KULTURË

Vojsava Kastrioti, Artan Shkreli: Nëna e Skënderbeut nuk qe sllave, ishte nga Muzakajt

09:15 - 18.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Përkatësia etnike e nënës së Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, ka përfshirë në debat disa emra të njohur, që merren me studimet historike. Pas deklaratës së Mustafa Nanos, në kuadër të promovimit të librit “Sandwich – A është mirë me qenë shqiptar” se ajo ishte sllave, ka ardhur edhe reagimet. Artan Shkreli, arkitekt e studiues i historisë, sidomos i asaj të mesjetës, argumenton origjinën e saj të Muzakajt dhe të fisi ilir i Tribalëve.

Nga Artan SHKRELI

Përpiqen të argumentojnë, e s’ia gjej dot arsyen e arsyes, por nuk mbërrijnë të nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojnë deri aty sa në emër të neo-internacionalizmit ballkanik të deklarojnë se ishte serbe).
Jepen si argument emrat ortodoksë (jo etnikë: që mund t’i ketë kushdo serb, arbër, grek a bullgar) kundrejt atyre arbërorë (etnikë: si Ghin, Ghon, Deda, etj. që normal janë shumë të paktë) dhe luajnë pa kokëçarje me një marifet të tillë fëminor.
Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave, thjesht është i pari që e zë n’gojë si të bijën e princit të Tribalëve… kaq.
Më pas është Gjon Muzaka, i cili e përmend i pari me emër e mbiemër si Vojsava Tribalda e cila vinte nga një derë e fisme, por pa ndaluar në përkatësinë etnike të saj, sikurse edhe Barleti, pasi edhe për të nuk paraqiste ndonjë veçanti.
E ndërkaq, është po Muzaka që në “Kronikën” e tij, kur flet për Vrana Kontin, i cili kishte gjak Muzakajsh nga e ëma, e quan atë markez të Tribaldëve; të një gjindjeje pra minimalisht me përzierje të fortë arbërorësh.
E sikur kaq të mos mjaftonte, G. Von Hahn në “Studimet” e tij, në dijeni të shtesës gjenealogjike të Kostandin Muzakës, i mëshon faktit se Vojsava, bijë e fisnikut Monçini e zot i Pollogut është me gjak nga të Muzakajve – gjë që mbështetet edhe nga Babingeri.
Historitë dhe historianët e mëpasshëm, nën frymën e ndihmës që u jepeshin popujve sllavë për shkëputje nga Perandoria Osmane, ushqyen idetë pansllaviste, por pa filtrin e nevojshëm kritik, e ndofsha pa dashje, në kurriz të një populli që ende nuk e konsideronte kush, kur dihet se zotërinjtë sllavë u zhdukën si kripa në ujë nga territoret arbërore pas vdekjes së S. Dushanit. Në rrëmujën që pasoi, dinamika e Gropajve, Muzakajve, Aranitëve etj., në atë zonë është sot vështirësisht e ndjekshme, sikundër edhe ajo e vijimësisë aty të pushteteve të Brankoviçëve apo bujarëve bullgarë (fundi i shek. XIV).
Sa i takon Tribalëve, fisit të lashtë ilir, pa u futur në hollësirat e periudhës greko-romake, ata vijojnë në Mesjetë të përmenden nga Stefan Bizantini ende si “ilirë” (shek VI e.s.); dmth pak para vendosjes së sllavëve në territoret e Ballkanit jug-perëndimor.
Si në shek. VI të Stefanit, në atë të XIV të Monçinit dhe sot në shek. XXI tonin, çka mbetet, është fakti se Pollogu, banuar vijimisht nga arbërorët, e herë nga përzierje arbano-sllave, u ka lënë trashëgim shqiptarëve kujtimin e një gruaje të hirshme: dibranen Vojsava Tribalda-Kastriotin. Nëse këtë e mëtojnë edhe sllavët (bullgarë, serbë e boshnjakë), për shkak të mungesës së burimeve absolute mbi etnicitetin e saj, janë të lirë ta bëjnë e ta ribëjnë, por nuk besoj se u duhet ndihma jonë për këtë.
P.S. – sa i takon O. Schmidtit, dihet se ai nuk sjell asgjë origjinale, përveçse përsërit tezat e serbit B. Petrovski.
P.P.S. – në gravure, Vojsava shtatzënë me Gjergjin – nga J. Breu II, 1533, Gjermani.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk ka dokumente dhe prova bindese! Nje gje eshte e çuditeshme emri Vojsava, eshte emer serb! Asnjeri nuk mundohet ta spjegoje kete fakt!!

    Përgjigju ↓