OPINION

Revolucioni kulturor me Drejtësinë

07:30 - 22.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Elvis ZAIMI

 

Revolucioni kulturor ishte ajo lëvizje shoqërore dhe politike në Kinë, e cila u lançua nga Mao Ce Dun për të rinovuar shpirtin e lëvizjes se maocedunidesë, në një përpjekje monumentale, sa tragjike aq edhe groteske, për të penguar atë që dukej si domosdoshmëri historike dhe që Mao i frikësohej, humbjes se pushtetit të tij personal nëse në Kinë përsëritej përvoja sovjetike e distancimit nga stalinizmi. Duket se edhe reforma në drejtësi po karakterizohet nga kalkulime strategjike politike të klasës politike tradicionale, e cila synon të nxjerrë përfitime në procesin historik  të pavitueshëm të ndryshimeve që pritet të sjellë reforma. Ndonëse është përgjegjësja realë për mungesën e integritetit të gjyqësorit, klasa politike është shndërruar në sponsorizuesen e një fushate masive të retorikës demagogjike kundër vetë sistemit që ajo e krijoi ose e toleroi në mënyrë të papërgjegjshme, d.m.th., të një pushteti gjyqësor pa integritet. Ende pa nisur reforma, ajo është proklamuar si sukses, madje premtohet hapja e një fronti tjetër të reformës, atij në administratën publike. Lojtarët me të drejtë “vetoje” në politikën shqiptare po mundohen që reformës t’i imponojnë kahjen e prioriteteve të tyre politike dhe jo interesin demokratik dhe kombëtar. “Kultura populiste “ligjore” i ka shpallur gjyqtarët “armiqtë e revolucionit” dhe nën emrin e marketingut politik “vetting” janë premtuar purga të papara ndonjëherë në sistemin gjyqësor, d.m.th shpagimi i shumëdëshiruar për gjyqtarët e pandershëm. “Pastrimi i kësaj drejtësie nga gjyqtarët e korruptuar” është lajtmotivi i reformës, mirëpo pa pasur nevojë të shtyhemi në analiza të thelluara, dihet fare mirë se gjyqtarët e korruptuar janë ata të emëruar dhe të nënshtruar nga politika dhe pikërisht sepse i kanë shërbyer dhe janë përdorur nga kjo e fundit, kanë pasur edhe dorë të lirë duke u përfshirë sistematikisht në korrupsion. Gjithashtu, lidhjet e pushtetit gjyqësor me nëntokën kriminale nuk mund të jenë vetëm se sporadike, nëse nuk do të ushqeheshin nga lidhjet e interesit të përbashkët me klasën politike, siç e dëshmon edhe miratimi i një ligji të posaçëm për dekriminalizimin e saj. Pra, pasojat e korrupsionit në pushtetin gjyqësor janë të gërshetuara dhe kanë një lidhje të pazgjidhshme thelbësore me shkakun e tyre, d.m.th analizimi dhe mënjanimi i shkaqeve është ndoshta më i dobishëm se lufta ndaj pasojave, asaj që në “kulturën populiste” quhet “hajdutëria e gjyqësorit”.

Është jashtë çdo dyshimi se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri historike, madje tejet e vonuar, dhe e aktualizuar jo në sajë të meritës së vullnetit të klasës politike shqiptare, por e kushtëzimit politik nga aleatët strategjikë si SHBA dhe BE, të cilët nuk mund të tolerojnë anëtarësinë në BE dhe as të pranojnë në familjen euroatlantike një vend partner si Shqipëria, të cilit i mungon një gjyqësor i pavarur dhe profesional, që është shtylla vertebrale e një sistemi demokratik. Në thelb, kjo reformë është pjesë e aspiratës “të kthimit të Shqipërisë tek Evropa”, d.m.th se nuk mjafton vetëm pluralizmi partiak, kapitalizmi dhe prona private, por nevojitet dhe rendi i lirë demokratik, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë në të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit.

 Në këtë kuptim, reforma nuk mund të jetë një revolucion, por një teknologji shoqërore e pjesë-pjesshme, sipas procedurave objektive që ndjekin si objektiv politik shërimin e sistemit gjyqësor, edhe kur nxjerrin jashtë tij magjistratët e paaftë dhe të korruptuar dhe jo stigmën dhe ndëshkimin individual të tyre.

 

Pavarësia funksionale e gjyqësorit në dhënien e drejtësisë së paanshme, me të cilën lidhet në mënyrë të qenësishme integriteti i tij, në thelb është jo vetëm pavarësi individuale, por edhe institucionale. Pavarësia individuale është e shprehur në nenin 145 pika 1 të Kushtetutës. Ajo nënkupton se çdo gjyqtar gjatë procesit vendimmarrës, e formon bindjen e tij të brendshme vetëm në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, pra i pandikuar nga çdo faktor apo presion i jashtëm i p përshtatshëm politik, korruptiv etj. Pavarësia individuale dhe institucionale plotësojnë njëra-tjetrën, sepse e dyta mundëson dhe garanton që e para të jetë tipar i përgjithshëm i pushtetit gjyqësor. Për më tepër, nëse pavarësia individuale e mbron integritetin e pushtetit gjyqësor vetëm nga përfaqësuesit e tij, pavarësia institucionale e mbron këtë integritet edhe nga kërcënimet jashtë pushtetit gjyqësor. Nëse i gjithë theksi i reformës do të vihej tek pavarësia individuale, kjo do të kishte një nënkuptim të rrezikshëm, sepse do të duhet të besonim se përgjegjësit e vetëm për një gjyqësor pa integritet janë gjyqtarët e pandershëm.

Pavarësia institucionale nënkupton çlirimin e gjyqësorit nga kanalet e paduhura të ndikimit mbi të, të cilat e kanë deformuar në mënyrë sistematike pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Pavarësia institucionale e pushtetit gjyqësor është parakusht i integritetit të tij, por ajo mund të jetë edhe kundërproduktive, madje e rrezikshme për integritetin e gjyqësorit, sepse mund ta shndërrojë atë në një pushtet të papërgjegjshëm dhe të korruptuar, siç është rasti i Shqipërisë.

Duket se reforma, nëpërmjet një qasjeje racionaliste të kuadrit ligjor që e mbështet atë, i ka dhënë përparësi, të paktën në fazën fillestare të saj, pavarësisë dhe integritetit individual të magjistratëve. Kjo është e dukshme, në mënyrën e detajuar dhe të hollësishme sesi janë shkruar tekstet e paketës ligjore, që synojnë të “mbyllin të gjitha shtigjet” nga mund të depërtojnë abuzimet dhe ndikimet e papërshtatshme, qasje e cila duket se është vlerësuar nga hartuesit si instrumenti i përshtatshëm për të kundërbalancuar “brerjen e ndërgjegjes” dhe përhapjen e gjerë të korrupsionit brenda gjyqësorit. Ndërkohë që në kuptimin substancial nuk mund të flitet për reformë, nëse sistemi nuk pëson transformime normative, që duhet të shfaqen në performancën e gjyqësorit dhe cilësinë e shtetit të së drejtës. Kjo do të duhet të ishte faza konstruktive e reformës, pas asaj racionaliste, njëkohësisht edhe detyra e saj më e vështirë, ndërtimi i një integriteti afatgjatë të pushtetit gjyqësor. Për të pasur sukses në arritjen e kësaj detyre reformuese, do të duhet të kapërcehet me sukses edhe “testi politik”, d.m.th., marrëdhëniet ndërmjet forcave politike dhe gjyqësorit duhet të jenë në parametrat e shtetit të së drejtës,  ndërkohë që shpeshherë kanë qenë të karakterizuara nga frika, servilizmi, besnikëria nënshtruese dhe zelli për të shërbyer, përveç problemeve të trashëguara historikisht, ku gjyqtarët dhe politikanët e regjimit komunist vazhdojnë të shërbejnë në detyra kyçe.

Mirëpo për këtë fazë, ndoshta është herët për të folur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.