KULTURË

Shkodra përtej pushtuesve dhe pushteteve

09:35 - 14.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Dom Artur JAKU




Shekujt e kanë përkulur po aq herë sa është ringritur, kryeneçe e kryengritëse, kundër pushtuesve e pushteteve, duke iu kundërvënë të keqes, herë me kulturë e herë me armë, si e ka dashtë çasti.
Në jo pak raste, prelatët e kleri kanë ditë me qenë udhëheqës në Shkodër, ku bashkë me qytetin ka jetuar gjithëhere edhe nocioni i Europës, i bartun me vetëdijen se mes Orientit e Oksidentit, ky i fundit ishte destinacioni jonë, ma fort se destini (fati) jonë. Europë do më thanë se si qëndron për të drejtat e tua, e në këtë kuptim, Europa ka qenë me ne shumë gjatë, se Shkodra ka ditë me qëndru.
Historia na ka dhënë mjaftueshëm leksione se nuk mjafton me fitue luftën apo lirinë. Edhe paqja asht luftë- luftë mos me e humbë atë. E liria, kushton shtrenjtë, shumë ma shtrenjtë se skllavëria, ose sic thoshte Dom Simon Jubani në librin Burgjet e mia “Liria, që besuem se ishte fitue, filloi me u tallë me vetveten”. Nji shikim i shpejtë i historisë na ban me ditë se Shkodra e ka paguar atë çmim.  Vetëm në 100 vitet e fundit, prej kryengritjes së Malësorëve, të parës kryengritje antikomuniste në Postribë, ngrejtja krye e vazhdueshme nën regjim, deri në kremtimin e meshës e parë nga Dom Simon Jubani 4 nëntor 1990 dhe protestës së 2 prillit 1991, Shkodra ka qenë përherë në luftë me ‘pushtetet’ e ‘pushtuesit’, por edhe sunduesit, u ka bërë ballë osmanëve, malazezëve, austro-hungarezëve e komunistëve, e paepun, e pathyeshme.
Kjo vetëdije e naltë lirie, kjo vetëdije e të mosvarmit e të moslejuemit me e fye e me e thye, ka ardh jo rastësisht, as gabimisht.
Vetëdija vjen prej dijes. Njëherit me luftën ky qytet ka zhvilluar edhe përshpirtërinë, artet – fotografia, filmi, piktura, librat kanë qenë jeta paralele që frymonte dhe në nënvetëdije edhe frymëzonte nevojën  për liri. Shkodra ka qenë gjithëheri një qytet amphibios me dy jetë: mes kulturës e ‘revolucionit’. Është thënë se revolucioni nuk bëhet me livando, e unë do të shtoja se nuk bëhet as me padije. Vendi ku u formuan bandat e para muzikore, ku u shfaqën për herë të parë filma, prej nga doli Mona Liza shqiptare e Idromenos, ku u formua shoqëria Bashkimi që na dha alafabetin shqip, vendi që mblidhte elitën kulturore të nji shteti, nuk mund të ishte veçse pararendës i mendimit të së ardhmes, largpamës e vizionar, që sot  nuk mund të lihet as vendnumëro. Shkodra është më shumë se një individ apo një sistem, është një trashigimi. Ndaj dom Lazer Shantoja në revistën “Ora e maleve” shkruante “mos e dënoni Shkodrën sepse Shkodra do të rrnojë”.
Nëse biem dakord parimisht se nuk ka pushtet pa dije, atëherë do të biem dakord se dija edhe e limiton pushtetin, duke e kundërshtuar, duke u revoltuar, duke e sfiduar dhe duke i dhënë alternativë, çka nuk mundet kurrësesi të ndodhë në injorancë.
Ne sot u përulemi etërve të kishës shqiptare, jo vetëm pse dhanë jetën për kishën, por sepse në të gjallë ia patën dorëzuar jetën, Zotit, kulturës e dijes. Ata spikatën veçse prej dijes që patën, e po prej asaj dijeje, ditën me ndjekë rrugën e duhur, dolën prej territ drejt dritës, mbase dhe prej se kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë.
Vetë Shën Pali thotë se ai predikoi ungjillin prej Jeruzalemit e gjer në Iliri. Prej mesazheve të tij, diçka kemi mësuar të gjithë, e disa prej nesh shumë më shumë, ndoshta Shkodra e ngjizi më së miri këtë mesazh.
Si Jeruzalemi për Izraelin- për historinë, kulturën e bashkëjetesën- Shkodra për Shqipninë asht zemra që duhet fituar, jo preja që duhet marrë. Shkodra ka ditur të mos jetë si konformisti i Moravias, duke qenë pararojë në luftën kundër pushteteve e pushtuesve, ndaj ma së paku nuk duhet me e fy, as me e shkelë me kambë, as me i ba kinse po e duam. Shkodra që kemi trashëguar duhet të rigjenerohet t’u u kujdesë për kujtesën e saj, vlerat e saj, kulturën e saj.
Ne na bie për barrë detyra e kujtesës thotë Primo Levi, e nisur prej tij, ne s’kemi bërë asgjë tjetër, veçse jemi përpjekur me kenë bij të denjë të kujtesës sonë, e nëse realiteti në të cilin jemi rritur e pjekur ka qenë realiteti i nevojës për liri, ne mjaft të ndjekim atë shembull, si biri që nuk mundet të bëhet ndryshe prej t’et. Kur anarkisti rus Mihal Bakunin thoshte se “të ngresh krye është prirje e natyrshme e jetës” dhe se “dinjiteti relativ i një qenieje të gjallë mund të matet me intensitetin e instinktit të saj të të ngriturit krye”, ajo që na bie për hise asht me pasë dinjitet e me i dhanë nji dorë nevojës së këtij qyteti për dinjitet e respekt.
Nëse demokracia është mendimi i shumicës, le ta ruajmë këtë veçanti pa e kthyer në diktaturë kartonash, siç do ta quante Papa Benedikti i XVI. Mbi të gjitha duhet me mbështetë elementin “pluri” kundër elementit “mono”, sepse është më bukur një kor se një zë i vetëm. Dhe Shkodra asht një ‘pluri’ që nuk mund të bëhet kurrë ‘mono’.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.