OPINION

Basha kthen logot e PD, Nano: Kritikët e tij nuk kanë kauzë

11:08 - 05.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Analisti Mustafa Nano shkruan sot se Lulzim Basha është një gjë e pavlefshme për politikën shqiptare, por të tillë janë edhe ata që e kritikojnë.

Në një analizë të botuar në gazetën Mapo ai i referohet edhe Eduard Selamit, për të cilin thotë se nuk ka asnjë provë që po bën lojën e Bashës.

“Nuk është se po marr në mbrojtje Lulzim Bashën. Kjo do të ishte gjëja e fundit që do më shkonte në mendje për të bërë. Unë vazhdoj të mendoj për Bashën atë që kam menduar gjithnjë. Nuk kam njohur në politikën shqiptare gjë më të pavlefshme. Ai politikisht nuk është asgjë, është një enë e zbrazët. Mirëpo, pikërisht ky është edhe problemi i kundërshtarëve të Bashës në PD. Ata po njësoj nuk përfaqësojnë asgjë politikisht. Sikur ata të përfaqësonin diçka në politikë, sikur të kishin një kauzë të tyren, tek e cila të besonin, nuk do duhej të mbanin rezultatin në zgjedhje si kriter që ndan të mirën  nga e keqja. Përkundrazi, do duhej të vazhdonin të luftonin për kauzën e tyre edhe sikur Basha të korrte të njëjtën fitore që ka korrur Rama në anën tjetër (ky është, në të njëjtën masë, një problem edhe për PS-në; ja, njihni ju ndonjë socialist që të mos ketë hipur në trenin e fitores? Kur të vijë humbja do ta shihni se si do të shqyhen me sho-shoqin; thjesht për t’i zënë vendin Ramës)”, shkruan Nano.

Sipas tij “E vërteta është se Selami po futet në mënyrë budallaqe në këtë garë, po futet për të humbur, dhe se, duke mos kërkuar kushte për një garë të barabartë, po i jep legjitimitet një gare që duket e trukuar që në nisje, por këtë po e bën sepse kështu ia thotë rradakja, e jo sepse ka pranuar të bëjë një lojë të Bashës. Nuk ka asnjë provë se Selami është duke bërë një lojë të dikujt tjetër. Po pse e thonë këtë pa pasur prova? Sepse kështu janë mësuar të flasin. Janë mësuar të ngrenë zërin veç kur dikush u prish një llogari personale. Dhe Selami po u prish një llogari personale. Ashtu siç ua prishi Basha. Sikur ky i fundit t’i kishte futur në lista, asnjëri nuk do ta hapte gojën për të denoncuar mënyrën e shëmtuar të përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë. Përkundrazi, do ishin në krah të Bashës në këtë betejë”.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.