DOSSIER

Ekskluzive / Rrëfimi i 53-vjeçarit Nikolin Pjetri, ish-të dënuari politik: Tradhtia e shokëve dhe torturat në qeli

11:30 - 13.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Dashnor KALOÇI




Edhe pse kanë kaluar plot 32 vjet nga ajo ngjarje e largët që shënjoi për keq jetën e tij, duke i hequr edhe atë pak liri që i ofronte ai regjim dhe duke e mbyllur për disa vjet në qelitë e hetuesisë apo galeritë e kampit famëkeq të Qafë-Barit, 53-vjeçari Nikolin Pjetri nga qyteti i Laçit thotë se nuk ka asnjë mllef për ata që ia shkaktuan gjithë ato vuajtje dhe torturat çnjerëzore që pësoi mbi trupin e tij në moshë fare të re, pasi për hakmarrje as që nuk bëhet fjalë. I ka falur të gjithë. Madje që ditën e parë pas daljes nga burgu në vitin 1990, kur regjimi komunist i detyruar nga jashtë, filloi të hapte nga pak dyert e burgjeve, gjëja e parë që i kërkoi e ëma ishte besa e dhënë për të mos u hakmarrë ndaj askujt prej atyre që e futën në burg! Por, gjithsesi thotë se nuk ua harron kurrë ato që i kanë bërë, sidomos ndaj atyre që nuk e kishin për “detyrë funksionale” t’ia shkaktonin ato vuajtje e aq më pak torturat, apo të tjerë që “tejkaluan ato që u jepte ligji”, ndërsa ata që “bënë detyrën” ndaj tij pa i “tejkaluar kompetencat”, pothuaj i ka harruar. Tashmë, falë ndryshimit të legjislacionit, ai ka në dorë dosjen e tij, ku janë të shkruara gjithçka. Lidhur me çka shkruhen e thuhen aty, si dhe me ngjarje të tjera të panjohura nga jeta e tij që nga historia e familjes, shokët e ngushtë me të cilët bënte planet e arratisjes, policët dhe hetuesit që e torturonin, apo dhe ata “shokë” që e tradhtuan, Nikolini i rrëfen për herë të parë publikisht për “Gazeta Shqiptare”, duke filluar nga numri i sotëm.
Zoti Nikolin, si fillim deshëm të dinim, familja juaj a kishte probleme me regjimin komunist?
Ne si familje nuk ishim shumë të pastër për sa i përket anës biografike, pasi kishim disa probleme me regjimin komunist të asaj kohe. Gjë e cila e kishte detyruar familjen e babait tim që të shpërngulshin nga vendlindja e tyre, Shkodra dhe të vendoseshin në Bushnesh, një fshat pranë Mamurrasit në zonën e Laçit të Kurbinit. Arsyeja e shpërnguljes ishte se gjyshi im, Vat Pjetri, nuk pranoi të futej në kooperativë dhe të dorëzonte në grumbullim gjënë e gjallë, bagëtinë, të cilat i shiti të gjitha në Shkodër. Pas kësaj, ai donte të shiste edhe tokat e tij në Shkodër, që i kishte diku në Lagjen “Skanderbeg” e deri tek Ura e Thive, por nuk e lanë se ia mori pushteti komunist. Kjo ka ndodhur diku nga viti 1960, pa lindur unë. Dhe në ato vite, babai im, Lazri u sistemua me banim në qytetin e Laçit ku vazhdojmë të banojmë akoma, ndërsa me punë u sistemua në Kombinatin e Përpunim Drurit (në Laç), ku punoi plot 35 vjet me radhë pas asnjë ditë pushim. Kishim edhe probleme të tjera biografike, pasi kushërinjtë e parë të babës tim ishin të familjes së bajraktarit të Planit, ku u kap Patër Anton Harapi.


Po probleme të tjera nga ana politike, a keni pasur?
Nga ana e nënës sime kemi pasur shumë probleme me regjimin komunist. Nëna është me origjinë nga fshati Xhan dhe mbiemri i saj është Stenaj, shtëpia shumë e njohur e Gjon Ndue Palit, pasi ka pasur plot 52 pjesëtarë si familje patriarkale që ka qenë në ato vite. Nëna ime është bijë te familja e Gjon Ndue Palit, i cili ka qenë Vojvodë dhe njeri mjaft i njohur në ato anë. Edhe sot në odat e malësorëve i këndohet kënga: “Kush kalon brigjeve të Livadhit/ kalojnë djemtë e Gjon Ndue Palit”. Familja e tij ka qenë relativisht e pasur në ato anë dhe nisur edhe nga ky fakt, djemtë e tij ishin shkolluar në akademitë e shkollat ushtarake të Italisë, në Romë etj. Dhe në vitin 1943, djemtë e Gjonit braktisën shkollat ushtarake në Itali dhe erdhën “me i dal zot vatanit”, për të luftuar kundër pushtuesit, por teksa po kalonin te Qafa e Pishkashit (shtegu ku kalonin fshatarët në Dukagjin), u qëlluan pa paralajmërim nga forcat partizane, që kishin zënë pritë aty dhe mbetën të vrarë. Arsyeja e vrasjes së tyre ishte: “Këta nuk janë me ne, por me Legalitetin”! Kjo vrasje bëri bujë në atë kohë dhe në vitin 1948, regjimi komunist i shpalli ata si të pafajshëm, por siç tregonte nana, kjo nuk ndryshoi gjë në qëndrimin e pushtetit komunist ndaj asaj familjeje. Kjo gjë u reflektua edhe në qëndrimin ndaj babës tim, Lazrit, i cili punonte shumë, por asnjëherë nuk e pranuan për anëtar partie, si komunist! Por, problemet më të mëdha nëna ime i kishte nga dajat e saj, të cilat m’u pasqyruan mua edhe në dosjen hetimore dhe gjyqësore kur u dënova me burg politik në 1987-ën.
Konkretisht çfarë problemesh?
Në vitin 1951, daja i nënës sime, Lulash Çuni, u arratis në Australi, pasi nuk e donte pushtetin komunist. Ai vdiq atje në vitin 1986 me brengën e madhe që nuk u kthye më dot në vendlindjen e tij. Po atë vit, u arrestua daja tjetër, Lek Çuni, duke u akuzuar se kishte takuar vëllanë e tij, Lulashin, te Dugajtë e Reja. E internuan fillimisht në Tepelenë dhe më pas bëri disa vjet burg, të cilin e vuajti në kampin e Rinasit, kur ndërtohej aeroporti nga të dënuarit politikë. Kur u lirua, u kthye përsëri në Shkodër, ku ka pasur emër të madh si antikomunist që para viteve ’90-të. E donin shumë rinia rebele dhe antikomuniste e heshtur e Shkodrës, që e kishin si idhull dhe frymëzoheshin prej tij. Një nga ata kam qenë edhe unë që në moshë të re, në fillimin e viteve ’80-të?
Si, në ç’mënyrë, a fliste ai me ju kundra pushtetit komunist?
Leka njihej si antikomunist, por ishte mjaft i kujdesshëm dhe nuk fliste kurrë me njeri kundër regjimit. Ruhej shumë, por megjithatë, siç thuhet, edhe me heshtjen e tij, ai fliste shumë. Po ju tregoj një rast. Në vitin 1984, rastësisht unë kam qenë në Shkodër te kushërinjtë e mi dhe aty u hap fjala se kishte vdekur Enver Hoxha. Daja Lekë, me djemtë e tij (Tonini dhe Nikolini) dhe disa çuna të lagjes, emra të njohur në atë kohë dhe më vonë si: Rrik Preni, Bep Oroshi, Mond Çupi etj.. u mblodhën në shtëpinë e tij dhe filluan me pi raki nga gëzimi. Siç thashë, daja Lekë nuk fliste me njeri, ndërsa me mua po, më hapej dhe e shante shumë regjimin dhe Enver Hoxhën. Prej tij unë jam inspiruar së pari dhe fillova ta urreja me shpirt atë regjim dhe fillova edhe të flisja ndonjë fjalë diku edhe hapur që në periudhën e gjimnazit në Laç.
Si dhe në ç’mënyrë flisnit ju?
Në gjimnaz unë mësoja shumë dhe më mbante afër mësuesi i Historisë, Ded Berisha, (me origjinë nga Kosova), i cili kur e tejkaloja ndonjëherë cakun, me ndonjë pyetje “me spec”, më nxirrte jashtë “me lezet”, duke më thënë: “Nikolin, ti nuk ke nevojë, je i shkëlqyer në Histori”. Këtë gjë e bënte për të më ruajtur mua se mos flisja ndonjë fjalë më shumë, por jashtë orës mësimit takoheshim përsëri dhe ai më donte dhe më respektonte shumë. Unë nuk flisja vetëm në orën e Historisë me Ded Berishën, por edhe në orën e Marksizmit, që e bënim me një mësuese të re nga Tirana, me të cilën krijova konflikte, pasi jo rrallë i bëja ndonjë pyetje “me spec” edhe asaj gjatë orës së mësimit. Dhe nisur nga ky fakt, ajo para gjithë klasës më tha: “Nikolin, ç’janë këto pyetje që bën, ti nuk i ke nga vetja këto. Rri urtë dhe mos më prish klasën”. Dhe duke iu drejtuar klasës vazhdoi: “Këtë dikush e frymëzon”?! Dhe ajo kishte të drejtë, pasi unë me disa nga shokët e ngushtë flisnim ndonjë fjalë kundër regjimit, apo më mirë ishim marrë vesh në heshtje me njëri-tjetrin dhe këto ishin që në kohën e gjimnazit, pasi më tej kur shkova ushtar bisedat i bënim më konkrete dhe deri planet për t’u arratisur nga Shqipëria.
Kush ishin pjesëtarët e rrethit tuaj shoqëror dhe ç’farë flisnit me ta?
Që para se të shkoja ushtar, unë kisha disa shokë që ishin problematikë me pushtetin komunist të asaj kohe, si nga familja ashtu dhe vetë personalisht. Por më shumë, unë shoqërohesha me Robert Malukën, Flamur Kumen dhe Valentin Syziun, të tre banues në qytetin e Laçit që nga krijimi i tij. Bert Maluka ishte familje e prekur politikisht, siç thoshin në atë kohë, pasi kishte pasur babanë në burg dhe kishte vëllanë që vuante dënimin si i burgosur politik në Spaç. Ndërsa Valentini me Flamurin nuk e kishin familjen fare me probleme politike me regjimin. Por, Flamuri vetë që në atë kohë nuk e donte fare atë pushtet dhe bënte plane për t’u arratisur nga Shqipëria. Gjë të cilën e tentoi fillimisht që në vitin 1984, ku bashkë me shokun e tij të ngushtë, Leonard Skabona, shkuan deri në zonën kufitare të Gjirokastrës, por nuk mundën dhe u detyruan të ktheheshin përsëri në Laç, fatmirësisht pa u diktuar. Ndërsa Leonardi u arrestua dhe u dënua politikisht në vitin 1987, Flamuri mundi që të arratisej nga Shqipëria në mesin e vitit 1990 dhe përfundoi në SHBA.
U shprehët pak më lart se ju me shokët tuaj flisnit kundër regjimit dhe bënit plane konkrete bashkë për t’u arratisur?!
Po, me Flamurin dhe Robertin kryesisht flisnim shumë, por edhe me disa shokë të tjerë dhe ajo që na bashkonte me njëri-tjetrin ishte pikërisht kjo gjë, urrejtja për pushtetin komunist. Kjo gjë konsistonte fillimisht në ndjekjen e modës, me ato kushte varfërie që kishim atëherë, flokët e gjata, dëgjimi i muzikës në radiot e huaja (italiane dhe jugosllave), sjellja mospërfillëse e jona ndaj kuadrove fanatikë të pushtetit komunist, si atyre të Frontit në lagje etj. Ne më shumë shfrynim me njëri-tjetrin kundër pushtetit komunist. Me Bert Malukën dhe Flamur Kumen kishim bërë disa herë plane konkrete për “të ikur”, por Berti na e shtynte se kishte vetëm nënën plakë në shtëpi, në moshë shumë të thyer dhe nuk kishte me kë ta linte, pasi siç thashë, vëllai i tij, (Luan Maluka), ishte në burg në Spaç. Në këto kushte, unë u detyrova dhe vendosa që të ikja i vetëm, por gjëja kryesore që shpejtoi tentativën time për t’u arratisur ishte hapja e dosjes sime që kur isha ushtar në Tiranë, për të më dënuar.
Si dhe përse ndodhi kjo?
Unë e fillova shërbimin ushtarak në vitin 1984 në Brigadën e Tankeve të Laçit, ku për “thyerje disipline”, ma shtynë ushtrinë me 6 muaj, gjë të cilën e bëra në Xhenio në Tiranë, te Rrapi i Treshit, duke hapur tunele.
Ku konsistonte konkretisht “thyerja e disiplinës” nga ana juaj?
Akuzat që më bëheshin ishin se nuk zbatoja urdhrat e komandës dhe i kisha kundërshtuar në mënyrë flagrante ato, si psh., nuk kisha pranuar të bëja shërbim, duke thënë: “Pse të bëj shërbim te gryka e tunelit për ruajtjen e tankeve, ku është armiku që do të na vijë, pse nuk po e shohim, etj.”. Gjë të cilat ishin me mjaft rrezik, por meqë isha nga Laçi dhe shumë nga oficerët më njihnin edhe si familje, për të mos më dënuar për politikë, më favorizuan duke më dënuar për thyerje disipline dhe ma shtynë ushtrinë me 6 muaj. Dhe kur i mbarova ato gjashtë muaj dhe u ktheva përsëri te Brigada e Tankeve në Laç, ku dhe do kryeja muajt që më kishin mbetur, mora vesh se reparti ku kisha bërë dënimin 6 muaj në Tiranë, më kishin hapur një dosje po për “thyerje disipline” dhe më kishte dërguar fletëthirrjen për t’u paraqitur në Tiranë, ku edhe do më arrestonin.
Nga dhe si e mësuat ju këtë gjë, kur dihet fare mirë se kur të arrestonin nuk të tregonin apo nuk të lajmëronte njeri?
Unë këtë gjë e mësova nga nënoficeri që merrte postën sekrete të repartit, (Pashk… nga Laçi), i cili njihej me familjen time dhe në mirëbesim një ditë më kishte thënë: “Nikolin, kujdes se më duket se në Tiranë ku ke qenë ushtar, reparti të ka kopsitur letrat… dhe e kupton vetë ti…”! Pra, shef Pashku siç i thoshim ne, ma tha hapur dhe atë gjë, ma përsëriti po atë ditë që erdhi fletëthirrja për mua nga Tirana. Jo vetë personalisht, por me një shok timin ushtar po nga Laçi, Pashku më dërgoi fjalë duke i thënë: “Thuaj, Nikos, se ajo që pritej erdhi…”! Kaq më tha ai shoku im ushtar, pa e ditur përse behej fjalë. Unë normal e kuptova përse bëhej fjalë dhe që atë ditë nga frika e ndonjë arrestimi, vendosa të ikja drejt Shkodrës që atë pasdite me trenin e fundit që nisej nga Laçi në darkë vonë.
Kur ka ndodhur kjo dhe si vepruat?
Është datë që nuk harrohet kollaj. Ka qenë 25 nëntori i vitit 1985. Unë shkova në shtëpi dhe e pyeta babën nëse kishte bërë ndonjë kërkesë për faljen e muajve të ushtrisë që më kishin mbetur, për t’u siguruar se çfarë ishte ajo letër që më tha shef Pashku? Kur baba më tha ‘jo’, unë e mora me mend se nuk ishte gjë tjetër veçse letra që duhej të paraqitesha në gjyq, me një fjalë për të më dënuar. U vesha shpejt e shpejt dhe në një çantë ushtarake futa rrobat civile dhe pa i treguar asgjë familjes, se e dija që nuk do më linin kurrë (isha djalë i vetëm dhe me dy motra me të vogla), dola për të shkuar te stacioni i trenit. Fillimisht u takova me dy shokët e mi, Robert Malukën dhe Flamur Kumen, të cilave u thashë “po iki”. Berti me Mulin të dy në një gojë më thanë: “Niko, prit, mos u nxito! A kemi thënë do ikim të gjithë?!”. Por unë u thashë se atë gjë tashmë e kisha vendosur dhe nuk kishte kthim prapa prej meje. Dhe kështu nga ora 21 u ndava me ta tek stacioni i trenit poshtë Laçit, diku në errësirë pa na parë njeri.
A patët probleme gjatë udhëtimit, pra a ndjenit se ju ndiqnin dhe ku shkuat në Shkodër?
Absolutisht asnjë problem gjatë rrugës dhe asnjë shenjë sado e vogël që më ndiqte njeri. (Berti me Mulin e treguan veten se ishin shokë besnikë dhe kështu mbetën edhe sot e kësaj dite). Gjatë udhëtimit bëja planet me vete se si dhe ku do arratisesha, pa fiksuar asgjë konkrete, por duke ia lënë gjithçka rastësisë, pasi unë po tentoja arratinë më shumë nga frika se mos më arrestonin. Mbërrita vonë dhe atë natë fjeta tek kushëriri im, Nosh Pashka Zefi, të cilit i thashë se kisha shkuar kot për qejf. Të nesërmen duke shkuar te agjencia e autobusëve për në Dukagjin, pashë dajën, Lek Çunin me djalin dhe vajzën e tij, por ju shmanga pa më parë, pasi mendova se po të më kapnin në kufi, ata i merrja më qafë. Ndërsa ecja pa një plan konkret, mendoja të ikja nga Thethi apo Dukagjini nëpër male, rrugë e pa rrugë sa më larg njerëzve. Por ndërrova mendim dhe u nisa për në Shirokë dhe në Zogaj, pasi mendoja se ishte më afër dhe kjo gjë vinte dhe nga frika për të ikur sa më shpejt. Por kur shkova atje, pashë që më shihnin me dyshim të gjithë dhe diku aty nga dreka u ktheva menjëherë për në Shkodër përsëri, pasi m’u kujtua se në Bajzë kisha një shok ushtrie, Skënder Ç. dhe mendova se ai do më jepte një zgjidhje për atë punë që kisha shkuar. Më e keqja që mendoja në ato momente ishte se ai edhe po të mos më ndihmonte, të paktën nuk do të më tradhtonte. Skënderin e kisha njohur në Laç duke luajtur bilardo, pasi ai ishte ushtar në Ndërlidhje (te Poligoni i Laçit), por me të flisnim ndonjë fjalë kundër pushtetit, dëgjonim muzikë të huaj dhe këndonim edhe ndonjë këngë sllave, siç bënin një pjesë e madhe e të rinjve në atë kohë. Por ideja për të shkuar te Skënderi më lindi më shumë pasi kur ishim në Laç, e pata pyetur njëherë duke i thënë: “Me dasht me ik, andej nga ti, a është larg”?! Dhe ai i qetë m’u përgjigj: “Po, të qes unë, delet kollaj”. Dhe asnjë koment tjetër nuk bëmë atëherë me njëri-tjetrin rreth këtij muhabeti dhe as më vonë. Kjo më shtyu të takoja Skënderin dhe t’i kërkoja ndihmë.
Si e takuat shokun tuaj?
Autobusi me ndaloi në Koplikun e poshtëm dhe që aty dola në rrugë për makina të rastit. Në makinën ku hipa, (një “IFA”) disa njerëz që ishin aty në karroceri me mua filluan të më bëjnë shumë pyetje, si: kush isha, nga vija, ku shkoja, etj., gjë të cilën si duket ajo zonë e kishte zakon për të huajt që nuk i njihnin. Në fillim u mundova t’u shmangesha, por ishte e pamundur dhe për të mos rënë në sy për keq, u thashë se shkoja tek shoku im, Skënder Ç. Bashkëbiseduesi me shumë dashamirësi m’u përgjigj: “Unë jam dhëndri i tij, gruaja eme dhe njëkohësisht motra e Skënderit është para në kabinë. E paskemi rrugën bashkë”. Nuk kisha ku devijoja më. Kur më pa që larg Skënderi më njohu dhe u habit, ndërsa unë i thashë: “Hëëë a e sheh, a të pata thënë që do ta gjej shtëpinë?!”.
Si dhe ku biseduat për atë që kishte shkuar aty, pra për planin e arratisjes?
Në sy të tyre kuptohet se nuk u thashë gjë dhe me shenja u kuptuam që do flisnim më vonë. Më mbajtën për drekë në shtëpinë e tyre, pasi ai ishte përgatitur se priste motrën e dhëndrin dhe aty u mblodhëm të gjithë. Pasi e motra dhe kunati shkuan te shtëpia e vëllait tjetër, unë me Skënderin mbeta vetëm dhe aty i thashë: “A e mban mënd se ça të kam thënë dikur, ja erdhi koha!”. Dhe ia shpjegova të gjitha se si donin të më arrestonin, pasi më kishte ardhur fletëthirrja për në gjyq në Tiranë, siç e mendoja unë dhe ishte në të vërtetë. Teksa më dëgjonte me vërejtje dhe mëdyshje, i thashë: “A më nxjerr dot matanë apo jo? Nëse nuk mundesh, më thuaj dhe nuk ka problem, unë kthehem mbrapsht dhe nuk e merr vesh asnjeri dhe ty nuk të hyn ferrë në këmbë, ti më njeh mua!”.
Si t’u përgjigj ai?
Skënderi më tha: “Mos e çaj kokën fare, të qes unë sot, por prit sa të shkoj të lajmëroj një shok që të dalë në punë në vendin tim, duke ndërruar turnet”. Kur e pyeta se ça punonte dhe ai më tha: “Roje në pulari”, u tremba për momentin, por nuk e dhashë veten duke menduar se nuk më tradhton. Çantën që kisha me vete Skënderi më tha ta linim tek shtëpia e tij, në mënyrë që të mos ngjallnim dyshime dhe do ta merrnin kur të ktheheshim para se të niseshim “me ik”. Kështu, teksa po shkonim për tek shkolla e mesme, ku sipas tij ishte shoku që do shkonte në punë në vend të tij, s’di pse m’u shtuan dyshimet më shumë, pasi rojet dihej që ishin të lidhur, të paktën me Policinë. Ikëm dhe nga gjimnazi pasi tha se nuk e gjeti shokun dhe rrugës në qendër të Bajzës, më tha: “Niko, më fal një minutë sa të blej një paketë cigare në dyqan” dhe më bëri me shenjë që unë ta prisja aty që të mos ngjallnim dyshime. Unë qëndrova aty dhe pasi erdhi pas gati dhjetë minutash, u kujtova se ai nuk e ka pas pirë kurrë duhanin, përkundrazi, më thoshte mua që ta lija. Dhe menjëherë në mënyrë instiktive i thashë: “O Skënder, ku është Ilir Malaj?”, (për një shok tjetër që kishte punuar në Tensionin e Lartë në Laç), një djalë i shkëlqyer që e kisha njohur po në bilardo si Skënderin. Dhe ai m’u përgjigj: “Ohoo, Iliri e ka hëngër të sëmës, është në burg”. Pa mbaruar fjalën ai, gjë e cila më vrau shumë, drejt nesh po vinin një polic dhe dy civilë trupmëdhenj e të fuqishëm që e shoqëronin.


Çfarë ju thanë ata?
Ata nuk folën fillimisht, por Skënderi m’u drejtua mua duke më thënë: “Më fal ta ndez pak cigaren tek këta burra?”. Në atë moment kuptova se më kishte tradhtuar dhe i thashë: “Hëëë Skënder Ç., më tradhtove!”. “Jo mor burrë” m’u përgjigj ai dhe iu drejtua atyre: “Mos e prekni është me mua…, është me mua…”. Në moment i thashë përsëri: “Zoti të gjykoftë për këtë që më bëre”!
Si t’u përgjigj ai dhe tre personat që erdhën si reaguan ndaj jush?
Skënderi nuk foli fare, ndërsa ata më thanë: “Ouu, besoke edhe në Zot, hajde se ta tregojmë ne ty Zotin. Na jep pak pasaportën”. Dhe në moment m’u hodhën në trup të tre duke më lidhur dhe më goditur me sa fuqi që kishin, ku t’u zinte grushti dhe shkelmi.
Çfarë kishte ndodhur, kush i kishte lajmëruar ata të tre që erdhën dhe ju lidhën?
Ata të tre i kishte lajmëruar dyqanxhiu i klubit ku shkoi Skënderi gjoja për të blerë cigare, gjë të cilën unë e mora vesh shumë kohë më vonë, kur më arrestuan për herën e dytë, se dyqanxhiun e sollën dëshmitar në gjyq.
Pasi ju lidhën, ku ju çuan?
Ashtu të lidhur më morën zvarrë me forcë dhe më futën në një dhomë diku aty afër, që ishte stacioni i policisë së Bajzës, ku për rreth dy orë e gjysmë më kanë rrahur në mënyrën më barbare. Tashmë jo vetëm me grushte dhe shkelma, por edhe me shkop gome, me dru e çfarë t’ju vinte për dore me godisnin, sa më lanë në gjak.
Ju morën në pyetje, apo vetëm ju godisnin?
Ata më futën aty për të më rrahur, pasi nuk ishin hetues, por vetëm për të treguar dhe demonstruar forcën e tyre, apo më mirë me thanë “trimëninë” e tyre se kishin kapur “një armik” që donte të arratisej. Dhe kjo ishte gjë e madhe për ta në atë kohë, si në të gjitha zonat kufitare.
Nuk ju pyesnin fare?
Më kërkonin t’ua pranoja se si dhe ku do të arratisesha, por unë ashtu i gjakosur gati në gjendje të fikti, kisha vendosur të mos pranoj asgjë dhe ju thosha: “Nuk kam dashur të arratisem, kam ardhur të shkoj për vizitë tek familja e vajzës së dajës tim, (Lule Stenaj) e martuar te familja e Shyqëri Zekaj në Koplik”. (Pasi një vit më parë ajo me të ëmën kishte humbur jetën në një aksident automobilistik, së bashku me rreth 35 persona të tjerë që ranë me një makinë në greminë, në lumin Kir). Ndërsa unë i mbahesha kësaj fjale, ata vazhdonin të më godisnin edhe më me forcë. Kjo punë zgjati rreth dy orë e gjysmë kur ata si duket u lodhën dhe në atë kohë erdhën aty dy-tre hetues nga Dega e Brendshme e Shkodrës. Ndërsa mua më lanë disi mënjanë në një cep dhome, ata të ardhurit dolën në një korridor e i pyetën këta se si dhe ku më kishin kapur mua? Dëgjova Skënderin që në mes të tjerave, iu përgjigj: “Në mënyrë që të mos më ikte, unë i thashë atij të klubit të lajmëronte policinë”. Ndërkaq, hetuesit më morën mua dhe më pyetën, e unë u thashë përsëri të njëjtën gjë, variantin se kisha ardhur për te familja e vajzës së dajës për ngushëllim.
Çfarë ju thanë ata pas kësaj?
Nuk më thanë asgjë më shumë, por më morën dhe më nxorën në oborrin e postës së Policisë, ku ishte mbledhur pothuaj e gjithë Bajza, pasi fshatarët në atë kohë linin punën, gjë e cila dukej nga kazmat, lopatat e sfurqet që mbanin të gjithë në duar. Pasi më futën në “Gaz”-in e Degës, (që u rrethua në moment nga turma e egërsuar e fshatarëve), ata u kthyen përsëri në dhomën e policisë, gjoja për të plotësuar letrat me procesverbalin për mua. Por kjo ishte e kurdisur, apo një lojë e tyre për t’u dhënë kohë fshatarëve që të shfrynin ndaj meje, me thirrje histerike: “Vriteni qenin, vriteni armikun e popullit dhe të partisë, vriteni tradhtarin, etj., etj”. Sfurqet e tyre vinin deri te xhami i makinës, gati për ta thyer atë dhe për të më qëlluar mua, që isha në gjendje gjysmë i vdekur, aq sa thirrjet e tyre që vazhdonin të ishin më të egra dhe me zë më të lartë, unë po i dëgjoja gjithnjë e më pak…
(vijon nesër)
(Përgatiti intervistën, D.K.)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.