OPINION

Ngjela: Meta mavria shpreson kot, Basha shefi fals i një autostrade, zgjedhjet i fiton e vetme PS-ja

15:07 - 23.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Avokati Spartak Ngjela, aleati i Ramës përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka bërë të ditur një konstatim të tij në këto çaste në politikën shqiptare; Meta në këtë fushatë zgjedhore ngre e lëshon “dashurinë” për Berishën.

“Drejtësia do të vendoset dhe paratë e grabitura do t’iu kthehen shqiptarëve, tregut dhe shtetit shqiptar”, – ka shkruar ndër të tjera, Ngjela, i cili më tej shkruan: “Po, mos ndoshta Meta kërkon t’i thotë Saliut, “unë të gënjeva, nuk erdha në Çadrën tënde ndonëse të premtova, por tani jam President; prandaj do të shpëtoj edhe veten, por edhe ty”.

Për Ngjelën, zgjedhjet i fiton e vetme Partia Socialiste, ndërsa Meta mavria shpreson kot.

 

Ja statusi i plotë

Një gjë po spikat hapur në këto çaste në politikën shqiptare: Meta në këtë fushatë zgjedhore ngre e lëshon “dashurinë” për Berishën.
Pyetja që del këtu është kjo:
Është një dashuri respektive kjo, apo është ofshamë e fatit të përbashkët si ndëshkim që po iu vjen të dyve nga Reforma në Drejtësi?

Sigurisht që është kjo e dyta.
Por është fëminore: nga Reforma antikorrupsion në Shqipëri nuk fiton dot asnjë i korruptuar.
Kënga e Metës sigurisht ka këtë titull: “Na bashkoi frika dhe halli i përbashkët – ndëshkimi nga Reforma”. Po të fitojmë bashkë në këto zgjedhje, do të bllokojmë Reformën. Por, a mund të fitojnë?

Politika në kohët moderne europiane ka pasur dhe ka një rregull që nuk mund të shkelet: Mos e prek arkën e shtetit! dhe kurrë mos mendo se nuk do të vendoset ligji një ditë.

Kështu, si në Shqipëri sot, është luftuar korrupsioni në të gjitha demokracitë europiane që para 200 vjetësh. Por ata i bënë vetë reformat antikorrupsion, dhe shihni se ku janë. Kurse neve na i dhanë si ndihmë historike amerikanët; dhe duhet t’i vazhdojmë vetë për të shkuar atje.

E pra, kjo i ndodhi korrupsionit shqiptar të liderëve të lartë të politikës. Këta asnjëherë nuk menduan, qoftë dhe për një çast të vetëm, se mund të vendosej ligji dhe drejtësia në Shqipëri. Le ta paguajnë tani.

Drejtësia do të vendoset dhe paratë e grabitura do t’iu kthehen shqiptarëve, tregut dhe shtetit shqiptar.

Po, mos ndoshta Meta kërkon t’i thotë Saliut, “unë të gënjeva, nuk erdha në Çadrën tënde ndonëse të premtova, por tani jam President; prandaj do të shpëtoj edhe veten, por edhe ty”.

Nëse i thotë këtë, Saliu nuk e beson. Pas asaj që dëgjoi nga Brian Yee me fakte, e di që është i humburi i parë i Reformës.

Po nga zgjedhjet a mund të shpresojnë pushtet këta të dy?
Meta po çirret se kërkon të bëjë 71 vende në Parlament me PD-në e Saliut; por Saliu e di që Metë mavria shpreson kot. Shkon dhe në Athinë Meta, merr dhe Dulen Saliu, por përsëri kot. As Athina dhe as Beogradi nuk kanë më forcë potenciale në Tiranë: pas 25 qershorit, do të jetë hera e parë që Beogradi dhe Athina ” nuk do të pinë më ujë nga asnjë lloj burimi të shtetit shqiptar”.
Asnjë bashkim esadist si ky që kërkon Meta të bëjë me Berishën, nuk kanë më forcë reale në Shqipëri.

Tani faktet janë të plota: amerikanët e vranë përfundimisht Esad Pashë Toptanin, dhe këtë herë, jo në Paris, por në Tiranë.

lll.
Atëherë kush i fiton këto zgjedhje?
Shenjat janë që Partia Socialiste i fiton e vetme këto zgjedhje, ndonëse shumë ngushtë.
Gjithsesi, ajo i fiton.
Po Rama?
Rama deri tani ka qënë me Reformën në Drejtësi. Por kjo nuk mjafton. Tani fillon implememtimi dhe zbatimi konkret i saj: nuk duhet të ketë asnjë lëkundje, dhe nuk ka ç’t’i duhet Basha. Basha është në rrugën që ka marrë Saliu, dhe pritet të japë dorëheqjen pas humbjes. Ky është i mundur që pa nisur garën. Nuk kuptoi, në fakt është viktimë e atij që e vendosi ministër të transporteve dhe pastaj Kryetar të Partisë Demokratike. Basha është realisht shefi fals i një autostrade kombëtare të vjedhur, dhe i një çadre nomadësh që donte të destabilizonte Shqipërinë.

Shqipëria nuk u destabilizua, se ishte e mbrojtur nga sistemi i mbrojtjes amerikane. Dhe ky është një fakt që shpejt besoj se do të dalë publikisht.

lV.
Ajo që duhet të jetë më pikante për politikën shqiptare është pa dyshim aleanca shqiptaro-amerikane. Ka dhjetë vjet që kushti i kësaj aleancë politike ka qenë Reforma në Drejtësi. Antireforma që aplikuan njëri pas tjetrit Nano dhe Berisha, i rrëzoi që të dy.

Koha ka ndryshuar, por Rama duhet t’i qëndrojë strikt aleancës, sepse aleanca shqiptaro-amerikane me Reformën si derivat esencial të saj, përbën risinë historikë të ringritjes së forcës, prestigjit dhe bashkimit të botës shqiptarë në Ballkanin Perëndimor.

Bota shqiptare e Ballkanit Perëndimor, është e gjitha në fermentimin që do të sjellë ngritjen e koshiencës europiane të saj: në shtet dhe kudo. Në të gjitha aspektet e jetës shoqërore.

Dy shtetet shqiptarë në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova, janë suksesi shqiptar i mbijetesës pesëqind vjeçare të Arbërisë. Koha ka ardhur tani për shqiptarët. Dhe kjo po spikat kudo.

Shqiptarët kanë më shumë se një vit që po njihen me të vërtetën e tyre historike të fshehur mizorisht dhe ndërkombëtarisht; por kujtohuni se edhe kjo faktikë historike që po shfaqet vrullshëm në shtyp dërkombëtarisht, është rrjedhojë direkte e aleancës shqiptaro-amerikane.
Dhe do të vazhdojë…

 

 

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.