KULTURË

Çmontimi i Çadrës së Cirkut Kombëtar shtyhet për në shtator

09:30 - 14.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në rrezik 50 vite histori të një institucioni kombëtar, vijojnë negociatat
Artistët e Cirkut Kombëtar qenë bërë gati për protestë në mbrojtje të Çadrës së institucionit dje, por Përmbarimi përmes një marrëveshjeje të re u ka lënë tre muaj afat.
Vetëm pak ditë më parë, përpjekja e përmbaruesve për të çmontuar çadrën e një institucioni kombëtar si Cirku është cilësuar nga Ministrja e Kulturës si e papranueshme. Mirela Kumbaro u shpreh se kjo nuk është normale, për sa kohë që institucioni që ajo drejton është në proces ndërmjetësimi me bashkinë dhe të zotin e truallit. Një javë më pas është arritur një marrëveshje që nuk premton asgjë më shumë se sa shtyrja me tre muaj e afatit që Përmbarimi të ekzekutonte përfundimisht vendimin e gjykatës për çmontimin e çadrës së cirkut, pasi truallit i ka dalë pronari. Mes Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Përmbarimit dhe pronarit të truallit është negociuar për një afat qëndrimi deri në muajin shtator në këtë institucion. Zhvendosja e Çadrës së Cirkut të Tiranës shtyhet sërish, ndërsa është e disata herë që Përmbarimi ka kërkuar të mbyllë dyert e Cirkut Kombëtar. Në secilin rast, prej shkurtit të vitit 2015, artistët e dhe sindikata e tyre e kanë penguar ekzekutimin e këtij vendimi që rrezikon t’i lërë artistët pa institucionin e tyre. Prej 2015-ës, vijojnë edhe negociatat mes ministrisë, bashkisë dhe pronarit, por pa asgjë konkrete deri tani.
Rreziku për Cirkun Kombëtar vjen sepse pasi në fund të disa seancave gjyqësore, pronari që ka blerë truallin ka fituar të drejtën për të zhvendosur çadrën e cirkut në Tiranë. Zyra e Përmbarimit pritet prej dy vitesh të ekzekutojë vendimin për çmontimin e saj edhe pse artistët e cirkut e konsiderojnë të padrejtë një vendim të tillë.
“Vendimi im gjyqësor është kthimi i truallit prej 409 metrash katrorë. Nga ana e Zyrës Përmbarimore janë fituar të tri shkallët e gjyqësorit. Jemi në fazën që kemi disa muaj që tentojmë me tolerancë ligjore për të bërë të mundur që punonjësit e Cirkut të lirojnë vullnetarisht, por kjo gjë është bërë e pamundur. Jemi detyruar të vijmë sot në ditën që duhet të zbatohet ky vendim gjyqësor me forcë”, ka thënë Enirjeta Zisi, përmbaruese gjyqësore, një javë më parë.
Cirku Shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, klounët e xhongleristikë. Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik”. Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar. Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur dhe brohoritur fuqishëm nga shikuesit e shumtë. Në këtë rrugë të gjatë të rritjes, me vështirësi dhe suksese, artistët dhe drejtuesit e cirkut, këta njerëz që patën kurajën të kultivonin këtë gjini specifike, bënë të mundur që vendi ynë i vogël të kishte një vlerë të veçantë kombëtare artistike e kulturore. Duhet theksuar se në shtetet përqark nesh ky art është fare pak i zhvilluar. Ky është një tregues i shpirtit krijues, talentit dhe kurajës së popullit tonë, që di të zhvillojë, pasurojë dhe të ruajë vlerat dhe mundësitë që koha ofron.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.