OPINION

Prova e zjarrit e një elektorati të politizuar

07:33 - 20.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Sulejman MATO

 

Sa më pranë që i afrohemi ditës së votimit, aq më tepër shtohet ankthi i votuesve të politizuar, ankthi i qytetarëve dhe i profetëve të kafeneve, të cilët kanë kohë që profetizojnë për një fitore të partisë së preferuar, sipas parimit “Do të piqen gorricat këtë vit se më hahen mua”. Zgjedhjet e këtij fundqershori, jo vetëm për mua, por edhe për analistët më të spikatur, shfaqen si një rebus i pazgjidhshëm. Ky gjykim vjen edhe për arsye se, të tria partitë kryesore kanë kohë që bëjnë flirte-grindje dhe lëvizje të paparashikuara. Prishja e aleancës PS-LSI e ka vënë në dyshim elektoratin e politizuar si dhe analistët, të cilët hamendësojnë për aleanca të reja. Tashmë edhe elektoratet e kanë zbutur luftën e tyre, një shenjë e mirë qytetërimi, të cilën shpresojnë ta shijojmë për një kohë më të gjatë se ajo e mbarimit të zgjedhjeve. Kemi një elektorat të politizuar, konsistent, i cili për asnjë arsye nuk del jashtë bastionit të vet. Ashtu siç kemi një elektorat tjetër, i cili voton për hir të zakonit, për hir të besimit të baballarëve të vet. Kemi edhe një elektorat të ri, i cili ha arsye, por nuk gjen dot arsye të mjaftueshme pse duhet të votojë dhe për kë duhet të votojë. Nga një sondash i fundit del se, 36% e votuesve nuk dëshirojnë të marrin pjesë në këto zgjedhje. Një shifër tepër e lartë në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, që tregon se një pjesë e mirë e mençur e shqiptarëve i shohin këto zgjedhje me indiferentizëm. Nuk duan të votojnë se nuk shohin ndonjë dritë jeshile, nëse vota e tyre mund ta ndryshojë dhe përmirësojë jetesën në vend. Ajo që e ka vënë elektoratin e politizuar në provën e zjarrit është një lloj konfuzioni që ata kanë krijuar, si rezultat i miqësisë së rrejshme të Edi Ramës me Lulzim Bashën. Takimi i tyre i papritur dhe sekreti i bisedës së tyre të gjatë kokë më kokë, i ka çorientuar mendjet e elektoratit të politizuar.

Të gjithë janë të mendimit se, një aleancë e re, PD-PS, e dy kundërshtarëve politikë, nuk do të kishte kuptim. Nuk do të kishte as forcë dhe as arsye për të kontribuar në këto zgjedhje. Intervistat dhe sondazhi paraprak tregojnë luhatje të mëdha, midis atyre që duan të votojnë dhe të tjerëve që mendojnë t’i bojkotojnë këto zgjedhje. Mungesa e debatit të liderëve në tavolina mediash televizive, një fenomen që ndodh në çdo vend tjetër të botës, i ka çoroditur zgjedhësit. Flitet për aleanca të fshehta kokë më kokë, por asgjë nuk është zbardhur, ndërkohë që të dy liderët e partive kryesore deklarojnë se nuk ka asnjë marrëveshje. Ka një marrëveshje për mosmarrëveshje. Ka një marrëveshje dinake, paraelektorale, e cila do të shkrijë qysh ditën e parë të mbarimit të zgjedhjeve. Ka një marrëveshje ku secila forcë synon të dalë forcë e parë, duke e përjashtuar aleancën paszgjedhore. Për më tepër, në këto zgjedhje liderët e partive kanë dalë në sheshe dhe bëjnë manifestime populiste, ndërkohë që populli pret të bëjnë atë që bëhet kudo në botë: të debatojnë me programet dhe angazhimet e tyre. PD-ja, në një farë mënyre ka paraqitur një program i cili, edhe pse duket joshës, për sa i përket realizimit të tij, kur flitet për rritje pensionesh, dreka falas të fëmijëve në shkolla, ulje taksash, duket jashtë realitetit. Edi Rama, me një retorikë të lakmueshme e josh elektoratin e vet me premtime për një Shqipëri tjetër dhe një shtet tjetër, në qoftë se shteti do të drejtohet vetëm nga një shofer si ai. Edi Rama, me elokuencën e vet prej një artisti të fjalës shfaqet mjaft i suksesshëm, në qoftë se do të harrojmë zhgënjimin e premtimeve të këtyre katër viteve. Përveç patosit dhe fjalëve entuziaste, ai zotëron mjaft mirë artin aktoresk. Ai i jep rëndësi një lëvizjeje “përtej të majtës dhe të djathtës”. Ndër tre liderët populistë, ai që shquhet më shumë për inteligjencë fine, duke fshehur defektet e katër viteve, është Edi Rama. Madje ai paraqitet si një lider që synon të mbështjellë në sqetullën e vet simpatizantë nga të dyja partitë e tjera. Edi Rama ëndërron që me këtë fushatë intensive elektorale të përfitojë një 10 përqindësh nga të dyja palët kundërshtare. Kjo përqindje do t’i mjaftonte për një qeverisje të re, e vetme. Një ëndërr e frikshme të cilën nuk do t’ia uroja asnjërës prej partive kryesore. Ky vend, në këto çaste vendimtare ka nevojë për qeverisje me aleanca. Sido që të dalin rezultatet e zgjedhjeve, nuk na duhet një parti fitimtare. Nga katër variantet e mundshme, unë do të preferoja një aleancë të përkohshme midis dy partive kundërshtare, së paku për një vit, në mënyrë që të zbutej sadopak klima agresive partiake e muajve të fundit. Kjo mund të ndodhë duke huazuar disa deputetë, e duke i emëruar ministra, së paku për një vit, sa për të përmbushur pikat e shumëpritura, të firmosura midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Dëshira e papërmbajtur e Edi Ramës për të siguruar 71 deputetë, duket sikur po finalizohet djallëzisht, edhe për shkak të një elektorati të politizuar dhe mediokër. Rama duket sikur po luan me dy porta, dhe po bën një zbutje rreth qëndrimit që ai duhet të mbajë ndaj kundërshtarit. Loja e dyfishtë e Ramës për një koalicion paszgjedhor PD-PS, edhe pse ende nuk ka mundur ta futë në kurth Lulzim Bashën, ka dhënë një farë rezultati. Të qenët së bashku, për hir të Shqipërisë, është një lojë e cila është pëlqyer nga elektorati i të dyja partive dhe i ka zbutur qëndrimet fyese, por kjo ide ka shkuar në interes të Partisë Socialiste, duke e dobësuar vigjilencën e elektoratit të djathtë. Edi Rama godet simetrikisht dy partitë e tjera, për të siguruar një 10 përqindësh të nevojshëm i cili do t’i hapte rrugën për një qeverisje të vetme brenda katër viteve të tjera. Zbutja e vigjilencës vihet re edhe te Lulzim Basha. Mungesa e armikut ka krijuar një tollovi tek elektorati i të tria partive kryesore. Ajo që është e padukshme, është strategjia e re e dy liderëve të partive, pas 25 qershorit. Edi Rama, ndryshe nga dy liderët e tjerë, edhe pse duhej të ishte ai që duhej të justifikohej para elektoratit për gabimet e bëra, po shkëlqen me fjalimet e veta populiste, duke përdorur një sinqeritet të rremë. Ai hera-herës paraqitet si opozitar, më pas si një lypës votash, e më pas si një udhëheqës i madh popullor. Gjithsesi, ai është një lider ndryshe; me djallëzi ai fsheh dallimet partiake, duke ftuar për ta votuar edhe elektorati i djathtë. Në mitingje paraqitet si një lider i kombit shqiptar, me një vizion të madh për perspektivën. Ai i lutet elektoratit të vet, si artist, duke i rënë edhe në gjunjë, mirëpo premtime nuk ka. Nuk flet as për rritje rrogash dhe pensionesh, as për dreka në shkolla, kopshte, dhe as për ulje taksash. Edi Rama e njeh mirë artin e të folurit. Kjo i mjafton për ta tërhequr elektoratin e tij mediokër, që e njeh mirë, të kalojë provën e zjarrit. Artist i madh i fjalës, ai shkëlqen në këto dalje publike, duke e parë të keqen e kombit te pallati i drejtësisë, sikur gjer më sot, varfërinë në Shqipëri e kanë sjellë disa gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar. Në të gjitha takimet e tij, Edi Rama përdor sloganin “Ne dimë të bëjmë shtet”. Shtet bëri edhe Enver Hoxha, madje një shtet për ta pasur zili, mirëpo, nuk bëri shtet për zhdukjen e varfërisë. Të bësh shtet për të pasur pushtet apo të bësh shtet për të varfrit? Kjo është çështja! Ky është dallimi midis shtetit që kemi dhe shtetit që duam të kemi.

“Ne nuk duam shtet për vete, – deklaron Edi Rama nga Korça. – Për ne e para është Shqipëria. Ndaj ne bëmë marrëveshjen me Partinë Demokratike. Ne e bëmë marrëveshjen. Pse e duam ne timonin e pushtetit?” Nga sa kuptohet pas rreshtave të fjalëve, marrëveshja ka qenë për të marrë timonin e pushtetit.

“Ne u themi demokratëve, – deklamon Edi Rama, – bashkohuni me ne, për të bërë pushtet.” Sikur hallexhinjtë e ndodhur në atë takim ta kishin hallin te shteti apo pushteti i njërës palë, dhe jo te premtimet për një jetë më të mirë.

Duke dëgjuar fjalimet elektorale të liderëve partiakë, mendja më shkon te prova e zjarrit që qëndron para një elektorati i cili është mësuar të gënjehet dhe të zhgënjehet, në këto 27 vjet demokraci. Ne kemi pasur shumë oratorë partiakë. E keqja e këtij vendi nuk vjen nga oratorët, as nga fjalimet e tyre me premtime zhgënjyese. E keqja e këtij vendi ka qenë vetë elektorati i politizuar. E keqja e këtij vendi është ai fshatari i varfër i cili s’ka asnjë arsye të votojë për një parti, madje s’ka as shpresë kur vjen në takime të tilla dhe thërret me sa i ha zëri për Edi Ramën ashtu siç thërriste dje për Enver Hoxhën. Së fundi, me sa duket, një qeveri e re e dalë nga zgjedhjet do të jetë rezultat kompromisi midis dy partive. Këtë e kam thënë edhe në një shkrim tjetër duke përdorur një thënie të Gandit: “Kompromisi në zgjedhje bazohet në marrje e dhënie, por themelet nuk mund të jepen dhe as të merren”. “Kompromis për zgjedhjet do të thotë dorëzim” ka thënë filozofi indian M. Gandi.

Ajo që nuk duhet të ndodhë te ne pas zgjedhjeve është kompromisi që mund të bëhet mbi themelet, e që do të thotë një kompromis që mund ta pësojë vetë elektorati që i ka votuar.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.