KULTURË

Një koncert surprizë i orkestrës simfonike

09:45 - 21.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Vasil S. TOLE

Koncerti i orkestrës simfonike të RTSH-së i datës 16 qershor nën drejtimin e dirigjentit grek dr. Spiros Zervas, ishte një surprizë nga ato të bukurat për disa arsye. Më së pari, programi i koncertit ishte i ndërtuar bukur e me shije, ku përfshiheshin krijues të epokave të ndryshme, duke filluar me “Suitën greke” të kompozitorit bashkëkohor Kostas Kydoniatis, me koncertin nr. 1 për piano të Beethoven si dhe me “Simfoninë e pambaruar” të Franc Shubertit. Muzikë e pothuaj tri periudhave (klasike, romantike dhe bashkëkohore), tingujt dhe arkitekturat e të cilave u sollën natyrshëm falë kulturës dhe baketës së dirigjentit Zervas si dhe klasit të orkestrës simfonike të RTSH-së.
Në rastin e “Suitës greke”, dirigjenti me të drejtë evidentoi dy tiparet më të spikatura të kompozicionit të kësaj vepre: melodinë e cituar folklorike dhe ritmet karakteristike greke që të ofrojnë gëzim dhe hare. Te koncerti nr. 1 për piano e orkestër i Beethovenit, arkitektura klasike e veprës të impononte prej vetiu një rregull të brendshëm i cili “prishej” sa herë që bukuria e muzikës derdhej përtej formave që ruajnë unitetin e saj. Sigurisht, çdo gjë mund të pritej me një pianist virtuoz si Klevis Gjergji, i cili siç thotë ajo shprehja “i ishte futur në lëkurë Beethovenit”, sa shpeshherë të krijonte ndjesinë sikur ishte ai autori i veprës, pasi aq natyrshëm luante dhe kalonte nëpër planet dinamike të kësaj kryevepre pianistike klasike. Kjo ra në sy në trajtimin emocional të kohës II dhe posaçërisht të “Rondosë” në kohën III.
Te “Simfonia e pambaruar” e Shubertit, te kjo vepër emblematike e muzikës romantike, dirigjenti Zervas ruajti në një balancë të artë emocionet romantike të temave dhe episodeve të veprës, të gjitha këto të para në këndvështrimin individual të tij, aq i njëjtë por edhe befasues shpeshherë në raport me partiturën muzikore të Shubertit. “Simfonia e pambaruar”, një titull që i është vënë kësaj vepre nga të tjerë dhe jo nga Shuberti, kjo për shkak se ka vetëm dy kohë, nga katër të tilla, duket se nuk do të jetë më e tillë, pasi lajmet e fundit provojnë se janë gjetur skicat e kohës së tretë të saj, me çka duket do ta mbyllë ciklin e emërtimit të kësaj vepre si e pambaruar.
Të gjitha sa më sipër u shkruan gjatë koncertit, nën emocionet e muzikës dhe me ison e duartrokitjeve të publikut që e mirëpriti këtë koncert.

*Akademik


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.