KULTURË

Terminologu komunist, mes shfaqjeve të huaja dhe tollonit

11:50 - 08.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




IDMC ka lançuar projektin e saj më të ri titulluar “Terminologu Komunist”. Terminologu nuk është një qasje linguistike dhe as fjalor konvencional. Ai është një projekt multimedial që synon t’i bëjë të rinjtë shqiptarë, të lindur pas ’90-ës, të reflektojnë mbi të shkuarën komuniste përmes gjuhës, termave, shprehive, dukurive si pjesë e indoktrinimit ideologjik, por edhe si pasqyrë e realitetit të kohës, sepse në një diktaturë, gjuha kthehet në instrumentin më efikas për ushtrimin e pushtetit, përçarjen e shoqërisë dhe izolimin e opozitarëve.
Përzgjedhja e termave është bërë jo në mënyrë sistematike, por si rezultat i punës pedagogjike me të rinjtë në terren. Ata kanë përzgjedhur fjalë dhe terma të hasura në media, në letërsi, filma apo biseda në familje, por të paqarta për ta nga ana kuptimore. Risia e këtij projekti është gjuha multimediale e Terminologut, e shoqëruar me ilustrime grafike të kryera nga nxënës, studentë dhe të rinj të talentuar anembanë vendit. Secili prej tyre reflekton artistikisht në mënyrë të pavarur mbi një temë të përzgjedhur.


Përmes kreativitetit multimedial, IDMC motivon të rinjtë të gjejnë rrugë të reja, tërheqëse të mësimit të historisë. Por nga ana tjetër inkurajon edhe dialogun mes brezave, përballjen e të rinjve me këndvështrime të ndryshme të historisë të transmetuara nga prindërit, gjyshërit, mësuesit, media etj. Videot e shkurtra që ilustrojnë grafikisht Terminologun do të jenë të aksesueshme online dhe pa pagesë për të rinjtë kudo që ndodhen. Njëkohësisht ato mund të ndihmojnë edhe mësuesit e historisë, letërsisë etj., gjatë orëve mësimore që trajtojnë periudhën e diktaturës, për të mundësuar debatin dhe reflektimin shoqëror mbi të shkuarën. Sepse “kush nuk mëson nga historia është i destinuar ta përsërisë atë” (G. Santayana).
Projekti është i hapur për cilindo që dëshiron ta pasurojë me fjalë dhe terma të tjera, por edhe për të rinj të talentuar që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj sipërmarrjeje kreative dhe edukative.
IDMC ka publikuar edhe disa video mbi Terminologun, video që kanë të bëjnë me termat: Shfaqje e huaj, Internimi, Fletë rrufeja, Tolloni dhe Bunkeri.


Fletë-rrufetë
Nën shembullin e dacibaove të Kinës në Shqipëri dolën fletë-rrufetë, ku dënoheshin me shkrime njerëz të ndryshëm. Këto karikatura bëheshin në formate të mëdha dhe u vendosën në sheshet kryesore të qyteteve. Ky ishte një demaskim shumë i madh e shumë i turpshëm për kohën, sepse Bodeci, një lloj tabele me karikatura të mëdha në një nga sheshet kryesore të qytetit dhe më vonë fletë-rrufeja, ishin armë të diktaturës, që propagandën e kishte forcën e saj më të madhe goditëse, me parullat: “T’i dënojmë armiqtë!”, “T’i demaskojmë armiqtë !” Demaskimi i botës ishte një linjë e përhershme, që shfaqet qartazi në të gjithë krijimtarinë karikaturale të kohës.


TOLLONI
Një copë e vogël letre ka qenë për 10 vjet rresht “ushqimi” i përjavshëm i shqiptarëve: gjëja më e rëndësishme në kuzhinën e tyre të varfër. Në vitin 1981 si pasojë e paaftësisë për të furnizuar tregun me ushqimet e nevojshme, qeveria komuniste aplikoi një skemë racionimi, që e kishte provuar edhe pas luftës me triskat. Skema quhej “Talloni”. Ajo ishte një copë letër që të lejonte çdo javë, në ditën e caktuar të merrje furnizimin me mish, sallam dhe gjalpë. Talloni ishte një për familje, pavarësisht se sa e madhe dhe nga sa pjesëtarë përbëhej familja.
SHFAQJA E HUAJ
Në një relacion nga Ministria e Punëve të Brendshme: “Burime nga organet tona të Sigurimit të Shtetit bëjnë të ditur se në shumë qytete, këngët e Festivalit të 11-të, regjistruara në magnetofonë, këndohen madje dhe në dhoma shtëpish, ku të rinjtë e ndikuar, kërcejnë e këndojë në mënyrë amerikane. “Ardhja e “dorës së fortë” në krye të RTVSH-së pas Festivalit të 11-të të Këngës, në dhjetor 1972, në vend të “armikut” Todi Lubonja, që u dënua si shkaktari kryesor i përhapjes së “tendencave të huaja në fushën e artit”, u hartua dhe u vu në zbatim një listë e gjatë të ndëshkuarish në fushën e kulturës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.