OPINION

Na ka mbetë një shesh shtatzanë

07:20 - 21.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Bujar VANI

 

Kur për disa javë resht qytetarët u ftuan të shikonin përmes syzeve se si do të ishte në të ardhmen Sheshi “Skënderbej”, askush nuk u kujtua (e askush nuk iu tha atyre) se sheshi ishte ngjizur dhe mbas disa kohësh do ta shihnin atë shtatzënë! Dhe i tillë u shfaq, para disa ditëve, pas inaugurimit me pompozitet nga kryetari i Bashkisë. Natyrisht nuk mund të aludojmë për padije të theksuar të tij, si dhe të eskortës mediatike që i bëri jehonë këtij evenimenti, në konceptet elementare të gjeometrisë. Sepse kush ka kaluar ciklin e ulët të arsimit e di fort mirë se “sheshi” është i rrafshët, ndërsa piramida është krejt tjetër gjë. Kështu që sheshi mbetet “shesh” vetëm nëse gjendet në fazën e mbarsjes dhe, pasi të pjellë, do të kthehet në identitetin e vet gjeometrik. Ose më së paku t’i ndërrohet emërtesa e mos të quhet më “shesh”, dhe Skënderbeu të marrë malet edhe njëherë, si në kohën kur fushën e Tiranës e kishin zënë çadrat e ushtrive osmane.

Por sa mirë do të ishte që problemi të qëndronte vetëm tek emërtesa e gjithçka tjetër të shkonte në harmoni (pasi tekembramja jemi mësuar t’i themi shtatores së Enverit “bust”, kullës prej betoni “kioskë”, e kështu me radhë). Por kur e lidh sheshin “shtatzënë” me ansamblin urbanistik ku gjendet, domethënë me bulevardin dhe objektet institucionale të tjera përreth tij, të largohet mendja nga “lapsusi” gjeometrik dhe nis përsiatja mbi atë çka është realizuar (mjerisht) në këtë hapësirë urbane e publike. E nuk e kemi fjalën për “rraqet” që ngarkojnë sheshin-piramidë cep e më cep, por:

Së pari, për vetë Bulevardin e madh të Tiranës, që kur e sheh në tërësinë e tij, nga korpusi qendror i Universitetit në vijimësi deri tek ish-stacioni i trenit, të duket se i kanë vënë mbi kurriz një samar mushke, aq më tepër mushke karvanësh, që ngarkohej me turli lloj gjërash, ashtu si sheshi ynë shtatzënë. Dhe kur një bulevardi i vihet përmbi një “samar mushke” si ai i projektuar e i reklamuar me bujë nga kryebashkiaku ynë, nuk ka se si të mos vijë ndërmend lëvizja fshatare e Haxhi Qamilit. Ndërhyrja brutale në unitetin dhe harmoninë e bulevardit me këtë samar, duket se tenton simbolikisht t’i japë atij karakterin e rrugëve mushkare ku kalonin karvanët e kurbetit.

Së dyti, për ansamblin arkitekturor që ka qarkuar deri më tash Sheshin “Skënderbej”, e më konkretisht Banka e Shtetit, kompleksi i ministrive, Xhamia e Ethem Beut, Kulla e Sahatit, Pallati i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, institucione që përveç harmonisë urbanistike e arkitekturore, dëshmojnë dhe historinë e qytetit të Tiranës e të zhvillimit të tij si kryeqytet. Tashmë i gjithë ky ansambël arkitekturor “ka dalë jashtë loje” pasi është zhvlerësuar përballë samarit prej betoni, dhe secila prej godinave ka humbur planin perspektiv duke u zvogëluar, duke u “rrudhur” në imazh, duke u fragmentarizuar në tërësinë e vet pamore, çka iu heq dhe karakterin monumental duke bërë të pakuptimtë të mbartin cilësinë e “monumenteve të kulturës”. Parim elementar i vlerës arkitekturore të një godine është uniteti i saj dhe harmonia hapësinore me mjedisin rrethues, e duke ia hequr këtë cilësi edhe objekti më i realizuar kthehet në mall të një magazine rikupero. E pikërisht kjo ka ndodhur edhe me ansamblin arkitekturor në fjalë, i cili rritej në vlerë nga harmonia e vendosjes së tyre përreth ish-sheshit dhe nga uniteti perspektiv i tyre. Duke i soditur tashmë, për shembull, në perspektivë nga këndi i hyrjes së rrugës së Durrësit (andej nga vijnë kryesisht edhe të huajt turistë), përshtypja e parë është se Pallati i Kulturës ka ceduar në një kënd fort të pjerrët e të kujton pjerrësinë e anijes në tetë ballë det. Ndërsa Bashkia e Tiranës dhe ministritë në vijim u ngjajnë disa ngrehinave mjerane të ndonjë qyteze naftëtarësh, nga ato që u ngritën me punë vullnetare. E më tej dy simbolet e hershme të qytetit, Xhamia dhe Kulla e Sahatit, në këtë perspektivë u ngjajnë lodrave të një kopshti fëmijësh nga ato që i ka fort për zemër kryebashkiaku ynë.

Së treti, elementët me të cilët është ngarkuar sheshi shtatzënë apo “samari i mushkës”, të krijojnë bindjen për një infantilizëm të skajmë të atij që e ka projektuar apo atij që e ka miratuar këtë lloj katrahure.

Po le t’i përshkruajmë disa prej tyre:

Përballë hyrjes së Muzeut Historik me drejtim nga Banka e Shtetit, aty ku dikur gjendej shtatorja e Enver Hoxhës, është instaluar hyrja e një tualeti të nëndheshëm, duket sipas logjikës së oturakut të një foshnjeje në mes të sallonit të pritjes. Pa folur për dy wc portative para shkallëve të Muzeut dhe për katër të tilla para hyrjes kryesore të Bankës së Shtetit. Ndoshta si simbolikë domethënëse institucionale, ndoshta edhe si vepër arti monumentale!

Në krah të Bankës së Shtetit më tej, një tendë e valëzuar betoni si ato në stacionet e trenit të Budullit apo Qukësit dikur, me disa stola ndjenje për udhëtarët hallexhinj, si dhe hyrja madhështore e një parkingu modern. Praktikisht Banka e Shtetit mund të shihet vetëm në perspektivën nga mbrapa (!) me shtojcat që i bëri pak vite më parë Fullani, ndërsa ai që do ta kundrojë në tërësi, ta harrojë, pasi pjesa kryesore i përngjan një terminali autobusësh të provincës.

Gurë e shkrepa në hyrjet që të çojnë drejt majës së shtatzënisë të kujtojnë hyrjen e ndonjë muzeu arkeologjik, por duke mos qenë gjetje arkeologjike, por prodhim guroresh, i bie që të kenë zëvendësuar ndonjë eksponat muzeu gjeologjie. Ashtu si dhe pemët e shkurrishtat që duket se duan të zëvendësojnë kopshtin botanik (në gjendje të egër).

Ujë po, ka me shumicë, nëpër anësore ai hidhet përpjetë si pshurrje fëminore, ndërsa në trupin shtatzënë ai rrjedh si prej pusetash kanalesh të zeza, apo siç thuhet për rastet e shtatzënisë: “i kanë plasë ujërat!”. Edhe betoni shihet me shumicë, si ndër podiume të vegjël para Hotel Tiranës, si ndër shtylla ndriçuese, etj., që shoqërojnë stolat hekurishte vërdallë gjithë këtij sheshi të rrumbullakosur. E deri ndër rruginat e shkallët e institucioneve, që kanë ndërruar pamjen e tyre të dikurshme, duke i hequr shkëlqimin verbues e duke i kthyer si sokakët e Brrakës.

Intrigues (e ndoshta funksional) ngjan të jetë kafazi gjigand para hyrjes së Hotel Tiranës, në imitim të kafazeve të cirkut të kafshëve apo ndoshta të kopshtit zoologjik. E do ishte mirë të kishte disa të tillë përqark “sheshit”, e ndoshta do të ishin edhe funksionalë e mund të sillnin përfitim të madh turistik nëse ndër to do të futeshin “kafshë” politike…

Ndërsa monumenti i Skënderbeut në një rrëzë të barkinës madhështore të veshur me pllaka të sajuara me mbetje gurishtash, nga shumë perspektiva i ngjan lodrave plastike të kinder-surpriza. Qortuam deri më tash se e kishin vënë në mes të një linesi prej bari, e tani edhe tualeti që thamë duket më madhështor se monumenti i tij, madje edhe tenda e stacionit të Budullit është më hijerëndë se skulptura e Paskalit.

Thamë pak më lart se e gjitha kjo të krijon bindjen e një infantilizmi të skajmë, por kur dëgjon më pas kryebashkiakun tonë të argumentojë konceptin mbi të cilin është bërë kjo masakër urbane e arkitekturore, e kupton se nuk qenka bërë as nga padija e as nga naiviteti, por ka një ngarkesë të rënduar ideologjike, e ashtu si çdo ekstrem ideologjik, mbart padyshim edhe notat e groteskut. Ansambli urbanistik i kryeqytetit paska qenë arkitekturë fashiste, ku institucionet dukeshin përballë njerëzve shumë më të mëdha, ndërsa me sheshin e tanishëm njeriut do i duket vetja më i madh se institucionet! Pak a shumë këtë koncept ka shprehur ai në mbrojtje të mostrës shtatzënë që është realizuar në qendrën e Tiranës kryeqytet. Në rastin më të mirë kryebashkiaku vuan nga komplekse vogëlsie dhe inferioriteti, e në rastin më të keq ai përveçse e urren tej mase Tiranën, edhe tallet më pas me qytetarët duke iu fyer inteligjencën e duke i trajtuar si turmë pa tru, me sllogane nga ato që përgatiten në kuzhinat ojq-iste sorosiane për “shpëlarje truri”.

Sipas kësaj logjike absurde të madhështisë së njeriut përkundër institucioneve, edhe në planin iluziv të perspektivës pamore, a duhet të ketë ndonjë projekt bashkiak edhe për malin e Dajtit, se edhe ai duket tepër i madh përballë vogëlsisë në përmasa të njerëzve të Lali Erit?! A mos do dalin prapë syzet në qarkullim për të parë Dajtin sipas perspektivës së tij?

Duke mbetur në planin ideologjik, zhvlerësimi iluziv i institucioneve, a mos do të thotë edhe zhvlerësimi i tyre në praktikë nga qytetarët, nën modelin e vetë politikanëve e pushtetarëve, por institucionet bëjnë shtetin dhe teorikisht i bie të zhvlerësohet vetë shteti.

E sa i përket logjikës së “arkitekturës fashiste”, nuk e dimë se në cilin vend janë rrënuar vlerat urbane apo arkitekturore që janë ngritur nga monarkë e diktatorë. Nëse ansambli arkitekturor në fjalë mbart në vete stilin perandorak të kohës, pra mbart një ngarkesë ideologjike, po stili fshataresk e rrumpallë i sotëm a nuk flet po për ngarkesë ideologjike të tipit “fshati rrethon qytetin”? Po nëse nuk do të administronte vetëm Tiranën, por të gjithë Shqipërinë, a do t’u vinte radha për zhvlerësim edhe digave të hidrocentraleve, se edhe ato duken shumë madhështore në përmasa karshi njeriut?

Të habit edhe një fakt tjetër, shurdhëria mediatike karshi vërejtjeve dhe karshi mospëlqimeve të qytetarëve për çka pësoi sheshi dhe në përgjithësi ansambli urbanistik i qendrës së Tiranës. U reklamuan vetëm njerëz të habitur e të mrekulluar, e të tjerë që i gëzoheshin samarit mbi bulevard, e u censuruan të tjerë që ndjenin se u ishte hequr kujtesa urbane e qytetit të tyre e shpreheshin: “Nuk kaloj më në qendër, derisa të kthehet siç ka qenë!”, “Po me sheshin ç ‘patën?”, “E do edhe një trekëmbësh në majë ku të varet kryebashkiaku!”, “Pse e urren kaq shumë Tiranën ky?!”, e të tjera si këto.

Por le t’i kthehemi edhe njëherë shtatzënisë së sheshit. Si për çdo mbarsje tjetër, janë të përligjura hipotezat se ç’do të pjellë. E një hipotezë e gjasshme është se do të pjellë kulla të përbindshme betoni rreth e përqark saj, pra që do t’i zvogëlojnë edhe më tepër përmasat perspektive të njeriut të Lali Erit kur të ngrihen. E natyrisht që objektet që u zhvlerësuan prej shtatzënisë së “mëmës” atëherë do të dalin totalisht jashtë loje dhe do të ndjehet nevoja të shemben. Kështu zhduket edhe çdo gjurmë e “arkitekturës fashiste” që “eklipson” njeriun, dhe do të lulëzojë arkitektura betoniste që gllabëron tërësisht njeriun. Kështu iu del kallaji edhe gjithë përgjërimeve propagandistike të kryebashkiakut tonë për rivlerësimin iluziv të njeriut.

Bulevardi i madh i Tiranës (tashmë i zvogëluar prej Lali Erit), i quajtur “bulevardi pa qytet” në kohën e ndërtimit të tij, ishte vizion i atij që e quajtëm Satrap, po autorit të sheshit shtatzënë a mund t’i ngjisim epitetin Sa-trap?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.