Opinion-Komente

Diskreditimi i bazës ruse në Serbi

07:31 - 26.06.17 gsh.al

 



Nga Shaban MURATI

 

Një nervozizëm i pazakontë ka kapluar Ministrinë e Jashtme të Rusisë lidhur me komprometimin ndërkombëtar të bazës ushtarako-diversioniste ruse në Nish të Serbisë. Shprehje e këtij nervozizmi diplomatik dhe shtetëror ishte deklarata e zëdhënëses së MPJ të Rusisë, Maria Zakharova, në 22 qershor se: “Ne u kemi kushtuar vëmendje një sërë deklaratash të zyrtarëve të SHBA, ndër ta edhe zyrtari i Departamentit të Shtetit, Hoyt Brian Yee, që synojnë diskreditimin e qendrës humanitare ruso-serbe në qytetin e Nishit, Serbi. Gjoja është fjala për një çerdhe spiunësh të Rusisë në Ballkan, e cila është e aftë të kërcënojë kontingjentin amerikan në Kosovë”.

E vërteta djeg dhe kjo përbën thelbin e shqetësimit të diplomacisë dhe të qeverisë ruse për komprometimin e bazës së Rusisë në Nish të Serbisë. Që nga viti 2009, kur presidenti i atëhershëm i Rusisë, Dimitri Medvedev, gjatë vizitës së tij në Beograd nënshkroi marrëveshjen për ngritjen e bazës ruse të Nishit, Moska është përpjekur që t’i japë fasadën e një qendre gjoja humanitare, që ka për mandat të kujdeset për emergjencat civile në Ballkan. Por kjo narrativë dhe koperturë falsiteti nuk mund ta fshihte të vërtetën, sepse vetë veprimtaria e bazës ruse në Nish e ka komprometuar objektivin dhe strategjinë e kësaj baze.

Baza përbën tashmë një objekt të diskredituar të veprimtarisë diversioniste dhe subversive ruse në rajonin e Ballkanit.

Kjo nuk është më thjesht supozim, por është një realitet i verifikuar nga institucionet më të specializuara europiane dhe perëndimore. Ndaj në datën 15 qershor, zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Europës dhe të Euroazisë, Hoyt Brian Yee, në një seancë dëgjimore në senatin amerikan theksoi se, “SHBA janë të shqetësuara për bazën ruse në Nish në kufirin afër me Kosovën, sidomos për çka mund të bëhet ajo bazë, nëse Rusia merr atë, që po i kërkon Serbisë, që është një lloj statusi special, një status i mbrojtjes apo i imunitetit diplomatik”.

Shqetësimi amerikan nuk është as i rastit dhe as sporadik. Veprimtaria dhe objektivi i bazës ka shqetësuar prej kohësh shumë shtete demokratike të Europës dhe të rajonit, të cilët shohin se me intensifikimin e ndërhyrjes ruse në vendet e Ballkanit, baza e Nishit po luan një rol të veçantë. Shqetësim të madh zyrtar ka shprehur edhe BE, e cila i ka parashtruar Serbisë si shtet kandidat dhe si shtet, që ka hapur bisedimet e pranimit në BE, kushtin se nuk do të pranohet në BE, duke pasur një bazë ruse në territorin e saj. Në datën 12 dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në inat e sipër zbuloi në publik bisedat konfidenciale të udhëheqjes serbe, të cilët i ishin ankuar atij që Brukseli i ka vendosur si kusht të anëtarësimit në BE largimin e bazës ruse nga Serbia. Kërkesa e BE është plotësisht në të drejtën e vet, për të pranuar në radhët e saj shtete, që nuk janë të varur apo të kontrolluar politikisht dhe ushtarakisht nga rivali i saj gjeopolitik, Rusia.

Pra diskreditimi i bazës ruse të Nishit nuk ka ardhur nga zyrtarët amerikanë apo nga zyrtarët e BE, por ka ardhur nga vetë veprimtaria e dyshimtë dhe subversive, që ajo bazë po zhvillon nga territori i Serbisë në drejtim të vendeve të tjera të rajonit.

“Gazeta Shqiptare” ka meritën, që e para në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin ka ngritur shqetësimin për karakterin e bazës ruse në Nish dhe për pasojat, që mund të ketë baza në stabilitetin e rajonit. Në 7 dhjetor 2009, në artikullin me titull “Zemra serbe e Rusisë”, gazeta shkruante se “në këtë bazë të përbashkët do të dislokohen njësi ushtarake dhe të specializuara ruse. Me gjithë fshehtësinë e madhe mbi karakterin dhe objektivat e kësaj baze, duhet thënë se kjo është një sukses i madh i Rusisë, e cila për herë të parë arrin të sigurojë një bazë logjistike të saj jashtë kufijve të ish-Bashkimit Sovjetik”. Kur baza e Nishit u përurua zyrtarisht në 17 tetor 2011, “Gazeta Shqiptare” në artikullin me titull: “Shqetësimi për bazën ruse në Serbi” shkruante se, “Rusia dhe Serbia ranë dakord të përdorin etiketën e ‘bazës së emergjencave humanitare’ për të justifikuar ndërtimin e kësaj baze. Por etiketa e ‘emergjencave humanitare’ rezulton tepër e konsumuar për të mbuluar një program dhe një objekt të karakterit ushtarak dhe zbulues”.

Shkallëzimin e veprimtarisë diversioniste dhe subversive të bazës ruse të Nishit e komprometoi më hapur kërkesa zyrtare e Kremlinit drejtuar Beogradit, për t’i dhënë kontingjentit të ushtarakëve rusë të bazës, statusin e imunitetit diplomatik. Këtë kërkesë e paraqiti presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Beograd në tetor 2014. Me të drejtë zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit këtë kërkesë absurde ruse e paraqiti si provë të rrezikshmërisë së kësaj baze. Në një artikull me titull “Zjarrfikësit” rusë kërkojnë imunitet diplomatik”, “Gazeta Shqiptare” në datën 7.3.2016 shkruante se “Një veprimtari vërtet humanitare nuk ka nevojë për status diplomatik. Veprimtaria ruse e bazës kërkon të fshihet pas proteksionit diplomatik. Do të jetë një veprimtari, që mund të shtrihet jashtë kufijve të Serbisë dhe që mund ta implikojë Serbinë në acarime dhe në përplasje me shtetet e tjera”.

Baza ruse e Nishit përfaqëson një burim kërcënimi për stabilitetin dhe prosperitetin e popujve të rajonit. Dyshimet ndaj saj kanë qenë dhe janë aq të shumta edhe në rajon, saqë deri tani asnjë shtet i rajonit nuk i është bashkuar zyrtarisht kësaj të ashtuquajture qendër humanitare rajonale dhe ajo ka mbetur e vetmuar me tabelën e saj ruso-serbe. Revista prestigjioze “Economist” shkruante se “Qendër spiunazhi ose jo, qendra është një instrument potencial për të forcuar influencën ruse në Serbi”. Gazetari serb Dimitrije Boarov shkruan për bazën se, “kjo është shembulli i atyre bazave, që shkojnë dorë për dore me projektet e mëdha gjeopolitike dhe energjetike”.

Bojan Pajtiç, kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, i ka dërguar një letër para pak kohësh Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilën i shpreh shqetësimin e tij dhe të partisë së tij për njoftimet që një bazë e re ushtarake ruse do të ndërtohet në Serbi, në Zrenjanin, afër aeroportit “Ecka”. Letra e kryetarit të opozitës serbe, e publikuar nga agjencia “B92”, i tërheq vëmendjen kryeministrit: “Ju e dini se sa shqetësim ka krijuar për vendin tonë Qendra Humanitare ruso-serbe në Nish, bashkë me paradën ushtarake komplet të panevojshme me ushtrinë ruse dhe një seri manovrash të përbashkëta me të, në një kohë kur BE-ja ndërmori sanksione kundër Rusisë për pjesëmarrjen e saj në konfliktin e armatosur në Ukrainë”.

Besoj se shqetësimi serioz, që ngriti në senat zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee për bazën ruse të Nishit do të arrijë më në fund të shkundë autoritetet shqiptare në lidhje me qëndrimet ndaj kësaj baze. Autoritetet shqiptare kanë demonstruar një mendjelehtësi të habitshme në marrëdhëniet me bazën ruse, me gjithë analizat dhe paralajmërimet e vazhdueshme publike nga “Gazeta Shqiptare”. Në vitin 2011 autoritetet shqiptare i lejuan vetes të dërgojnë përfaqësues në mbledhjet e organizuara nga rusët për bazën. Në vitin 2015 i lejuan vetes të pranojnë dy kamionë me ndihma nga baza ruse, qëllimi i të cilave ishte të legalizonin lidhjet e Shqipërisë me bazën ruse. Këto hapa të gabuara shqiptare inkurajuan Rusinë që në maj të vitit 2015 t’i propozonte Shqipërisë edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje me rusët për bazën e Nishit, njësoj si marrëveshja, që ka nënshkruar Moska me Serbinë.

Deri tani nuk ka pasur ndonjë përgënjeshtrim zyrtar dhe as një prononcim zyrtar për qëndrimin e Shqipërisë ndaj kërkesave dhe propozimeve ruse për bazën. Deri tani asnjë qeveri shqiptare nuk e ka dënuar bazën ruse të Nishit.

Ballkani po bëhet një rajon gjithnjë e më i nxehtë i përplasjes gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë, e cila po përpiqet të pengojë integrimin euroatlantik të rajonit. Kjo përplasje gjeopolitike, siç treguan edhe krizat e njëkohshme në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shqipëri dhe në Kosovë, pritet të ketë impulse të reja në të ardhmen. Rusia nuk tërhiqet nga strategjia e penetrimit të influencës së saj në rajon, në funksion të së cilës është edhe baza ruse në Serbi.

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *