DOSSIER

DOSSIER / Letra për Enverin: Fan Noli rri me kriminelin Baba Rexhepi dhe foli për mjerimin e Kishës te ne

10:16 - 23.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dashnor Kaloçi

Raporti i Misionit shqiptar në OKB: “Sipas Dhimitri Trebickës, fjalimi i Fan Nolit nuk u prit mirë nga shqiptarët, të cilët në përgjithësi, kanë mendime ndryshe për të, një pjesë, mendon se Fan Noli e sheh me simpati pushtetin tonë dhe veprat e tij, kurse pjesa tjetër, e konsideron atë si përgjegjësin kryesor për rrugën armiqësore të “Vatrës”. Një grup ekstremistësh, me Asllan Dragotin në krye, e nxjerrin Fan Nolin si “armik” dhe përçarësin e shqiptarëve të Amerikës”.
Dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit, është një raport-informacion i datës 20 prill të vitit 1960, i hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, Pirro Bita, i cili ia ka paraqitur atë Enver Hoxhës, si dhe katër anëtarëve të Byrosë Politike dhe njëkohësisht sekretarë të Komitetit Qendror (Hysni Kapos, Rita Markos, Haki Toskës dhe Ramiz Alisë), që përbënin edhe pesëshen më të lartë të udhëheqjes shqiptare në rang partie. Informacioni në fjalë është përpiluar në bazë të një relacioni që ka dërguar në Tiranë Misioni shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara me seli në Nju-Jork, i cili bën fjalë lidhur me një veprimtari që ka zhvilluar peshkopi Fan Noli në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, si dhe me qëndrimet e pikëpamjet e tij politike ndaj qeverisë shqiptare dhe udhëheqjes së saj. Në parantezë të këtij informacioni që përmban dokumenti në fjalë, kujtojmë se, gjatë gjithë ekzistencës së tij, që nga viti i largët 1945 e deri në 1990-ën, regjimi komunist i Enver Hoxhës mbante nën kontroll permanent edhe të gjithë shkrimtarët e artistët dhe gjithë njerëzit e letrave shqipe. Kjo gjë, jo vetëm ndaj atyre krijuesve që jetonin e punonin në Shqipëri, por edhe ndaj atyre intelektualëve e njerëzve të letrave shqipe që ishin jashtë atdheut në emigracion, të arratisur apo të mbetur andej që para Luftës, e që konsideroheshin dhe etiketoheshin si reaksionarë e armiq të popullit. Si p.sh. Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Kostë Çekrezi, Xhelal Staravecka, Isa Ndreu, Lec Shllaku, Lin Delia, Gjelosh Gjoka etj., ndaj të cilëve Tirana zyrtare rrinte vazhdimisht “zgjuar”. Këtij rregulli duket se nuk i ka shpëtuar as peshkopi Fan Noli, ndaj të cilit, sipas dokumenteve të bëra publike pas vitit 1990, regjimi komunist i Tiranës pati hapur dosjen që në vitin 1945.

Në këtë kuadër duket se është edhe ky raport-informacion që bëhet publik për herë të parë, ku Misioni shqiptar pranë OKB-së, duket se ka vëzhguar dhe përgjuar çdo lëvizje dhe fjalë të tij. Madje duke i analizuar ato me detaje, sipas njoftimit që thuhet se është marrë nga Dhimitri Trebicka, mik dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Nolit, i Antoni Athanas, e më pas i At Artur Liolin e të tjerë eksponentë të mërgatës shqiptare në SHBA të cilët Tirana zyrtare i konsideronte dhe i trajtonte si patriotë. Sipas asaj çka është mësuar prej z. Dhimitri Trebicka, bëhet me dije se “Noli ka qëndruar në darka me kriminelin Baba Rexhepi”, apo se në fjalimin e tij në Kishën e Bostonit, midis të tjerash Noli ka folur edhe për “Perden e hekurt” dhe “mjerimin e Kishës te ne”. Një fjalor i përdorur, apo një qëndrim i idem me ato të krerëve kryesorë të mërgatës antikomuniste shqiptare, si Hasan Dosti, Abaz Kupi, Rexhep Mitrovica etj., që vepronin asokohe në Perëndim apo SHBA. Rëndësinë që paraqiste Noli për Tiranën zyrtare, e tregon më së miri edhe ky dokument sekret, i cili është shtypur në pesë kopje (praktikë pune e rrallë kjo, për të mos thënë unike), ku përveç Enver Hoxhës, u është dhënë edhe sekretarëve përkatës të Komitetit Qendror të PPSH-së në ato vite, Hysni Kapos, Haki Toskës, Rita Markos dhe Ramiz Alisë. Gjë e cila tregon se ai dokument ka qenë edhe objekt i një mbledhjeje të sekretariatit të Komitetit Qendror. Siç shihet dhe nga përmbajtja e këtij dokumenti, por edhe nga qëndrimi që ka mbajtur regjimi komunist i Tiranës për Nolin gjatë gjithë ekzistencës së tij, duket se, më shumë sesa qëndrimi i tij politik, është kujdesur se si ta paraqiste atë para opinionit shqiptar. Pra, për ta pasur atë gjithmonë si një figurë historike, në antipod me Mbretin Zog, edhe pse në vitin 1943, Noli i shkroi qeverisë britanike, duke i bërë me dije se: “Vetëm Mbreti Zog mund të sillet dhe të vihet në krye të një qeverie shqiptare për të organizuar luftën kundër pushtuesve deri në çlirimin e vendit….” (Letra në fjalë ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë). Kjo duket qartë jo vetëm nga sa është thënë e shkruar për të nga viti 1945 deri në 1990-ën, por edhe për faktin se Tirana zyrtare i ka mbajtur të fshehta dhe “Top Sekret” dokumente të këtij lloji për Nolin, duke ia falur disa ‘mëkate’ “Peshkopit të Kuq”. Duke zbatuar kështu pikë për pikë metodat bolshevike të Moskës zyrtare të periudhës së Stalinit, të cilët ia fshehën Gorkit atë që kishte shkruar në një gazetë para triumfit të Revolucionit të Tetorit, për Leninin. Të cilin, pasi e kishte nxirë për veprimtarinë e tij, midis të tjerash e përshkruan edhe nga ana fizike: “një kokë tullace, mbi një trup të kërrusur e kurrizdalë, me një plëndës (bark) të shëmtuar…”. Gjëra të cilat Kremlini zyrtar nuk ia përmendi kurrë, madje thuhet se ia fshiu njëherë e mirë edhe nga koleksionet e gazetave në bibliotekat ruse. Një histori pak a shumë e njëjtë edhe me Nolin, pasi çuditërisht, edhe pas viteve ’90, historiografia zyrtare dhe biografët e Nolit nuk e kanë bërë kurrë publike ekzistencën e të tilla dokumenteve, edhe pse ato kanë qenë të deklasifikuara pranë Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë. Dokumentin në fjalë po e publikojmë të plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.


KOMITETI QENDROR I PPSH Tepër Sekret
-Drejtoria e Jashtëme 20.IV.1960
INFORMACION
MBI NJË FJALIM TË FAN NOLIT
(Nxjerrë nga relacioni i Misionit tonë pranë O.K.B.)
Misioni ynë pranë O.K.B.-së është njoftuar nga Dhimitri Trebicka, mbi një fjalim që ka mbajtur fan Noli në Kishën e Shën Gjergjit, në Boston, me rastin e pshkëve në prill të këtij viti.
Në fjalimin e tij që mbajti në shqip dhe në anglisht, Fan Noli tha se: “Gjëndja e kishave në vëndet prapa perdes së hekurt, është e mjeruar”, duke përmëndur 4-5 herë fjalën “perde e hekurt”.
Sipas Dhimitri Trebickës, fjalimi i Fan Nolit nuk u prit mirë nga shqiptarët, të cilët në përgjithësi, kanë mendime ndryshe për të, një pjesë, mendon se Fan Noli e sheh me simpati pushtetin tonë dhe veprat e tij, kurse pjesa tjetër, e konsideron atë si përgjegjësin kryesor për rrugën armiqësore të “Vatrës”. Një grup ekstremistësh, me Asllan Dragotin në krye, e nxjerrin Fan Nolin si “armik” dhe përçarësin të shqiptarëve të Amerikës. Ky grup është këshilluar nga Misioni ynë në O.K.B. që të jetë i matur.
Mendimi i Misionit është se, qëndrimi i Fan Nolit nuk është i qartë. Nga njëra anë, Fan Noli shprehet në mënyrë miqësore në takimet me shokët tanë, nga ana tjetër, ulet në një tavolinë me kriminelin, Dervish Rexhepin në një darkë të “Vatrës”. Përveç sa u tha më sipër, Misioni nuk ka asnjë të dhënë mbi ndonjë qëndrim të hapur armiqësor të Fan Nolit ndaj nesh.


DREJTORI I DREJTORISE SE JASHTEME
PIRRO BITA
Informacioni iu shpërnda
Enver
Hysni
Haki
Rita
Ramiz
Kopje e protokollit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.