OPINION

Diplomacia – Kjo “jetime” elektorale

07:12 - 25.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Dr. Jorgji KOTE

 

Zgjedhjet parlamentare 2017 do të mbahen mend edhe për heshtjen e plotë ndaj diplomacisë, politikës sonë të jashtme dhe integrimit të mëtejshëm evropian. Për herë të parë në 25 vitet e fundit, diplomacia u bë “jetime” elektorale; nuk ka vend tjetër në Evropë, as në vendet më neutrale, ku asaj t’i jetë bërë një “embargo” e tillë elektorale. Për më tepër, kur rreth nesh dhe në botë ka pasur aq shumë sfida dhe ngjarje madhore me ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi vendin tonë.

Shkaqet dhe arsyet që mund të jepen janë të pajustifikueshme. I gabuar është edhe mendimi se elektorati kishte nevojë të dëgjonte për hallet e jetës së përditshme, për punën, ekonominë, tatimet, infrastrukturën, çmimet dhe pensionet etj. Ndonjë e konsideron të panevojshme një gjë të tillë, sepse zbatimi i vetingut dhe reformës së gjyqësorit do të çojë automatikisht në hapjen e negociatave me BE-në, prej së cilës janë të varura të gjitha zhvillimet e mëtejshme diplomatike. Por, me gjithë rëndësinë e tyre jetike, këto reforma nuk mund të jenë “çelësi magjik” për zgjidhjen e problemeve të mëdha të shoqërisë sonë.

Sepse realizimi i objektivave madhorë në këtë fushë, përfshirë edhe hapjen e negociatave me BE-në, është i lidhur pazgjidhshmërisht me marrëdhëniet tona dypalëshe, në radhë të parë me secilin vend fqinj, nxitja e bashkëpunimit prioritar me Kosovën, dialogu me partnerët tanë strategjikë, tentativat ekspansioniste të Rusisë në rajon etj.

Gabimi tjetër i politikanëve tanë qëndron në idenë se diplomacia është institucion me një numër shumë të kufizuar punonjësish dhe përfaqësish jashtë vendit, kësisoj, ajo nuk ka peshë elektorale, por harrojnë se tematika diplomatike dhe e integrimit e saj është vendimtare për procesin e ardhshëm të qeverisjes dhe se diplomacia i takon gjithë elektoratit, e jo vetëm disa segmenteve të caktuara.

“Ngushëllim” nuk mund të jetë as fakti se ky aspekt jetik do të pasqyrohet në programin e partisë/koalicionit qeverisës. Sepse ai duhet të pasqyrojë, si gjithë komponentët e tjerë, programin elektoral të partisë fituese dhe aleatëve të mundshëm. Vetëm kështu publiku do të jetë në gjendje të bëjë krahasimet dhe vlerësimet e duhura për një forcë të caktuar politike. Mirëpo, gjatë gjithë fushatës nuk u fol fare për këto çështje, as për hapat e bërë, por as për objektivat për të ardhmen, nuancat dhe dallimet programore ndërmjet forcave politike etj.

Justifikim nuk mund të jetë as koha e kufizuar zgjedhore. Vërtet që temat e nxehta diplomatike nuk mund të jenë objekt i tubimeve masive, batutave, sharjeve dhe akuzave, e ca më pak deklarimeve populiste dhe nacionaliste, por kjo tematikë mund të trajtohej në bashkëbisedime serioze në mjedise të mbyllura, me grupet e interesit, ekspertët, shtypin e median.

Është shumë e çuditshme se si diplomacia gjatë kësaj fushate u la në harresë edhe nga protagonistët e saj në qeveri dhe në opozitë, si dhe deputetëve/kandidatëve të njohur në këtë fushë. Kjo ka ndodhur pasi si qeveria, edhe opozita, me sa duket nuk kanë pasur ndonjë interes ose përfitim me këtë temë; sepse edhe bilanci përkatës gjatë 4 viteve të fundit, pa mohuar kurrsesi disa hapa dhe arritje pozitive, nuk është tërheqës dhe bindës për elektoratin. Sepse, mbi të gjitha, nuk u bë e mundur hapja e negociatave me BE-në, kurse raportet me vendet fqinje jo vetëm nuk u zeruan, por duket se janë shtuar, pa përjashtuar dhe ndonjë hap prapa.

Kurse fajësimi i njërës apo tjetrës palë për mosarritjet, sidomos për hapjen e negociatave me BE-në, nuk shkon fare; sepse të paktën, paktin politik konsensual aq të nevojshëm të majit, si qeveria edhe opozita mund e duhej ta kishin bërë shumë kohë më parë nëse ishin vërtet të interesuar për integrimin evropian. e jo për ta kthyer atë në “mollë sherri”.

Në këto kushte, le të shpresojmë që statusi “jetim” i diplomacisë do të marrë fund pas 26 qershorit, duke e trajtuar atë jo si “luks” elektoral, por si domosdoshmëri jetike.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.