OPINION

Heroi i vërtetë Benjamin Ferati

07:35 - 20.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Besnik BAKIU

 

Sot bëhen 7 ditë, nga dita kur i ndjeri Benjamin Ferati humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar dy vajza në bregdetin e Vlorës. Fatit të shkruar ndonjëherë nuk i shmangesh dot. Këtë them me vete kur kujtoj se fati i atij djali duket sikur ka qenë i pazgjidhshëm me Jugun e Shqipërisë, pasi dihet se domethënia e emrit “Benjamin” është “Djali nga Jugu”. Dhe ai do të mbetet përherë në kujtesë si djali që me trimërinë e tij na tregoi rëndësinë e diçkaje që shpesh e harrojmë dhe e shpërfillim: të qenit njerëzor.

Ai, sigurisht që nuk kishte se si t’i dinte këto, dhe as se ajo paradite e nxehtë korriku do të mblidhte orët e tij të fundit të jetës. Kjo gjë më bëri të mendoj se në vendin tonë, ku të gjithë duan ta braktisin dhe që shumë prej tyre po largohen, ka ende heronj të heshtur, heronj që nuk kërkojnë vëmendje mediatike, heronj të thjeshtë dhe të vërtetë.

Ai ndodhej me pushime në Vlorë, së bashku me të fejuarën e tij, kur nga deti dëgjoi thirrjet për ndihmë të dy vajzave, të cilat kishin humbur kontrollin për shkak të dallgëve të mëdha dhe rrymave të forta.

Djaloshi nga fshati Kamjan i Tetovës u nis drejt tyre pa marrë parasysh asgjë veç thirrjes për ndihmë të dy jetëve njerëzore.

Fillimisht ka nxjerrë në breg njërën prej tyre, Xhoanën, megjithëse edhe ajo e ndjera nuk mundi të mbijetojë, për shkak të ujit të shumtë që kishte gëlltitur. Më pas ka hyrë sërish në det për të shpëtuar Manuelën. Por ky dyluftim me detin rezultoi fatal, pasi e ka mposhtur djaloshin. As ai vetë këtë herë nuk ka mundur të kthehet në breg, pasi dallgët e mëdha e kanë përpirë.

E gjitha kjo histori rrëqethëse heroizmi kaloi pothuajse në heshtje(me përjashtim të M. Kikisë dhe F. Çakulit). Mediat tona, në pjesën dërrmuese të raportimit të tyre, e trajtuan si viktimën e radhës në det, si diçka me të cilën ne jemi mësuar tanimë. “U mbytën dy vajza dhe një djalë, që kishte hyrë t’i shpëtonte ato”. Kaq, vetëm kaq u tha. A thua kaq vlen një akt i kulluar heroizmi? Kaq vëmendje meritonte ai djalosh në lulen e moshës? Kaq vlerë paska tashmë për ne akti heroik i një njeriu të thjeshtë dhe pa bujë, që ndonëse i pamësuar me huqet e detit, nuk mëtoi të hidhej mes dallgësh? Cili ka qenë mendimi i fundit që mund t’i ketë shkuar nëpër mend: se edhe nëse mbytet ai vetë, gjëja që vazhdon të jetojë është humanizmi? Por a vlen ky moral për mediat tona, që i kushtuar atij vetëm një paragraf të thatë?

Shtypi e televizionet të bëjnë lavazh truri nga mëngjesi deri në darkë me emra “heronjsh” modernë, që staturën e tyre e kanë mbajnë në këmbë përmes batutave dhe legjendave qytetase. Rama, Basha, Meta, Berisha, Selami, Patozi… Më pas shtypi dhe televizionet janë të zënë me kronikat se ku dhe si po i kalojnë pushimet në Spanjë, Karaibe apo diku tjetër lloj-lloj “idhuj pa krena”, siç thotë Migjeni i madh, dhe se cili është kokteji trendi në Drimadhë.

Sigurisht që, për Benjaminin dhe për heroizmin e tij të heshtur nuk ka vend në këtë shtyp e në këto televizione pa moral human. Ai ishte veçse një njeri i thjeshtë, një njeri që nuk ka komentuar kurrë për “Big Brother”, një njeri që nuk shkruan marrëzira dhe broçkulla në blogje dhe në kronikat rozë. Ai nuk ishte as ndonjë nga ata që merren me çmitizime heronjsh. Arsyeja mbetet e thjeshtë: sepse Benjamini ishte vetë një hero.

Nekromedia e mbushur me kronikë të zezë nga mëngjesi në mbrëmje, nekromedia që rend të numërojë viktimat që humbin jetën në det apo në rrugët shqiptare, nuk gjen asnjë hapësirë për njerëz të tillë si Benjamini. Heshtin të gjithë, madje edhe shoqatat që kanë ngritur zërin deri edhe për të drejtat e kafshëve, por që nuk bëjnë asgjë kur në pyetje është humanizmi.

Edhe Presidenti i Republikës, që nuk la njeri pa dekoruar, madje edhe me titujt më të lartë “Nder i Kombit” apo “Mjeshtër i madh i Punës”, harroi të reagonte në këtë rast. Ishte rasti i tij ta mbyllte duke nderuar jo thjesht një njeri, një shqiptar nga Kamjani, por për të vënë një dekoratë në gjoks të humanizmit. Rastet vijnë vetëm një herë. Lum kush i kap.

Përcjellja e Benjaminit në fshatin Kamjan të Tetovës, ku dhe do të prehej në banesën e përjetshme, ishte “si një viktimë spitalore”, në një kohë kur duhej të shoqërohej si hero, më së paku deri në kufi dhe në shtëpinë e tij të mbuluar në mort.

Të vetmit që folën e kërkuan falje (O Zot, ku qëndron faji i tyre!!), ishin familjarët e dy vajzave që u mbytën. Sinqerisht, kjo falje shekspiriane, duhet të tronditë dikë nga moria e institucioneve përgjegjëse, që paguhen nga taksapaguesi shqiptar për të parandaluar këto ngjarje (aq sa mundet) për të reaguar. Minimalisht të dorëhiqej/shkarkohej të paktën ndonjë funksionar i rangut të tretë apo të katërt.

Çfarë po ngjet me ne? Ne, qe jemi rritur me lloj-lloj heronjsh, ca të vërtetë, ca të sajuar, ca të gjallë e ca të vdekur, ca të vrarë, ca të dashur, e plot të tjerë të dyshimtë, të përfolur e të përbaltur?

Mos vallë me ne eksperimenti i kultit të heronjve përgjatë komunizmit dhe tranzicionit postkomunist të stërgjatur e teproi aq shumë saqë na e zvordhi edhe vetë fjalën “hero”? Mos vallë bashkëjetesa e gjatë me heronj të rremë dhe pa nder na ka mbushur mendjen se ata, heronjtë e vërtetë, heronjtë që nuk bëjnë zhurmë nuk ekzistojnë? Apo e kemi pranuar si krejt normale që të jetojmë në një botë ku zbrazëtia dhe jo vlerat, tangërllëku e kapardisja dhe jo modestia, ku hajdutllëku dhe jo ndershmëria, ku arroganca dhe jo maturia, ku makutëria dhe jo të qenët i përkorë, ku dhuna dhe jo qetësia, na qenkan vlerat e vërteta?

Nëse kjo është e vërtetë (ulëritëse), sigurisht nuk ka vend as për Benjaminin.
Te ne vazhdon të sundojë mendësia e përdhunës dhe e tiranisë, e mashtruesve ndaj më të mirëve; vazhdon të sponsorizohet kultura e pushtetit të mediokërve dhe e paaftësisë; ku mburrja dhe vaniteti eklipsojnë çdo lloj drite modestie dhe vlere të vërtetë; ku u thuren këngë e u ngrihen monumente banditëve, mafiozëve dhe injorantëve; ku pendesa dhe ndjesa nuk njihen si vlera, por trajtohen si dobësi, ku sakrifikimi për ideale nuk çmohet e nuk nderohet, por përkundrazi, lartësohet (në fakt duke rrafshuar) aftësia për t’u shitur, për t’ua futur të tjerëve e për të dalë pa lagur nga çdo paturpësi; ku humanizmi përqeshet nga politikanët dhe nga shtetarët, siç përqeshej edhe dje nga ata që talleshin me njeriun e thjeshtë duke i thënë: “Ti, që s’vlen për asgjë, kurse ne vlejmë për punë të tjera të mëdha”. Këta janë heronjtë tuaj, o shqiptarë?!

Është koha, madje jemi të vonuar, që gjithsecili nga ne të reagojë, të bëjë diçka humane, edhe kur nuk ta vë veshin njeri apo nuk të hedh sytë ndokush, pasi siç thoshte dikur Edmund Burke, “E vetmja gjë e nevojshme për të bërë që e keqja të triumfojë është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”.

Benjamini nuk shkoi drejt vdekjes me dëshirë dhe as për t’u shpallur hero, por kur ajo i erdhi pranë, ajo nuk e frigoi. Benjamini nuk kishte kohë të mendonte as për të. Ai e sfidoi vdekjen. Ai “…është i vetmi hero i këtyre ditëve, që sakrifikoi jetën e tij të porsanisur, për jetë të tjera, që as nuk i njihte”.

Për këto arsye, i dashur Benjamin, ti do të kesh nderimin tonë dhe do të kujtohesh me mirënjohje deri në përjetësi, dhe jam i sigurt se tani, për veprën humane që kreve, do të jesh në parajsë “në anën e djathtë të Zotit”, siç është dhe kuptimi i dytë i emrit “Benjamin”.

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Faleminderit per shkrimin zoti Bakiu, Migjini ne nje situate te tille ka shkruar:
    0, si nuk kam një grusht të fortë
    t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
    ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
    n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

    Unë – lugat si hij’ e trazueme,
    trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
    endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
    dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

    Mali hesht. Edhe pse përditë
    mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
    kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
    Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

    Mali hesht – dhe në heshtje qesh.
    E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.
    Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
    Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

    0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
    Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
    Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
    E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

    Përgjigju ↓