OPINION

Edhe një herë për nismën e tre deteve dhe Shqipërinë

07:26 - 10.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga SHABAN MURATI

 

Qarqet diplomatike i kushtuan vëmendje të veçantë pjesëmarrjes së presidentit të SHBA, Donald Trump, në samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të 12 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, anëtare të “Nismës së tre deteve”, në 6 korrik në Varshavë. Deklarata e fortë e presidentit amerikan në këtë samit ishte që SHBA do të jenë partneri më i fuqishëm dhe më i vendosur i nismës vërtet historike të tre deteve. Në fjalën e tij në samitin e mësipërm, presidenti amerikan theksoi: “Amerika është e etur të zgjerojë partneritetin tonë me ju. Ne mirëpresim lidhje më të forta ekonomike dhe tregtare dhe jemi të angazhuar t’ju sigurojmë juve akses në burime alternative energjie, kështu që Polonia dhe fqinjët e saj të mos bëhen kurrë më peng i një burimi të vetëm energjie”.

Pjesëmarrja e veçantë dhe qëndrimet zyrtare mbështetëse të presidentit amerikan në samitin e udhëheqësve të 12 shteteve anëtare të nismës së tre deteve, janë një ngjarje e rëndësishme diplomatike, e cila ka rezonancë të qartë europiane dhe rajonale, dhe përfshin detyrimin e reflektimit te të gjitha shtetet e tjera, anëtare të BE-së dhe të NATO-s.

Me pjesëmarrjen dhe me qëndrimet e shprehura në samit, Amerika konfirmoi rëndësinë dhe mbështetjen e fuqishme, që i jep nismës së tre deteve. Konfirmoi mbështetjen dhe interesimin e saj strategjik për lidhje gjithnjë e më të ngushta me aleatët e saj europianë, që i përkisnin dikur bllokut komunist të sunduar nga Moska dhe që emërtohen sot me termin “Europa e Re”. Një element shumë i rëndësishëm është garancia e re energjetike, që presidenti amerikan u dha vendeve të nismës së tre deteve, të cilat janë në fazën e një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të realizuar pavarësi energjetike nga gazi dhe nga kontrolli rus. Në samitin e mësipërm presidenti amerikan paraqiti eksportet amerikane të energjisë si një alternativë e varësisë së gazit nga Rusia. Eksportet amerikane të gazit të lëngshëm projektohen nga vendet e nismës së tre deteve si një nga rrugët e sigurimit të diversifikimit të burimeve të energjisë.

Në planin diplomatik, politik dhe të sigurisë, konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm mbështetja personale dhe zyrtare, që presidenti amerikan i dha nismës së tre deteve, si një organizim historik, që do të forcojë jo vetëm zhvillimin e brendshëm pozitiv dhe marrëdhëniet midis vendeve anëtare, por do të konsolidojë themelet euroatlantike të bashkësisë europiane.

Nisma diplomatike “Adriatik-Baltik-Deti i Zi” synon vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis vendeve anëtare të BE-së, që shtrihen në harkun gjeografik të tre deteve, nga veriu i Europës në jug, dhe nga perëndimi në lindje. Nisma është ndërmarrë nga presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila është dalluar për ide dhe vizione origjinale diplomatike, që nga ardhja e saj në postin më të lartë të vendit në vitin 2015. Në 25 gusht të vitit 2016 u mbajt Forumi i Dubrovnikut i vendeve anëtare të nismës, i cili shpalli edhe deklaratën e nismës së tre deteve si platformë të saj dhe që u quajt “Deklarata e Dubrovnikut”. Në të nënshkruan 12 shtete anëtare të BE, Kroacia, Austria, Sllovenia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Polonia, Letonia, Lituania, Estonia, Bullgaria dhe Rumania. Qëllimi i nismës është të lidhë dhe të ndërtojë korridorin veri-jug të gazit, të vendosë një bashkëpunim të ngushtë midis vendeve të detit Adriatik, detit Baltik dhe Detit të Zi dhe të unifikojë tregun europian të energjisë.

Në kohën e përplasjeve dhe të konflikteve gjeopolitike në zhvillim e sipër në kontinentin europian, të cilat kulmuan me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, me aneksimin e dhunshëm të Krimesë dhe me ndezjen e luftës separatiste proruse në Ukrainën Lindore, burimet dhe format e kërcënimit dhe të rrezikut për shtetet europiane të brezit, që ndodhet ndërmjet Europës së vjetër Perëndimore dhe Rusisë, u shumëfishuan dhe u bënë edhe më të ndjeshme. Këto janë shtete, të cilat janë quajtur “Europa e re”, sepse shumica e tyre iu bashkuan integrimit perëndimor euroatlantik pas rënies së komunizmit dhe i kanë përkitur dikur Traktatit ushtarak të Varshavës, të sunduar nga Moska. Këto shtete konsiderohen edhe sot e kësaj dite nga Rusia si zonë natyrale e influencës ruse në kontinent, dhe kjo po materializohet me luftën hibride ruse kundër tyre. Është një situatë gjeopolitike, që ka nxitur nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis shteteve dhe rajoneve të nismës së tre deteve, me qëllim të barazimit të niveleve me Europën e vjetër dhe për rritjen e kapaciteteve zhvilluese dhe mbrojtëse të tyre përballë sfidave dhe kërcënimeve të ditëve të sotme.

Pa dyshim, nisma është një koordinim dhe përputhje interesash edhe me BE-në, edhe me Aleancën Atlantike. Krijimi dhe konsolidimi i një lidhshmërie energjetike midis shteteve të tre rajoneve detare krijon një siguri energjetike dhe strategjike më të madhe për këto shtete, por edhe për vetë BE-në dhe për krejt Europën. Në këtë mënyrë, nisma e tre deteve ndihmon në neutralizimin e strategjisë dhe objektivit gjeopolitik të Rusisë për të përdorur energjinë dhe gazin si një instrument të influencës ruse në vendet europiane dhe të taktikës ruse për të përçarë vendet e BE-së me intrigat edhe lojërat e komplikuara të gazsjellësve. Moska është kundër nismës së tre deteve dhe portali rus “Russia Insider” shkruante se kjo nismë lejon NATO-n të formojë tri fronte të veçanta kundër interesave të Rusisë, duke synuar atë nga Baltik-Arktiku, Europa Lindore dhe Deti i Zi. Ndaj Rusia po përpiqet me të gjitha mënyrat të sabotojë kohezionin energjetik europian. Dëshmi është për këtë plani i saj i fshehtë për të ringjallur gazsjellësin rus “South Stream”, të cilin Rusia u detyrua ta braktisë në vitin 2013 për shkak se shtetet e BE-së, ku do kalonte gazsjellësi, nuk kishin respektuar legjislacionin e BE-së për energjinë. Gazeta ruse “Komersant” njoftonte në datën 6 korrik se “Muajin e fundit ‘Gazprom’, pa shpallje të zhurmshme, ka nënshkruar marrëveshje për një ‘road map’ me Serbinë, me Bullgarinë dhe me Hungarinë, për zhvillimin e gazsjellësve për furnizimin me gaz rus”. Faktikisht ‘Gazprom’ po ringjall projektin ‘South Stream’. Është interesante heshtja e plotë, që ka shoqëruar këto nënshkrime të marrëveshjeve qeveritare, gjë e cila i ka bërë përshtypje edhe gazetës së mirënjohur ruse.

Nisma e tre deteve rinxjerr në plan të parë rëndësinë, që marrin detet në strategjinë dhe në planifikimet gjeopolitike të diplomacisë dhe të shteteve në kohën e sotme. Diplomacia e deteve dhe gjeopolitika e deteve kanë pasur, kanë dhe do të kenë një rëndësi dhe prioritet të përhershëm në zhvillimet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndaj, nisma e tre deteve përbën një konfirmim të rëndësisë së këtij prioriteti, gjë e cila duhet marrë në konsideratë prioritare nga vendet e Ballkanit dhe nga Shqipëria. Nisma e tre deteve përfshin dy dete, të cilat lagin Ballkanin, detin Adriatik dhe Detin e Zi. Pavarësisht se deri tani në nismën e tri deteve janë pjesëmarrëse 12 shtete anëtare të BE-së, nisma e ka lënë derën hapur edhe për shtete të tjera dhe në “Deklaratën e Dubrovnikut” theksohet thirrja drejtuar shteteve të interesuara që të bashkohen në këtë nismë. Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni, e kanë mbështetur nismën e tre deteve dhe shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kuptim pjesëmarrja në samit dhe vlerësimi i lartë, që presidenti amerikan i bëri nismës së tre deteve, më jep kënaqësinë që të përsëris vlerësimet dhe apelin e drejtuar autoriteteve shqiptare kohë më parë, lidhur me rëndësinë, që Shqipëria duhet t’i japë pjesëmarrjes në nismën e tre deteve. Në një analizë me titull: “Nisma e tre deteve dhe Shqipëria”, botuar në “Gazeta Shqiptare” në datën 24 tetor 2016, kam theksuar se “Nisma e tre deteve i hap Shqipërisë një hapësirë të re dhe specifike të veprimit diplomatik, ku bashkohen disa elemente njëherësh, të cilat nuk i kanë shtetet e tjera, që janë jashtë nismës dhe aspirojnë të aderojnë në të”.

Së pari, duhet thënë se Shqipëria është shteti kyç i gazsjellësit Joniano-Adriatik, IAP, një projekt ndër kryesorët e nismës së tri deteve. Shqipëria është vendi lidhës i gazsjellësit Transadriatik, TAP, me gazsjellësin IAP, që do të jenë dy gazsjellësit europianë të Korridorit Jugor të gazit, që do të transmetojë gazin e detit Kaspik drejt Europës. Ky rol ndërlidhës duhet synuar të shtrihet e të zgjerohet në një rol stacionimi apo depozitimi qendror ballkanik të gazit azer. Një rol, që Moska ka synuar dhe synon t’ia japë Serbisë me gazsjellësit rusë, të projektuar për të kaluar nëpër Ballkan. Shqipëria duhet ta kërkojë këtë rol dhe të punojë në terrenin diplomatik për këtë, sepse nuk ta japin në pjatë. Nisma e tre deteve është një terren apo një korridor, ku duhet të penetrojë shteti dhe diplomacia jonë për të siguruar një rol të tillë dhe rrjedhimisht, edhe pjesëmarrje aktive në nismën e tre deteve.

Së dyti, duhet thënë se Shqipëria ka avantazhin, që laget nga dy dete, deti Adriatik dhe deti Jon, nëpërmjet të cilëve do të kalojë korridori i transportit detar ndërkombëtar të gazit të lëngshëm, dhe ky pozicion gjeografik e kthen edhe Shqipërinë, bashkë me Italinë, në një faktor të rëndësishëm për sigurinë dhe garantimin e këtij korridori të transportit detar të gazit.

Së treti, Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, dhe duke qenë se 11 shtete të nismës së tre deteve janë anëtare të NATO-s, Shqipëria mund të ketë hapësirë të rrisë interesin dhe pjesëmarrjen në planin strategjik dhe gjeopolitik të aleancës atlantike dhe të shteteve anëtare, që marrin pjesë në këtë nismë.

Së katërti, Shqipëria duhet ta konsiderojë një element dhe faktor pozitiv, faktin që protagonist i kësaj nisme të rëndësishme diplomatike është Kroacia, një shtet anëtar i NATO-s, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie shembullore. Roli nismëtar i Kroacisë në nismën e tre deteve ka rëndësi të veçantë gjeopolitike për Shqipërinë dhe për rajonin tonë, se neutralizon çdo përpjekje të Serbisë për të fituar apo siguruar rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor

Në këto kushte, shteti shqiptar dhe diplomacia e tij duhet të prioritarizojnë veprimtaritë dhe orientimet e tyre drejt detit dhe shteteve, me të cilët na lidh deti.

Deri tani, zyrat shtetërore shqiptare nuk janë prononcuar për nismën e tre deteve. Është normale në Shqipërinë e politikanëve, “që i dinë të gjitha”, që shteti të mos dëgjojë “Gazetën Shqiptare”, por shpresoj se tani, që foli presidenti i Amerikës për mbështetjen e nismës së tre deteve, shteti shqiptar do të zgjohet nga gjumi.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk e kuptoj dhe nuk më intereson , sepse nuk jam partiak , por të mbështesësh një humbës si Basha dhe me supetlativa , a thua se ky popull nuk jetonte këtu këto vitet e fundit , të krijon përshtypjen dhe të hap dritare të mendosh se ,z. Azgan Haklaj ose është i paguar , ose ka interesa dhe detyrime tepër të mëdha ndaj Bashës ! Ndryshe , si ta kuptosh?! Asnjë njeri normal nuk e merr përsipër këtë mbrojtje – kaq të zbuluar !
    Do të dëshiroja shumë të bindë z.Haklaj, jo mua , por anëtarët e PD , që do ta votojnë !

    Përgjigju ↓