KULTURË

Ekspozita / “Bota e fëmijëve” me Buzën, Bulollarin, Fajën dhe Kostandinin

08:08 - 23.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita “Bota e fëmijëve në GKA”. Kjo ekspozitë i kushtohet një publiku të veçantë, jo vetëm të rriturve artdashës por në veçanti krijuesve të vegjël. Në këtë ekspozitë do të prezantohet krijimtaria e përzgjedhur e katër artistëve si Abdurrahim Buza, Agim Faja, Guri Bulollari dhe Ledia Kostandini, autorë të jashtëzakonshëm, plot fantazi, veprat e të cilëve dinë të flasin në gjuhën e të rriturve e të vegjëlve.
Nën kurimin e Esmeralda Dalipi dhe Bujana Demiraj, kjo ekspozitë vjen përpara publikut si një “ditar” me ilustrime të realizuara ndër vite, në teknika të ndryshme, nga autorë të specifikave të ndryshme.
Është vendosja e Abdurrahim Buzës, piktorit më të rëndësishëm realist të shekullit XX-të, përballë Guri Bulollarit, një piktor autodidakt të pa ndikuar nga arsimimi akademik, që e bën këtë ekspozitë unike të llojit të saj. Është prezantimi i krijimtarisë së Agim Fajës, ilustrues dhe krijues i teksteve letrare për më shumë se 50 vjet në Shqipëri, me mbi 100 libra të ilustruar për fëmijë dhe të rritur, përkrah Ledia Konstandinit, artiste e gjeneratës së re, e cila ilustron përmes mediumit të ri dixhital manual, që e bën këtë ekspozitë një burim kurioziteti për çdo moshë.
Piktori Agim Faja është një ndër piktorët e Realizmit Socialist që e filloi krijimtarinë e tij në mesin e viteve ’60 të shekullit XX. Tema e tij kryesore ishte bujqësia dhe jeta e fshatit. Ai jetoi dhe krijoi në qytetin e vogël të Shijakut, duke u evidentuar edhe si një piktor illustrator mjaft i rëndësishëm veçanërisht për revistat e fëmijëve. Djali i mësuesit Hamdi Faja (“Mësues i Merituar”), Agimi do të merrte mësimet e para për pikturë në kursin e vizatimit në Elbasan nga piktori Vasil Toli. Faja kishte filluar shkollën e mesme pedagogjike në këtë qytet, por pasioni për pikturën e shtyn të vazhdojë studimet për arte. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë për pikturë në vitet 1954-1958 në klasën e pedagogëve Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Kristina Koljaka dhe Kel Kodheli.
Guri Bulollari ka lindur në fshatin Zvirinë, Korçë më 28 Janar 1947. U transferua me banim në fshatin Lin (Pogradec) kur Guri ishte vetëm 4 vjeç. Shkollën 7 vjeçare, Guri e kreu po në fshatin Lin të Pogradecit dhe gjithashtu shkollën e mesme “Muharrem Çollaku” në Pogradec. Me pikturë filloi të merrej që në moshën 7 vjeçare, kjo pasi në shtëpinë e tij vinte vazhdimisht si vizitor një piktor çek i cili bashkë me Gurin shëtisnin nëpër fshatrat përreth Pogradecit për të pikturuar. Guri filloi të merrte lapsin dhe letrën dhe të vizatonte natyrën ashtu sikurse dhe miku i tij piktor.


Abdurrahim Buza në historinë e arteve pamore shqipatre vlerësohet si një nga mjeshtrat e mëdhenj të pictures, piktorin e tablove historike dhe sociale, mësuesin dhe pedagogun e nderuar të kaq e kaq brezave artistësh, mjeshtrin e penelit dhe burrin e urtë e fjalëpak që me veprat e tij mund të vlerësohet si “Piktori Kombëtar”.
Bir i një familjeje patriote nga Gjakova, Abdurrahim Buza ishte një fëmijë mjaft intiligjent, ai hyri në shkollë në moshën 5 vjeçare. I mbetur jetim në moshën 8 vjeçare me mbështetjen e patriotit Bajram Curri vazhdon studimet e mesme në shkollën normale, Elbasan. Buza studimet e larta i kreu në Itali (ishte student  në Torino një vit), por studimet e rregullta i kreu në Akademinë së Firences në degën e pikturës Monumentale. Pas kthimit nga studimet në Shqipëri ai do të ishte pjesë e stafit të pedagogëve në shkollën e parë të vizatimit në Tiranë (1933) e më tej ndër pedagogët e pare të Liceut Artistik “Jordan Misja” (Tiranë) dhe për shumë vite nëndrejtor i saj.
Krijimtaria e piktorit Abdurrahim Buza është shumë planëshe dhe e niveleve më të larta artistike. Gjatë rrugës mbi 50 vjeçare krijuese Buza lëvroi peizazhin, natyrën e qetë, portretin, kompozimin në teknikën e vajit dhe realizoi mbi 10 000 vizatime, të cilat bëjnë pjesë në koleksionin e familjes Buza (në studion muze të piktorit).


Ledia Kostandini është fitueses e edicionit të pestë të Çmimit për Artin Bashkëkohor, “ARDHJE 2011”.. Ajo u paraqit në këtë konkurs të përvitshëm me dy tablo, vaj në kanavacë, me titujt “Drejt Europës” dhe “Çlirimi”, ku ajo monton dy kohë. Është atmosfera e festave në kohën e diktaturës, e ushtrimeve të manifestimit nëpër stadiume, ndryshojnë vetëm vitet dhe sloganet. “Të gjitha këto, mund t’i konsideroj vetëm si një reflektim përmbi jetën aktuale, e cila si atëherë, fatkeqësisht duket e lidhur ngushtë me përjetimet e ngjarjet politike. Shpesh më duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar në drejtim të raportit politikë-popull dhe sidomos në lidhje me manipulimet që bëhen në kurriz të këtij të fundit. Historia përsëritet si një «deja vu» në skena të shumta. Euforia politike është ndonjëherë ajo që jo vetëm mbulon të vërtetën, por edhe mund të luajë padrejtësisht me ëndrrat e njerëzve. Punët u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Alessandra Pioselli, kuratore dhe drejtore e Akademisë së Arteve “Carrara” në Bergamo, Itali, Vladimir Myrtezaj, artist dhe profesor i Atelierit të Multimedias në Akademinë e Arteve në Tiranë, si dhe Stefano Romano, artist, kurator.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.