OPINION

Baton, ngrije stekën vëlla…

07:41 - 25.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Artur ZHEJI

 

Lexova me tmerr shkrimin më të fundit të Baton Haxhiut dhe mendova se ç’po ndodh në këtë vend. Batoni komentonte këpucët sportive të Ramës dhe merrte nën mbrojtje këpucët e kryeministrit, si artist dhe si estet demek.

Ku dreqin e lexova, se mund të më kishte shpëtuar pa lexuar këto ditë vere… por ja ndodhi.

Këpucëkomentimi i kryeministrit, nga dashuria apo nënshtrimi, më duket një tregues për nivelin ku po rrokullisemi, në këtë greminë qesharake, që na largon nga besimi i njerëzve. Këtë këpucëkomentim mund ta bënte si mëkat fillimkariere ndonjë zonjushë e pamartuar, apo ndonjë gazetarzog i sapodalë veze, nën urdhër të pronarit maskara, por nga Batoni nuk e prisja kurrsesi.
Me Batonin njihem prej vitesh, madje kam derdhur lot të sinqertë, kur në kohën e luftës së Kosovës, u hap lajmi i rremë që u vra nga serbët.

Dhe e kam përqafuar me dashuri vëllazërore kur e takova gjallë, në Tetovë, si emigrant lufte dhe e kemi gdhirë duke zbrazur gota mjerimi dhe duke bërë analiza të trishta, te klubi “B52”, për Kosovën që digjej dhe të ardhmen e panjohur.

I mërzitur, por optimist ishte atëherë Batoni, por kishte dinjitet dhe bënte gazetën dhe lajme në kushte të vështira.
E pra, pash Zotin! Baton, si mundesh sot ti, Batoni i ironisë së hollë, të komentosh këpucët e Ramës dhe të marrësh nën mbrojtje huqet e tij, deri në nivelin e këpucëve sportive me ngjyra apo pa ngjyra.

Sepse ashtu si more së fundi nën shqyrtim këpucët, more në shqyrtim dhe mbrojtje edhe kanabisin që nuk ishte sipas teje, dhe ngrite lart edhe qeverisjen e dështueme 4-vjeçare 2013-2017 dhe iu vërsule gojëhidhur kundërshtarëve politikë të tij. Por hajt mo, kjo edhe hahej deri diku.
Por këpucëkomentimi, jo!

Dhe padyshim ai, këpucëkomentuari, ta ka hedh dorën në qafë sa herë që të takon, besoj me dashuri dhe me kunja të vrerosura, për ata që e sulmojnë nga “xhelozia” dhe “smira” dhe që nuk ia mirëkuptojnë këpucët snobe në Samitin e Triestes.

Nga ai Samit me këpucë sportive, Shqipëria doli duarbosh, por ti komenton këpucët dhe në këtë mjerim pa skaj e krahason me Isa Boletinin dhe pisqollën e tij të famshme, të fshehur në brez në takimet e Londrës me kryeministrin britanik, një shekull e kusur më parë, për njohjen e Shqipërisë dhe të Kosovës, që atëherë në mendjet e shqiptarëve ishin një.
Hajde more ku je?!…

Ndonjë hall të madh do të kesh o mik, o vlla! Se nuk do ta bënte një Baton pa ndonjë “hall”, këtë keqtrajtim publik të Batonit, në këpucëkomentimin e kryeministrit, që nuk i ka menduar këto punë kaq thellë sa ti. Ndoshta ka pasur ndonjë kallo që i dhimbte, apo edhe në ka apo s’ka kallo në këmbë, ti ke informacion ekskluziv?
Ka mundësi… ka mundësi…

Por, si në kohët e vjetra të vitit të largët 1992, kur ndenjëm ca herë së bashku me Ibrahim Rugovën në Romë dhe me shallin e tij, sepse ai shall, mendoj se kish shumë më shumë kuptim se sa këpucët që ti merr sot nën mbrojtje, në emër të atyre kohëve pra Baton, ngrije stekën e gjykimit dhe të komentit pak më lart, vlla.

Nga mesi e lart, pra. Nga rrypi e deri te ndonjë vath, që kryeministrit mund t’i teket ta vendosë në vesh, apo ndonjë pirs në vetull apo në hundë.

Dhe një këshillë: Pas shkrimit këpucëkomentues, rri ca kohë pushim, qoftë edhe në Qeparo apo Vuno, sa të harrohet capak.
Dhe mos na trondit më kështu, se të duam ndryshe.

360grade.al

 

 


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Te drejte ke Zheji,
    Por edhe ti sje gje tjeter vec nje bythelepires i Metes.
    Ju te gjithe jeni te nje soji, soj sklleverish …

    Përgjigju ↓
  2. Artur vella …eshte turp per ty dhe nivelin tend te mirresh me nji gjysemanalfabet Batoni ose me nji te degjeneruar Mustafa m… Nano

    Përgjigju ↓