OPINION

Një grua për presidentin!

08:19 - 22.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Brizida GJIKONDI

 

Shqipëria është shteti që ka numrin më të madh të juristëve në raport me popullsinë e diplomuar, por për fat të keq po vërtetohet që ajo diplomë shërben më shumë për të garantuar thjesht një standard të ngushtë jetese, ose maksimumi një konkurrencë luksi material brenda llojit, por jo një pozicion dinjitoz profesional. Askush, asnjë. Jurist karriere ose jo, asnjë kostitucionalist, civilist, penalist, profesor, doktor shkencash juridike, gjyqtar, prokuror nuk po pipëtin këto kohë për shkeljen kushtetuese dhe ligjore që po ndodh në ditë me diell.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Kodi i Procedurave Administrative, Ligji nr.9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, Ligji nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 420, datë 8.6.2016 Për miratimin e Ceremonialit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, si dhe një sërë institucionesh kushtetuese ose jo, që hanë bukë për këtë qëllim, i ulërasin në fytyrë çdo shqiptari me dy gramë tru, pavarësisht në është jurist ose jo, se është duke u konsumuar një shkelje skandaloze kushtetuese ligjore në raport me zgjedhjen e presidentin të Republikës, ndërkohë që bashkëshortja e tij është kryetare e një partie politike.

Deklarimin e bashkëshortes së Presidentit të Republikës që nuk preferon të jetë pjesë e ceremonialit të fillimit të detyrës së presidentit dhe se nuk preferon të jetë zonjë e parë, personalisht e konsideroj skandaloz si në aspektin kushtetues, por edhe në aspektin e moralit kombëtar. Shteti shqiptar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 420, datë 8.6.2016 “Për miratimin e Ceremonialit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë” përcakton në nenin që ka të bëjë me Presidentin e Republikës sa më poshtë vijon:

“Bashkëshortja e presidentit gëzon titullin e zonjës së parë të vendit. Ajo është personalitet publik dhe gëzon një trajtim të veçantë. Bashkëshortes së presidentit, gjithkush i drejtohet ‘Zonja.. (vijon mbiemri)”.

Me këtë citim të këtij akti ligjor të publikuar edhe në Fletoren Zyrtare nr. 106, datë 14 qershor 2016 dua të tregoj që bashkëshortja e presidentit tashmë ka vetëm dy zgjedhje, ose të jetë bashkëshortja e presidentit, ose të jetë vetëm kryetarja e partisë që drejton, por kurrsesi të dyja dhe kurrsesi me klishe dhe pirueta, që minimalisht janë foshnjarake, maksimalisht poshtëruese për seriozitetin e shtetit shqiptar si në planin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar.

Kuptohet që me këtë deklarim të pamenduar të bashkëshortes së presidentit kërkohet të shmanget diçka që është e pashmangshme, konsumimi i konfliktit të interesit. Dihet që me Kushtetutën e Shqipërisë si akti më i lartë i këtij shteti sanksionohen qartë dy gjëra:

Neni 86: “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”.

Neni 89: “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”.

Presidenti i Republikës pavarësisht se është zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, është subjekt i cituar i ligjit Ligji nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe si i tillë, ai dhe bashkëshorti/ja, fëmijët në moshë madhore dhe prindërit e zyrtarit dhe të bashkëshortit/es kanë të ndaluar me ligj ushtrimin e veprimtarive pikërisht atëherë kur veprimtaria e familjarit përputhet ose pritet me sferën e juridiksionit të zyrtarit dhe të kompetencës së tij për të vepruar, me akte individuale apo normative të nxjerra nga ai, ose kur zyrtari ka rol thelbësor dhe përcaktues në nxjerrjen e këtyre akteve. Jo vetëm kaq, por me ligj përcaktohet se familjarët kanë të ndaluar me ligj edhe ushtrimin e veprimtarive private dhe angazhimin si drejtues në organizata fitimprurëse ose jofitimprurëse, por edhe në biznese private.

Unë nuk do të doja të bëja një analizë të detajuar ligjore dhe kushtetuese, pasi e para s’ka nevojë, se çdo gjë është më se e qartë, dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria si një shtet demokratik ka edhe një institucion të mirëpaguar që nga emri “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave”, që paguhet për të ndaluar pikërisht konsumimin e konfliktit të interesit. Mjafton të shkruash termin ‘konflikt interesi’ dhe do të hapen përpara sysh jo vetëm akte ligjore dhe nënligjore në zbatim të tij, por edhe institucione që paguhen nga shqiptarët që pikërisht ky krim i paralajmëruar të mos ndodhë. Dhe jo vetëm se konflikti i interesit është shprehja më djallëzore e korrupsionit, por edhe se pikërisht konflikti i interesit, aktet ligjore dhe administrative të nxjerra përgjatë konsumimit të tij, i shndërron ligjërish në akte nul. Shqipëria nuk ka luksin të vazhdojë të paraqitet si përpara shqiptarëve, por edhe përpara ndërkombëtarëve si një shtet ku korrupsioni dhe konflikti i interesit si paraqitja e tij më e pastër janë elitarë. Shqipëria nuk ka luksin që pazareve të bëra nga politika të vazhdojë t’i paguajë haraçin sikur nuk sheh, nuk dëgjon, nuk flet, dhe nuk respekton as ligjet dhe institucionet që vetë ka ligjëruar..

Mendoj që bashkëshortja e presidentit që të hyjë në kostumin kushtetues, dinjitoz dhe kombëtar të bashkëshortes së presidentit, së pari duhet të lërë mandatin partiak që ka, si në planin parlamentar, por edhe në planin politik, duke u pozicionuar qartë në ngritjen e një institucioni serioz kombëtar, siç është Presidenti i Republikës. Vazhdoj të insistoj që asnjë biznes, ose interes personal nuk duhet dhe nuk mund të dalë mbi Kushtetutën e shtetit shqiptar. Shpresoj që bashkëshortja e presidentit të hënën të zgjedhë të veshë një kostum zyrtar dhe jo një kostum plazhi.

 

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. ketu tek ne disa politikaneve ua ka marre era miellin! Ty te lumte Brizida qw rrezaton ne kete shkrim kulturen tende juridike duke analizuar me fakte ligjore. ketu mungon drejtesia, suguria, dhe lulezon korrupsioni, nepotizmi, varferia etj. Paturpwsia me e madhe eshte se nga nje familje ka dy familjare te postin e drejtorave te pergjithshem, ose babai drejtor i pergjithshem dhe e bija zv/ ministre. Grate e vagabondeve politike ( qw kane lene nja dy dhe kane marre gra te jera. Moral horrash), pra grate e tyre punojne neper banka, neper, institucione ku pagat i kane marramendese, ;horrat vete i kane makinat shume te shtrnjta sepse marrin rroga dhe benifice neper te ashtuquajturit Borde dhe keshilla Mbikqyres etj. Mjere ky popull dhe ky vend ne ç’kthetra hajdutesh, ka rene!

    Përgjigju ↓