OPINION

Për ju që votuat për Lulzim Bashën

07:35 - 23.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Astrit PATOZI

 

Jam shumë i sigurt se shumica prej jush janë demokratë dhe demokrate me kontribute, por edhe me histori sakrifice dhe përkushtimi në Partinë Demokratike. Kam vlerësimin maksimal për secilin prej jush dhe jam shumë i bindur, se sot keni bërë atë që keni ndjerë, në shërbim të rimëkëmbjes së forcës sonë politike, pas humbjes dërrmuese të 25 qershorit.

Fakti që unë dhe qindra mijëra të tjerë anëtarë të Partisë Demokratike vendosëm të mos bëhemi pjesë e asaj, që ne e konsiderojmë farsë e neveritshme elektorale, nuk ka të bëjë fare me ju dhe as me zgjedhjen tuaj të lirë për të votuar. Ne nuk e morëm atë vendim për t’u ndarë me ju, sepse kjo nuk ka për të ndodhur asnjëherë.

Kemi kaluar shumë të mira e të këqija bashkë dhe plot sfida të tjera na presin në të ardhmen. Madje e them me shumë përgjegjësi, që refuzimi i këtij procesi, nuk do të thotë as ndarje me vetë Lulzim Bashën, i cili, pa asnjë dyshim, është përgjegjësi kryesor, në mos i vetmi, për krizën e rëndë që po përjeton Partia Demokratike.

Vendimi ynë është refuzim ndaj një politike të vrazhdë imponimi, ndaj një mentaliteti stalinian, që po zë rrënjë tashmë në partinë tonë, sipas të cilit nuk ka rëndësi si votohet, por vetëm si numërohet. E them me dhimbje, por ne sot mund të krahasohemi vetëm me Korenë e Veriut, ku udhëheqësit i tolerohen dhe i falen të gjitha, madje edhe krimet. Sepse në partinë tonë po humbet gati në mënyrë të pariparueshme sensi i marrjes së përgjegjësisë. Si askund tjetër, në Europë, Ballkan, madje edhe në Shqipëri.

Me keqardhje konstatoj që me votën tuaj të sinqertë sot janë tallur mizorisht. Lulzim Basha kryesisht, por ndoshta edhe të tjerë. Natyrisht që ky nuk është edhe s’ka se si të jetë problemi juaj. Por ju duhet ta dini se sot halli i Lulzim Bashës nuk ka qenë se cili do të jetë fituesi, sepse ai është i paracaktuar.

Problemi i tij ka qenë pjesëmarrja, ndaj edhe gjë mbi këtë tokë nuk është lënë pa bërë që ajo të shkruhet sikur ka qenë e lartë. Që nga raportimet false të Komisionit, te votimet pa asnjë rregull, ku vijnë nga rruga dhe vetëm firmosin mbi emra, por pa treguar asnjë dokument, e deri te raportimet për hedhje votash në grup, dhe një dreq e di si do të vazhdojë derisa të mbyllet.

Unë nuk e parashikoj dot me siguri se çfarë do të ndodhë deri në fund të këtij procesi-farsë, i cili na turpëron të gjithëve, si ju që votuat, ashtu edhe ne që nuk morëm pjesë. Por kam frikë se Lulzim Basha po kërkon që të arrijë një rezultat fiktiv, që të provojë se demokratët e duan më shumë tani, që e provuan se i hodhi në greminën e humbjes së 25 qershorit, sesa para katër vjetëve, kur nuk e dinin ende se ku do t’i çonte.

Ndaj them se vota juaj, edhe pse është hedhur nga detyrimi që keni ndjerë si anëtarë të Partisë Demokratike, nuk ka pasur asnjë vlerë. Ju kanë fyer padrejtësisht, duke ju përdorur si alibi për një rezultat të trukuar që në start. Ju kanë konsideruar numra apo tesera, që duhen vetëm një herë në katër vjet, më 22 korrik, vetëm si pamje televizive apo si foto që hyjnë e dalin nga qendra e votimit.

Mos u mërzisni kur them se sot ju keni votuar të gjithë për Lulzim Bashën, edhe pse jam i sigurt që disa prej jush ia kanë dhënë votën e tyre Eduard Selamit. Sepse, sipas nesh, ky i fundit ka qenë në këtë farsë thjesht dhe vetëm për të mos e lënë vetëm Lulzim Bashën, por për t’ia bërë më të lehtë atij rrëmbimin e mandatit të kryetarit të PD.

Shpresoj shumë që edhe ju ta kuptoni sa më shpejt se gjithçka që po ndodh nuk i shërben askujt prej nesh, sepse ajo i shkakton një traumë tjetër të rëndë Partisë Demokratike, ndoshta më të rëndë edhe se humbja e zgjedhjeve politike.

Pa asnjë keqkuptim për vendimin tuaj të ndershëm për të votuar sot Lulzim Bashën, por pa asnjë mirëkuptim për këtë të fundit dhe për këdo tjetër, që në vend të garës, imponuan farsën, në vend të bashkimit, deshën përçarjen, dhe në vend të ringritjes, zgjodhën zvarritjen e Partisë Demokratike.

Koha do ta provojë shumë shpejt se ne kishim të drejtë. Vetëm analiza serioze e humbjes dhe gara e drejtë dhe e barabartë do ta shpëtojë Partinë Demokratike.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Mor ti Pus Patosi! Po miré e paske renditur letrén vajtuese.. Mos harro ta vazhdosh pjesén tjetér. Té theksosh qé, PDSH-ja kapitulluese u NDÉSHKUA RÉNDÉ nga populli shqiptar, 2017-tén, pér turpet dhe krimet e tmerrshme té bandave té Saliut, Xhozefnés dhe Lulit té vockél né politiké. Pa respekt pér juve!

    Përgjigju ↓