Speciale

Analiza/ Beteja vendimtare për Tiranën, ja kush janë zonat e nxehta të sherrit parazgjedhor. PD llogari me LSI dhe PDIU

14:53 - 22.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Duke pasur popullsinë më të madhe mes qarqeve të Shqipërisë dhe numrin më të lartë të deputetëve, plus popullsinë më pak besnike ndaj partive politike, Tirana duket se përcaktoi një pjesë të konsiderueshme të rezultatit të vitit 2013 ndërsa kësaj here roli i saj pritet të jetë edhe më i madh në përcaktimin e fituesit.

Në zgjedhjet e vitit 2013, banorët e qarkut Tiranë u dyndën në kutitë e votimit. Ata hodhën gati 67 mijë vota më shumë nga sa kishin hedhur në zgjedhjet e vitit 2009. Partia Socialiste arriti të marrë 36 mijë vota më shumë se sa më 2009, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim fitoi 17 mijë vota më shumë. Në total koalicioni i majtë arriti të marrë 19 nga 32 deputetët e Tiranës, ndërsa koalicioni i djathtë arriti të marrë vetëm 13 deputet. Ky qe një rezultat i përmbysur në krahasim me vitin 2009, kur PD dhe aleati i vet Partia Republikane patën marrë 16 deputetë, socialistët morën 15 dhe LSI mori një deputet.

Për shkak të numrit të lartë të deputetëve dhe votuesve tekanjozë, të cilët kanë dëshmuar në mënyrë të përsëritur se dinë të votojnë ndryshe nga zgjedhjet në zgjedhje, Tirana është fushëbeteja jo vetëm për partitë e mëdha por edhe për partitë e vogla.

 

Kësaj here, në Tiranë do të ndahen 34 deputetë, dy më shumë se sa më 2013, duke e bërë këtë qark edhe më të rëndësishëm për rezultatin final të zgjedhjeve. Nëse PS arrin të ruajë apo të përmirësojë rezultatin në vota të vitit 2013, ajo mund të jetë në gjendje t’i afrohet synimit të deklaruar prej saj për maxhorancën parlamentare prej 71 votash. Por në betejën e Tiranës, në zgjedhjet e shkuara ashtu edhe sot, duket se e përcakton pjesëmarrja e popullsisë në zgjedhje. Në vitin 2013, pjesëmarrja në zgjedhje qe 58 për qind, nga 54 për qind më 2009.

Shumica dërrmuese e këtyre votave shtesë duket se shkuan për Partinë Socialiste dhe LSI, forca politike që garuan në koalicion dhe që kësaj here garojnë të ndara. Për shkak të koalicionit me LSI, Socialistët arritën të marrin vetëm një mandat më shumë në Tiranë nga të 36 mijë votat shtesë që morën ndërsa LSI u rrit nga një në tre deputetë duke marrë vetëm 17 mijë vota më shumë.

Në rast se Partia Socialiste dëshiron të fitojë 71 mandatet e shpresuara, ka gjasa që në Tiranë do t’i nevojitet të marrë së paku 17 mandate nga 16 që pati marrë më 2013. Objektivi për 17 deputetë duket i arritshëm për socialistët vetëm përmes ruajtjes së rezultatit të vitit 2013, pasi Tirana ka dy deputetë më shumë se sa më 2013. Por Socialistët duket se synojnë të maksimizojnë edhe mandatet që më 2013 i rrodhën te aleati i vet LSI për shkak se kësaj here palët garojnë të ndara.

Logjika e përplasjes në mesfushë me kandidatë lokalë në postet e diskutueshme nuk është shumë e vlefshme në Qarkun e Tiranës, ku për partitë e mëdha fryma e popullsisë është më përcaktuese se sa makineritë politike.

Por ndërsa në vetë qytetin e Tiranës fryma elektorale është relavisisht më e rëndësishme se sa menaxhimi i makinerive politike, Tirana është gjithashtu qarku ku gjenden gjithashtu qyteti i Kavajës, i Rrogozhinës, i Vorës e i Kamzës si dhe mbi 200 fshatra të shtrira në një territor të gjerë nga malësia e Tiranës pas malit të Dajtit deri në fshatrat buzë detit në Kavajë. Dhe duke qenë se vota është e barabartë, disa parti të vogla përgjatë zgjedhjeve të shkuara kanë mësuar të maksimizojnë rezultatin e vet duke shënjestruar jo qendrën e Tiranës, por fshatra të caktuar në zona të ndryshme. Në zgjedhjet e vitit 2009, p.sh, Partia Republikane rezultoi në mënyrë surprizuese veçanërisht popullore në disa fshatra të Kavajës, vota që i siguruan mandatin kryetarit të kësaj partie Fatmir Mediu, [CV link], i cili në atë kohë gjendej nën hetim penal dhe shpëtoi pasi rifitoi imunitetin parlamentar nga ky rezultat. Në të njëjtin vit, Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të sigurojë mandatin e kryetarit të saj Ilir Meta në një betejë për numërimin e votave në zonën e Ndroqit, betejë që përfshiu edhe sherr me karrige mes numëruesve. Në zgjedhjet e vitit 2013, PDIU arriti të marrë një mandat në qarkun Tiranë me mbështetje gjithashtu në zonën e Kavajës ndërsa që nga viti 2015, kjo parti kontrollon Bashkinë e Rrogozhinës, e cila shtrihet në cepin më perëndimor të qarkut.

Gjatë ditëve të fundit kemi parë se zona e nxehtë e sherrit parazgjedhor në qarkun Tiranë kanë rezultuar fshatrat përreth Vorës, gjë që sugjeron se për disa parti të vogla, beteja luftohet po aq shumë sa në Tiranën qytet aq edhe në zonat rurale. Kjo betejë në zonat rurale duket se reflektohet edhe në përzgjedhjet e Partisë Demokratike për kandidatët e vet për deputetë, ku në listën e Tiranës janë përfshirë disa ish-kryekomunarë.

Nga ana e demokratëve në zonën e mandateve të kontestuara gjenden biznesmeni Flamur Hoxha [Link CV] në vend të 15, i cili ka aktivitet në fushën e fasonëve me një numër të konsiderueshëm punonjësish si dhe ish-kryetari i komunës Farkë Fatbardh Plaku [Link CV], në vend të 16. Në rast se PD arrin të marrë gjysmën e votave, atëherë mandati i radhës do t’i takojë Dorian Telitit [Link CV], ekonomist, ish-funksionar i Ministrisë së Financave ndërsa në vend të 18 PD garon një ish-kryekomunar tjetër, Besnik Fuçia, i cili ka pas drejtuar ish-komunën tjetër të Kasharit, e konsideruar si komuna më e industrializuar e Shqipërisë për shkak se shtrihej në territorin përgjatë autostradës tiranë-Durrës. [Link CV].

Partia Socialiste kandidon në vend të katërmbëdhjetë biznesmenin Sadri Abazi [CV link] ndërsa në vend të pesëmbëdhjetë deputetin aktual Ulsi Manja [CV link], ish-prokuror që më herët ka qenë drejtues i degës së Partisë Socialiste në Dibër.

Në vend të gjashtëmbëdhjetë, Tiranasit mund të votojnë për të dërguar në parlament avokaten Klotilda Bushka [CV link] ndërsa në vend të shtatëmbëdhjetë, kandidon Sadi Vorpsin [CV link], i cili deri së fundmi ka qenë prefekt i qarkut.

Demokratët kësaj here do të duhet t’i bëjnë llogaritë si me LSI ashtu edhe me PDIU. PDIU arriti të marrë pak më shumë se 9 mijë vota më 2013, kur fitoi një mandat deputeti, atë të Tahir Muhedinit, i cili kësaj here garon në Vlorë. PDIU më 2013 garoi si pjesë e koalicionit të djathtë ndërsa nuk është e sigurt nëse elektorati i saj veçanërisht i djathtë do ta ndjekë këtë parti pas flirtit me të majtën.

PDIU garon në këto zgjedhje në Tiranë me kryetarin e vet Shpëtim Idrizi [Link CV], i cili në zgjedhjet e vitit 2013 garonte në listat e Partisë Demokratike dhe ish-deputeten demokrate Mesila Doda [Link CV] në vend të dytë. Kjo parti ka qenë në pushtet gjatë viteve të fundit në aleancë me PS. Ajo kontrollon aktualisht Bashkinë e Rrogozhinës, ku kandidati i saj në vitin 2015 mori rreth 7 mijë vota. Por PDIU në atë kohë garoi si pjesë e koalicionit të majtë ndërsa sot garon e vetme.

Në Tiranë shpresojnë për mandate deputetësh edhe drejtuesit e partisë së re Libra, Ben Blushi [Link CV] dhe Mimoza Hafizi [Link CV], Hafizi, një profesoreshë e Fizikës Teorike, u nda nga Partia Socialiste pasi refuzoi të votojë ligjin e shumëdebatuar të Arsimit të Lartë. Dy ish-deputetët socialistë kanë organizuar një fushatë kritikash ndaj të gjitha partive politike dhe synojnë të mbledhin votat e të pakënaqurve duke u paraqitur si një alternativë opozitare në kushtet kur efektivisht të gjitha partitë politike kryesore janë pjesërisht në pushtet.

Në garë është edhe partia Sfida për Shqipërinë, e cila ka të parin në listë Gjergj Bojaxhi [Link CV] dhe të dytin Ermal Hasimja [Link CV]. Gjergj Bojaxhi arriti të marrë 16 mijë vota në zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë në vitin 2015, kur garoi si i pavarur. Këto vota në zgjedhje parlamentare janë të barazvlefshme për një mandat e gjysmë deputeti. Por nëse Bojaxhi do të arrijë ta përsërisë këtë sukses në këto zgjedhje, kjo mbetet për t’u parë.

Në rast se pjesëmarrja në zgjedhjet e këtij viti në Tiranë mbetet në të njëjtat nivele me vitin 2013, partive të vogla do t’u nevojiten rreth 14 mijë vota për të fituar një mandat deputeti. Disa nga partitë e vogla do të duhet të bëjnë llogaritë edhe me pragun elektoral, i cili është përcaktuar në masën 3 për qind. Ekziston një farë rreziku që një parti e vogël të mund të kapë votat e vlefshme për një deputet dhe njëkohësisht të digjet nëse nuk arrin të marrë 3 për qind të votave.

Lëvizja Socialiste për Integrim mori tre mandate në zgjedhjet e vitit 2013 me 35 mijë vota në Qarkun Tiranë. Aktualisht ajo garon me tre vajza në krye të listës së vet, ministren aktuale të Integrimit Klajda Gjosha, me deputeten më të re të kuvendit Kejdi Mehmetaj si dhe me Floida Kërpaçin, aktualisht studente.

BIRN

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.