DOSSIER

53-vjeçari Nikolin Pjetri rrëfen tradhtinë, i dënuari për arratisje: Shokun që më spiunoi e goditi e ëma me dru në ballë

10:16 - 14.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Dashnor Kaloçi




Edhe pse kanë kaluar plot 32 vjet nga ajo ngjarje e largët që shënjoi për keq jetën e tij, duke i hequr edhe atë pak liri që i ofronte ai regjim dhe duke e mbyllur për disa vjet në qelitë e hetuesisë apo galeritë e kampit famëkeq të Qafë-Barit, 53 vjeçari Nikolin Pjetri nga qyteti i Laçit, thotë se nuk ka asnjë mllef për ata që ia shkaktuan gjithë ato vuajtje dhe torturat çnjerëzore që pësoi mbi trupin e tij në moshë fare të re. Për hakmarrje as që bëhet fjalë! I ka falur të gjithë. Madje, që ditën e parë pas daljes nga burgu në vitin 1990, kur regjimi komunist i detyruar nga jashtë filloi të hapte nga pak dyert e burgjeve, gjëja e parë që i kërkoi e ëma, ishte besa e dhënë për të mos u hakmarrë ndaj askujt prej atyre që e futën në burg. Por gjithsesi thotë se nuk ua harron kurrë ato që i kanë bërë, sidomos atyre që nuk e kishin për “detyrë funksionale” t’ia shkaktonin ato vuajtje, e aq më pak torturat, apo të tjerë që “tejkaluan ato që u jepte ligji”, ndërsa ata që “bënë detyrën” ndaj tij pa i “tejkaluar kompetencat”, pothuaj i ka harruar. Tashmë, falë ndryshimit të legjislacionit, ai ka në dorë dosjen e tij, ku janë të shkruara të gjitha. Lidhur me çka shkruhen e thuhen aty, si dhe me ngjarje të tjera të panjohura nga jeta e tij; që nga historia e familjes, shokët e ngushtë me të cilët bënte planet e arratisjes, policët dhe hetuesit që e torturonin, apo dhe ata “shokë” që e tradhtuan, Nikolini i rrëfen për herë të parë publikisht për “Gazeta Shqiptare”.

(Vijon nga numri i djeshëm)
Zoti Nikolin, çfarë kujtoni tjetër nga arrestimi juaj në Bajzë?
Po, ndërkohë që sapo më kishin futur te një nga dhomat e postës së Policisë së Bajzës, Skënder Ç., iu tregoi se çantën unë e kisha lënë në shtëpinë e tij dhe ata i thanë në praninë time, që të shkonte dhe ta merrte. Aty kuptova se ajo ishte një provë e fortë për ta për të më akuzuar dhe se Skënderi me djallëzi më kishte kërkuar që unë ta lija çantën te shtëpia e tij. Pra e kishte paramenduar atë gjë për të më implikuar. Tjetër gjë që kujtoj nga ajo ngjarje ka qenë një moment kur për të mos u dëgjuar shumë zhurma nga të bërtiturat e mia, kur më godisnin me dru, ata ngritën në maksimum zërin e radios, që ato minuta po transmetonte një këngë të Liri Rashës, këngëtares së njohur dibrane. Kjo gjë ndodhi në një moment kur ata bënë pak pushim duke mos më goditur më, pasi ndiheshin të lodhur. Ndërsa po e dëgjonin me kënaqësi atë këngë, e cila fliste për Enverin dhe për Partinë, njëri prej tyre si gjoja me ironi e cinizëm më tha: “Hëëëë armik, a e sheh se gjithë populli i këndon Partisë dhe shokut Enver, ndërsa ti doje të tradhtoje?!” Unë nuk kisha fuqi që t’i thosha asnjë fjalë nga gjendja ku më kishin katandisur ata, pasi më ishte ënjtur dhe fryrë koka nga të goditurat e tyre dhe ndjeja dhimbje të tmerrshme.
A e solli çantën ai dhe a kishte gjë komprometuese aty?
Skënderi e solli menjëherë, punë minutash, se shtëpinë e kishte aty afër. Në çantë unë, përveç rrobave ushtarake, kisha futur edhe një thikë, duke e qepur te shtresa e trashë e saj me shumë kujdes që të mos binte në sy. Këtë punë e kisha bërë që në Laç, pak para se të nisesha, kur mora vendimin për të ikur. Por fatmirësisht, thikën nuk e gjetën, pasi ata nuk e kontrolluan me imtësi, sepse siç duket e kishin mendjen për të më rrahur mua në mënyrën më barbare, duke demonstruar forcën e tyre, edhe para popullit e fshatarëve të Bajzës, që siç ju thashë ishin mbledhur të gjithë aty para postës së Policisë. Ndërkaq, kur erdhi aty Skënder Ç. për të sjellë çantën, pamë se në ballë kishte një shenjë të çare që i rridhte gjak dhe dukej se sapo ishte goditur. Dhe policët bashkë me ata dy civilët e pyetën në një gojë, se çfarë kishte dhe iu afruan për ta parë, ndërsa ai u tha se nuk ishte gjë me rëndësi, pasi ishte penguar te gardhi i shtëpisë dhe ishte vrarë pak.


Në të vërtetë, çfarë kishte ndodhur, ku ishte gjakosur ai?
Atë gjë, pra të vërtetën e gjakosjes së tij, unë e kam marrë vesh disa vjet më vonë, teksa vuaja dënimin në burgun e Qafë Barit, ku shoku dhe bashkëvuajtësi im Ilir Malaj (po nga Kopliku, që e kisha njohur në Laç, për të cilin Skënder Ç. më tha: E ka hëngër të s’ëmës, është në burg), më tregoi se Skënderin e kishte goditur e ëma me një gjë të fortë, dru apo nuk dihet se çfarë, duke i thënë: “Mos mor bir, ç’na bane, e preve në besë mikun në bukë në shtëpinë tonë. Ai na hëngri bukën, ti e spiunove, na le marren në derë, ku, ku…” Siç më tregonte Iliri, nëna e Skënderit ishte vërtet një grua burrneshë, që zbatonte pikë për pikë traditën dhe veset më të mira të malësorëve të atyre anëve.
Po gjë tjetër, çfarë mësuat për Skënderin nga Iliri?
Iliri më tregoi gjithashtu se për atë gjë që më kishte bërë mua, pra spiunimin dhe dorëzimin te policia duke më akuzuar se doja të arratisesha dhe për atë gjë i kisha kërkuar ndihmë atij, ai u dekorua nga Kuvendi Popullor në atë kohë me një medalje të lartë, me motivacionin: “Për vigjilencë të lartë dhe ruajtjen e paprekur të kufijve shtetërorë nga armiqtë e popullit dhe të Partisë”. Kështu kujtoj se pak a shumë ishte dekorata që thuhej se iu dha atij.


Pasi iu hipën në “GAZ”-in e Degës së Brendshme të Shkodrës, ku ju çuan?
Pas rreth 30 minutash që më lanë në “Gaz”, me popullin që bërtiste dhe shfrynte ndaj meje, me kazma, lopata dhe sfurqe, duke kërkuar dënimin tim me vdekje, më dërguan menjëherë në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku kujtoj se mbërritëm aty rreth orës 19:30 dhe ata më futën në një nga qelitë e katit të parë, biruca 19 në fund të korridorit. Ajo birucë, si duket ishte për të pabindurit, që i torturonin në mënyrë shtazarake, dhe jo më kot ishte biruca e fundit, në mënyrë që ulërimat e atyre që torturoheshin të dëgjoheshin sa më pak nga të arrestuarit apo të izoluarit që gjendeshin në ato qeli. Aty më mbajtën plot tre ditë e tre net, që nuk i harroj kollaj, pasi kanë qenë tre ditë e tre net nën tortura çnjerëzore, njësoj e në mos më shumë si ato të Bajzës.
A ju morën në pyetje fillimisht dhe çfarë ju thoshin?
Hetuesit dhe policët që më qëllonin me shkop gome, më pyesin dhe më kërkonin që të tregoja gjithçka nga plani im i arratisjes dhe se me kë tjetër e kisha bërë atë gjë, pra kush ishin bashkëpunëtorët e mi. Unë mohoja çdo gjë, duke i mbetur versionit të parë që kisha thënë në Bajzë. Pra, që kisha shkuar në Koplik për te familja e vajzës së tezes sime, që ishte mbytur aksidentalisht në lumin Kir, pasi kishte rënë kamioni me 35 persona, të gjithë të vdekur. Dhe kjo ngjarje ishte mjaft e njohur dhe dihej prej të gjithëve. Nisur nga ky fakt, unë e kisha ndarë mendjen që jo vetëm nuk do tregoja asnjë shok, gjë që nuk ekzistonte, pasi siç ju thashë që në fillim e kisha bërë vetëm planin e arratisjes, dhe për atë gjë nuk kishte asnjeri dijeni përveç Skënder Ç. Dhe po kështu, as bëhej fjalë që të pranoja se do të arratisesha. Nga shoku im Bert Maluka, që jeta e vështirë e kishte bërë të njihte mirë ligjet dhe nenet e Kodit Penal të asaj kohe, mbaja mend që më thoshte se me një dëshmitar nuk të dënojnë dot. Dhe kjo gjë më jepte forcë që të duroja torturat, pasi përveç Skënder Ç., askush tjetër nuk kishte dëshmuar për mua, pasi nuk po më sillnin njeri në ballafaqim, siç ishin rregullat dhe veprohej me të arrestuarit gjatë hetuesisë. Dhe kështu ndodhi vërtet. Nuk mjaftoi dëshmia e Skënder Ç. për dënimin tim.
Para se të flasim për atë gjë, a i kujtoni ata që ju torturuan, apo më saktë, a i njohët atëherë apo dhe më vonë se kush ishin ata?
Po, patjetër! Tre-katër hetues policë më kanë torturuar në mënyrë barbare, duke më goditur në trup e në kokë me shkop gome saqë nuk kishte vend që nuk më ishte nxirë dhe ënjtur, saqë shpeshherë më binte të fikët. Por një nga ata që më godiste dhe më torturonte më shumë, ishte përgjegjësi i birucave, një polic me emrin Baki. Mbiemrin nuk ia mbaj mend dhe as jam interesuar kurrë për atë gjë. Bakiu më tërhiqte zvarrë korridoreve, ku hera-herës më hidhte ujë të ftohtë në trup e kokë që unë të përmendesha.
Sa kohë vazhdoi ajo gjë, pra keqtrajtimi dhe torturat ndaj teje?
Kjo gjë vazhdoi për tre ditë e tre net me radhë, dhe mbas tre ditësh, diku nga ora 5 e mëngjesit më zgjoi polic Bakiu duke më thënë që të vishesha. Ndërsa ai po më fliste, unë nuk iu besoja veshëve për çfarë po më thoshte dhe u gëzova pa masë kur pashë dy oficerë të repartit tim të Tankeve të Laçit, Ferik Lushnjarin (komandant kompanie) me një nënoficer, që kishin ardhur për të më marrë në dorëzim. Ndërkaq, Bakiu, që e pikasi gëzimin tim nga shprehja e fytyrës, m’u drejtua duke më thënë: “Gëzohu, gëzohu, por ta dish se nga plumbat tanë ke për ta gjetur vdekjen”.
Çfarë i thatë ju?
Asgjë, as që më shkoi ndërmend që t’i thosha ndonjë fjalë. Mbylla gojën, ndonëse ato fjalë nuk ia harrova kurrë dhe më kanë shoqëruar për vite me radhë edhe kur isha nëpër burgje, si në qelitë e hetuesisë, apo ato të Qafës së Barit. Ndërkaq, komandant Feriku me nënoficerin që e shoqëronte, pasi firmosën disa shkresa më morën në dorëzim dhe dolëm që andej. Ishte e pabesueshme për mua, por kisha dhe një bindje që mund të lirohesha, pasi nuk kisha pranuar asgjë dhe Skënder Ç. ishte dëshmitari i vetëm e nuk mund të më dënonin vetëm me një dëshmitar.


Pra ju liruan?
Po, dhe lirimi u bë për mungesë provash, se siç ju thashë nuk mund të më dënonin vetëm me një dëshmitar. Kështu, atë mëngjes të datës 27 nëntor të vitit 1985, i shoqëruar nga Ferik Lushnjari dhe nënoficeri që ishte me të, të tre dolëm në Shkodër dhe shkuam te stacioni i Trenit për të udhëtuar për në Laç, ku mbërritëm në të zbardhur të ditës.
Po në Laç, ç’ndodhi me ju, ku ju çuan?
Më dërguan drejt e në repart te Tanket, te zyra e komisarit të repartit (Budjon Arapi), i cili në praninë edhe të babait tim (Lazërit), që e kishin thirrur vetë, dhe të komandant Ferikut e nënoficerit, më bëri rreth dy orë propagandë, që unë të pranoja se doja të arratisesha. Pra një hetuesi e dytë. Ai me lloj-lloj mënyrash tentoi që të më mashtronte që unë të pranoja sikur isha i gënjyer, e lloj-lloj intrigash e makinacionesh të tjera. Saqë vite më vonë, kur e kujtoja me babën atë gjë, Lazri më thoshte: “Në ato momente, u mata dy herë me të thënë që ta pranoje ato që të thoshte komisari, aq bukur fliste”.
Kishit pasur ndonjë përplasje me komisarin apo gjë tjetër që ai sillej ashtu me ju, pra kur ju kishte liruar hetuesia?
Jo, absolutisht asgjë! Por, siç mësova më vonë, qarkullonin zëra në repart, si tek oficerët ashtu edhe tek ushtarët, se komisar Budjonit i kishin arrestuar një xhaxha me një “grup armiqësor”, si “armik i popullit”, diku nga Elbasani, dhe ai siç duket, për të treguar “besnikëri ndaj partisë”, apo siç thuhej për të fituar pikë, sillej në atë mënyrë ndaj meje.
Ç’ndodhi më pas?
Asgjë, më liruan dhe më lanë të kryeja aty ato muaj që më kishin mbetur, duke më futur të punoja si hekurkthyes në një repart të vogël pune, në mënyrë që unë “të mos prishja ushtarët” e tjerë. Dhe nga aty u lirova më 10 qershor të vitit 1986, nga ku u ktheva pranë familjes shëndoshë e mirë.

Pjesa e parë/ Nikolin Pjetri rrëfeu si e tradhtoi
shoku kur donte të arratisej në Bajzë më 1985
53-vjeçari nga Laçi rrëfeu në pjesën 0parë të intervistës në “GSH”, se si shoku i tij Skënder Ç. e kishte tradhtuar duke e spiunuar në polici kur ai donte të arratisej në Jugosllavi në vitin 1985.
“…Unë me Skënderin mbeta vetëm dhe aty i thashë: ‘A e mban mend se ça të kam thënë dikur? Ja, erdhi koha’. Dhe ia shpjegova të gjitha se si donin të më arrestonin, pasi më kishte ardhur fletëthirrja për në gjyq në Tiranë, siç e mendoja unë dhe ishte në të vërtetë. Teksa më dëgjonte me vërejtje dhe mëdyshje, i thashë: ‘A më nxjerr dot matanë apo jo? Nëse nuk mundesh, më thuaj dhe nuk ka problem, unë kthehem mbrapsht dhe nuk e merr vesh asnjeri dhe ty nuk të hyn ferrë në këmbë, ti më njeh mua.'”
Si t’u përgjigj ai?
Skënderi më tha: ‘Mos e çaj kokën fare, të qes unë sot, por prit sa të shkoj të lajmëroj një shok që të dalë në punë në vendin tim, duke ndërruar turnet’. Kur e pyeta se ça punonte dhe ai më tha ‘roje në pulari’, u tremba për momentin, por nuk e dhashë veten, duke menduar se nuk më tradhton. Çantën që kisha me vete, Skënderi më tha ta linim te shtëpia e tij në mënyrë që të mos ngjallnim dyshime, dhe do ta merrnim kur të ktheheshim para se të niseshim ‘me ik’. Kështu, teksa po shkonim për te shkolla e mesme, ku sipas tij ishte shoku që do shkonte në punë në vend të tij, s’di pse m’u shtuan dyshimet më shumë, pasi rojet dihej që ishin të lidhur, të paktën me Policinë. Ikëm dhe nga gjimnazi, pasi tha se nuk e gjeti shokun, dhe rrugës në qendër të Bajzës, më tha: ‘Niko, më fal një minutë sa të blej një paketë cigare në dyqan’, dhe ma bëri me shenjë që unë ta prisja aty që të mos ngjallnim dyshime. Unë qëndrova aty, dhe pasi erdhi pas gati dhjetë minutash, u kujtova se ai nuk e ka pas pirë kurrë duhanin, përkundrazi, më thoshte mua që ta lija. Dhe menjëherë në mënyrë instiktive i thashë: ‘O Skënder, ku është Ilir Malaj?’ (për një shok tjetër që kishte punuar në Tensionin e Lartë në Laç), një djalë i shkëlqyer që e kisha njohur po në bilardo si Skënderin. Dhe ai m’u përgjigj: ‘Ohoo, Iliri e ka hëngër të s’ëmës, është në burg’. Pa mbaruar fjalën ai, gjë e cila më vrau shumë, drejt nesh po vinin një polic dhe dy civilë trupmëdhenj e të fuqishëm që e shoqëronin”.
(vijon në numrin e nesërm)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.