OPINION

Një pulë në katër ditë…

08:04 - 13.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 Nga Pano HALLKO

 

Teksa pritej që kryeministri i rivotuar i shqiptarëve në këto ditë pasvotimesh të vazhdonte veprimin politik aty ku e kishte lënë (psh. “ministrat teknikë” e kishin datën e skadimit më 26 qershor në mëngjes), ai shpërtheu në një fushatë tjetër.

Duket se ai nuk nxiton as për të zëvendësuar gardianët e votës – “teknikët” sipas marrëveshjes së 18 majit, por as për të zëvendësuar ministrat e bashkëqeverisjes katërvjeçare. Ndoshta vepron drejt, e kjo është kompetencë vetëm e tij. Për këtë nuk mund të paragjykohet nga askush, ca më pak nga “kazani mediatik”.

Por, fushata që u organizua tani, pas fushatës elektorale të fituar prej tij, vjen pak e beftë, një fushatë e ndërmarrë me të gjitha llojet e mjeteve dhe të organizmave. Grupet e punës, apo komisionet e ngritura për të “pluguar” edhe një herë hartën e vendit mëtojnë të vjelin mendimin dhe dëshirën e popullit për realizuar një qeverisje më të mirë.

Slogani “Për Shqipërinë që duam” nuk mund të kundërshtohet prej askujt, e shumë njerëz, të paktën ata që njohin rolin e qeverisjes dhe mënyrat e saj, por edhe gjithë të tjerët, që presin nga qeveria politika të drejta e të balancuara kanë ç’të thonë e ç’të shprehin.

Njerëzit kanë shkruar e do të shkruajnë edhe në portalin e ri, që e pa dritën e ekranit të hënën që kaloi.

Për atë portal u desh një punë vetëmohuese e dy specialistëve (jopartiakë) të AKSH-it, punë që zgjati 96 orë pa pushim, çka përgënjeshtroi kufirin e stërmundimit njerëzor, në realizimin “deri në vdekje” të atij portali.

Dikush mund të thotë: – Po mirë, se për atë punë paguhen! Është dhe nuk është ashtu, për ata që njohin vështirësitë për kompozimin dhe bërjen funksional të një portali…

Megjithatë, portali funksionoi, e njerëzit do të shkruajnë. Po për çfarë do të shkruajnë njerëzit? Hallet e tyre në këtë vend janë të stërnjohura nga zoti kryeministër, i cili e ka shkelur me këmbë, thuajse të gjithë hartën e vendit. Ai kërkon mendime, e në pamje të parë, asgjë më normale se sa kjo. Pra, që shtetasit-bashkëkombësit të jenë dhe të ndjehen pjesë e qeverisjes.

POPULLI I PERËNDIVE DHE PERËNDITË PA POPUJ…

“Nëse do të ekzistonte një popull i perëndive, ai do të qeverisej demokratikisht”, thoshte Zhan Zhak Rusoi (Rousseau). Mesa duket, ky popull nuk ekziston, as në ato pak vende që janë kthyer në parajsa të shumëndërruara për popujt e tjerë të botës.

Ato vende u kthyen në parajsa të ëndërruara, vetëm për faktin se bënë shtete. Pra, për faktin se u qeverisën drejt e siç duhet, pa u vjedhur nga ata që i kanë qeverisur. Prandaj edhe ata popuj, të atyre vendeve të shumëndërruara, e “mblodhën mendjen”. – Nuk mund të vjedhim ne, se këta që na qeverisin, nuk vjedhin.

Fjalia në titull nuk është as shpikja e shkruesit të këtyre radhëve, e as mendimi personal i tij, i cili dashkërka t’i jepet kryeministrit të vendit tonë.

Përkundrazi, është ngjarje e ndodhur, me kryeministër real, me emër dhe mbiemër, kur ai vendosi të bënte shtet në vendin e tij. Redaksia e kësaj gazete do ta ketë emrin e tij, nëse dikush është i interesuar.

Atëherë, pra plot 170 vjet më parë, u huazua në atë vend, metoda e shteteve perëndimore, përcaktimi i favoreve të qeveritarëve, deri edhe në racionin ditor që do të konsumonin anëtarët e qeverisë. Racion, i cili ashtu si gjithë shpenzimet e tjera, do të mbulohej nga taksat e shtetasve të tij. Edhe racioni i ushqimit, si gjithë të tjerat, përpilohej, vendosej e firmosej nga kryeministri.

Kështu, një mëngjes ia vunë mbi tavolinë listën e anëtarëve të qeverisë, me në krye emrin e tij.

Ai kryeministër nuk u mor fare me numrin 2 e poshtë. Ai caktoi dhe shkroi vetëm në kolonën përbri emrit dhe funksionit të tij: – “Një pulë, në katër ditë”. Pastaj e firmosi në fund të faqes, ia kaloi sekretares për vulën e ua përcolli ministrive që kishte.

Në fillim, askush, as vetë ministrat, pa lere stafet e tyre nuk e kuptuan këtë “recetë”. Kur shkuan në mbledhje të qeverisë, pyesnin njëri-tjetrin: – A të erdhi ty lista e ushqimit? Pasi e vranë jo dhe aq shumë mendjen, thanë: – Atëherë, ne na takon një pulë në tetë ditë! E mos më thoni se ai vend nuk kishte pula në atë kohë, madje dema e gjithfarë lloj kafshësh, mishi i të cilave konsumohet nga njeriu…

Dhe u futën në mbledhje, jo për të diskutuar për “pulat e pjekura” – siç me të drejtë tha dikur kryeministri ynë diku, për karakterizuar “veprën” e disa prej “analistëve”, por për të diskutuar për problemet e njerëzve dhe hallet e ekonomisë, për prioritetet e zhvillimit ekonomik…

E thamë, kjo nuk është një përrallë nga e kaluara, por ngjarje reale, me të cilën ende krenohet ai vend, që u bë shtet nga… hiçi! Sepse nuk kishte as popull, e as territore të njohura ndërkombëtarisht. Pa lere më komb, të cilin ne këtu kemi luksin ta kemi, thuajse atofio, mijëra vite, në këta gurë…

Perënditë u shpikën, sepse duhej të shpikeshin. Për shumë arsye, të cilat nuk është vendi dhe koha të sqarojmë. Sa kohë që nuk ekzistonte shkolla, ato ishin qiellore.

Kur u hapën shkollat, e kur njerëzimi ngriti universitetet e para, u pa se perënditë (por edhe shejtani), qenkëshin tokësorë. Këtu, në tokë, në rrugë, përkrah nesh, në zyrat ku shkojmë për të zgjidhur hallet e na i lidhin edhe më pisk, në gjykatoret tona të pashenjta, ku shkojmë për të marrë të drejtën e munguar, e në rastin më të mirë na shitet me kile, si askund në botë…

Në kuptimin figurativ, perëndia është kryeministri, i emëruar, jo prej horrave me mjekër (të të gjitha feve pa përjashtim), por nga vota e ndërgjegjshme e një populli, më saktë e asaj pjese të popullit që mendoi dhe votoi për të ardhmen e tij.

Dhe populli, me të drejtë mund t’i thotë kryeministrit të vet: – “Me pash ta dhashë lejen, më paç uratën. Shpatën në brez e ke, e fillo ‘luftën’ – pra punën”!

KARKALECAT E ARAVE DHE ATA TË MINISTRIVE…

Të enjten e javës së kaluar, kryeministri dha urdhër që të ndërpriteshin të gjithë tenderat deri në ndërtimin e qeverisë së re. Por në njërin nga dikasteret e këtij shteti u dha alarmi nga një nëpunës i rëndomtë sa u takon vlerave intelektuale e njerëzore, pa lere më ato meritokratike.

  • Më sillni argumentet brenda 24 orëve, t’ia nisim kryeministrit, të bëjmë tenderin e… karkalecit, përndryshe ju shkriva të gjithëve! Tenderi për spërkatjen e fushave dhe arave të këtij vendi kundër karkalecit nuk bëhet për herë të parë.

Mirëpo tenderi duhej të ishte bërë në maj-qershor. Nëse në të gjithë vendin plotësohej parakushti që për çdo metër katror arë, të ekzistonin atëherë, në qershorin e kaluar, 3 deri në 5 individë (kështu i quajnë specialistët karkalecat – siç është ky individi i ministrisë).

Por jo të bëhet tenderi në mes të korrikut – kur karkalecat kanë nxjerrë brirë – në kuptimin real të kësaj fjale. Mirëpo bëhej fjalë për 1 (një) miliard lekë të vjetra, të cilat në këto ditë të fundit të qeverisjes- sepse individët kanë dalë de facto në opozitë, kanë vlerë të madhe para “urisë” që po vjen…

Ashtu siç kryeministri duhet të përgatitet për luftën me “frontin kombëtar të opozitës”, i cili me “kryetaren që ka zgjedhur”, ngjan si dy pika uji me… Frontin e Rezistencës, atë të viteve ‘45-‘50 të shekullit të kaluar.

Karkalecat e ministrive, të të gjitha ministrive pa asnjë përjashtim, që kryeministri i quan sekretarë të përgjithshëm, kanë bërë kërdinë në kuptimin e plotë të fjalës mbi ekonominë e këtij vendi. Kur inauguroi punimet e një rruge para 6 muajsh, kryeministri ndër të tjera i tha popullit të grumbulluar aty: – “Kur të flas ndonjëherë për ‘Lungo Maren’, atëherë do të merrni vesh se ç’është bërë me të”…

E kryeministri nuk ka sesi të hiqet sikur nuk i di këto punë. Këta karkaleca dykëmbësh e kanë pasur dorën e lirë, deri edhe mbi atë që ka më të shenjtë ky popull: – njerëzit me uniformë.

Ndoshta do të qe mirë që kryeministri i këtij vendi “ta shkelte Kushtetutën”, duke shpallur, emëruar dhe graduar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Është më së paku turp shtetëror dhe kombëtar, fakti që qysh prej datës 7 nëntor të vitit të kaluar jemi i vetmi vend në botë pa Shef Shtabi. Përse u bë kjo? Për t’i diskredituar edhe më njerëzit me uniformë?

Ndodhi, e jo krejt rastësisht, që kandidatura e propozuar të jetë njëri ndër pak dinjitozët ushtarakë që i mbetën këtij vendi. Po përse nuk u dekretua? Për të përmbushur ekuacionet e SHIK-ut dhe të eprorit të tij direkt, që në rastin tonë nuk është as presidenti e as kryeministri, por dikush tjetër, në hije tanimë?

Partnerët tanë në NATO, kur shkon Dinjitozi ynë në takime, i cili nuk është as Shef e as Zëvendësshef mirëfilli, e me gradën shumë herë nën parametrat moralë, profesionalë e burrërorë ku ai ndodhet, buzëqeshin hidhur. Për llogari të… shtetit shqiptar, kuptohet.

Në shtator në vendin tonë do të zhvillohet Konferenca e Shefave të Shtabeve të NATO-s. Presidenti i zgjedhur, që shkon “me eskortën e tij” për votat e partisë së tij, zor se e ka ndërmend këtë punë. Vetëm nëse gjen ndonjë kontingjent partiak, nga… krijesa dhe prona e vet… Prandaj “duhet ta shkelë Kushtetutën” kryeministri ynë!

Por, karkalecat punëtorë të dikastereve nuk e konsumojnë vetëm “bimën” që presin. Janë bizhdollanët-lexo:-ministrat, ata që firmosin përfundimisht e që marrin pjesën e luanit, të cilën e ndajnë mes partisë dhe shtëpisë së tyre.

Ndoshta do të ishte më me vend që kryeministri të emëronte njerëz e jo individë-karkaleca në krye të ministrive.

E atyre njerëzve (nëse ka të tillë), t’u bënte thjesht një pyetje: – Zonjë/zotëri i/e nderuar, a mundeni të jetoni me rrogën që jep shtetit për këtë vend pune, pra për funksionin e ministrit? Nëse po, punë të mbarë!

Duhet bërë kjo, pasi me apo pa të drejtë, edhe emri i kryeministrit lakohet nga opozita dhe jo vetëm. Në këtë vend kemi qenë, e nuk ka kaluar emër kryeministri pa u përbaltur.

Është në dorën e tij e nuk ka shumë mundim të bëhet kjo e shkretë pyetje. Mjafton ta besojë ai që e bën pyetjen, se pastaj e caktojnë vetë “racionin” ministrat, deri te karkalecat e ministrive.

Ashtu siç është në dorën e tij, të emërojë zonja ministre, të cilat, sapo ulen në kolltukët e rëndë të pushtetit, shtrëngojnë nofullat e trashin zërin kur flasin, që të duken… “doemos ‘ministër’ – domethënë, koce-meshkuj!

Sado që duket se ka me bollëk njerëz në partinë e tij për ministra, nuk është dhe aq e lehtë. Sepse ish- ministrat e dikurshëm të PS-së ndjehen “fajtorë” para grave të tyre, se ato grinden për faktin që pishinat në oborret e vilave të tyre në fshatrat turistikë janë “për turp”, pasi mezi arrijnë vetëm në… 100 metra katrorë!

Dhe zgërdhihen ata, paturpësisht mbrapa shpatullave të gjera të kryeministrit, duke llafosur për… hallet e fukarasë!

Patjetër kryeministri i di prioritetet zhvillimore, e nuk ka përse t’i kërkojë nga populli. Nëse ata të huajt, na e bëjnë dot vetingun në drejtësi, mirë do të jetë. Por kryeministri i vendit është një polemist i shkëlqyer, në oratori dhe në të shkruar. A e di arsyen ai, pse u bë i tillë?

U bë i tillë, sepse qysh nga klasa e pestë e deri në vitin e fundit gjimnaz kishte në çantë para gjithë librave të tjerë, dy libra-tekste: Gjuhën dhe Letërsinë. Kuptohet, edhe mësues të pasionuar. Për 25 vjet, fëmijët e këtij vendi kanë bërë një tekst hibrid dele-dash, që mendjet e sëmura për shkak të tenderave, i thonë gjuhë-lexim. Pra, as Gjuhë, e as Letërsi. Prandaj bëhet fjalë në këtë vend për një analfabetizëm të ri;-mediailliteracy. Këto mund të shikojë ai, e jo të ndjekim luftën e mullinjve të erërave karabino-kallashnikoviane….

Sepse… Çështja shtrohet, se si mund të qeveriset, kur ekzistojnë perëndi pa popull…

 

 


Shfaq Komentet (5)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Fabula e shkrimit…..

    Sekretaret(e pergjithshem ne ministri)
    Jane bere si Karkaleci ne Buqesi..!!!

    E thene kjo nga nje nenpunes i shtetit si Pano Hallko, eshte shum e rende.

    Nuk e kuptoj se perse duhet te kerkosh me neper lendina are dhe ‘Livadheve’ virtuale kete te vertet kaq te thjesht.

    Mjafton nje audit i brendeshem per te verifikuar demin e bere ne “buqesi”,…nga karkaleci!!!

    Përgjigju ↓
  2. Miku im Pano. Ke shfaquer nje analize brilante. Jo I drejteperdrejte dhe kurajoz. Kur nje turme ushtarakesh dhe civilesh te korruptuar i kundervihen dhe investohen kunder nje figure dinjidoze dhe te ndershme te propozuar per Shef SHbabi te Pergjithshem, ketu ka rene sistemi. Te ndershmit nuk jane me shumica.

    Përgjigju ↓
  3. Shkrim i goditur dhe plotësisht real. Sekretarët e Përgjithshëm janë kthyer në menaxher-sekser të xhepit të ministrave pa harruar xhepin e tyre. Për sa kam dëgjuar Ministria e Mbrojtjes është rast ekzemplar. Pyetja qëndron nëse është serioz Kryeministri të pastroj këto fusha nga ky lloj karkaleci që po shpërfytyron administratën.

    Përgjigju ↓
  4. Shkrim i goditur e mja i tronditur.
    Po nuk ka emra
    I ven verdalle Min Mbrojtjes e nuk ka emna.
    Jo he burre i dheut
    Thuj me mir se
    Mimka me e korruptuara Mimka hajdute Mrika merrte pare per 200 Majora qe bani
    e ndihmu fort nga hajduti i ndyre Jano Kraja, qe KM jon e don fort?????? POPULL …POPPPUUULL!!

    Përgjigju ↓