KULTURË

Portret, Jane Birkin, kur artistja humaniste këndonte për Kosovën

09:10 - 22.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Luan RAMA

 

Jo rrallë fotografitë të kujtojnë histori, ngjarje, kohëra, njerëz që kanë mbetur në kujtesë dhe që shumë vite më vonë, sapo të bie në duar një fotografi, gjithçka rigjallërohet, vjen në jetë, përjetohet sërish, si në një film. Zërat rivijnë, atmosfera, dialogët, muzika, gjithçka… Kjo gjë më ndodhi sërish para disa ditësh kur një mike gazetare nga Tirana më dërgonte një fotografi nga ardhja e saj në Paris kur unë isha në ambasadë. Dhe duke kujtuar atë kohë, rigjeta një fotografi që kisha njëzet vjet pa e parë. Në vetvete, për të tjerët, ajo fotografi, veç portretit tim, tregon thjesht një grup njerëzish në atmosferën e natës, ku diçka ndodh… dhe një pishtar të ndezur. Sigurisht, të tjerët s’mund ta dinë se çfarë shohin ata në atë natë janari të vitit 1999. Vallë një grup njerëzish që këndojnë? Madje ishte mesnatë. E gjithë ajo ditë ishte një ditë përkushtuar Kosovës, Kosovës martire që ndërkohë spastrohej etnikisht dita-ditës. Ishte një nga veprimtaritë më të mëdha të organizuara në atë kohë në mjediset e Les Halles, në zemër të Parisit, pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Georges Pompidou”. Meqë Kosova ishte kthyer në një çështje internacionale dhe intelektualët francezë ishin shumë të ndjeshëm, Liri Begeja bashkë me ne u përpoq shumë që në këtë veprimtari të ishin personalitete me emër: dy balerina të Angjelin Preljocaj, Julie Bour dhe Nathaly Aveillan luanin gjithë hire në skenë “L’Anonciation”; Michel Piccoli, aktori mitik dhe prifti i “Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur”, në filmin e Taviolit, lexonte poezi të autorëve kosovarë bashkë me Dominique Blanc, aktoren e mrekullueshme që luante në filmin “Larg barbarëve”, krah Timo Fllokos; aktori franko-shqiptar Rexhep Mitrovica dhe Gesch Patti, interpretonin gjithashtu të shoqëruar me kitarën klasike të Ehat Musës; Inva Mula këndonte himnin e flamurit e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi, çka bëri që gjithë salla e Forum des Images të ngrihej në këmbë; Tedi Papavrami interpretonte “chaconne”-n e tij të famshme, ndërsa aktorja dhe këngëtarja Jane Birkin, që kur hipi në skenë tha: “Ne po këndojmë sot për dashurinë që kemi për Kosovën”, për ato “dashuri të copëtuara” atje që kanë nevojë për ne. Dhe ajo recitoi e shoqëruar nga pianisti i famshëm Jeff Cohen… Një mrekulli e madhe ndodhte atë ditë në zemër të Parisit, ku fati e solli të isha bashkë me personalitete të tjera në debatet e aktivitetet, bashkë me Jack Lang, ish-ministrin e Kulturës, me personalitetet e “Amnesty International”, të “Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, me Jusuf Vrionin e paharruar e shumë të tjerë, e padyshim me “Comité du Kosovo”…

Kur veprimtaritë mbaruan, ishte grupi i të rinjve “Maidi Roth” (Les Glotte-Trottes) që këndonin e luanin muzikë, ndërkohë që ne kërcenim. Dhe ja, një kërcim me Jane Birkin, ku të dehur nga gëzimi i atij pishtari që ndizej për Kosovën e mbytur në errësirë, unë e ngrija atë lart dhe e rrotulloja… ajo qeshte si një vajzë njëzetvjeçare. Por më e habitshmja ishte se pastaj ishte ajo që donte të më ngrinte lart… Qeshja me vete dhe, sigurisht, nuk e lashë ta bënte këtë, se mos lëndohej, por ajo ishte vërtet e fuqishme. Ishte një natë e paharrueshme, një përshëndetje për Kosovën që francezët do ta mbështesnin pastaj në luftën e saj dhe do t’i hapnin portat e një vendi mikpritës. Ecja në rrugicat e Les Halles dhe m’u shfaq çuditërisht poeti arvanitas Jean Moréas që kalonte netët me Apollinaire pikërisht aty duke folur për poezinë, lirinë, botën. Moréas ishte idhulli i poetit të madh Apollinaire.

Një javë më vonë u lidha përsëri me Jane, e cila kur presidenca franceze donte ta dekoronte me Legjionin e Nderit, ajo nuk e pranoi, duke u thënë se “ati im ishte një hero dhe vetëm heronjtë e meritojnë një dekoratë të tillë”. Ajo interpretonte ato javë në Théâtre de la Gaité të Montparnasse, në Rue Gaité një dramë të cilën e kishte shkruar vetë: “Ah! Pardon, tu dormais!” (Ah! Më fal, ti flije!”…) me regjisorin Xavier Durringer. I propozova për një ndihmë konkrete për fëmijët e Kosovës. Shoqata CEMPEA kishte hapur një llogari ndihme dhe Birkin menjëherë më tha se paratë e disa shfaqjeve të saj do të shkonin për fëmijët kosovarë. Dhe një nga ato net unë shkova ta shihja në skenë. Po ndiqja dramën, Jane dhe partnerin e saj… Salla ishte plot.

“Gjëja më e keqe, – tha ajo, – është të jesh pranë dikujt që s’t’i hedh fare sytë. – Unë të shoh! – Jo, ti s’më sheh. – Të vështroj shumë mirë. – Ti më the se ke nevojë për syze! – Faleminderit që shqetësohesh për mua. Vërtet, sytë më janë dobësuar. – Sa mirë, ti s’do ta shohësh mplakjen tonë. Nga afër do të të dukem vagët… – Do doja të të thosha se “edhe me rrudha” ti je e bukur! – Vetëm kaq?… Edhe me rrudha ti je e bukur! – Sepse unë kam rrudha. Se jam plakur? – Edhe unë jam plakur. – Po ty s’të bëhet vonë! – Faleminderit. A mund të fle tani? – Jo, nëse s’më thua se të pëlqej…”

Dialogët në skenë vazhdonin, dhe unë mendoja për të, për jetën e saj.

Jane ishte vajza e një aktoreje dhe këngëtareje të njohur angleze, që gjatë luftës nuk u largua nga Londra por këndonte në skenë Nightingale sang in Berkeley Square. I ati, Davit Birkin, komandanti i marinës angleze “Royal Navy”, ishte heroi i saj, pasi ishte ai që e kishte mbrujtur me forcën e karakterit dhe frymën e solidaritetit njerëzor gjer në sakrificë, pasi pikërisht ai, gjatë Luftës së Dytë Botërore, vinte fshehurazi në brigjet bretone të pushtuara nga ushtria hitleriane, për të marrë aviatorët e mbetur në tokat e Bretagne-s. Që në adoleshencë, Birkin u tërhoq nga arti. Filmi i parë që interpretoi në Angli ishte krah Sir Ralph Richardson, aktorit të madh anglez, dhe ky ishte një shans i jashtëzakonshëm. Pastaj vazhdoi me një komedi muzikore, dhe pikërisht në këtë film ra në dashuri me aktorin John Barry, ndërkohë që ishte veçse 18 vjeç. Por ai më pas iku nga shtëpia dhe e la me një fëmijë në krah, Kate. E plagosur në shpirt, Birkin atëherë u kthye në familjen e atit të saj. Ajo do të luante gjithashtu në Blow up të Antonionit që mori “Palmën e Artë” në Cannes, dhe ja: një regjisor francez kërkonte një partnere për protagonistin kryesor që interpretohej nga Serge Gainsbourg. Kështu anglezja e re erdhi në Francë dhe filloi interpretimin në sheshin e xhirimit, por komunikimi me Gainsbourg ishte tepër i vështirë, për më tepër që duhej të tregohej tepër e dashuruar, në një kohë që ai sillej keq me të. Një natë regjisori i ftoi të dy në një darkë dhe pastaj u largua për t’i lënë vetëm, dhe pikërisht ajo ishte nata e dashurisë së çmendur. Pas ashpërsisë së tij, fshihej një brishtësi e jashtëzakonshme. Atë natë të vonë kishin shkuar në një hotel dhe pasi bëri një dush, Birkin u kthye në shtrat pranë Gainsbourg, por ai ndërkohë flinte. E megjithatë të nesërmen nisi një aventurë dhjetëvjeçare shumë e lumtur. Ai sapo ishte ndarë me Brigitte Bardot, madje kishte blerë dhe një shtëpi në “Rue Vernuil”, por Brigitte i iku… tashmë ishte ajo që do të hynte në të… Edhe pas ndarjes me Gainsbourg, jeta e Birkin do të vazhdonte midis aktrimit, këngës, disqeve muzikore, teatrit…

Kur drama përfundoi, duartrokitjet pushtuan sallën. Pastaj unë mora buqetën e madhe me lule, kalova anash korridorit të sallës dhe u ngjita në skenë. E përshëndeta atë dhe publikun dhe iu thashë njerëzve të pranishëm se sa shumë i detyrohemi ne shqiptarët kësaj artisteje humaniste. U përqafuam. E ndjeja gëzimin e saj dhe ajo ndjente thellë mirënjohjen time.

Kur dola nga teatri, ecja në rrugën “Gaité”, në atë rrugë që kishte pesë teatro, mes të cilave dhe “Comedia del’Arte”, dhe mendova menjëherë për Isadora Duncan. Edhe ajo pothuaj para një shekulli interpretonte në të njëjtën skenë teatri. Pastaj, pas tragjedisë së fëmijëve të saj, bashkë me të vëllanë Raymond Duncan, ajo shkoi në Sarandë, në Santi Quaranta, ku ngritën një tendë dhe ku për muaj me radhë, gjatë tragjedisë së madhe të Luftës Ballkanike, ndihmuan fëmijët refugjatë, nënat që s’kishin me çfarë të ushqenin fëmijët, ndërtuan një furrë buke, vendosën një tezgjah që gratë të endnin qilima që ata i shisnin në Angli, në mënyrë që ato të mund të jetonin… Një përkushtim për shqiptarët në nevojë. E habitshme ky pikëtakim artistesh për fatin e një kombi.

Vështrova rastësisht këtë fotografi dhe i shkruaj këto radhë për këtë artiste, e cila pas vdekjes së vajzës nga leucemia, tashmë është prekur nga e njëjta sëmundje. Kjo grua me shpirt të madh di ta mposhtë dhimbjen, dhe unë uroj që jeta e saj të jetë e gjatë dhe e mbushur me dashurinë jo vetëm të familjes së saj, por edhe të publikut europian, që vazhdimisht e ka çmuar jo veç për artin e saj, por edhe për angazhimin e vazhdueshëm humanist!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.