OPINION

“Ministrja teknike” që jetësoi recetën e katastrofës

07:32 - 06.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Pëllumb KARAMETA

 

Historisë së qeverisjes së shtetit demokratik shqiptar iu shtua edhe një “lloj” i ri. Qeverisja nga një kabinet në përbërjen e të cilit funksionojnë ata që u emërtuan si “ministra teknikë”. Ky grup funksionarësh të lartë të shtetit, me kuptimet, qëndrimet dhe sjelljet e tyre formon një rast studimi interesant. Në vijim reflektohet mbi bëmat e një përfaqësueseje tipike të grupit, zonjës Mirela Karabina, ministre e Arsimit dhe Sporteve. Ajo është e panjohur për mjedisin politik, akademik dhe arsimor shqiptar. Me arsimin atë e lidhin thjesht vitet e punës si mësuesve. Nga ky këndshikim, sigurisht, nuk ia vlen analiza e qëndrimeve dhe vendimeve ministrore të marra prej saj. Çka vlen dhe shqetëson janë kuptimi dhe përgjegjësia që kanë për qeverisjen e arsimit drejtuesit e PD-së dhe presidenti, të cilët e përzgjodhën, dekretuan, orientuan dhe këmbëngulin për ta mbajtur në detyrë.

Që në krye të herës dhe për të mos u keqkuptuar, nuk na shqetëson anonimati profesional i znj. Karabina. Anonimati, përpara marrjes së detyrës nuk është parakusht për mosplotësimin e saj me sukses. Përkundrazi. Janë të shumta rastet në botë dhe tek ne, ku persona të panjohur më parë për publikun, me njohuritë, kompetencën profesionale dhe përkushtimin në plotësimin e rolit dhe të përgjegjësive kanë ofruar deri edhe modele të qeverisjes së mirë. Por, anonimati i ministres teknike, me gjithë sa jetësoi në detyrë, provoi të kundërtën. Për sa lejon ky format mediatik, po shtjellojmë disa prej vendimeve të saj. Dhe, ia lemë publikut të gjykojë, nëse qeverisja e MAS-it nga znj. Karabina dhe sponsorizuesit e saj politikë, mund të quhet ose jo, jetësim i recetës së katastrofës institucionale.

  1. Nuk udhëhiqet me mllef armiqësor, për të ndryshimit. Që në fillim të ushtrimit të mandatit, e informuam me shkrim znj. Karabina për detyrat thelbësore që po plotësonte kabineti i ministres Nikolla, në kontekstin e programit arsimor të qeverisë “Rama 1”. Tradicionalisht, periudha maj-gusht për arsimin është konsideruar periudhë kërkimi dhe reflektimi, në të mirë të masave që duhen marrë, për të përmirësuar cilësinë e sistemit. Këtë vit u shtuan edhe disa elementë thelbësorë për fatin e reformave të ndërmarra. Po rendis si të tilla: a) përfundimi i akteve nënligjore, që bëjnë të zbatueshëm ligjin e arsimit të lartë; b) ndryshimet e disa aspekteve kyçe të kurrikulit të arsimit parauniversitar, si reflektimi nga pilotimi i teksteve alternative, përmirësimi i elementëve të dokumentacionit shkollor (regjistrat etj.), përafrimi i maturës shtetërore me kërkesat e kurrikulit të ri, shtrirja e projektit për të përfshirë në kurrikul fakte dhe njohuri fetare etj.; c) hartimi dhe miratimi i dokumentacionit për reformimin e profesionit të mësuesisë, zbatimin e projektit të lidershipit arsimor etj. E sqaruam në kohë znj. Karabina për rëndësinë dhe urgjencën e masave të mësipërme. I kujtuam se, si ministre ishte betuar te Presidenti i Republikës të respektonte Kushtetutën, çka natyrisht, kushtëzohej me zbatimin e programit arsimor të kësaj qeverie. Ndaj, si funksionare e nivelit të lartë, mund të shkelte deri Kushtetutën, nëse zbatonte në mënyrë përzgjedhëse funksionet ministrore. Si përgjigje, 3 këshilltarët e mbetur në MAS, për shkak të rëndësisë së masave që duhen marrë, u urdhëruan të ndërpresin e marrëdhëniet e punës. Duke respektuar kontekstin institucional, u paraqitëm në MAS për të përfunduar procedurën ligjore, por u përballëm me të paimagjinueshmen. Me urdhër verbal të ministres (!), na u ndalua hyrja në institucion (!). Me këtë qëndrim ndaj ekspertëve me kompetenca të certifikuara, me tituj dhe grada shkencore e me profile publike, ministrja Karabina demonstroi padijen për më të thjeshtën. Atë që, MAS-i si institucioni kyç i edukimit dhe i dijes, me gjithë sa ofron, për mirë ose për keq, ka jehonë dhe lë gjurmë në vetëdijen e individëve dhe të shtresave të shoqërisë shqiptare. Ministren mund edhe ta justifikojmë, pasi mund të mos e dijë se ky qëndrimi ndaj të ndryshmëve e ka emrin militantizëm armiqësor dhe cenon, së pari e mbi të gjitha, funksionimin e institucionit. Por, nuk u falet kurrsesi, sponsorizuesve të saj politikë.
  2. Militantizmi i verbër, i shoqëruar me këmbëngulje proverbiale për të mos nxënë, i shpartallon institucionet. Dihet e vërteta e thjeshtë sipas të cilës udhëheqja e MAS-it, qoftë edhe për pak kohë, kërkon njohjen e aspekteve kryesore ligjore, drejtuese dhe administrative. Faktet tregojnë që znj. Karabina nuk i njeh këto aspekte, por nuk njeh as dhe disa të vërteta bazale. Me qëndrimet e saj, ajo provoi që nuk di p.sh., që padijen, fillestari i përkushtuar e mposht me këmbënguljen dhe përkushtimin për të nxënë, me përpjekjet për të thelluar njohuritë. Sepse, di që nxënia e aftëson ta shohë jetën si draft që mund të përmirësohet; ai di, gjithashtu, që, nëse frikësohet dhe shqetësohet nga nxënia, atëherë i zvogëlohen mundësitë e zgjedhjes dhe gjërat nuk do të shkojnë për mirë. Fakte të shumta provojnë shmangien e znj. Karabina nga kjo e vërtetë e çmuar. Një pjesë syresh i njoftuam më sipër. Pjesën tjetër e kanë bërë mediat. E përbashkët është mungesa e dëshirës për të përfituar nga asistenca ligjore dhe profesionale që i ofruam të gjithë, këshilltarë dhe drejtues departamentesh, deri te ndihma tejet profesionale dhe e sinqertë që i ofroi fillimisht Sekretari i Përgjithshëm. Po përmend, me vlerën e ilustrimit, pushimin nga puna të mjaft drejtuesve në zyra arsimore të vendit, pa bazën e duhur të evidencave për shkeljet e supozuara të dispozitave ligjore, vendimmarrjet e çuditshme për pezullimin e disa drejtuesve të departamenteve kryesore të MAS-it e deri te pushimi nga puna i nëpunësit që menaxhon hyrje-daljet e personave në ministri (!). Për të provuar militantizmin e verbër të ministres Karabina dhe këmbënguljen e saj për të mos nxënë, vlen rasti për të pezulluar nga zbatimi i detyrave edhe Sekretarin e përgjithshëm të MAS-it. Kulmi i marrëzive arrihet me emërimin si redaktor gjuhësor, pa asnjë kualifikim përkatës, të një militanti të PD-së. Sipas gazetës “Tema”, “mes qindra mijërave demokratëve të mirëarsimuar të papunë, ministrja e Arsimit, Mirela Karabina, në kundërshtim edhe me ligjin, me Kodin Zgjedhor, neni 88, emëron si punonjës të tempullit të arsimit dhe dijes kombëtare, një eksponent të dhunshëm e të ndëshkuar zyrtarisht”. Të tjera të reja do të njoftohen publikisht, pas përfundimit të proceseve gjyqësore, ku znj. Karabina do të jetë në cilësinë e të paditurës.

Qeverisja “teknike” e arsimit, e frymëzuar nga padija profesionale dhe militantizmi i verbër politik, është vite dritë larg gjërave të cilave iu përkushtuan mendjet e ndritura të kombit; po aq larg përvojave të vyera të viteve të fundit. Ndërkaq, ka një lajm të mirë pas dëmit që solli “përvoja” e znj. Karabina. Prej saj mësuam se si jetësohet receta e katastrofës në administrimin e arsimit.

 

 

* Autori është këshilltar i ministres së Arsimit dhe Sportit


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. . Rama,
    Degjoje mire zotin Karameta!
    Hiqi keto gerdalla qe kane bere “cudira” te padegjuara ne ministrite perkatese.Kete Karabinen hiqe ca me shpejt, se viti shkollor 2017- 2018 kerkon planifikimin dhe zbatimin e Fushates Arsimore dhe kjo ministrja “teknike” do te beje gjemen dhe ketu nuk, mban uje pilafi!

    Përgjigju ↓