EKONOMI

Raporti i BSH: Biznesi po ‘merr borxh’ jashtë sistemit bankar

09:11 - 17.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017 tregojnë se standardet e kredisë për bizneset mbeten pothuajse të pandryshuara nga tremujori i kaluar, ndërsa standardet e kredisë për individë janë lehtësuar. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, vërehet se sipas madhësisë së biznesit, standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha, kushtet kanë mbetur të pandryshuara. Për individët, këto standarde janë lehtësuar vetëm për kredinë konsumatore, ndërkohë që për kredinë për blerje banese kushtet mbeten të pandryshuara. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe e investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar.
Faktorët
Faktorët kryesorë që ndikuan në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve janë konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit të bankave. Po këta tregues – së bashku me mjaftueshmërinë e kapitalit të bankave – u perceptuan si faktorët që sollën lehtësimin e standardeve të kredisë edhe për individët. Faktorët që kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve vijojnë të mbeten kreditë me probleme, situata makroekonomike, si dhe problemet specifike të sektorit. Politika lehtësuese e bankave ndaj kredisë për biznese u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar, ndërsa shtrëngimi i kushteve për këtë kategori u krye nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral. Kushtet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë lehtësuar disi në përputhje edhe me pritjet e tremujorit të kaluar. Për ndërmarrjet e mëdha, ndryshe nga sa pritej, standardet e kredisë kanë mbetur të pandryshuara. Në tremujorin e tretë të vitit 2017 bankat presin që standardet e kreditimit të mbeten të pandryshuara, si në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë lehtësuar për kreditë për kapital qarkullues, ndërsa për kredinë për investime kanë mbetur të pandryshuara. Në tremujorin e ardhshëm pritet që standardet për të dy këto kategori të mos ndryshojnë. Faktorët me ndikimin kryesor në lehtësimin e standardeve të kredisë për biznese në tremujorin e dytë rezultuan të jenë konkurrenca në tregun bankar dhe niveli i likuiditetit në sistem. Ndërkohë, faktorët e tjerë si: problemet specifike të sektorëve ku vepron biznesi, kreditë me probleme, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike, si edhe mjaftueshmëria e kapitalit vijojnë të ndikojnë në kahun shtrëngues. Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar. Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues. Kërkesa për kredi ka mbetur pothuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2017, e ndikuar më shumë nga segmenti i ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që ndërmarrjet e vogla e të mesme kanë shfaqur rritje të kërkesës. Në tremujorin e dytë, bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë për kredi për kapital qarkullues, ndërkohë kërkesa për kredi për investime ka mbetur e pandryshuar. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur si nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe nga ndërmarrjet e mëdha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.