SPORT

Motivim i lartë për të kaluar Kairatin, Takaj: Lojtarëve u premtova 50 mijë euro!

10:13 - 17.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Premio 50 mijë euro në dispozicion të Skënderbeut nëse kalojnë me sukses takimin e radhës ndaj Kairat Almatit, që do të luhet të enjten, në orën 20:00, në stadiumin e Korçës. Kjo është shifra që presidenti Ardjan Takaj ka vendosur për lojtarët dhe stafin në rast kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Europës.

Në ndeshjen e parë, korçarët kanë arritur një barazim 1-1, që i favorizon për takimin e kthimit. Me një tjetër barazim, por këtë herë pa gola, Skënderbeu kalon në turin tjetër. Megjithatë, në Korçë janë të përqendruar te ndeshja e kthimit dhe motivimi është në shkallën maksimale në këtë moment për ekipin e trajnerit Ilir Daja.

Edhe pse e mohojnë që janë entuziazmuar kur kanë mësuar shortin për turin e tretë, pasi nëse kalojnë Kairatin do të luajnë me fituesin e çiftit Mllada Boleslav-Shamrok, korçarët duan që të frenojnë euforinë pas rezultatit në Kazakistan. Te Skënderbeu janë të bindur se kanë shumë arsye për të kaluar edhe këtë tur.

Së pari, për prestigj, por edhe për të sjellë të ardhura në klub, nisur nga fakti që sezoni i kaluar kishte shumë humbje për Skënderbeun, duke qenë se u pezullua me një vit mospjesëmarrje në Ligën e Kampioneve. Nëse bardhekuqtë kalojnë në turin e tretë, atëherë kanë të sigurt përfitimin e 675 mijë eurove si shpërblim që jep UEFA. Për këtë arsye, klubi dhe lojtarët e duan më shumë se kurrë këtë kualifikim.

KONFIRMIMI

Për të bërë akoma edhe më të madh motivimin për ndeshjen e kthimit, presidenti Ardjan Takaj u ka komunikuar premion lojtarëve pa u luajtur ende takimi. Lajmin e ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” vetë numri një i klubit, i cili di si t’i motivojë lojtarët e tij në prag të ndeshjeve të tilla delikate dhe për më tepër në Europë.

“Sigurisht që do të ketë premio në rast se ekipi kalon në turin tjetër. Në fakt, unë ua kam bërë të ditur edhe lojtarëve, do të jap 50 mijë euro shpërblim nëse do të kualifikohen pas përballjes së kthimit me Kairatin. Të presim të enjten çfarë do të ndodhë”, sqaroi Takaj për gazetën, duke zgjidhur kështu një herë e mirë dilemën për premio te Skënderbeu, teksa në ditët e fundit janë përfolur disa shifra të tjera, duke bërë që edhe interesimi i lojtarëve të ishte i madh./panorama sport/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.