Intervista

Intervista/ Mimi Kodheli paralajmëron administratën: Tani do të luftojmë kaosin dhe nepotizmin

09:00 - 10.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Darina TANUSHI

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se PS, pavarësisht se ka marrë votat e nevo-jshme për të drejtuar Shqipërinë do të pranojë në aleancë me të gjithë ata që i bashkohen projektit të saj kuq e zi për Shqipërinë. E pyetur nëse do të largohen nga puna përfaqësuesit e LSI-së, tashmë që aleanca u prish, ajo u shpreh se qeverisja socialiste nuk do të jetë armike e askujt, dhe mike e gjithkujt që zbaton ligjin, por do të diskutohen punësimet nepotike.

Zonja Kodheli a është i pritshëm rezultati që mori PS në këto zgjedhje, plot 74 mandate?

Është shumë e thjeshtë sot të japësh një përgjigje kur 74 mandatet i ke, në fakt, të marra. Sigurisht që ka pasur vlerësime nga më të ndryshmet, duke filluar që nga pyetësorët, rezultatet e anketimeve që ne kemi bërë, e deri tek anketimet e profesionistëve, të cilët janë luhatur nën dhe mbi 70 mandatet. Ajo ç’ka është e rëndësishme për ne është që ne kishim besim te rezultati pozitiv i punës së jashtëzakonshme që kemi bërë duke qenë prezent në terren dhe këtu flas jo vetëm për drejtuesit e qarqeve, por edhe për të gjithë listën e kandidatëve për deputet, por dhe të gjithë parapërgatitjet që ne i kemi bërë fillimit të procesit zgjedhor më parë. Kemi ringritur strukturat partiake, kemi punuar që vitin e kaluar për këtë gjë, kemi pasur kontakte të vazhdueshme me njerëz të profileve të ndryshme, të grupeve të ndryshme shoqërore, qofshin këta të profesioneve të ndryshme, të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Dhe kjo sigurisht që na e ka bërë relativisht më të lehtë finalizimin e procesit zgjedhor me fitoren e 74 mandateve. Kështu që ne shkonim të sigurt drejt fitores, pavarësisht se sa do të ishte kjo. Sigurisht që jemi shumë të kënaqur me ç’ka kemi mbërritur dhe e kemi marrë këtë sot që flasim si përgjigje jo vetëm të asaj ç’ka kemi bërë, por dhe të shpresës për atë ç’ka do të bëjmë në të ardhmen.

Në këto zgjedhje ju u deleguat në një qark të vështirë për PS, si ai i Kukësit ku morët vetëm një mandat deputeti. Pse është kaq e vështirë fitorja e PS në qarkun e Kukësit tradicionalisht?

Nuk ka fitore të lehta e fitore të vështira. Të gjitha fitoret janë të vështira. Dhe duhet të jetë kështu. Fitoren duhet ta djersitësh, duhet ta vlerësosh, ta konsiderosh si një target të vështirë për t’u mbërritur, ndaj nuk ka fitore të lehta. Thënë kjo, besoj që qarku i Kukësit tradicionalisht ka votuar djathtas për shumë arsye. Qarku i Kukësit përbëhet nga 3 rrethe, të cilat kanë karakteristika të ndryshme. Ndryshon Kukësi nga Hasi, ndryshon Hasi nga Tropoja. Gjëja që dua të them është që unë kam pasur besim të palëkundur se rezultati do të ishte ai që ishte, madje gati-gati mendoja dhe shpresoja që do të ishte më i mirë se aq dhe këtë e them me bindje për shumë arsye. Mua më vjen keq që atje ku tradicionalisht e djathta ka fituar, ka pasur gjithmonë më pak investime se tjetërkund.

Dhe ky është një paradoks dhe një tabu i cili besoj që tashmë është thyer me rezultatin që kemi marrë. Ne kemi pasur një rezultat do të thosha spektakolar është pak të them me mbi rreth 5 mijë vota, më tepër krahasuar me 2013 në Bashkinë Kukës. Kjo flet për 2 gjëra besoj unë: E para, për punën jo të mirë të Bashkisë. E dyta, për prezencën jo domosdoshmërisht të mjaftueshme të atyre që qarkun e Kukësit e kanë përfaqësuar më parë në Parlament. Besoj që edhe rezultati spektakolar në Tropojë na ka dhënë forcë edhe besim, por njëkohësisht na ka dhënë edhe një mesazh, që është mesazhi i shpresës më të madhe që Tropoja ka, i ndikimit të jashtëzakonshëm pozitiv që investimet në Bajram-Curri edhe në Tropojë kanë pasur nga investime të qeverisë Rama edhe sigurisht nga përfaqësimi dinjitoz që ne kemi pasur me kandidaten, doktoreshën Doçi, për deputete atje. Për sa i përket Hasit besoj që, pavarësisht rezultatit pozitiv me mbi 800 vota më tepër krahasuar me katër vite më parë, jo detyrimisht i gjithë investimi i rilindjes urbanë në Has na është përkthyer në votë.

Por 800 e ca vota janë gjithmonë 800 e ca vota. Një falënderim dhe mirënjohje edhe për qytetarët e Hasit që kanë ditur të kenë një rezultat më pozitiv se në 2013-tën. Diferenca ka qenë shumë e madhe e viteve më parë, janë mbi 11 mijë vota diference mes PS dhe PD krahasuar me vitin 2013 dhe fakti që ne kemi rikuperuar mbi 8 mijë vota do të thotë që shpresa në qarkun e Kukësit për të ardhmen është më e madhe se në çdo qark tjetër.

A ja keni bërë ndonjëherë vetes pyetjen gjatë kësaj fushate ose kryeministrit, se ku e gjenit garancinë që mbas këtyre reformave jo pa kosto, ju kërkonit të merrnit mbi 70 mandate për qeverisjen?

Sigurisht ne e dinim që në krye të herës që reformat do të ishin të vështira, do të kishin kosto, nuk e kemi vënë asnjëherë në dyshim këtë gjë. Zotësia jonë ishte që t’i shpjegonim njerëzve sa më shpejt dhe sa më mirë që reformat ishin për vendosjen e ligjit, për të mirën e shtet formimit, për të mirën e punëve të mëtejshme, për të rritur dinjitetin e shtetit Shqiptarë dhe të shqiptarëve dhe sigurisht dhe për të bazuar reforma të tjera mbi këto reforma. Kjo, me qëllim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, me qëllim mbylljen e shumë vrimave të zeza në financat publike dhe sigurisht edhe vënien e drejtësisë në shumë sektor. Besoj që njerëzit kanë ditur çfarë kanë kuptuar në këto reforma, pavarësisht se shumë prej këtyre mund të jenë prekur dhe këtë e kanë absolutisht shprehur me votë në 25 qershor. Kjo ditë thotë që ne i kemi bërë reformat e duhura dhe kemi pasur njerëzit në anën tonë.

Kështu që kemi qenë krejt komodë me këtë gjë, sepse kemi qenë në anën e njerëzve e theksoj edhe me njerëzit. Edhe e theksoj do vazhdojmë ta bëjmë këtë më besimin e plotë që ata o të vazhdojnë të na mbështesin dhe të na mirëkuptojnë për mbarëvajtjen e reformave dhe vazhdimin e rrugës ku kemi hyrë, të shtet formimit dhe të kthimit të dinjiteti, shtimit të vendeve të punës dhe hapjes së negociatave me BE për një rrugë reale drejt Europës tashmë.

Nga numri i mandateve që keni fituar si forcë politike duket se nuk ja keni nevojën LSI-së ose ndonjë force tjetër. A është e mundur ndoshta të afrohet PDIU në qeverisjen tuaj?

Projekti ynë i katër vjeçarit të ardhshëm është një projekt që do të ceki çdo pëllëmbë tokë shqiptare, dhe do të ceki pa dyshim përmirësimin e jetës të çdo qytetari, ndaj gjithsekush që i bashkohet këtij projekti madhor për Shqipërinë, këtij projekti madhor të Partisë Socialiste, por kuq e zi është më shumë sesa i mirëpritur të japë kontributin e vet.

A ka nevojë sipas jush për një koalicion PD-PS? Sa e ndihmoi marrëveshja me Lulzim Bashën, kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste në këtë fitore?

Kjo marrëveshje ndihmoi shqiptarët më së pari dhe për gjithë eksperiencën time dhe gjithë fushatat që kam kaluar besoj që kjo ishte më e qeta, më me pak incidente dhe sigurisht që kjo erdhi edhe si pasojë e marrëveshjes dhe bëjmë mirë që këto marrëveshje t’i bëjmë edhe herë tjetër në mënyrë që dita e votimeve të mos jetë një ditë lufte pa sens, por të jetë një ditë feste, siç është ditë feste në çdo vend demokratik ku njerëzit me dëshirë, të lirë hedhin votën e tyre atje ku ata mendojnë se duhet hedhur. Kështu që, sigurisht që ndihmoi, ndihmoi shumë.

Është hera e parë që në politikën e pas viteve ’90 kjo ndodh. Sigurisht që ka qenë mbase një moment surprizues për shumë prej nesh si qytetarë, por në finale më rezulton që ishte ajo që duhej. E futëm Partinë Demokratike në proces normal të zhvillimit të aktivitetit të saj politik, duke u prezantuar me listat, duke marrë pjesë në votime edhe sigurisht duke tejkaluar një ngërç pavarësisht se artificial, të panevojshëm, i cili mbase po të vazhdonte të ishte ndoshta do ta çonte jetën politike shqiptare në një drejtim tjetër. Fakti që këto zgjedhje ishin atje ku duhet, u bënë ashtu siç duhet tregon që kemi bërë gjënë e duhur.

A duhet të tremben përfaqësuesit e LSI-së në administratë tashmë pas prishjes së koalicionit se ju do t’i largoni nga puna?

Gjëja e parë dhe e fundit që ne do të bëjmë është respektimi i ligjit. Bazuar në këtë gjë gjithsekush duhet të ndihet i sigurt se zbatimi i ligjit do të jetë në krah të gjithsecilit, që me të drejtë është punonjës i Administratës Civile. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që të gjithë ata që në mënyrë të padrejtë, në mënyrë nepotike, në mënyrë kaotike, në mënyrë abuzive kanë marr një post që nuk e meritojnë, nuk do të rishikohen si një kazus, si një rast që duhet të zgjidhet apo duhet të sistemohet ndryshe, apo duhet të vihet drejtësia në vend. Shqipëria është një vend i vogël, gjithsekush njeh gjithkënd, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të vazhdojmë të zbatojmë me rigorozitet radhitjen sipas meritës, sipas pikëve, sipas procedurave dhe sipas kurikulumeve që gjithsekush ka në CV-në e vet. Askurrkush nuk duhet të ketë frikë nga asgjë. Ne duhet të vazhdojmë të zbatojmë ligjin, do ta bëjmë këtë gjë me seriozitetin që na takon, si një forcë politike që nuk është armik i askurrkujt, por është mik i gjithkujt sidomos kur flitet për ata që ligjin e zbatojnë.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.