ. Këtë praktikë ne nuk e ndjekim vetëm në fushën e letërsisë dhe arteve, por në të gjithë veprimtarinë tonë shoqërore.
Siç vumë në dukej edhe më lart, ne kritikojmë konceptet e gabuara. Por lavdërojmë faktin se organet tona nuk kanë lejuar që këto shfaqje të botohen, të propagandohen.
Krijimtaria e pabotuar ka lidhje të ngushtë me atë të botuar. Në qoftë se ka ndikime të huaja në të pabotuarën, dashur padashur do të shfaqen edhe në të botuarën. Dhe faktet tregojnë se kështu ka ndodhur.
II. Krijimtaria në fushën e letërsisë është shumë e gjerë dhe po pasqyrohet në vepra të rëndësishme me nivel të mirë ideoartistik. Por, në krijimtarinë e publikuar janë vënën re shfaqje të huaja, të cilat veç dobësive të krijuara, dëshmojnë edhe për qëndrime liberale të disa organizmave që drejtojnë artin. Ne po ndalemi te disa shembuj, për të nxjerrë konkluzione dhe detyra.
(vijon nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.