OPINION

Gëzuar festën, Shën Amerika

07:30 - 04.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Besnik BAKIU

 

Sot është Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. Ishte 7 qershor 1776, kur Riçard Henri Li nga Virgjinia i ofroi Kongresit të dytë Kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se: “Kolonitë e bashkuara janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira, të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike”. Në librat e historisë kjo hapësirë kohore prej gati një muaji, është komentuar si shprehje e maturisë dhe e vlerësimit të realiteteve. Duke qenë realist se shumë delegatë nuk ishin ende gati për një hap aq të vrullshëm, siç ishte ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe për tri javë të tjera, për t’u dhënë kështu kohë atyre të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës së Pavarësisë. Mes tyre ishin ata që më pas u bënë jo thjesht ligjbërës dhe qeverisës, por etërit e kombit: Tomas Xhefersoni (më i riu ndër ta), e bashkë me të edhe Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston.

I takoi Tomas Xhefersonit, asokohe 32-vjeçar, merita e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA, në të cilën nënvijëzohej edhe një marrëdhënie mes qeverisë dhe të qeverisurve, prej së cilës ne shqiptarëve duhet të mësojmë edhe sot: “Qeveria ekziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon…atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që u përgjigjet aspiratave të tij”. Ishte themeluar jo thjesht një bashkësi shtetesh, por ishte farkëtuar shpirti i një kombi.

Kronologjia nuk lë jashtë vëmendjes mëngjesin e 1 korrikut, kur rezoluta e Riçard Henri Li u lexua përsëri dhe u hodh për miratim. Debate të zjarrta u bënë dy ditë me radhë, në datën 1 dhe 2. Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të Rezolutës për shkëputje të kolonive nga Britania e Madhe.

Atëherë Deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë dhe u analizua me kujdes duke u ndalur te çdo pjesë e saj. Me pak ndryshime të vogla Deklarata u miratua, ashtu siç e kishte shkruar ai dhe ashtu siç mund ta lexojmë edhe ne sot. Deklarata shpallte: “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.

Këto ishin të drejtat themelore të cilat, që prej asaj kohe, nuk mund t’ua merrte dot askush. Në mbrëmjen e 4 korrikut 1776, Kongresi Kontinental aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë.

Për ironi të fatit, pikërisht në 4 korrik 1776, kur kambana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga Perandoria Britanike, mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij: 4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi”.

Edhe sot e kësaj dite Deklarata e Pavarësisë vështrohet si një ndër aktet më të rëndësishme jo vetëm të historisë të Shteteve të Bashkuara, por edhe asaj botërore, pasi shenjtëroi me ligj barazinë njerëzore, atë sipas së cilës askush prej njerëzve nuk është lindur për të sunduar, ose për të qenë i sunduar. Për rëndësinë e saj, Abraham Linkolni do të thoshte se ajo është shprehje e faktit sesi: “për herë të parë një komb themeloi ligjërisht vetveten, duke u mbështetur mbi atë çka ai kishte të përbashkët me të gjithë popujt e tjerë të të gjithë hapësirës gjeografike dhe të të gjitha periudhave të historisë, duke i dhënë në këtë mënyrë shpresë dhe frymëzim të gjithë botës”.

Prandaj SHBA-të kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që të ruhet paqja, të mbrohet dhe të zgjerohet ajo, pasi forca e vërtetë e një kombi nuk vjen as nga GDP e lartë, as nga politika financiare e Rezervës Federale, as nga fuqia ushtarake e Pentagonit apo roli i CIA-s etj. Madhështia e një kombi vjen nga fuqia e idealeve demokratike.

Në këtë ditë feste, përvoja amerikane nënvizon një fakt: “Demokracia lulëzon atëherë kur për të kujdesen qytetarë që janë të gatshëm që me lirinë e fituar me sakrifica, të marrin pjesë në jetën shoqërore duke shprehur mendimet e tyre në debate; duke zgjedhur përfaqësues që e kanë treguar veten të denjë me veprimet e tyre dhe duke pranuar nevojën e tolerancës dhe të kompromisit në jetën shtetërore. Shtetasit e një vendi demokratik gëzojnë të drejtën për liritë e individit, por ata mbajnë gjithashtu edhe përgjegjësinë që u takon për ndërtimin e një të ardhmeje që do të vazhdojë të mbështetet në vlerat themelore të lirisë dhe të vetëqeverisjes”.

Kjo festë bëhet e rëndësishme edhe për ne shqiptarët, pasi SHBA, ka qenë dhe mbetet jo vetëm një aleat strategjik dhe mbështetje për Shqipërinë që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, por mbi të gjitha një vend mik.

Janë tashmë të njohura dhe kanë filluar edhe të studiohen hollësisht faktet se SHBA kanë luajtur një rol të qenësishëm në njohjen e shtetit, në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO, në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj, deri në ditët e sotme në zgjidhjen e krizave politike që riprodhon politika shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Por kjo nuk ka qenë një udhë vetëm me një kahje. Edhe mirënjohja e nderimi i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet i pakufi. Dhe këto ndjenja burojnë pikërisht prej asaj që theksohet në Deklaratë. SHBA nuk ka dashur që vetëm shtetasit e saj të gëzojnë privilegjin e lirisë dhe demokracisë. SHBA ndjen detyrimin, që të drejtat e natyrshme, si barazia, jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë, të përjetohen si të tilla kudo në botë.

Por dashuria e shqiptarëve për Amerikën, përveç sa përmendëm, lidhet edhe me një aspekt tjetër historik. Mund të quhet një farë mosbesimi historik që ka ekzistuar ndaj politikës së kancelarive të Evropës. Ky mosbesim lidhet jo vetëm me turpin e poetikës evropiane lidhur me copëtimin e kufijve, që detyruan Imzot Gjergj Fishtën të akuzonte përmes vargjeve: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/ Që i re mohit, besës së Zotit!/ Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/ Me da tokën e Shqypnisë.”, por edhe me disa nga veprimet e sotme, si getoizimi i Kosovës me mosliberalizimin e vizave apo zvarritja e proceseve integruese të Shqipërisë. Janë këto disa nga arsyet pse në kujtesën kolektive të popullit tonë është e rrënjosur aq thellë vetëdija proamerikane, sa populli shqiptar përmendet ndër popujt më proamerikanë në botë. Madje ne shqiptarët duhet ta shenjtërojmë Amerikën, duke e shpallur “Shën Amerika”.

Veçse kjo miqësi ka një datë dhe një fillim. Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, kur Shqipërisë i kanosej rreziku i copëtimit të tokave dhe zhbërja si shtet nga harta politike, SHBA u shfaq si mbrojtës i paanshëm. Duhet të kujtojmë se Shqipëria e kishte njohur një rrezik të tillë edhe dy herë të tjera më parë: filli ishte nga vendimet e Kongresit të Berlinit i vitit 1878 që i shkëputi Shqipërisë pjesë të tëra nga trungu i saj, dhe më pas nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e viteve 1912–1913, që la jashtë kufijve të shtetit të porsakrijuar shqiptar gjysmën e trojeve të tij. Për herë të tretë ky rrezik do të kthehej sërish me Traktatin e Fshehtë të Londrës (26 prill 1915), i cili parashikonte copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë, madje edhe zhdukjen e saj nga harta politike.

SHBA, superfuqia e re që po shfaqej në horizontin e historisë së përbotshme, ajo që ishte themeluar pikërisht duke u shkëputur fuqishëm nga tutela britanike, nuk ishte nënshkruese e traktateve të fshehta, ajo ishte shprehur hapur se paqja vendosej jo mbi bazën e traktateve të tilla, por duke respektuar parime të drejta. SHBA formuloi atëherë edhe qëndrimin e vet për rregullimin e pasluftës, duke theksuar prerazi dhe qartë: “Do të mbajmë pozicionin e arbitrit dhe do të veprojmë sipas traditës amerikane të drejtësisë dhe të zemërgjerësisë”.

Nderimi i përket presidentit të atëhershëm amerikan, Woodrow Wilson, i cili e përvijoi idenë e tij në 14 pikat e janarit të vitit 1918. Ato patën një jehonë të madhe dhe ngjallën shumë shpresa, sidomos te popujt e vegjël në Evropë, duke përfshirë mes tyre edhe popullin shqiptar. Pika qendrore e programit të tij ishte goditja e diplomacive të fshehta. Në Konferencën e Paqes të Parisit të vitit 1919, ai e zhvilloi aksionin e tij duke denoncuar rreptë marrëveshjet prapa kulisave në kurriz të shteteve të tjera.

Ndërkaq, projektet për copëtimin e Shqipërisë ishin përgatitur. Pritej vetëm një firmë që ky projekt të bëhej fakt. Firma që mungonte ishte ajo e presidentit Willson, firmë që nuk u vendos kurrë në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Willson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që mbeten dy nga diamantet më të ndritshme të karrierës së tij të shkëlqyer. “Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dha rastin të marrim frymë dhe të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot…”.

Në të gjitha tekstet historike që analizojnë ngjarjen shënohet fakti që presidenti Wilson protestoi ashpër kundër këtyre pazarllëqeve dhe do të deklaronte: “Qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëm në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Madje dëshmohet se Ai do të shkonte edhe më larg, duke kërcënuar bashkëpunimin me evropianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë.

Premtimin që presidenti Wilson i kishte dhënë Imzot Fan Nolit para se të nisej në këtë Konferencë, i cili përmblidhej në fjalët Unë do të kem një zë në Konferencën e ardhshme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”, e mbajti dhe ne i jemi mirënjohës brez pas brezi atij burri të ndritur shteti, si edhe politikës amerikane ndaj Shqipërisë.

Përveç këtyre SHBA është nga shtetet e para që njohu shtetin shqiptar (28.08.1922) fare pak kohë pasi ky ishte pranuar anëtar i Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920). Në një notë të dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftohet se: “E udhëhequr nga qëndrimi i suksesshëm i qeverisë kombëtare shqiptare e njeh edhe de jure qeverinë e Shqipërisë”.

Po atë vit nënshkruhet marrëveshja, që i jepte Shqipërisë statusin e kombit më të favorizuar. Në vitin 1930, presidenti Herbert Hoover emëron në krye të ambasadës amerikane një personalitet të shquar amerikano-hebre, Herman Bernstein. Ky gazetar dhe studiues i thellë u bë një njohës i madh i çështjes shqiptare dhe nxitës i fuqizimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Homologu i tij në Uashington ishte ministri i plotfuqishëm Faik Konica. Pra, në të dyja shtetet, gjejmë dy personalitete të jashtëzakonshme, rezultatet e punës së të cilëve u ndjenë shumë shpejt në të dyja anët e Atlantikut.

Gjatë Luftës II Botërore, shënohet edhe një ngjarje që vijon të dëshmojë solidaritet dhe miqësi, e cila për fat të keq është pak e përmendur dhe aspak e studiuar historikisht. Më 8 nëntor 1943, avioni C 53D që transportonte Njësinë Mjekësore 807 të Evakuimit Ajror, e cila përbëhej një ekip infermierësh, ushtarakësh dhe pilotësh amerikanë, u nis në orën 09.00 nga Katanja, Itali, drejt Barit. Si pasojë e një defekti teknik avioni u rrëzua në fshatin Peshtan të Beratit, që asokohe gjendej i pushtuar nga forcat naziste. Miqtë amerikanë u vendosën në një shtëpi e cila, me gjithë varfërinë e madhe që kishte, i strehoi dhe i ushqeu. Pas dy ditësh qëndrimi nisi udhëtim biblik dymujor i 30 amerikanëve nëpër Shqipërinë e Jugut. Amerikanët kaluan nga fshatrat e Beratit në ato të Skraparit. U ngjitën deri në lartësitë e malit të Tomorrit, kaluan lumin Osum, pastaj vazhduan nëpër Përmet, kaluan lumin Vjosa dhe iu ngjitën malit të Nemërçkës, më pas nga juglindja u kthyen për në perëndim drejt Gjirokastrës, Sheper, Mashkullorë, Progonat, e më pas ecën drejt Kuçit e Kallaratit. Në fund të udhëtimit të tyre u drejtuan nga bregdeti drejt Dhërmiut, Vunoit, Tërbaçit për te Gjiri i Elefandit në Karaburun, nga ku ata me ndihmën e shërbimeve të fshehta angleze arritën të ktheheshin në Itali.

Por jo çdo gjë u mbyll me vitet e luftës. Mes nesh është shkruar dhe vazhdon të shkruhet edhe një histori e re. Vlen të përmendim se edhe në vitet e errëta të diktaturës, kur SHBA ishin demonizuar nga regjimi komunist, por kur “liria nuk u mërgua nga vendi”, valët e radios “Zëri i Amerikës” u bënë dritarja e vetme prej nga vështronim botën, u bënë shpresa jonë për liri, barazi e drejtësi, u bënë besimi se edhe për ne, shqiptarët, dielli do të lindte andej nga perëndonte, siç kishte shkruar një shekull më parë poet-profeti i kombit Naim Frashëri.

Ndoshta është unikale dhe e paharrueshme pritja madhështore që iu bë në vitin 1991 (3 muaj pasi ishte rihapur ambasada dhe rivendosur marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA) e Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, zotit Xhejms Bejker, i cili ishte i pari zyrtar i lartë amerikan që vizitonte Tiranën. Shqiptarët, sipas traditës së tyre të lashtë, po mirëprisnin me nderim të lartë jo vetëm një përfaqësues shteti, por po nderonin historikisht vendin mik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i kthyer në këtë mënyrë mirënjohjen e tyre për gjithë sa ky vend madhështor kishte bërë për dekada për ta.

Ngjarjet dhe historitë vijojnë edhe sot, pasi në gati 30 vitet e fundit, kohë kur pas shembjes së komunizmit u projektua dhe materializua arkitektura e re ndërkombëtare e për rrjedhojë edhe ajo rajonale, miqësia shqiptaro-amerikane u fuqizua akoma më shumë, tashmë në kushte të reja dhe në partneritet të ri. Kjo periudhë risolli në skenë me gjithë forcën, çështjet tona kombëtare të pazgjidhura dhe të mbetura pezull prej shekujsh, që nga koha e traktateve, si dhe dëshirën për t’i zgjidhur ato me të vërtetë, duke mbajtur jo anën e parapëlqimit, por atë të drejtësisë.

Është fakt domethënës që katër presidentët e SHBA të pas Luftës së Ftohtë lanë gjurmët e tyre të pashlyeshme në mbrojtjen e çështjes shqiptare. I pari mes tyre renditet Xhorxh Bushi (i Vjetër) me vijën e kuqe që përcaktoi për ndërhyrje serbe në Kosovë. Më 24 dhjetor 1992 ai do t’i përcillte kryetarit të Serbisë së atëhershme, Sllobadan Milosheviçit, mesazhin e drejtpërdrejtë se: “Në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA-ja do të jetë e gatshme ta përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”. Ky paralajmërim, që është quajtur “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, shënon fillimin e kohës së përfshirjes së drejtpërdrejtë të politikës amerikane, në çështjen e Kosovës dhe ndërkombëtarizimi i çështjes kosovare.

Bëhet i paharrueshëm dhe historik presidenti Bill Clinton dhe administrata e tij, me ndërhyrjen ushtarake të 24 marsit 1999, të cilët filluan sulmet ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë. Ato sulme zgjatën 78 ditë, por sollën jo çlirimin e një territori, si ai i Kosovës, por çlirimin e një populli dhe bashkimin e tij me kombet e lira.

Po ashtu historik dhe i paharrueshëm mbetet edhe presidenti Xhorxh W. Bush, i cili deklaroi në Tiranë se Kosova do të shpallet shumë shpejt shtet i pavarur. Kjo u përmbush dhe u bë e vërtetë në 17 shkurt 2008. “Vota ime është për Kosovën”, tha Xhorxh W. Bush, duke formuluar thuajse të njëjtin premtim si ai që gati një shekull më parë kishte bërë presidenti Willson për Shqipërinë.

Xhorxh W. Bushi dhe administrata e tij, luajti një rol të rëndësishëm edhe në pranimin disi të përshpejtuar të Shqipërisë në NATO, akt që ndodhi në fund të presidencës së tij dhe me fillimin e mandatit “Obama”.

Edhe sot kjo ndihmë është e përhershme dhe e domosdoshme. Janë të freskëta në kujtesën tonë vizitat e Zv/ndihmës Sekretarit amerikan Hojt Brajian Ji dhe roli i tij në “bindjen” e politikanëve shqiptarë për t’u marrë vesh për të mirën e popullit, si në Shqipëri e Kosovë, si dhe në zgjidhjen e çështjes për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

Sot, kur në Ballkanin Perëndimor Rusia ka rritur përpjekjet e saj për të ndikuar politikën e shteteve të veçanta, kur nacionalizmi është në rritje, kur terrorizmi, krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni janë rrezik potencial, kjo miqësi merr rëndësi jetike. Prandaj është detyrë e gjithsecilit nga ne ta mbrojmë e fuqizojmë këtë miqësi, të cilën me mirënjohje gjejmë rast ta shprehim sot, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila edhe sot e kësaj dite mbetet ashtu siç shkruante për të Uollt Uitman: “E bollshme, e drejtë, e qëndrueshme, e aftë, e pasur, e fortë”.


Shfaq Komentet (7)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. GEZUR 241 vj.E PAVARESISE AMERKE , E MDHE PER BOTEN – MADHESHTORE PER SHQIPTRET
    JU LUMTE PROFI…SHKRIM QE E MERITON TI TA SHKRASH PER AMERIKEN …!

    Përgjigju ↓