DOSSIER

Nikolin Pjetri nga Laçi flet për “GSH”: Si më denoncoi kunati im në Sigurim. Burri i motrës, dëshmitar kundër meje

10:00 - 15.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Dashnor KALOÇI




Edhe pse kanë kaluar plot 32 vjet nga ajo ngjarje e largët që shënjoi për keq jetën e tij, duke i hequr edhe atë pak liri që i ofronte ai regjim dhe duke e mbyllur për disa vjet në qelitë e hetuesisë apo galeritë e kampit famëkeq të Qafë-Barit, 53-vjeçari Nikolin Pjetri nga qyteti i Laçit thotë se nuk ka asnjë mllef për ata që ia shkaktuan gjithë ato vuajtje dhe torturat çnjerëzore që pësoi mbi trupin e tij në moshën fare të re. Për hakmarrje as që nuk bëhet fjalë. I ka falur të gjithë, madje që ditën e parë pas daljes nga burgu në vitin 1990, kur regjimi komunist i detyruar nga jashtë, filloi të hapte nga pak dyert e burgjeve, gjëja e parë që i kërkoi e ëma ishte besa e dhënë për të mos u hakmarrë ndaj askujt prej atyre që e futën në burg. Por, gjithsesi thotë se nuk ua harron kurrë ato që i kanë bërë, sidomos ndaj atyre që nuk e kishin për “detyrë funksionale” t’ia shkaktonin ato vuajtje, e aq më pak torturat, apo të tjerë që “tejkaluan ato që u jepte ligji”, ndërsa ata që “bënë detyrën” ndaj tij pa i “tejkaluar kompetencat”, pothuaj i ka harruar. Tashmë, falë ndryshimit të legjislacionit, ai ka në dorë dosjen e tij, ku janë të shkruara gjithçka. Lidhur me çka shkruhen e thuhen aty, si dhe me ngjarje të tjera të panjohura nga jeta e tij që nga historia e familjes, shokët e ngushtë me të cilët bënte planet e arratisjes, policët dhe hetuesit që e torturonin, apo dhe ata “shokë” që e tradhtuan, Nikolini i rrëfen për herë të parë publikisht për “Gazeta Shqiptare”. Në dy pjesët e para, Pjetri flet për arrestimin dhe lirimin e tij pasi nuk u gjetën prova dhe nuk pati më shumë se 1 dëshmitar. Në pjesën e tretë, ai flet për arrestimin e dytë, në vitin 1986.

(Vijon nga numri i djeshëm)

Çfarë bëtë pas kësaj, a hoqët dorë nga mendimi për t’u arratisur?
Jo vetëm që nuk hoqa, por e shtova më shumë bindjen time për t’u larguar me çdo mënyrë nga Shqipëria duke u arratisur. Kjo dhe për faktin se mu nxi jeta aty, sepse nuk më jepnin të drejtën për të punuar. Mora pesë autorizime për punë në ndërmarrje të ndryshme dhe të pesta nuk më pranuan, pasi siç mësoja nëpërmjet njerëzve dashamirës, ndërhynte Sigurimi i Shtetit që të mos më pranonin. Në një farë mënyre, ata ma nxitën më shumë dëshirën për t’u arratisur nga Shqipëria, por kjo gjë fatkeqësisht nuk u bë realitet, pasi mua më arrestuan më datën 27 nëntor 1986, ka qenë ditë e enjte. Pra, plot një vit më vonë nga tentativa e parë për t’u arratisur?
Si dhe ku ndodhi arrestimi juaj?
Në qytet, diku fare afër Policisë së Laçit, tek dyqani i Tamarës, siç i thoshin laçianët. Dy-tre oficerë të Sigurimit, civilë (që nuk dua t’ua përmend emrat, pasi kanë bërë detyrën), të shoqëruar edhe nga disa policë që rrinin disi më larg, m’u afruan dhe me shprehjen e njohur “në emër të popullit” më vunë hekurat.
Si reaguat ju në atë moment dhe a e ndjenit që do të arrestoheshit, pra a kishit vënë re se ndiqeshit?
Unë që në momentin e parë që m’u afruan, i shava me fjalët më të ndyra, mbarë e prapë, duke iu thënë se kisha marrë pesë autorizime pune dhe ata ndërhynin që të mos më pranonin në punë. Këtë gjë ma kishte thënë vetë në mirëbesim, një kryetar Këshilli Lagjeje (Jordan Tole), komunist, por shumë dashamirës i imi. Por ata nuk folën fare, vetëm vunë buzën në gaz dhe shikonin se si policët më shtrëngonin hekurat. Unë e ndjeja se ndiqesha edhe prej një fakti tjetër, prej një problemi familjar.


Çfarë konkretisht?
Kështu, Gjok N., burri i motrës sime nga Balldreni, kishte shkuar dhe kishte denoncuar për mua në Sigurim, duke shpifur e trilluar gjëra nga më të pabesueshmet. Sikur unë i kisha thënë atij se do të arratisesha me Bert Malukën e Flamur Kumen, se doja të merrja edhe motrën me vete, se kisha thënë kështu e ashtu për pushtetin popullor, se shoqërohesha me filanin e fistekun, etj., etj. Gjëra që nuk ishin fare të vërteta, pasi unë nuk mund t’i thosha Gjokës ato gjëra, pasi që në fillim kam pasur konflikte me të, se nuk kam dashur që ai të bëhej dhëndri ynë. Dhe dy-tri herë kisha shkuar e kisha marrë motrën në Balldre, pasi ai e keqtrajtonte. Herën e fundit që e morëm motrën në shtëpi në Laç, Gjoka erdhi së bashku me vëllezërit për ta marrë, unë ngula këmbë se ajo gjë nuk bëhej, duke u thënë që të largoheshin njëherë e mirë dhe të mos bënin gabim më që të vinin aty. Gjoka tha: “Ti mos fol se do të futesh në burg dhe me ty do të merret partia”. Unë ia shava partinë me fjalët më të ndyra dhe i thashë: “Edhe burgun do e provoj e çdo gjë tjetër, por motrën të gjallë nuk e sjell më tek ty”. Dhe kështu, ata u larguan pa e marrë motrën time me vete dhe që nga ajo ditë, Sigurimi i Shtetit nuk mu nda deri sa më vuri hekurat.
Ku ju çuan pasi ju arrestuan?
Më dërguan menjëherë në Degën e Punëve të Brendshme të Krujës prej nga varej Laçi administrativisht në atë kohë. Në hetuesinë e Krujës kisha hetues Seit Duron, (skraparlli më duket), një njeri që dukej i butë në pamje të parë, por që ishte shumë i dhunshëm. Ai që në fillim më komunikoi aktakuzën, duke më thënë se akuzohesha për tradhti të lartë ndaj atdheut, duke tentuar të arratisesha dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Unë nuk pranoja asgjë në mënyrë kategorike dhe nisur nga ky fakt, ai në fillim tentoi me të mirë, duke më thënë se në rast se do pranoja dhe do tregoja shokët, (donin të më bënin grup me Bert Malukën e Flamur Kumen) vetë Sigurimi do më çonte jashtë shtetit, duke më siguruar si jo më mirë. Unë vazhdova të mos pranoja asgjë. Dhe kështu ai filloi “zanatin” e tij ndaj meje. Më ka torturuar barbarisht duke më goditur vetë me shkop gome në çdo pjesë të trupit, njësoj si në Bajzë dhe Degën e Shkodrës, saqë hera-herës e humbja fillin dhe kujtoja se jam atje. Seiti më torturonte vetë natën, kurse ditën më rrihnin dy-tre policë, të cilët më thyen një kërci të qafës, duke më tërhequr zvarrë shkallëve e korridoreve, ku më hidhnin ujë të ftohtë për t’u përmendur nga ora 4 e mëngjesit, ku më varej koka për gjumë nga torturat e dhimbjet e tmerrshme. Seiti më thoshte: “Fol, se unë kam zbërthyer burra dhe grupe më të fortë se ty në Tiranë dhe Krujë. Ty nuk të kam problem fare, ndryshe e dorëzoj detyrën, por ta dish, ti armik i partisë se do lësh kockat këtu”. Po kështu edhe policët silleshin shumë keq me mua, pasi përveç torturave, më bënin dhe presion psikologjik, pasi nuk më thërrisnin kurë në emër, por: “Çohu, hajde këtu or armiku i partisë”.
A ju ballafaquan me njeri në hetuesi?
Po, gjatë hetuesisë më sollën në ballafaqim, tre- katër dëshmitarë: Skënder Ç., Gjok N. dhe dy të tjerë nga Laçi, që nuk dua t’i përmend me emër, pasi i kam falur që kur kam dalë nga burgu. (Njëri prej tyre më erdhi në shtëpi me familjen e tij dhe na tha se Sigurimi i kishte venë automatikun në gjoks për ta detyruar që të dilte dëshmitar ndaj meje). Të gjitha dëshmitë e tyre ua hodha poshtë, duke mos pranuar asgjë, pasi hetuesia insistonte që unë isha grup me Bert Malukën dhe Flamur Kumen. Nisur nga kjo, pas ballafaqimit, vazhduan përsëri torturat ndaj meje.


Sa kohë vazhduan torturat?
Torturat vazhduan deri ditën e fundit kur më nxorën në gjyq. Dhe aq shumë më kishin torturuar, saqë një ditë duke mos duruar më, u thashë se isha keq nga zëmra dhe vetë Dega e Brendshme solli një mjek kardiolog për të më vizituar, pasi kishin frikë se mos u ngelja në duar. Doktori quhej Bahri Ismailja, krutan më duket, një burrë zotni, i cili e mbushi kartelën mjekësore duke shkruar se isha shumë i sëmurë nga zëmra, pra ashtu siç isha ankuar unë. Para kësaj, babai im, Lazri ishte ankuar me letra lart në qeveri dhe tek udhëheqja, duke ju shkruar se “po më mbysnin djalin në tortura”, ngaqë pa rrobat e mija gjithë gjak kur ua jepte Dega e Brendshme për t’i larë, siç ishte rregulli. Nuk di se si u mbyll kjo punë atëherë, pasi mua nuk më tregonte njeri gjë, por nga dosja që kam marrë këto ditë, shikoj se i kishin marrë një deklaratë një shoku tim të qelisë që e sollën apostafat për atë punë, i cili deklaronte se gjaku në rrobat e mija kishte ardhur nga një dhëmballë. E kam falur edhe atë, pasi jam i sigurt që e kanë detyruar ta bënte atë deklaratë.
Kur dhe ku dolët në gjyq dhe kush ishin dëshmitarët?
Në gjyq dola më 13 mars 1987, fillimisht procesi gjyqësor filloi te reparti i Tankeve në Laç, por u mbyll shpejt punë minutash, pasi trupa gjyqësore e kryesuar nga Agim Ibrahimi e pa se kisha një mbështetje nga ushtarët që i sollën të organizuar aty dhe kështu thanë se procesi do vazhdojë në Tiranë me dyer të mbyllura. Në Tiranë më sollën si dëshmitarë të gjithë ata që më kishin sjellë në hetuesi, por unë përsëri nuk pranova gjë. Por si përfundim më dënuan me 6 vjet burg politik për tentativë arratisjeje dhe 4 për agjitacion e propagandë. Dhe nga bashkim nenesh, më lanë me 8 vjet burg politik. Baba ankimoi deri në Gjykatë të Lartë te Aranit Çela, i cili la në fuqi dënimin e Gjykatës Ushtarake. Pas gjyqit, në maj 1987 më dërguan në Qafë-Bari për të vuajtur dënimin, ku kam punuar në galeri në kushte çnjerëzore dhe nën fyerjet, goditjet dhe rrahjet që na bënin policët. Nga që kisha raport mjekësor nga zemra, nuk pranova të punoj në galeri dhe më prenë të drejtën e takimeve dhe letrave me familjen, saqë u detyrova dhe i kam shkruar nja pesë a gjashtë letra ankimuese Ramiz Alisë, por kurrë nuk morra përgjigje.
Po pse, edhe në Qafë-Bari keni pasur probleme të tilla si në hetuesi, me torturat?
Edhe në Qafë-Bari më kanë torturuar, si psh., Ludovik Cali, oficer burgu, i cili pas transferimit të Mond Cajës, u bë komandant kampi. Nikoll Uka, polic galerije, më ka goditur në kokë me llambën e karbitit që peshonte disa. Mond Caja jepte urdhra që të na godisnin policët në mënyrë shtazarake.
Me kë shoqëroheshit në burgun e Qafë-Barit, kush ishin disa nga shokët tuaj?
Unë rrija me Gaspër Gaspërin nga Grurzi i Kurbinit, një djalë që nuk kishte të dytë, ndonëse ishte gati dhjetë vjet më i madh se unë, më konsideronte shok të ngushtë. Shok të tjerë të ngushtë kam pasur edhe Ahmet Tufën nga Tirana, Alfred Dokun po nga Tirana (te Medreseja e kishte shtëpinë), pa harruar bashkëqytetarët e mi, Leonard Skabona dhe Shpëtim Marku, djem trima dhe besnikë, që nuk të linin kurrë në baltë.
A ka pasur në Qafë-Bari në ato vite aksidente me vdekje në punë, apo nga keqtrajtimi etj.?
Po, ka pasur, kujtoj një shokun tonë nga Talja e Lezhës, Ndue Tom Marku e quanin, (ishte i martuar dhe me dy fëmijë), i cili vdiq nga apandesiti, pasi me urdhër të Ludovik Calit e dërgonin me zor në punë në galeri dhe nuk e çonin për mjekim në Fushë-Arrëz. E çuan të shkretin vetëm ditët e fundit, ku dhe vdiq e më pas e sollën trupin e tij pa jetë gjoja për autopsi, por ajo gjë bëhej më shumë për të na terrorizuar ne.


Kur u liruat nga burgu?
Jam liruar më 18 qershor 1990 nga Tirana, ku më kishin dërguar për të më çuar në Burrel, pasi nuk pranoja të punoja. Por meqë ra neni i agjitacion propagandës dhe tradhtisë ndaj atdheut me tentativë arratisje, na liruan rreth 200 të burgosur atë ditë me mua. Unë nuk doja të lirohesha, pasi nuk pranoja amnisti, pasi nuk doja të më falin, por të më shpallnin të pafajshëm.
Pas kaq vitesh që jeni liruar nga burgu, a jeni ingranuar dhe a jeni dëmshpërblyer financiarisht dhe moralisht?
Të them të vërtetën, unë jam shumë i pakënaqur nga të gjitha qeveritë që na viti 1990 e deri tani. Nuk flas vetëm për vete, por për të gjithë shtresën tonë të ish-të burgosurve politikë, që nuk jemi shpërblyer të paktën moralisht, për të mos thënë nga ana ekonomike. Kjo na detyron që të largohemi nga Shqipëria, njësoj si në kohën e komunizmit, për të cilën dhe vuajtëm disa vjet burg.

INTERVISTA  / Pjesët e para/ Nikolin Pjetri rrëfeu si e tradhtoi
shoku kur donte të arratisej në Bajzë më 1985

53-vjeçari nga Laçi rrëfeu në pjesën e parë të intervistës në “GSH” se si shoku i tij, Skënder Ç. e kishte tradhtuar, duke e spiunuar në polici kur ai donte të arratisej në Jugosllavi në vitin 1985.
“…Unë me Skënderin mbeta vetëm dhe aty i thashë: A e mban mend se ç’a të kam thënë dikur…, ja erdhi koha?!”. Dhe ia shpjegova të gjitha se si donin të më arrestonin, pasi më kishte ardhur fletëthirrja për në gjyq në Tiranë, siç e mendoja unë dhe ishte në të vërtetë. Teksa më dëgjonte me vërejtje dhe mëdyshje, i thashë: “A më nxjerr dot matanë apo jo. Nëse nuk mundesh, më thuaj dhe nuk ka problem, unë kthehem mbrapsht dhe nuk e merr vesh asnjeri dhe ty nuk të hyn ferrë në këmbë, ti më njeh mua…”!.
Si t’u përgjigj ai?
Skënderi më tha: “Mos e çaj kokën fare, të qes unë sot, por prit sa të shkoj të lajmëroj një shok që të dalë në punë në vendin tim, duke ndërruar turnet”. Kur e pyeta se çfarë punonte dhe ai më tha roje në pulari, u tremba për momentin, por nuk e dhashë veten duke menduar se nuk më tradhton. Çantën që kisha me vete, Skënderi më tha ta linim tek shtëpia e tij në mënyrë që të mos ngjallnim dyshime dhe do ta merrnin kur të ktheheshim para se të niseshim “me ik”. Kështu, teksa po shkonim për tek shkolla e mesme, ku sipas tij ishte shoku që do shkonte në punë në vend të tij, s’di pse m’u shtuan dyshimet më shumë, pasi rojet dihej që ishin të lidhur, të paktën me policinë. Ikëm dhe nga gjimnazi, pasi tha se nuk e gjeti shokun dhe rrugës në qendër të Bajzës, më tha: “Niko, më fal një minutë sa të blej një paketë cigare në dyqan” dhe më bëri me shenjë që unë ta prisja aty që të mos ngjallnim dyshime. Unë qëndrova aty dhe pasi erdhi pas gati dhjetë minutash, u kujtova se ai nuk e ka pas pirë kurrë duhanin, përkundrazi, më thoshte mua që ta lija. Dhe menjëherë në mënyrë instiktive i thashë: “O Skënder, ku është Ilir Malaj”, (për një shok tjetër që kishte punuar në Tensionin e Lartë në Laç), një djalë i shkëlqyer, që e kisha njohur po në bilardo si Skënderin. Dhe ai m’u përgjigj: “Ohoo, Iliri e ka hëngër të s’ëmës, është në burg”! Pa mbaruar fjalën ai, gjë e cila më vrau shumë, drejt nesh po vinin një polic dhe dy civilë trupmëdhenj e të fuqishëm që e shoqëronin.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to nikolin Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. zoterinj pershendetje ne vecantij moshatarin kaloci
    kjo periudh aq e bukur dhe triste per ne qe kemi jetuar
    ne nje vend prei 15 mij banoresh industrial i uroi dashit qe ka shum per te shkruar te verteta sic shkruan
    shendet lumturi ne familie falemiderit

    Përgjigju ↓