OPINION

Me Bashën për një opozitë, republikë dhe Shqipëri evropiane

09:30 - 09.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Azgan Haklaj

Kori i brutëve nuk mund ta ndalë ëndrrën blu.

Përtej faktit se kush i fitoi zgjedhjet e kush do të bajë opozitën, asnjë politikan dhe analist me mend në kokë nuk mund të anashkalojë rolin vendimtar të kryetarit të PD, z. Lulzim Basha në dekriminalizimin e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, pushtetit lokal, institucioneve të shtetit të së drejtës, si dhe në parandalimin e katastrofës së 25 qershorit, një plan ogurzi i hartuar nga binomi Rama-Meta për interesa të tyre utilitare dhe oligarkët e mafjes politiko-ekonomike të lidhur si oktapod me krimin e institucionalizuar në pushtet.

Pas një beteje të gjatë e të vendosur me pushtetin e sponsorizuar nga bandat, në parlament dhe në sheshet e Shqipërisë, lideri i opozitës, Basha ia doli me sukses të plotë të organizojë protestën më të gjatë, më të vendosur, më qytetare në tërë historinë e pluralizmit politik, që ka njohur Shqipëria duke trokitur fort në ndërgjegjen e qytetarëve shqiptarë. Basha zgjoi kurajon e tyre e sëbashku me ta u kthye në një digë të pakalueshme për ambiciet e uzurpatorëve të parlamentit e të qeverisë, të cilët e përvetësuan, e kthyen në filozofi të tyre postulatin kriminal të Leninit: I gjithë pushteti, sovjetëve.

Nëse me betejën e vendosur të dekriminalizimit, Basha u shndërrua në gardian të lirisë dhe i dëboi nga parlamenti emblemat e krimit. Me marrveshjen me kryeministrin Rama bëri një kryevepër që është në stilin e politikanëve të klasit të lartë, të vendosur e të guximshëm. Me këtë marrveshje shpëtoi vendin nga një përplasje civile me pasoja të rënda, afatgjata. Ai arriti të shpëtojë parlamentarizmin si gurë themeli të demokracisë, rendin kushtetues dhe imazhin e Shqipërisë tek aleatët tanë perëndimorë dhe tek faktori ndërkombëtar.

Basha arriti të shmangë skenarin ‘Gruevski’, që përgjaku tempullin e demokracisë, parlamentin e Shkupit.

Zhbërja e koalicionit PS-LSI dhe nxjerrja në pension politik e bimbashëve dhe qehajajve të PD-së, aksionerë kryesorë në humbjen e PD-së në vitin 2013 dhe më 2017 janë dy kontribute të tjera të çmuara të z. Basha me efekte afatgjata, jo vetëm për PD-në, por për krejt politikën shqiptare.

Paradoksi i madh qëndron në faktin se nëse LSI ka drejtuar zjarrin e katjushkës politike kundër Ramës dhe Rilindjes, të cilën e cilëson organizatë oligarkike e kriminale, senatorët e baroneshat e PD-së të vetëdemaskuar si kumarxhinj të pushtetit, karrieristë të sëmurë e provincialë në mentalitetin e qëllimet e tyre nuk e shohin Ramën dhe Rilindjen si të keqen e këtij vendi, por kryetarin e Partisë Demokratike, z. Basha.

Ata kërkuan dorëheqjen e z. Basha dhe kërcënuan me protesta, ndërkohë që demokratët nuk dëshirojnë t’ua shohin fytyrën e të gjithë së bashku nuk e mbushin dot një autobuz me përkrahës të tyre.

Urrejtja e gardës së vjetër ndaj Bashës vjen jo vetëm nga humbja e privilegjeve dhe ofiqeve të tyre, por ca më shumë nga kompleksi i inferioritetit dhe frika e zbulimit të kaluerës së tyre të errët nga skaneri politik.

Basha i përket jo vetëm shkollës perëndimore si intelektual dhe profesionist, por edhe si politikan e ka mbajtur këtë staturë në nivelet më të larta. Ai braktisi karrjerën e tij të shkëlqyer profesionale për t’u investuar në Partinë Demokratike në periudhën e saj më të vështirë, duke u shndërruar në imazhin e ri blu dhe duke u bërë shpejt politikani dhe ministri më brilant i brezit dhe moshës së tij. Fitoi si deputet në një bastion të majtë, shkëlqeu si ministër i Brendshëm, i Jashtëm, i Transporteve, u riktheu kryeqytetin demokratëve. Ndërtoi Rrugën e Kombit, është ideatori dhe realizuesi me sukses i projektit të lëvizjes së shqiptarëve pa viza. Me kembëngulje e maturi diplomatike arriti të bindë e të shtojë numrin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës. I dha jetë një infrastrukture moderne në të gjithē Shqipërinë. Bashën e akuzojnë si uzurpator, ata që i ka mbajtur afër dhe u ka besuar sinqerisht. Thirrja e Qezarit 2.000 vjet më parë kur komplotistët e qëllonin me thika: “Edhe ti, o Brut!” na kujton se egoja e shfrenuar për pushtet e pabesia janë binomi i monstrave makiaveliste të politikës.

Në një moment sinqeriteti kryeministri Rama ka zbuluar për Bashën dhe kundërshtarët e tij dy të vërteta. Ai e falenderoi publikisht Bashën dhe theksoi se në çastin e marrëveshjes, lideri i opozitës pati parësor interesin e Shqipërisë. Kryeministri u shpreh në sajtin e tij se shumë demokratë kanë votuar për ne. Nuk e di sa rekrutë, sa mercenarë, sa kolabracionistë i kanë dërguar Ramës të vetëshpallurit shpëtimtarë të PD-së, por jam i bindur se motoja e tyre “pas meje u baftë name” i ka shtyrë deri aty sa të bajnë thirrje me kujë shpurës së tyre, me të cilët kanë ngritur klanet e interesit të votojnë PS-në. Lufta brenda llojit është po aq e vjetër sa vetë historia e shtetit dhe e politikës.

Në pamundësi në një përballje të drejtëpërdrejtë me Bashën apo më saktë të ballafaqimit me faktet kokëforta se çfarë i kanë ofruar dhe çfarë zhvatur PD-së, ky klan sot lufton me cinizëm kryetarin e saj.

Klani i zotërinjëve e zonjave, që u ka humb rruga në oborr të shtëpisë sonë të përbashkët, janë para një të vërtete të madhe dëshpëruese: Zgjedhjet kanë filluar e do të jenë një referendum i mbarë demokratëve shqiptarë për të rikonfirmuar z. Basha si lider të tyre për të zgjedhur të ardhmen në vend të së shkuarës, liderin e shkollës, mendësisë perëndimore në vend të atyrë tregtarëve boduinë, të cilët PD-ja i ka mbajtur në kurriz tash 27 vjet si deveja në shkretëtirë.

Basha çliroi PD-në nga vargonjtë e sanxhakbeut, Ridvanit të Rakickës, luçiferit Patozi, matriakatit çalaman të Topallit, topçiut Imami, sharlatanëve Ruli e Bregu e të tjerë që bajnë korin e violinave dëshpëruese, që vajtojnë humbjen e ofiqeve të tyre të dhuruara pa asnjë kontribut në terren për Partinë Demokratike.

Me Bashën janë qëndrestarët dhe idealistët e vërtetë të Dhjetorit ‘90-të, rinia që aspiron ëndrrën evropiane, demokracinë dhe një perspektivë të sigurt në atdheun e vet. Me Bashën janë artistët, intelektualët. Ish-të burgosurit politikë, të persekutuarit e regjimit komunist nuk kanë asnjë mëdyshje. Ata mbështesin Bashën, sepse shohin tek ai profilin e një politikani karizmatik, i cili ka një program konkret e të detajuar politik dhe ekonomik për t’i dhanë më në fund Shqipërisë një Republikë të Re, atë të qytetarëve dhe popullit sovran.

Projekti i Bashës për Shqipërinë Evropiane, i shprehur qartë në një referendum mirëkuptimi e besimi me qytetarët shqiptarë në të katërta anët e vendit është një projekt që e ndan përgjithmonë Shqipërinë nga e shkuara diktatoriale dhe tranzicioni i gjatë dhe i vështirë politik.

Ringritja e falangave dhe fantazmave të së kaluarës është një mision i pamundur si për rilindjen e Ramës, ashtu edhe për neoramistët e PD-së, të rreshtuar në taborin kundër Bashës. Ëndrrat e atyre që shpresonin e besonin se PD dhe opozita do të asgjësohen më dt. 25 qershor, do të kurbanizohen Ditën e Bajramit, u tretën si kripa në ujë. E keqja është mundur përgjithmonë. Lezha e Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e pas saj e gjithë Shqipëria do të tregojnë se PD, binjakja e lirisē së shqiptarëve në shekullin e njëzetë do të jetë udhëheqësja dhe frymëzuesja e opozitës për Republikēn e Re dhe Shqipërinē Evropiane. “Ku është shpirti i Zotit, aty është liria” thoshin latinët e lashtë. Basha beson si askush tek Zoti, liria, republika e popullit sovran.

Ëndrra blu vazhdon me Bashën, prandaj të gjithë demokratët e Shqipërisë do të votojnë në mënyrë plebishitare për projektin e tij.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Asgan Halkaj. Te rosh vet se mendja te paska len.
    Kete lekson shko e ua bej pjestareve te familjes tende jo Ne demokrateve.
    Te gjith e dim si erdhi ne pushtet dhe kush e solli ne krye te PD Lulezim Bashen.
    Luli esht njje nga ministrat me deshtak dhe i proceduar penalisht per rrugen e kombit , ku u treten, apo u vodhen mbi 230 milion Ero. Slur te mosmjaftonte vjedhja e shekullit, kjo rruge esht ber me mungesa te theksuara teknike dhe jaht standartiit. SHko e shiko , matan kufirit ne kosove nje rruge te till qe ndrin ne cilesi dhe sesht ven e sdo viet dor edhe per shum vite. Si minister i jashtem firmosi ministres se jashteme Greke, Bakojani, dhenjen e 350 km. vije detare ne detin Jon.
    Si minister i brendeshem, me apo pa urdherin direkt te tij , mvaresit e tij vran kater qytetar paqesor me duar ne xhep me 21 Janar.
    Si kryetar bashkie i Tiranes kater vjet vjeti gjum dhe sberi asgje per kryeqytetin. Krahasohe me Erjon Velin cka ber per dy vjet dhe dote bindesh , sa i paaft esht Basha.
    Ne krye te PD per kater vjet, ka shenuar humbje njera mbas tjeteres, ndersa me 25 Qershor kori furtunen, difaten me te madhe qe njeh historia e ketyre 27 vjite pluralizmi, duke e cuar PD ne gremin.
    Cdo gje varet e matet me rezultatet Do ishte ne nderin e tij dhe te miren e PD qe Basha te jeptet vet dorheqjen dhe ti hapte rrugen dikujt qe esht me i afte dhe i zoti per ta drejtuar PD, sepse ne vend ta organizonte nga baza e qender e shkateroi aq keq, sa akoma ka fshatra e qytete, pa kryetar partish. Prandaj sa do yumne dhe lavde ti thurish deshtakut Basha, vec njgjyres te servilizmit asgje tjeter stregon. Prandaj demokratet e vertet duhet tja kethen krahet dhe te mos e votojn kandidaturen e Bashes, i cili me makinacjone e mashtrime kerkon te rizgjidhet perseri ne krye te PD. Rizgjedhja e Bashes esht fatkeqesi kombetare.

    Përgjigju ↓
  2. Nuk jam partiak dhe as do të jem , por nuk kuptoj mbrojtjen ndaj humbësit të madh Basha – nga z.Azgan Haklaj , madje me superlativa , a thua se ky popull nuk ka jetuar këtu vitet e fundit !
    Do të dëshiroja që z. Haklaj të bindë njerëzit që do të votojnë për kryetarin e ri të PD !
    INTERESI IM ËSHTË QË SHQIPËRIA TË KETË NJË OPOZITË TË FORTË DHE RIVALE , SEOSE KËSHTU DO TË MUND TË KETË ZHVILLIM KY VEND , I CILI HUMBI JAQ SHUMË VITE NË TË QUAJTIRIN – TRANZICION !

    Përgjigju ↓