OPINION

Fituan vlerat euro-atlantike!

22:46 - 27.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ilva TARE

74 mandate, vetëm për Partinë Socialiste Edi Rama ndoshta nuk i ka parë as në ëndrrën e tij më premtuese për rezultatin e 25 Qershorit. Sic dëshmoi vota e qytetarëve që shkuan në kutitë e votimit, Rama që tanimë preferon të quhet shofer pa patentë i Shqipërisë, ka qenë në dijeni të mbështetjes së madhe që gëzonte në popull. Sondazhet e tij ashtu dhe sondazhi i Ora News dhe IPR marketing konfirmonin ndëshkimin që po përgatitej për kundërshtarët e tij politikë, edhe pas katër viteve konsumim dhe kauza të humbura sic ishte kanabisi, korrupsioni apo abuzimi me pushtetin.

Në 25 Qershor, u ndëshkuan partitë që ditën flisnin si pro perëndimorë dhe natën thurrnin intriga kundër interesave euro-atlantike të vendit, me sulme banale personale ndaj ndërkombëtareve të angazhuar në reformën në drejtësi, blerje artikujsh brenda dhe jashtë vendit ndaj aktorëve të përfshirë apo mbështetës të një prej reformave që gëzonte mbështetje plebishitare nga shqiptarët.

Të dielën në zhegun përvëlues pjesa dërrmuese e atyre 47% e shqiptarëve që vendosën të votonin zgjodhën të mbështesnin partinë që ndryshe nga PD dhe LSI nuk shfaqi në publik lëkundje ndaj reformës në drejtësi dhe dhënies fund të epokës së korruptimit nga një koorporatë gjyqtarësh e prokurorësh që veprojnë ende si një trup i bashkuar përreth interesave personale në kurriz të shtetit ligjor. Llogaridhënia, një koncept i panjohur për abuzuesit me pushtetin në këto dy dekada shpërfillje të ligjeve të këtij vendi, do të kthehet në mankth për cilindo ka një mënyrë jetese të pajustifikuar dhe që ka futur duart në taksat e qytetarëve shqiptarë

Sigurisht, deklaratat dhe qëndrimet akuzuese me emër dhe mbiemër të përtej atlantikut dhe Brukselit në koordinim me gjermanen Merkel nuk i kanë ndihmuar portretet në dukje të pafajshme të politikanëve që vunë shkopinj nën rrota për një nga reformat më historike në vend dhe që fatkeqësisht do të vazhdojnë ta dëmtojnë me aq sa do të munden në fazën më të rëndësishme të saj, zbatimin në muajt dhe vitet e ardhshme.

Partia Socialiste ka shumë detyrime ndaj votuesve të saj në 25 Qershor, por edhe më shumë ndaj atyre që votuan partitë e tjera. Së pari, të provojë vullnetin për shtet ligjor, si një mundësi dhe jo strategji elektorale. Së dyti, të cojë përpara reformat integruese për në Bashkimin Europian të vendit, pavarësisht kostove edhe personale që duhet të paguajë për këtë. Së treti, të dëshmojë se është e angazhuar për ta luftuar korrupsionin nga maja tek këmbët me mjete ligjore dhe transparente. Dhe së katërti, nëse nuk mban vëth në vesh, duhet të mos e heqë nga mendja se cdo devijim nga vlerat atlantike dhe ëndrra e shqiptarëve për t’u bërë një ditë pjesë e vlerave europiane do të ndëshkohet jo më larg se pas dy vjetësh dhe më së largu pas 4 vjetësh. Dhe koha kalon shpejt!

Sa për partitë e ndëshkuara ka kohë të flitet pas një reflektimi të gjatë dhe me këmbë në tokë sic duket se kanë nevojë dëshpëruese për ta bërë. Nëse do të fshihen pas alibive se ky popull kaq meriton dhe se është mosmirënjohës, thjesht do ta përshpejtojnë fundosjen elektorale të radhës. Dhe nga ky reflektim duhet ta përjashtojnë cdo dorë të shtrirë nga Edi Rama për oksigjen të marrë borxh, sepse mund të duket jetëdhënës në këtë fazë shkatërrimtare ku ndodhen, por në të ardhmen rrezikon të jetë helmues për imunitetin e tyre.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ilva,sulme banale ndaj nderkombetareve?!
    Ju kujtoj se ka akoma nje vile ne Tirane te blere 3 here me shrtenjte se cmimi tregut,nga Vlahutin.
    Ju ndiheni komode ne shoqerine e kesaj zonje te korruptuar…shiteni diku tjeter,jo ne Shqiperi…e pame edhe qendrimin e saje per reformen..Ishte ajo qe jepte ok per variantet e para te nje drejtesie te kapur nga Rama..
    Cut the bullshit Ilva….

    Përgjigju ↓