KULTURË

Ilia Xhimitiku, fotografitë që mbetën nga studioja e mjeshtrit

09:10 - 21.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI
Portrete grash të mbuluara apo me veshje të hijshme, dëshmi e qëndrimeve të kohës, burra të përzishëm apo me veshje tradicionale, bujq, diku është nëna e ulur shkujdesur në krah të një palltoje të varur, kohë e zakone, dasma etj. Mbi to, me një vulë të thatë, e rrallë për kohën, shënohet “FOTO Xhimitiku. Berat, Albania”.
Autori i tyre, një riosh i apasionuar nga një familje tregtare, me flokë të dendur, të ndarë mënjanë, në pamje modern, në shije sqimatar, që nga tiparet anonte te biondët, që shfaqet me shikimin të tretur mënjanë, ose krejt i përqendruar në ‘Kodakun’ e tij. Ai fiksoi në imazhe, kujtesën e një qyteti (me arkaizmat e modernizmat, me objektet e sendet, me godinat e peizazhet, me portretet e rrugët), dhe mandej përgatiti një brez të ri ndjekësish për udhën e tij, edhe pas zjarrit, stuhisë, përmbytjes e shtetëzimit…
Ilia Xhimitiku, pati fotografuar ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe Beratit, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Ndërtimet në qytet, restaurimi i urës së Goricës, ngritjen e bustit të Babë Dudë Karbunarës, përmbytjet e Beratit, hyrjen e forcave partizane, formimin e Qeverisë Demokratike, deri edhe ndarjen e tapive a vizitën e Hrushovit etj. Sot, 110 vite nga lindja e tij (20 korrik 1907), Agron Polovina në një bisedë për “GSH” kujton çastet më të rëndësishme të jetës së mjeshtrit, që e pati nisur jetën përballë urës së famshme.
Në Beratin e 1925-ës, Ilia, një 18-vjeçar i rritur në Goricë, mori dhuratë një aparat fotografik nga i vëllai tregtar, Miltua. Leonidha Xhimitiku në fillim nuk e pati të lehtë ta lejonte të birin të linte tregtinë e të merrej me këtë punë. Pranoi pas shumë ndërhyrjesh.
Ilia Xhimitiku udhëtoi drejt Shkodrës 5 vite më vonë. U afrua me Palok Gurashin, prej të cilit mësoi mjeshtërinë e fotografimit, dhe të dhënat thonë se ra në kontakt edhe me Marubët.
“Më 1936-ën mori udhën drejt Italisë, me synim që të formohej si mjeshtër i fotografisë. Vizitoi Barin, Siçilinë, Napolin, Romën, Firencen, Milanon e Gjenovën, i shoqëruar atë kohë me Vangjel Avramin e Vangjel Veveckën”, – thotë Agron Polovina, ish-drejtor i galerisë së qytetit e tani drejtor i muzeut “Onufri”.
Prej andej, mori materialet e ‘zanatçiut’ nga aparatet më moderne të kohës, te stampatriçja, solucionet, letra, vula e thatë- për të cilën Polovina thotë se qe e vetmja në llojin e saj.
Në kthimin e tij nga Italia, iu kushtua fiksimit të imazheve e ngjarjeve nga qyteti.
“Në fotografitë e pakta të trashëguara ndihet qëndrimi krijues i një artisti. Ndeshen figura bashkëqytetarësh apo miq dhe familjarë të tij, pamje tepër interesante të qytetit, ceremoni të ndryshme fetare apo familjare, njerëz me veshje tradicionale, momente argëtimi në rrethina, dyqane dhe tregtarë, jeta e bujqve në fshatra. Veçanërisht interesante janë portretet e tij me një dritë të zgjedhur e dramatike përpara një sfondi të errët. Ata janë plot dinjitet e qetësi të brendshme”, – thotë Polovina.
Ndërsa Qerim Vrioni, ka shkruar se me hapjen e dyqanit të fotografisë (1929), Xhimitiku nis punën me plotësimin e kërkesave të komunitetit, për foto familjare, dokumentare dhe kujtimore. Studioja e tij ishte pranë hotel “Colombo”, për shumë vite kryesori i qytetit, i prishur në vitet ‘70, kësisoj Lilo punonte fare afër lumit Osum. Ndërkohë ai fotografon edhe ngjarje shoqërore, fetare e politike të qytetit si dhe fenomene të natyrës, pra foto të paporositura nga dikush. “Në këto futen edhe pamjet më mbresëlënëse dhe karakteristike të qytetit, të cilat e tërhiqnin fotografin, si Kalaja, lagjja ‘Mangalem’, Ura dhe lagjja e Goricës, Osumi etj. Një pjesë nga fotot e këtyre të fundit u shtypën edhe si kartolina postare. Aparati që fotografonte më së shumti Xhimitiku ishte një “Kodak” amerikan me filma 6X9, të cilët i lante dhe stamponte në studion e tij buzë Osumit. Ai përdorte mbi fotografitë e tij kryesisht dy vula, njëra e thatë (me reliev), që e vendoste në anën e djathtë të pjesës së përparme të fotos (Foto Xhimitiku-Berat (Albania), tjetra e njomë (Ilia Xhimitiku. Fotograf-Berat), me ngjyrë mellani, që përgjithësisht vihej në anën e pasme të fotografisë. Të dyja vulat ishin në formë vezake, e thuajse të barabarta në madhësi. Ato i shohim sot në mjaft fotografi të familjeve të vjetra qytetare si dokument autorësie të fotokronikanit të njohur Ilia Xhimitiku”, – shkruan Vrioni.

HUMBJA E NJË FONDI TË RRALLË, NJË ZJARR, NJË STUHI E NJË PËRMBYTJE
Një thesar e tri fatkeqësi. Polovina vëren se fondi i Lilos, kështu e thërrisnin në Berat Ilian, ishte i jashtëzakonshëm. “Lilo Xhimitiku fiksoi ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë e Beratit. Kanë qenë me qindra filma e fotografi origjinale. Fatkeqësisht ato u ripërdoren pa autorësi, apo me autorësi të rreme, dhe shumë prej tyre të retushuara. Por fondi i fotografive të trashëguara prej tij është shumë i kufizuar për arsye se arkiva në 13 shtator 1944 u dogj së bashku me shtëpinë në lagjen ‘Goricë’, ndërsa në shkurt 1954 studioja shkatërrohet nga një stuhi dhe në vitin 1962 vërshimet e lumit përmbytin arkivin dhe studion, duke u shkatërruar përfundimisht pjesa më cilësore e punës”, – thotë Polovoina. Humbën imazhe dhjetëravjeçare, arkivi i filmit dhe fotografive, aparatet dhe makinat e stampimit, pa përmendur letrat dhe materialet e tjera.
Pas këtyre, duhet përmendur edhe sekuestrimi, shtetëzimi dhe zhdukja e shumë dëshmive nga frika e persekutimit. “Mund të imagjinohet, – shton Agron Polovina, – se cilat qenë realisht kontributi i Lilo Xhimitikut dhe përmasat e tij kombëtare”.
Ai kujdeset të vërë në dukje në këtë 110-vjetor, se kontributi i Lilo Xhimitikut ishte i madh jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë të organizimit dhe ngritjes në vitin 1949 të sektorit të fotografëve në Kooperativën e Artizanatit, inventari i së cilës u krijua prej pajisjeve të studios së tij private të cilat u shtetëzuan. “Liloja në sektorin e fotografisë punoi me Lici Papën, Ilia Koçin, Aristidh Dodin etj. Në këto vite ai ndihmoi në ngritjen e sektorëve të fotografëve në Përmet, Skrapar, Fier, Lushnjë dhe Gramsh, duke ua dhënë të tjerëve pa kursim përvojën e tij të gjatë”.
Xhimitiku në vitet 1956-1957 mori nismën e ngritjes së grupit të fotografëve të vegjël në Shtëpinë e Pionierit, ku do të ishin trashëgimtarët e mjeshtërisë së fotografisë, një brez i tërë fotografësh që bënë emër në Berat e jashtë tij. Doli në pension në vitin 1967 dhe u nda nga jeta në shtëpinë e tij në ‘Goricë’ në vitin 1977. “Fondi i fotografive të trashëguara nga familja Xhimitiku, duke qenë një argument i rëndësishëm dokumentar dhe historik, është vënë me dashamirësi në shërbim të të gjithë të interesuarve, duke u bërë një dëshmi me vlerë për kulturën e historinë”, – pohon Polovina.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.