OPINION

Pyetjet e një doktoranteje nga Kosova…

07:20 - 15.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Përparim KABO

 

Një doktorante në Kosovë i është futur një studimi për tranzicionin në Shqipëri, me fokus autoritarizmin. Për këtë qëllim m’u drejtua online me disa pyetje, zbërthimi i të cilave dhe përgjigjet e mundshme na bëjnë të gjithëve të reflektojmë më thellë, përtej asaj që duket e trumbetohet. Që shoqëria të gjejë hullitë e zhvillimit, analizat duhet të jenë të thella dhe përfundimet gjithë po aq. Është demokraci gjithçka rekalmohet? A është mbyllur tranzicioni, e nëse jo, ku jemi duke shkuar? Sa peng po na mban e shkuara dhe kur e si mund të shkëputemi prej saj? Ky është besoj shqetësimi ynë ndaj pyetjeve u dhashë këto përgjigje.

Pyetjeve të përgjithshme:

1-Në këndvështrimin tuaj si intelektual, njohës e studiues i tranzicionit shqiptar, si paraqitet klasa politike post-komuniste në Shqipëri, a ka ajo një profil demokratik?

Përgjigje….

Në gjykimin tim, nëse shoqëria është ende në tranzicion, kjo nënkupton që edhe institucionet nuk janë ende të definuara e të qëndrueshme, aq sa shpesh ata i nënshtrohen ribërjes si në aspektin strukturor po aq edhe në atë ligjor. Për më tepër që me ardhjen në pushtet, secila forcë politike ndryshon drejtuesit e institucioneve dhe përmbys kuadrin ligjor, që ka lënë paraardhësi. E gjithë kjo sjellje u faturohet atyre që në këto 27 vite janë të përfshirë në politikë si ligjbërës dhe si ligjvënës, atyre që drejtojnë institucionet dhe teknokratëve në përgjithësi, të cilët nuk arritën të krijonin një grupim më vete, por mbetën të ndarë në llogore partiake. Bazuar në këtë gjykim, më duhet të pohoj se nuk është identifikuar një klasë politike mirëfilli, e cila njeh, respekton dhe zhvillon pluralizmin kulturor politike, sillet miqësisht me atë që quhet “political cohabitation” dhe ndërtimin e një demokracie bazuar në ligj dhe që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut kurdoherë. Si i tillë, ky grupim është më shumë përjashtues dhe në raste skajore dhe konfliktual. Nëse demokracia në Shqipëri është e dobët, e jofunksionale, atëherë edhe klasa politike e tillë është, me një mentalitet demokratik jo të formuar. Boshllëku që mbetet është i mbushur me frymën autoritare, që është e trashëguar dhe me sjelljen prej oligarkësh dhe që ka të bëjë me futjen e tyre në treg për interesa jopublike, por krejt private. Nëse në një vend shumica e popullsisë është e varfër dhe shumica e politikanëve janë shumë të pasur, atëherë ky kontrast antropologjiko-ekonomik është argument kryefortë, që nuk mund të rrëzohet me retorikë dhe me propagandë.

Pyetje mbi natyrën e autoritarizmit shqiptar:

  1. Bazuar në studimet tuaja mbi arkeologjinë e antropologjisë, mund të na thoni a buron autoritarizmi shqiptar nga tradita dhe kultura shqiptare?
    2. Cilat janë pasojat kulturore të sistemit totalitar komunist në shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe në kulturën politike shqiptare në veçanti?
    3. A ka ‘prirje’ shoqëria shqiptare të ‘fuqizojë’ liderë autoritarë? Dhe a vazhdon edhe gjatë tranzicionit kjo?
    4. Kultura totalitare e manifestuar në kulturën politike postkomunise a e ka gjenezën vetëm në sistemin totalitar komunist që dominor Shqipërinë për 45 vite, apo kjo gjenezë shkon përtej saj (në vetë strukturën e organizimit të shoqërisë, fisit, familjes)?
    5. Bazuar në këndvështrimin tuaj sociologjik dhe antropologjik, a mund të përmendni disa nga tiparet e autoritarizmit shqiptar në tranzicion?

Përgjigjet…

1.1. Autaritarizmi në aspektin e arkeologjisë antropologjike lidhet me faktin historik se populli ynë historikisht ka jetuar ose nën regjime autoritare, ose nën peshën e vakumit shtetëror, rolin e të cilit e ka kryer e drejta zakonore. Gjithashtu, si edhe janë në një mendje shumica e studiuesve të shqiptarëve, duhet të pohojmë se faktologjia historike pohon në një vijimësi të gjatë se përpos vlerave shumë fisnike njerëzore, shqiptarët janë karakterizuar nga dy tipare jo pozitive, nga mosrespektimi i rregullit dhe paaftësia për vetëqeverisje. Nëse marrim si materie kohore 600 vitet e fundit dhe studiojmë shtresat… duhet të pranojmë se 500 vite janë të pushtimit turko-osman… sistemi ishte totalitar teokratik dhe ushtarak. Vendi ynë ishte pjesë e perandorisë osmane, por pjesë periferike dhe e prapambetur e kësaj perandorie. Mjafton të përmendim një shifër… Në 28 nëntor 1912, kur u shpall pavarësia, vendi ynë kishte vetëm 160 km rrugë me kalldrëm, pra kuptohet lehtë se në këto rrethana mungonte tërësisht jeta urbane, kusht i cili jep mundësi për ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme, shkëmbimeve në të gjitha fushat dhe mundësinë për qeverisje vendore si sistem përfaqësimi komunitar.
2.2 Pasojat kulturore të sistemit komunist në Shqipëri është pyetja juaj. Do të desha ta rindërtoja atë jo thjesht si mbetje kulturore, por se sa e pranishme është kjo kulturë komuniste aktualisht. Mendoj se është goxha e pranishme. Në aspektin antropologjik është kudo, sepse pas 25 vitesh mund të themi se kemi brezin e parë antropologjik të tranzicionit (nuk mund të themi brezin e demokracisë)… pjesa tjetër e popullsisë vjen nga e shkuara sipas formulës (3×25)+(2×25)…(v.o tre breza jetojnë bashkë dhe komunikojnë, ndryshimi fillon në brezin e katërt, por asgjë nuk humbet, nuk zhduket por regjistrohet si nënshtresë kulturore dhe mendësore. Le të shohim disa nga tiparet kulturore si mentalitet dhe si sjellje e trashëguar nga periudha e komunizmit.
• Vijon kultura e mbyllur, okulte dhe e organizimit në turmë dhe me prijës.
• Pak ose aspak ka zënë vend kultura e mendimit të lirë të hapur dhe alternativ.
• Njerëzit kanë ende drojë nga hapja dhe nuk ndërtojnë dhe menaxhojnë dot lirinë si filozofi, etikë dhe qasje individuale e globale.
• Ka mbetur e fortë kultura e prijësit, udhëheqësit legjendar, transformuesit të madh, atij që kupton fatet e kombit dhe inicion e udhëheq ndryshimin e madh. Nuk gjejnë pengesa, që edhe të krahasohen me Skënderbeun, por si të tillë modernë.
• Është ende e gjallë kultura e urrejtjes politike dhe klasore, por në sensin e kundërt, aq sa edhe pluralizmi politik është i tillë, që solli në skenën politike ringjalljen e partive politike të fillim-Luftës së Dytë Botërore. Prej vitesh vijon ndeshja mes tyre, duke përdorur edhe etiketimet politike dhe partiake, komunist, ballist, zogist…etj.
• Ruhet nga e shkuara dhe jo vetëm nga ajo komuniste, mendimi kolektivist dhe gjykimi denigrues i progresives, që trondit realitetin dhe që shtyn drejt ndryshimeve të thella.
• Ka recivida të spiunimit pas krahëve duke ndërtuar informacione të rreme dhe shpifje, dhe baltosje të njëri-tjetrit.
• Si aspekt pozitiv do të nënvizoja se kultura dhe edukata e rregullit dhe e zbatimit të ligjit, respektimit të shtetit dhe institucioneve është më e konsoliduar tek ata që kanë punuar në periudhën e komunizmit. Ky nuk është fenomen shqiptar. Teorikisht është e argumentuar se sistemet totalitare pavarësisht nga pasojat ekstreme që sjellin, formojnë një sjellje që nga frika shndërrohet në vetëdije. Si edhe shkruante Michel Foucault: “Frika është përgjigjja politike në të gjitha kohërat”.
3.3. Shqetësimi është mëse i drejtë. Fakti që drejtuesit e lartë të partive politike nuk e lëshojnë postin, madje kanë ndryshuar rregullat statuore që të mbeten në pushtet. Fakti që krerët e partive politike konkurrojnë brenda partive të tyre pa konkurrentë realë ose me kundërshtarë lolo të përpunuar, madje ka edhe raste që kur ka kandidatë realë, ata nëmen e stigmatizohen si armiq të partisë deri në largimin e tyre, fakti që çdo i pakënaqur në një parti politike ikën prej saj dhe ndërton partinë e tij. E gjitha kjo panoramë tregon se jeta demokratike e partive është e dobët dhe me tipare të pushteteve personale, që shpien tek sjelljet autoritariste dhe autokratike. Pranimi edhe nga shoqëria të personave të tillë, sidomos nga ajo pjesë e shoqërisë që është e rreshtuar në partitë politike dhe mbështetësit e tyre, flet qartazi se kjo sjellje ende nuk refuzohet. Ajo është e pranishme dhe për më tepër për atë votohet.
4.4. Është mëse e saktë që sjellja autoritariste është më e hershme se ajo që u instalua në shoqërinë dhe shtetin komunist. Ai sistem ideologjik vetëm se e veshi me frymën e patriotizmit dhe e udhëhoqi me principet e ideologjisë komuniste, bazuar te parimet e luftës së klasave, revolucionit botëror dhe me diktaturën e proletariatit. Edhe para komunizmit, kjo sjellje mbizotëronte. Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare u mungojnë një sistem, ai borgjez dhe demokratiko- borgjez. Mungon pra si iluminimi i plotë dhe sistemet institucionale dhe sociale që ndërtoi borgjezia dhe kapitalizmi. Iluminimi i Rilindjes sonë Kombëtare ushqeu vetëdijen për shtetin-komb në kushtet e rrezikut të asgjësimit e zhdukjes, por nuk u shndërrua në një platformë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ide të tilla programore i gjejmë në vendin tonë në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar, me atë që njihet si lëvizja e “neoshqiptarizmës” e që lidhet me emra të tillë si Branko Merxhani, Meh’di Frashëri, Tajar Zavalani, Vangjel Koça, Kris Maloki etj., etj. Rituali antropologjik mbeti dhe u transmetua brez pas brezi si botëkuptim spontan, si filozofi e sjelljes dhe si mendësi e përditshme. Pyetja që shtrohet është. A doli shoqëria shqiptare nga skema e antropologjisë feudale e strukturës “turma dhe prijësi”? Fatkeqësisht nuk mundi. Turma u quajt gjatë komunizmit “masat punonjës, populli ynë heroik, fshatarësia kooperativiste, gruaja e ditëve tona, rinia heroike, inteligjenca popullore” etj., etj., ndërsa prijësi u quajt “udhëheqësi legjendar i luftës, udhëheqësi i pagabueshëm, marksist-leninisti i madh” etj., etj.. Mungon pra institucioni bazë antropo-institucional …individi, që ka tri tipare:
a) Mendon me kokën e tij.
b) Shpreh atë që mendon lirshëm.
c) Nuk ka frikë ta mbrojë atë që mendon.

 

5.5 – Tipari më dallues i autoritarizmit në tranzicion është “personalizimi i institucioneve dhe autoritarizmi personal”… Sa vjen në një post, x apo y ministër, e para gjë që bën është ndryshimi ligjit funksional të dikasterit që ai drejton, vetëm e vetëm që të kontrollojë me kornizë ligjore gjithçka brenda institucionit të tij, emërimet, shkarkimet, fondet, prokurimet, lëvizjet paralele, largimet nga puna, etj. Në këtë mënyrë, institucioni merr fytyrën e tij, ndërsa filozofia e drejtimit është autoriteti tij personal. Institucioni mbyllet, fryma e bashkëpunimit është vetëm trysnia e urdhrit, njerëzit tremben dhe lëshojnë nga dinjiteti dhe profesionalizmi, thjesht se duan të mos humbin vendin e punës.
– Tipar tjetër dallues i autoritarizmit është marrja e kompetencave në sa më pak duar dhe instalimi urdhrit vertikal, që e sjell drejtimin në tipik të ekstremeve ideologjike të majta dhe të djathta.
– Krijimi i një klime mbytëse në shoqëri dhe në institucione, ku nuk ka liri shprehje, nuk ka mendim ndryshe, nuk ka alternativa, alternanca dhe kreativitet.
– Kapja e pushteteve të tjera prej ekzekutivit, në mënyrë të veçantë drejtësinë dhe pushtetin e medias dhe asfiksimi i parimit të “Checks and Balances”. Sistemi i kontrolleve dhe balancave është një aspekt shumë i rëndësishëm i Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë. Me kontrolle dhe balancime, secila prej tri degëve të qeverisjes mund të kufizojë kompetencat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, asnjë pushtet nuk bëhet shumë i fuqishëm në shpinë të tjetrit. Çdo pushtet “kontrollon” fuqinë e pushteteve të tjera për të siguruar që fuqia të jetë e balancuar mes tyre.
-Kapja e medias ose nga politika, ose nga tregu, i cili ky i fundit mbron interesat e tij private, ose kur operatorët e tij ndërtojnë grupe oligarkike me subjekte apo individë nga politika, shndërrohen në armën e njërës palë kundër palës tjetër.
-Kapja e uniteve të demokracisë përfaqësuese, këshilla bashkiake, parlament, apo forma të tjera nga grupe që kanë prioritet interesat private dhe jo interesin publik, çka shpie në vendimmarrje që rrëndojnë interesat publike.
-Në aspektin ekonomik është polarizimi i skajshëm ekonomik. Shndërrimi i një mase të madhe njerëzish, si njerëz në nevojë. Por si edhe Hannah Arendt mëtonte, “nevoja është parapolitike”. Që nga e Drejta Romake e më tej tek Shën Agustini e gjejmë të formuluar se “necessitas non habet leggem”, “nevoja nuk ka ligj, nuk i duhet ligji”. Një masë e tillë antropologjike që nuk është në gjendje të respektojë ligjin, shndërrohet nga pafuqia në masën njerëzore që përpunohet nga autoriteti. Kështu, demokracia përmes ligjit nuk funksionon dhe në këto rrethana ndërtohet klima dhe instrumentet që sendërtojnë sjelljen dhe mënyrën autoritariste të drejtimit në shoqëri dhe në shtet.

-Aspekt tjetër është kapja dhe kontrollimi i shoqërisë civile, përmes rekrutimeve dhe fondeve aq sa për fatkeqësi kombëtarë, në të shumtën e rasteve drejtuesit e OJF janë atje në krye prej më shumë se 20 vitesh. Bën përjashtim vetëm Rotary Club.

-Një sistem drejtësie i korruptuar, jo i besueshëm dhe korporativ nuk jep garanci për funksionimin e demokracisë përmes ligjit… çka në hyrje të viteve 1990 ishte detyra që shtroi Komisioni Venecias për vendet ish-komuniste, që u futën në periudhën e tranzicionit drejt demokracisë funksionale.

-Mungesa e demokracisë direkte referendare si një mënyrë dinamike e të shprehuri demokratik, që do të ndihmonte demokracinë përfaqësuese duke tejkaluar sjelljet ku janë përballë shumica dhe pakica dhe ku zgjidhja është vendimi që del nga votimi në këtë rast, ku zgjidhja rezulton si imponimi diferencave në vota. Vetëm kështu do të kemi mundësinë që vendimet të jenë në interesin publik të qytetarëve dhe shprehja e tyre me referendum do të shmangte vendimet autoritariste, që manipulohen nga njësitë apo pushtetet vendimmarrëse falë të drejtës që sipas tyre u njeh ligji.
P. Kabo 14 qershor 2017

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pasi e lexova shkrimin pashe se e kisha dhene mendimin tim edhe per tranzicionin e pafund ne Shqiperi ne g.sh.te artikullit te ministrit serb Ivica Daciq : A PO E KUSHTZON BE SERBINE ME PRANIMIN E KOSOVES
    Mendoje se problemi qendron te varshemerija e politikes Shqiptare nga ajo komuniste – jugosllave e cila per disa dekada krijoi nji mendesi , krijoi nji trend se zhvillimi dhe perparimi i Shqipërisë domosdoshmerishte duhet kaloj nga Beogradi . Nga kjo u krijua nji mendesi e quajtur titisto-enveriste e cila u ngulit ne kokat e shqiptareve edhe te pase ardhjes se demokracije ne Shqiperi me 1990 dhe qe vazhdon edhe sot.U krijua ne Shqiperi nji mendesi ku shqiptaret e Kosoves jane te gjithe kokederra dhe ku eshte nder per shqiptarin ta keshe serbin mik ( shtepije )
    Kjo mendesi titisto – enveriste e cila ne permbajtjen e saje ka kerkesen per nenshtrimin e shqiptareve ( se shqiptaret e Kosoves i kishte nenshtruar me tyten e pushkes ) per pasoje kishte edhe tranzicionin e sterzgjatur dhe pafund ne Shqiperi ne menyre qe Serbia te dilte me tezen se shqiptaret nuk jane dhe s kane qene te afte te krijojne dhe bejne shtet andaj Serbise duhej ti takonte me shume se gjysema e Shqipërisë , Deti Adriatik dhe Kosova nen shqetulken e saje sepse , Serbia edhepse shkaktoi luftera te pergjakeshme ne ish jugosllavi , pase dy-tri dekadash e mblodhi vehten dhe filloi te mekebet .Nga kjo mendesi e smure serbe vjene edhe deklarata e Vuciqit ne Samitin e Sarajeves pet krijimin e nji Jugosllavise te Re , te trete pa Kroacine dhe Sllovenine por , me Shqiperine e Kosoven brenda saje
    Tranzicioni i pafund ne Shqiperi Dhe sindromi ” i Shqipërisë ” qe e ka kapilarni Kosoven tashe e 18 vite ka per pasoje mendesine e ngulitur serbe ne kokat e politikeberesve shqiptar e cila mendesi as pase disa gjeneratash zor se mund te hiqet…!

    Përgjigju ↓
  2. Ky shkrim,vetem duhet pershendetur.Autori qe perdor vetem fjale qe kuptohen nga kushdo,dhe aspak ,uje,vleresohet,jo vetem per permbajtjen,por edhe per kulturen e pasur dhe guximin e tij,per t’i thene troc,te bardhes ,e bardhe dhe te zezes,e zeze.Pershendetje profesor Kabo!

    Përgjigju ↓