Show-Bizz

Reme Lala: Ja si ua fitova zemrën dibranëve

09:20 - 28.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Enida HIMAJ




Reme Lala është deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë. Studentja e Financës vjen në foltoren e parlamentit për të ngritur zërin e rinisë. Në intervistën e saj të parë si deputete, Remja shprehet se është më se e gatshme të përballet me emrat e mëdhenj të politikës, ata që kanë bërë diçka për njerëzit në nevojë. Më tej, në rrëfimin e saj për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, deputetja e PDIU-së ka rrëfyer se si ia ka dalë që të fitojë zemrat e dibranëve.
Reme Lala, deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë; si e pritët vendimin?
Faleminderit që optikës suaj gazetareske i ka lënë shenjë prurja e re në kuvendin e fjalës. Do të doja të ishte frymëzuar thellësisht nga vullneti i dibranëve jo si emërtesë e listës shume-mërore. Për sa i përket vendimit, është pa diskutim përulës. U përulem veç dibranëve të mi, që më dhanë mundësinë t’i përfaqësoj, t’i piedestalizoj, ashtu siç e kanë merituar ngaherë. Nëse do të thosha që ishte rezultat i minutës së fundit, do t’ju gënjeja; as surprizë e papritur po ashtu nuk ishte. Prej ditës së parë e deri në fund, nga dje e në vazhdim, ne jemi zotuar për të qenë të gjithë bashkë. Kemi punuar fort, kemi një aortë që punon shumë fort në Dibër. Ky vendim vetëm më ka shtuar përgjegjësinë, krenarinë për ta. E dashurinë që do ta marrin mbrapsht si në aspektin e mirëqenies, rritjes galopante në shumë sfera, po mbi të gjitha atë njerëzore. Faleminderit, Dibra ime, për vendimin që morëm bashkë!


A është gati Remja për parlamentin?
Kur thoni “Remja”, bëni mirë, sepse i referoheni së shkuarës. Këtu jam falë vokacionit e shkëndijës së saj. A jam gati? Është gati-gati retorike. Pasi atë kube do ta shoh si mejdanin ku do përkthej çdo problem, çdo kërkesë, qoftë edhe të pashprehur, ku zëri i dibranëve të mi do të jehojë, do të gdhendet aty. Do të triumfojë besimi që më falën, do të marrin udhë shpresat e dibranëve të mi.
Deputetja më e re në moshë; a ju tremb mungesa e eksperiencës përballë emrave më të mëdhenj të politikës?
Do të doja si fillim të bënim përkthim termash. Çfarë kuptoj unë me të mëdhenj dhe eksperiencë. Të mëdhenj në dritë apo terr? Të mëdhenj janë ata që pinë nga kupa e lotëve, që lënë gjurmë me gjak, që në trup kanë hartën e triumfit personal. Të mëdhenj janë ata që kanë bërë gjëra të mëdha për vendin, për votuesin e tyre, dhe kam kureshtje t’i njoh këta njerëz sa të mëdhenj janë. Sa për eksperiencë, nuk besoj se duhet ndonjë eksperiencë e madhe të jesh e drejtë me ata që të kanë zgjedhur, me ata që përfaqëson, të jesh e drejtë me veten dhe me Zotin.
Si i ke parë deputetet e tjera të reja në Kuvend?
Të gjitha femrat e politikës janë të reja brenda llojit. Njëra në vitet e jetës, tjetra në shpatën e rëndë që s’ka fuqi ta mbajë. Një tjetër në modelin e flokëve, një tjetër është e re në habitatin ku s’di të përshtatet. Një tjetër është e re në agresivitetin e fjalorit identifikues, një tjetër që kaktusit i ka vjedhur veshjen. Një tjetër si verë e holluar me ujë. Një tjetër e heshtur deri në lodhje…
A e ka përgatitur veten Remja të përballet me akuza dhe me gjuhën e ashpër të politikës shqiptare?
Nuk e kuptoj çfarë është kjo frymë kaq intimiduese. Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit! Jepi Remes atë që i takon Remes! Jam e prirur t’i besoj teorisë se, vitet e para të njeriut janë vendimtare. Më pas çdo gjë është ushqim; në kohën tonë ky ushqim është fatkeqësisht OMGJ. Prandaj karakteri është i buhavitur; i bukur nga jashtë, por i kalbur nga brenda, me gjemba e njolla të stërmëdha. Ç’të them, kështu duket se janë femrat e politikës! Flas për ato që duan të importohen apo të jenë gjithnjë në vitrinën e parë. S’do më besonit nëse do u jepja femrave të politikës leksionin më të madh BIO-njerëzillëku. Le të ngelet premtim, apo bast nëse doni.


Si e keni parë parlamentin para se të angazhoheshit në politikë?
Me një lloj trishtimi që të jep konstatimi i rrjedhës kohore, kur vë re se individë që 10 vjet më parë pretendonin se kishin një stad kulturor, etik apo shkencor, brenda disa vitesh i humbën ato pak armatime intelektuale, u zgarlën në pellgun e premtimeve boshe. Janë futur në një proces zhvlerësimi të vetes po e po, por edhe të shoqërisë. I kam parë shumë syresh si sinonimatë të xhunglës. Apo fëmijë të kyçur nga koha, që bënin kapërdima në sallën e cirkut. I kam parë si gjuhëtarët e fjalorit shqipndyes. Si mund t’i shoh unë ata, që edhe pasqyra e tyre i refuzon?!
Për çfarë është bërë pjesë e politikës Remja, cilat janë problematikat e para që do të ngrini?
Demokraci njerëzore, imazh i lartësuar i dibranit, ekonomi, arsim, shëndetësi. Bashkëpunim nga terreni në foltore, Rruga e Arbrit -realizimi i saj. Alternativa shumëkahëshe për të rinjtë. Ndryshime në paketën e shumë ligjeve ekzistuese. Elektorati i vënë në fokus. Nëse do shikohet çdo shkronjë bold vertikalisht, do kuptohet përse jam bërë pjesë e politikës.
Ndërkohë ju jeni studente për Financë; çfarë lidhjeje ka shkolla juaj me politikën?
Thonë se jeta është llogari. Politika është shifra, votues, numërues, mandate, kohëzgjatje, premtime, qëllime, ligje, vendime, komunikim publik, progres, regres ekonomie, periudhë kohore me pikëpyetje në BE. Të gjitha në shinat e numrave. Të gjitha nën firmën e fortë të logjikës. Abstenim-kundër s’ka, besoj. Miratohet!
Sa do të ndryshojë Remja tanimë që është pjesë e parlamentit shqiptar?
Për Remen do flas, jo kjo e kohës së tashme, veta e parë numri njëjës. Për Remen kam bërë pakt me të ardhmen, duke mbajtur sytë fiksuar tek e shkuara. Aleatja ime ka të gjithë dashamirësinë e besimin tim, për të më thurur folklorizma modernë gjithmonë në të ardhmen.
Sa të përfaqësuar janë të rinjtë në politikë?
Politika nuk është shfaqje, nuk është ndeshje kalçetoje, nuk është trampolinë për ata që dinë not. S’është as krenari, as shkallare ndriçimi. Ata që e kuptojnë se ai vend ndrin, se aty ka thesare për t’u zbuluar, e kanë gabim. Politika është sipërmarrëse, është aktor shoqëror qendror, që luan në fushën e vendimmarrjes. Si e tillë duhej të kishte tolerancë për të rinjtë. “Ju jeni e ardhmja” nuk duhet të vlejë vetëm si parullë që ecën në vendnumëro. Kushdo që e sheh rininë si e ardhmja, e ka detyrë t’i dëgjojë zërin, ta bashkëngjisë mendimin kontrovers e, pse jo, ta pleqërojë vendimmarrjen.
Dibra njihet si një bastion i djathtë; sa vështirë e patën dibranët t’i besonin Remes, një vajze të re, nën siglën e PDIU-së?
Dibra nuk njihet, por është ende bastion i së djathtës. Pa dashur të bëj lojëra fjalësh, me këtë nënkuptoj frymën e lirë që kanë ata njerëz, pa nevojën dhe neverinë për kthetra pushteti. Respektimin e eshtrave që frymuan në antikomunizëm, e kundërshtuan, u rebeluan, e mohuan sistemin që pushkatoi njeriun. Ata dibranët e mi janë më të emancipuar apo përparimtarë sa ç’ju shkon mendja juve. Janë zhveshur njëherë e mirë nga sigletat e partive. Ata dibranët e mi, janë kaq inteligjentë sa ç’iu është thurur shpesh nëpër strofa poemash apo këngësh. Ata janë të lirë për t’i besuar fjalës, njeriut. PDIU-ja erdhi në Dibër si tezë kombëtarizimi. Kush do i thoshte “jo”, do të mohonte veten! “Bujrum” i thamë, sofrën ia shtruam… bujtën si miq me nder e respekt për aq kohë sa dëshiruan. Për të nuk mund të thuhet nëse ekziston apo jo; për të mund të thuhet nëse është adekuate, e besueshme, e vlefshme. Nëse mund të përdoret për të vënë rregull në rrëfimin e ngjarjeve dhe dinamika shoqërore.
Si e shikoni sot rininë shqiptare, cilat janë problematikat më të mëdha që kanë?
Nuk e shikoj rininë shqiptare, por eci dorazi çdo ditë me ta, nuk vetëpërjashtohem. Jemi të gjithë në një qerthull gati çmendurak. Mungesë identiteti, kakofoni bindjesh, ngjalljen e perëndive të materializimit, etje për statusin pavetor VIP, papuno-socializim. Problematikat për t’u eventualizuar duan jo konkluzione, as faqe sporadike gaze-tash. Por vënien e rinisë në qendër çdo ditë, nga çdo medium. Kur është hera e fundit që problematikat e tyre janë trajtuar, se nuk më kujtohet???
A keni një këshillë për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të bëhen pjesë e politikës?
Këshillë miqësore ndoshta, me kënaqësi. Nëse dini të derdhni lot, kur familje pa mbarim ngrysin ditën pa nevojat bazike; nëse s’e keni problem të hiqni takat e të zbrisni nga makinat, të vishni atletet për të përshkruar Shqipërinë jo nga “Google Earth”; nëse dini të dëgjoni, të depërtoni në çdo shqetësim, ta përvetësoni, e më pas të keni burrërinë apo fisshmërinë sa t’i lehtësoni nevojat e atyre që ju besojnë; nëse jeni elokuentë, por pa kopjuar askënd të ardhur para jush; nëse mendja dhe shpirti juaj ka forcë më shumë sesa zëri; pa diskutim le të bëheni pjesë e politikës!

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Dibranet e mi…..,per dibranet..etj..etjjj…Nuk ke faj ti moj vajze jooo.PDIU eshte parti e Çameve jo e dibraneve.Problemet e Çamerise jane ku e ku me ato te dibraneve moj femer!

    Përgjigju ↓