KULTURË

“GREMINA E DASHURISE” Një nga fatkeqësitë e Greblleshit…

10:00 - 25.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Skifter KELLIÇI

Kisha kaluar 19 muaj në qelitë e burgut të Tiranës, kisha provuar mbi trupin tim tortura nga më çnjerëzoret; për ditë të tëra duarlidhur, me një zinxhir të ngulur të tavan, pezull e këmbë që nuk më hasnin në dysheme; kisha parë një politikan të njohur nacionalist dergjur në dyshemenë e ftohtë të qelisë, dhe përgjakur nga rrahjet të kërkonte një gotë ujë, që hetuesit e përbindshëm nuk ia kishin dhënë, deri sa kishte dhënë frymën e fundit.…Dhe ja, po lirohesha. I pafajshëm, si disa të burgosur të tjerë që na kishin rreshtuar në oborrin e burgut, midis të cilëve edhe miqtë e mi gazetarë në gazetën “Bashkimi”, Petro Marko dhe Andrea Varfi, të burgosur dhe torturuar, kinse për faje shumë të rënda që i ngjisheshin  vetëm Koçi Xoxes, që tashmë ishte  shpallur armik i Partisë dhe i popullit. Pafajësinë na e kumtonte Mehmet Shehu, ministri i Brendshëm që u tregua më xhelat se i mësipërmi. Por më pas, një vartës i tij më pati thënë:
“Sidoqoftë, një faj e ke bërë: kur më 1944 rinia kërkonte të lexonte vepra revolucionare, ti botoje “Greminën  e dashurisë”, roman sentimental, që rrëmbeu mendjet dhe ndjenjat e të rinjve të asaj kohe”.
Këto më tha Mustafa Greblleshi një ditë vjeshte të vitit 1980, kur bisedonim në një kafene. Isha njohur me të disa javë më parë të gjatë vizitës që kisha bërë në shtëpinë e gjuhëtarit të madh, Eqrem Çabej, i cili sapo ishte ndarë nga jeta, ku si mik i ngushtë i tij, ishte ndodhur dhe ai. Isha njohur atë ditë së afërmi, kur këtë roman e kisha njohur më 1952, atëherë nxënës i vitit të parë në gjimnazin “Qemal Stafa të Tiranës. Më kujtohet se atë ma kishte dhënë fshehurazi një shok i klasës, dhe se e kisha lexuar fshehurazi, brenda një dite, sepse të nesërmen do ta lexonte dikush tjetër…
Por po kthehem te kujtime të tjera për Greblleshin:
“Një nga hetuesit e mi gjatë kohës së burgimit tim, ishte një shok imi i gjimnazit, student i paaftë, egoist dhe smirëzi, që kishte përfunduar në Ministrinë e Brendshme. Gjatë bastisjeve në shtëpinë time ai kishte gjetur letra që kishin më ardhur mua nga lexues, në të cilat më shprehnin mirënjohje për “Greminën e dashurisë”, midis tyre kishte dhe vajza. Ky hetues mizor, duke më torturuar, kërkonte të dinte se mos kisha pasur lidhje dashurie me ndonjërën prej tyre, kur unë nuk i njihja as për fytyrë … Ja ku arrinte poshtërsia e tij”.
Edhe pse doli i pafajshëm, Greblleshin nuk e lejuan të kthehej në gazetën “Bashkimi”. U katandis të bënte punë nga më të ndryshmet, deri sa përfundoi bojaxhi. Rëndonte mbi të vrasja, si edhe e shumë intelektualëve të tjerë, e të atit të tij, pensionist dhe i sëmurë, pa asnjë arsye nga komunistët, në masakrat e tetorit të vitit 1944 .
“Një ditë,- siç më tregonte ai përsëri,- mua dhe një shokun tim na dërguan të lyenim mjediset e ambasadës polake. Kur po kalonte pranë nesh, ambasadori hokatar seç mërmëriti një shprehje në frëngjisht, së cilës edhe unë, padashur, iu përgjigja po në atë gjuhë. Ai mbeti i habitur dhe kur gjatë pyetjeve të tij këmbëngulëse u shtrëngova t’i shpjegoja, gjithnjë në frëngjisht, se isha shkrimtar, u ngrys dhe nuk e zgjati. Siç dukej duke marrë me mend se ç’më kishte ndodhur. Doemos, se një fat të tillë kishin pasur edhe shkrimtarë në vendin e tij komunist”.
Dhe për ironi të fatit, do të vinte viti 1963 që Greblleshi përvojën e tij si bojaxhi ta derdhte në faqet e vëllimit me tregime, të titulluar “Albumi i një bojaxhiu”. “Pati shokë,- më tha një herë ai,- që u trembën nga titulli i këtij vëllimi, sepse dukej sikur u kujtonte lexuesve “nafakën” e një shkrimtari që nuk vinte nga radhët e “kllasës punëtore”, por ishte katandisur të bëhej i tillë, për më tepër bojaxhi. Por, për fat të mirë, nuk pati ngacmime nga lart”.
Dhe vazhdoi: “Aty nga fundi i viteve ’60-të dorëzova në SHBSH “Naim Frashëri” një vëllim tjetër me tregime. Por, çuditërisht, nga pakujdesia e pafalshme e një redaktori, ai humbi. Për më keq, më humbi edhe mua kopja tjetër”.
Më kujtonte dikur. Viti 1967. Nën shembullin e revolucionit famëkeq në Kinë, edhe në Shqipëri nis i ashtuquajturi revolucionarizim i vendit. Rifillon lufta e klasave, rishihen dhe biografitë, sidomos të intelektualëve me kahje perëndimore, rishihet dhe biografia ime: babai i pushkatuar, unë vetë i burgosur. Kështu nga bojaxhi, katandisem të punoj në llaç, madje duke pritur tërë ankth, se mos një ditë të afërt të internohem me tërë familjen. Çuditërisht kjo nuk ndodh. Sigurimi nuk arriti deri aty.

Më pas, përsëri në bisedë me të, ra fjala për konkurset letrare që organizoheshin aso kohe dhe që, siç ndodhte jo rrallë, fituesit e tyre shpalleshin me taraf. Buzëqeshi dhe zuri të thoshte: “Më 1944 u organizua një konkurs, për të shpallur tregimin më të mirë, ku morën pjesë shkrimtarë në zë të asaj kohe. Por, sipas rregullores së jurisë, autori nuk duhej të vinte emrin e tij poshtë tregimit, i cili  futej në një zarf që i dorëzohej noterit të emëruar për këtë punë. Ai vinte mbi zarf numrin e radhës. Pastaj në një listë shënonte titujt e tregimeve, numrat e tyre dhe emrat e autorëve përkatës, të cilën e fuste në një zarf tjetër, të dyllosur.
Kështu anëtarët e jurisë shqyrtuan tregimet, pa ditur se cilët ishin autorët dhe shpallën fitues tregimin me numër 5. Atëherë, së bashku me noterin hapën zarfin, ku ishte lista e autorëve të tregimeve dhe numri i tyre rendor. Doli se me numrin 5 ishte shënuar tregimi im. Më përgëzuan të tërë, aq më tepër që çmimi kishte vlerë të madhe parash për atë kohë, sa habiti dhe gëzoi dhe familjarët e mi. Veçanërisht babën, ish –oficer i lartë, që kishte mbaruar studimet e larta në Turqi dhe  ishte tërhequr në pension më 1939.
Një herë tjetër, Mustafai më rrëfeu për përkthimet e tij nga italishtja dhe frëngjishtja. Veç vëllimit me tregime “Jeta lakuriq” të Pirandelos , botuar më 1963, që pati jehonë edhe për nivelin e lartë të gjuhës së tij, Mustafai më tregoi se kishte në dorëshkrim vepra të tjera të përkthyera, ndër të cilat vëllimin me përralla të famshme orientale “Një mijë e një net” dhe romanin me motive vetë jetëshkrimore  “Muzgu i bregut tjetër”. Kjo ndodhi në verë të vitit 1984. E lexova me shumë kureshtje. Personazh kryesor ishte një nga studentët shqiptarë dhe e dashura e tij, bija e një industrialisti të madh italian në vitet 1943-44. Në kushtet tragjike të Luftës së Dytë Botërore e dashura kërkon që ata të arratisen në Zvicër, por ai vendos të kthehet në Shqipëri. Siç i kishte ndodhur vetë Greblleshit, i cili e kishte urryer fashizmin dhe kishte dalë në demonstrata kundër tij, që më 1939. Por ajo vepër, ishte shkruar larg parimeve të realizmit socialist, ku asgjëkund nuk përmendej fjala “komunist”. Ndaj vështirë se mund të botohej. Kësodore, i bëra disa sugjerime të kësaj natyre. Iu vu punës.
E çuditshme, brenda tri javësh ai e ripunoi romanin, pra e ktheu siç e kërkonte koha. Mirëpo nuk e dërgoi për botim. E shoqja e tij, Rushi, më shpjegoi më pas se atij i vinte rëndë të ma thoshte mua, se nuk mund të pajtohej me ato kërkesa, kështu që më mirë romani të mbetej në sirtar. Dhe kështu u bë.
Në fillim të vitit 1986 Mustafai zuri të ankohej për dhembje trupore. Kur një ditë shkoi në ambulancë, mjekja i tha vrazhdë të vinte të nesërmen, sepse orari i vizitave kishte mbaruar. Por kur pa atë burrë të gjatë dhe të fisëm, t’i fliste me butësi, e vizitoi. Dhe kur dëgjoi edhe emrin dhe mbiemrin e tij, briti tërë gaz: “Gremina e dashurisë”!? Pas më shumë se 40 vjetësh nga botimi, kjo vepër, ndonëse erotiko-shoqërore, dëshmi e fatit tragjik të dy të rinjve që nuk mund të bashkohen, ngjallte dëshirë për t’u lexuar edhe nga breza të tjerë.
E vizitoja shpesh Mustafain në shtëpi, por shihja se gjendja e tij shëndetësore po keqësohej. Vuante nga osteoporoza. Dhe ja papritur erdhi vdekja. Në moshën 64-vjeçare. Kur takova Rushin, ajo me lot në sy më tha: “U shua, ulur në divan, pranë ballkonit, me një libër në dorë. Fjalët e fundit që shqiptoi, ishin: “Sa më ka marrë malli për Eqrem Çabejn. Sikur e parandiente që pas 6 vjetësh do të shkonte te miku i tij aq i vyer”.
Pas shembjes së komunizmit më 1992, botova romanin “Kukuvajkat e mesnatës”, që ishin sigurimësat, të cilët me burgime në orët e vona të mbrëmjeve na kishin terrorizuar. Personazhi kryesor është Ylber Gerbi, (pra Greblleshi), trajtuar dhe disa me disa ngjarjet e jetës së tij, duke përfshirë edhe burgimin dhe vuajtjet e më pastajme, për të cilat shkrova në këto kujtime.
Edhe sot e ndjej veten krenar se kam përjetësuar në një vepër letrare.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.