KULTURË

Xhufi: Mustafa Nano kritikon Fishtën për vargjet antisllave

09:10 - 30.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Pëllumb XHUFI




Nuk është hera e parë, që autori Mustafa Nano u largohet për një çast ujërave të ndenjura të gazetarisë e publicistikës shqiptare për të ndërmarrë udhëtimin e radhës nëpër kthinat e fshehta të historisë, kulturës e gjuhës shqipe. Albanologjia, me të vërtetat, dilemat, mitologjitë e misteret e saj, duket se është pasioni i tij i viteve të pjekurisë. Sprovat e para të kësaj stine të re të krijimtarisë së tij Nano na i kishte dhënë që me botimin e librit “Unë jam gegë”, në vitin 2013, dhe të atij me titull “Pax Albanica”, më 2014.
Jo pa qëllim, autori ka zgjedhur një titull libertin e provokativ për librin më të fundit të tij, “Sandwich (A është mirë me qenë shqiptar?)”.
Bie në sy konfeksionimi i tij në një gjuhë dialektore anti-standard, fillimi i tij paradoksal me një fjalë të huaj të kulturës fast-food dhe, mbi të gjitha, shtrimi në formën e një dileme shekspiriane i pyetjes “Të jesh a të mos jesh…shqiptar”. Ky titull, i zgjedhur qëllimisht nga autori, rrezikon t’i tingëllojë antipatik e irritues lexuesit tradicional, që do të ndihej i fyer në qenien e tij shqiptare dhe në ndjenjat e bindjet e veta puritane mbi historinë, kulturën e gjuhën e popullit shqiptar. Por, pavarësisht titullit ekstravagant, çdo lexues që e njeh krijimtarinë e Mustafa Nanos mund të rrijë i qetë, se në rastin e këtij libri të ri nuk kemi të bëjmë me një “rrëshqitje” të autorit në pozita renegate dhe as me një projekt të fshehtë për të çshenjtëruar a demontuar një lavdi kombëtare, siç është albanologjia.
Në fakt, qysh në faqet e para të librit bindesh se qëllimi i autorit nuk është edhe aq i keq.
Nano merr përsipër një mision “mohues”, madje edhe “destruktiv”, por ky është një mision fisnik, pasi ka të bëjë me demontimin e miteve, me rishikimin (revizionimin) e disa “të vërtetave të gjithëpranuara”, por që nuk i qëndrojnë kohës e i bëjnë dhunë të vërtetës. Sigurisht, shqyrtimi në mënyrë kritike i disa prej tezave kryesore të shkencave albanologjike, siç janë ato që kanë të bëjnë me origjinën e popullit shqiptar, me vazhdimësinë iliro-shqiptare, me marrëdhëniet e shqiptarëve me sllavët e me grekët, me gjuhën e kulturën e tyre, me procesin e islamizimit, me rolin e shqiptarëve në ngjarjet e mëdha politiko-ushtarake në rajonin e Ballkanit etj., është një ndërmarrje që kërkon guxim, e guximi nuk i mungon opinionistit Mustafa Nano, njërit prej zërave të rrallë kritikë të gazetarisë shqiptare të periudhës së trazuar të tranzicionit post-komunist.


Nano ka zgjedhur një gamë gjithëpërfshirëse të literaturës bazë, ku bëjnë pjesë, si autorë të konsideruar “filo-shqiptarë” të llojit G. Hahn, Fallmerayer e Durham, ashtu edhe autorë të stigmatizuar si “albanofobë” e deri “albanofagë” të tipit Pouqueville, Gjorgjeviq, Wilkinson, Mackenzie etj.
Për sa u përket marrëdhënieve historike të shqiptarëve me fqinjët, Mustafa Nano është i bindur se një rishqyrtim objektiv do të sillte një zhdramatizim e shtensionim të tyre në ditët e sotme. Vërtet, ai nuk lë, e nuk mund të lërë pa komentuar platformat nacionaliste e antishqiptare të fqinjëve, si “Megali Idenë” greke, apo “Naçertanjen” serbe të Ilia Garashaninit dhe elaboratin albanocid të Vasa Çubrilloviqit. Këto, dihet, u kthyen në ushqimin kryesor të politikave të Greqisë e Serbisë kundrejt Shqipërisë e shqiptarëve, duke prodhuar në terren ngjarje të përgjakshme, masakra e operacione masive të spastrimit etnik, më i fundit prej të cilëve ishte ai i viteve 1998-1999 në Kosovë.
Nga ana tjetër, konstaton Nano, Greqia, vendi që para 200 vjetëve ishte më multietniku e multifetari në Ballkan, sot krenohet të paraqitet si vendi etnikisht e fetarisht “homogjen”. Kjo gjë nënkupton se në këta dy shekuj banorët shqiptarë, vllehë, turq, hebrenj e sllavë të saj ose janë përzënë, ose janë greqizuar me dhunë, ose janë zhdukur. Megjithatë, autori konsideron se në një mjedis inkandeshent e skizofren, si ai ballkanik, shfaqjet e nacionalizmit duhen mbytur që në vezë, e në këtë kuptim ai nuk heziton të trajtojë me po aq dorë të rëndë edhe shfaqjet e interpretimit nacionalist të historisë te shqiptarët, siç ishte edhe ajo tentativë e ndrojtur e vitit 1998, kur Akademia e Shkencave e Shqipërisë kuturisi të hartojë një platformë mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Nisma është gjithsesi e kritikueshme, pavarësisht se platforma në fjalë e parashihte realizimin e idealit rilindës të bashkimit kombëtar në kuadrin e projektit europian të integrimit dhe aspak si një rezultat luftërash, dëbimesh e spastrimesh etnike.
Nuk është pa domethënie fakti që Mustafa Nano distancohet prerazi nga kori i intelektualëve hipokritë, kur guxon, si askush tjetër në këta 25 vjet lirie akademike e intelektuale, të kritikojë nervin antisllav të At Gjergj Fishtës në “Lahutën e Malcis”. Përballë vargjeve të poetit, vargje mjeshtërore, po ku janë tepër të ndezura tonet e ngjyrat e një armiqësie të hiperbolizuar e historikisht të papërligjur mes shqiptarëve e malazezëve, Mustafa Nano nuk përmbahet ta thotë açik mendimin e tij: “Vepra më e mirë e Fishtës meritonte një fabul më të denjë historike”.
SHQIPTARËT E SERBËT
Në të kundërtën, ai ndjek një tjetër linjë marrëdhënieje me fqinjët, duke kërkuar e duke evidentuar atë çka është pozitive, posaçërisht në marrëdhëniet e tyre me shqiptarët. Momente të shumta të historisë, të rindërtuara nga autori me citim të bollshëm dokumentesh, kronikash bashkëkohore e historianësh me emër, flasin për bashkëjetesë normale e bashkëpunim deri edhe me serbët. Tregues i saj është ekzistenca shumëshekullore e një brezi të gjerë të simbiozës shqiptaro-serbe, që fillonte nga Bosnja, në veri, e përfundonte në Mal të Zi e Kosovë, në jug. Në enklava të veçanta të këtij brezi, vazhdojnë të ruhen edhe sot gjurmë të kësaj simbioze, pavarësisht politikave të homogjenizimit etnik të zbatuara me egërsi nga koha e krijimit të shtetit të pavarur serb. Në dy betejat e mëdha të Kosovës, atë të vitit 1389 e 1689, shqiptarët e serbët u ndodhën në një llogore kundër pushtuesit osman. Që nga koha e princit Dhimitër të Arbërit, më 1210, midis shtëpisë mbretërore serbe të Nemanjiqëve dhe princërve shqiptarë nga familjet Balsha, Kastrioti etj. dëshmohen aleanca ushtarake, të sanksionuara edhe me lidhje krushqie. Akoma më të ngushta rezultojnë lidhjet mes shqiptarëve dhe malazezëve, të cilët autorë të ndryshëm, si kroati Milan Šufflay, anglezja Edith Durham e vetë malazezi Mark Milani, i nxjerrin me origjinë të përbashkët. Në të mirë e në të keq, në virtyt e në ves, shqiptarë e malazezë ngjajnë si dy pika uji. Jo më kot historia, letërsia e folklori i dy popujve rezervon konsiderata e vlerësime për njëri-tjetrin. Nano na kujton se në “Kurorën e Maleve” të Petar Petroviq Njegoshit, për shqiptarët flitet përgjithësisht mirë. Në një prej këngëve të tij, tregohet se si Ivan Crnojeviqi, në vend të djalit të tij fytyrëprishur, dërgoi në Venedik një sozi shqiptar nga Ulqini, Gjuron, për të kërkuar dorën e vajzës së dogjit. Edhe vetë At Gjergj Fishta, që inatin me sllavët e ka të madh, ndërsa derdh gjithë artin e pezmin e vet kundër “shkjajve” të knjaz Nikollës, nuk mund të bëjë pa shpenzuar ndonjë fjalë të mirë për “cernagorasin trim” e për Mark Milanin, “pikë e djalit”.


SHQIPTARËT E GREKËT
Nën dritën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit i sheh autori i këtij libri edhe marrëdhëniet historike me fqinjët e jugut, grekët. Emblematike e vendimtare për nga rëndësia ishte përfshirja e shqiptarëve në kryengritjen e madhe çlirimtare të vitit 1821, ku dhanë kontributin e tyre nga heronjtë e krishterë si Marko Boçari, Odise Andruco e Teodor Kollokotroni, e deri te dinjitarë të shquar myslimanë, si Ali Pashë Tepelena, Ali Farmaqi e Abas Çami.
Nxiton të saktësojë se marrëdhëniet mes shqiptarëve e fqinjëve të tyre janë shënjuar edhe nga periudha ngërçi e konflikti. Masakra e vitit 1703 e ushtruar nga vladika i Malit të Zi, Danilo Petroviq, mbi myslimanët shqiptarë, dëbimet e dhunshme të popullsive shqiptare nga viset e Sanxhakut e të Nishit më 1877 apo rrethimi i Shkodrës më 1912-1913 janë disa prej episodeve, që dëshmojnë edhe anën tjetër të këtyre marrëdhënieve. Ndërkohë në krahun jugor, iu përgjigjen dëshmitë lebetitëse të masakrave greke të vitit 1822 mbi ushtarët shqiptarë të garnizonit të Athinës, të vitit 1913 e 1914 mbi popullsitë shqiptare myslimane të Janinës, Çamërisë e Toskërisë.
Nën kërcënimin e fqinjëve grabitqarë e të protektorëve të tyre të mëdhenj në Europë, shqiptarët u detyruan t’i bashkëngjiten Perandorisë Osmane e ta shoqërojnë atë në udhëtimin e mbramë, edhe pse kishin qenë ata që më shumë se çdo popull tjetër ishin përleshur e përgjakur me osmanët. Pikërisht këtë bashkëpunim të orëve të fundit u munduan të shfrytëzojnë fqinjët ballkanikë për t’u kërkuar Fuqive të Mëdha njohjen e territoreve shqiptare të pushtuara.
Nano gjen mjaft raste për të kritikuar qëndrimet “politikisht korrekte”, por “shkencërisht hipokrite” të studiuesve shqiptarë, që ndonjëherë ia nënshtrojnë të vërtetën shkencore një utilitarizmi kinse patriotik. Këtu përfshihen studiuesit, që, siç shprehet Nano, “nuk u rezistojnë dot ngasjeve për të nxjerrë në pah madhështinë putative të kombit apo për të provuar me hir a me pahir autoktoninë e tij”! Makar duke e shtyrë këtë autoktoni deri në kohët e mjegullta pellazgjike. Me të njëjtin nerv kritik, autori fshikullon atë që ai e quan “garë qesharake e absurde mes historiografisë serbe e asaj shqiptare për të hipotekuar një personazh imagjinar”, siç është Milosh Kopiliqi, vrasësi i Sulltan Muratit I në Betejën e Kosovës, më 1389, që fanepset në këngët epike sa të serbëve aq edhe të shqiptarëve.
Jo shumë larg, por 2-3 dekada më parë, pikërisht kur çështja e statusit të Kosovës hyri në fazën e saj përmbyllëse, studiues serbë e shqiptarë u stërmunduan në konferenca e botime të posaçme, ku “përvetësimi” i figurës fantazmagorike të Milosh Kopiliqit mori vlerën e një hipoteke historike të shqiptarëve apo të serbëve mbi Kosovën.
Duket qartë, pra, se me përjashtim të një autoriteti shkencor, si E. Çabej, të njohur e të vlerësuar ndërkombëtarisht për akribinë e integritetin e tij shkencor, Mustafa Nano nuk ushqen ndonjë konsideratë kushedi çfarë për studiuesit shqiptarë. Kjo e bën të sikletshëm pozicionin e autorit të këtyre radhëve, të cilit i është dashur të komentojë një vepër, sigurisht të guximshme, të argumentuar e solide, duke pasur edhe ndonjë mendim a interpretim të ndryshëm mbi faktet e ngjarjet e përshkruara aty.


Shfaq Komentet (10)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. O Mustafa, je shume minor duke u krahasuar me historianet shqiptare. Guximi yt per te ‘KRITIKUAR’ edhe DOM Gjergj Fishten eshte tejet qesharak dhe ne fushen e kritikes letrare,sepse do te “qeshet edhi (keci)” me sperdredhjet e tua qe kane si qellim te hedhin balte mbi historine tone reale. Ti, ore qorr, a nuk sheh maqedonasit e sotem qe duan te krijojne mite ne shek XXI duke e mbushur Shkupin me monumente dhe “akademiket” maqedonas po shkruajne “Historine e RE”? Po ne, more Mustafa :Pse duhet ta fshijme historine tone?Pse, more, e njollos Shqiptarine? Apo mos eshte ndonje lecke cerepi vete libri yt me kete titull provokativ?!
    Edhe citimet qe lexova ketu ne shkrimin e mesiperm jane krejt jashte kontekstit dhe kane si qellim ndoshta te coroditin ndonje analfabet, por jo inteligjencen shqiptare. Me vjen keq qe prof. Pellumb Xhufi na e paska shkruar parathenien, ai qe shkroi nje perle te vertete shkencore per historine Joniane te Shqiptareve te Epirit!

    Përgjigju ↓
    1. ….” te tjeret ( popujt tjere ) krijuan figura kombtare kur ato nuke i kishin edhe nga balta , ne i kemi dhe , ato i baltosim”

      Skender Luarasi

      Psh.Janne D’ Arce , ishte nji fshatare franceze, bukuria e se ciles i pelqeu shume mbretit francez andaj , per mos tu komprementuar para popullit , mbreti vendos ta sjelke vajzen e bukur ne oborina mbretror pastaj , me propagande shtetrore , shteti i Frances e ngriti Janne D’ Arce ne figure kombtare bile , na doli se Ajo i krijoi edhe kufijte e shtetit francez.
      Robin Hoodi anglez , zor se te kete egzistuar ndonjiher mirpo , per Te shkruajti edhe Shekspiri
      Mitollogjirat serbe shkojne aq large sa i kalojne edhe fantazite e njeriut normal kurse , te shqiptaret , na dalin horra e dallkauk te paguar qe bythen e shesin edhe per nji luge hallve dhe shkruajne per At Gjergj Fishten , Skenderbeun dhe nenen e Skenderbeut etj.etj pasi per te mire s arriten te permenden kurre ateher , do te permenden per te keq , ashtu si edhe eshte karakteri i tyre , ne rastin konkret , i Mustafa m*t Nanos

      Përgjigju ↓
  2. Shqiptart e jugut te Shqiperise nuk kan pase hasmeri apo ndonji te keqe direkte me sllavt. Bile komunistet e jugut erdhne ne pushtet pikrisht nga sllavt.

    Shqiptart e veriut kan qene shekullarisht viktima te krimeve te sllaveve deri gjate aleances Enver Hoxha-Josif Broz Tito.

    E sikur te ndohte e kunderta, sikur shiptart e veriut te lidhshin aleance me grekun kundra shqiptarve te jugut si do te quhej ndryshe pose TRATHTI KOMBETARE !?!

    Prandej asht antikombetare te kritikosh nji shkrimtar si Fishten qe i kndoi trimrise e malsorve te veriut gjate luftrave mbrojtese nga sulmet e sllaveve.

    Habitem qe te kete hjedhe balte Mustafa Nano kundra Fishtes. Pa e lexue me syte e mij ate qe paska shkrue Nano, mue nuk me besohet. Vetem ne qofte se Mustafa Nano zbaton porosite e Putinit, vetem atehere mund te besohet qendrimi antikombetar i Mustafa Nanos.

    Përgjigju ↓
    1. …shqiptaret e jugut,shqip.e veriut, shqip.e Kosoves ( ose sic me shume qejf sot na quajne bashkemendimraret e .M.Nanos) , shqiptaret e Maqedonise , M. te Zi , shqiptaret e Lugines se Presheves z.Paul Tedeschini , jemi nji .Keto Remetime per ne na i La peshqesh armiku i shqiptareve , turku sllavi dhe greku
      Ju nuk duhet te merreni me NESE ….sepse NESE gjyshja yte do te kishte patur nji pare tope, baba gjysh do ta kishe quajtur por , si kishte andaj , ti gjyshe asaje i the…!!!

      Përgjigju ↓
  3. E kam me keqardhje a them por, autorëve nga Shqipëria londineze do ua ndaloja të mirren me histori të raporteve të shqiptarëve të veriut me sllav të jugut!

    Përgjigju ↓
  4. Ku i dihet , ndoshta M.Nano ka gjene sllavi, ndoshta Milladini ose Mugosha gjate qendrimit ne Shqiperi afer vellaut Enver , kane patur fatin ta njohin” rastesishte ” mamane e Mustafa Nanos …sepse , ky tranzicion i pafund qe po ndodhe tashe e 28 vite ne Shqiperi , sindromi i se ciles e ka pushtuar edhe Kosoven , s ka se si ndryshe te shpjegohet preveq , qellimeve djallezore sllave te cilat qyshe para nji shekulli i qiti ne drite At Gjetgj Fishta kurse nji kasnec si M.Nano shprehe keqeardhjen e tije per arsye se shkrimrari i Madh na la amanet nga cilet ane shqiptareve do tu vije zullumi…!

    Përgjigju ↓
  5. Si te dyshosh per
    GJ. FISHTEN eshte (Krim kombetar ) e jo ta akuzosh more ( qafir ).Ku e merr rrogen M.Nano. Greket, Serbe, Malazezet ,Maqedonet ta provojne genocidin qe provuan SHQIPTARET e KOSOVES,Camerise, MALIT TE SI e Maqedonis dhe pastaj mund te besh krahasime ore muç muçì

    Përgjigju ↓
  6. Át Gjergj Fishta âsht nji Lis i nâlt, t’cilin ka masé 100 vjet qi nuk e trêmë zjarmi i rrfêve, e t’rrebtat stuhi qi e rrahin pa ja da, nuk kanë mûejt me e perkul, prândej klyshi qenit serbo-sllav ‘nano’mustafa, s’ka çka i bân pse i ra rruga e qiti do t’pshtjellt afer rrâjës! Shiu i pare qi t’bijnë ka me e shperla vêndin, tu mos lânë asnji gjurmë prej t’ndyetit, qi lshoj shkrimtaruci zêmer-pleh.

    Përgjigju ↓
  7. Mustafa Nano ka gabuar kur eshte marre me Fishten.Por perballe nje kolosi si Fishta ai eshte nje liliput i mjere.Ndersa Xhufit ia ka gjete mbiemrin Zonja Topalli.Ai eshte historiani i keshtu.

    Përgjigju ↓