KULTURË

Malli i Martin Camajt: Për dashurinë, për një libër e mue t’harruem

09:16 - 22.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

“Liria e fshehun ndër vargje të poezisë, nuk ishte vetëm: para tyne rrishin galuc roje, shpend mishngranës/ me fytyrë njerëzore. E ti ishe për ta nji bletë, tue u rropatë ka drita në qelq, andej kufijve të botës njerëzore”. Këto vargje, Martin Camaj i titullon “Vrasja e poetit”, pse ndryshe nuk mund të ish’- liria e fshehun në vargje nuk ishte vetëm- ajo kontrollohej nga shpend mishngranës, shkruan poeti duke nënkuptuar me këta shpend “vrasjen” e poetit, të vargur e të lirisë, që të çojnë matana kufijve të botës njerëzore.
25 vjet prej ditës kur ai kaloi në botën tjetër, e 92 vjet prej ditës kur lindi, vargjet që la pas, mbi lirinë e fshehur e të tjera kumte kumbojnë në heshtjen tonë të përmortshme.
Pat lindur “në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm asht ky vend”, siç thoshte vetë.
Malësori i Temalit të Shllakut, me kohën kish fituar staturën e një dijetari europian ‘par exellance’, përtej poezisë e prozës, pas studimeve në Beograd, Romë e Mynih, profili i albanologut e filologut hedh rrënjë të forta.
Së pari, i ndaluar, mandej i pa kuptuar e i palexuar, Camaj, shkrimtari i lartësive, mbetet ende i pazbuluar, nëse merremi vesh se zbulimi nuk është veç të dish se është, por edhe të dish çfarë është. Duket, se fjalimet mbi ‘madhështinë e paarritshme’ nuk dalin përtej auditorëve të konferencave, ashtu si rrekjet për të shpërndarë vargun e tij më gjerë se aty.
I ndjerë i përjashtuar, në ekzilin e pafundmë ku mbylli sytë, peti i vetmuar, duket se i druhej kësaj harrese, sikur të përgatitej për të.
Te poezia “Malli” shkruan “Po të bie nji libër të harruem, të mendojsh për mue deri nesër, për mue të harruem./ Fletët ia njohin gishtat e mij,/ e vargjet e tij zemra e shqetësueme./ Në kët libër janë mbytun/ rrezet e syve të mij/ pa lanun gjurmë./ Merre këtë libër të harruem/ deri nesër e nata që na ndan/ të harrohet deri nesër/”.
Ai nuk e humbi kurrë lidhjen me vendin që pat lënë pas, në kërkim të lirisë që e vuri pas hekurash të reja. Shkruan: “Mjedjes- E randja e makthit të katundares të Nënshkodrës mbas vargjeve të duhanit herë hera ta ndjeva ndër vargje të dlirta në kohën e parë. Në kohën e parë më tërhoq vetmia e mbramjeve tua të qeta dhe në zemrën tande idhnake s’besova kur”.
MBI DASHURINË E TË TJERA
Nga botimi “Veprat poetike” Onufri, 2017, janë përmbledhur vargje që
Te poezia “Reliket e kohës” ne gjejmë edhe vargjet e dashurisë, e mallit, a qoftë të asaj nostalgjie që sqarohet edhe nga Milan Kundera, në të gjitha nuancat e gjuhët, që endet mes mallit, nevojës, dëshirës, kujtesës dhe kandjes deri në lot. E prej këtij botimi, janë shkëputur vargjet me të cilat e kujtojmë poetin në këtë përvjetor.
Camaj, e sheh dashurinë si pjesë të qenësishme të vetes, në këto vargje: “Dhe dashunoj ma tepër atë grue/ pse ende merr pranverën e jetës/ në atë trup të mbuluem me tesha/ të ashpra zhguni/ pse ajo asht nji rreth në vargonin/ e jetës seme që e due ta tanësishme”.
Për dashurinë, ai shkruan edhe te “Dashtuni e prendueme”- ku duke e parë fundin e saj, shpirti i poetit ndjen tashmë mallin e asaj cope të vetes, që e ka humbur, siç humb një ditë, me perëndimin: “E ndjeva n’fundin e shpirtit dhe ‘i herë/ si motit at za/ si mik që vjen me m’pa/ si barkë që kthen në lima…E ndjeva si lulet që mardhen/ erën në Jug/ a si flladin e Veriut kur vjen me luejtë/ me gjeth në terr/ dhe iku si drita e hyllit të rrxuem/ kur bjen në mal”.
Mandej, Camaj, ndërsa endej larg vendit të t’et, përshkruan që atë që mund të ishte, “Mbramja e gyrbetxhis”. Ai trishtim në ngjyra monokrome në të cilat shkruan, më shumë se sa varfërisë materiale, i drejtohen asaj vetmie të brendshme kur thote: “Sonte nga puna etpër vonë kam kthy/ në kaçorr, ku flej/ në kaçorrin e vetmuem, pa zot, në terr/ Sonte kam vrejtur hyjt me mall mbi kry…”
ISHULLI (Shqipëria?)
Është ndër poezitë më prekëse të Camajt që qe mbyllë në një “Ishull”, larg prej vendit gjuhën e të cilit fliste, e me kujtimet e të cilit ushqehej. Ishulli që ai la pas është i zymtë, i ngjan një burgu të madh, rrethuar me tela me gjemba, me ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë, ku nuk hyn e as nuk del dot- “Çdo hymje n’ishull u mbyll, spitali dyer hekuri u mbyll/ e çmendorja për qen, pranë” dhe vijon
“Banorët e idhullit enden, shkullueshëm, nëpër një ishull sa nji qeth buke në harte, para qenit të sëmunë, enden me vargonj qeni në dorë dhe era u vjen djersë qeni”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.