OPINION

Na duhen ministra shqiptarë nga jashtë Shqipërisë në qeverinë e re të Ramës

07:47 - 26.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Denion NDRENIKA

 

Shqipëria asnjëherë nuk ka ratifikuar traktatin vrasës të Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, dhe asnjë pakt të fshehtë apo jo që ia ka ndarë vullnetin e shprehur për një shtet të vetëm shqiptar në Kuvendet Madhore të Lidhjes së Prizrenit, në 10 qershor 1878, dhe të Mëvetësisë në Vlorë, në 28 Nëntor 1912.

Po të mos ishte Fejzi Hajdari, kolegu ynë dhe mik domosdo, ndoshta do ta kisha kaluar pa shumë vëmendje zërin që foli se Veton Surroi mund të ishte ministër për Punë të Jashtme të Shqipërisë së kufijve të 29 korrikut 1913. Vëllai Fejzi është nga Kumanova e Shqipërisë lindore, një territor etnik i shqiptarëve, që po hyjnë në 3-4 ditët e fundit të vendimit të marrë 104 vjet më parë në Londër (29 korrik 1913) për t’ua ndarë vendin e tyre fqinjëve, që pasuan sajesën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene e që një kohë mbështetej edhe nga aleatja e vetme që kishin, Austro-Hungaria. Publicisti Surroi (për mua nuk përbën çështje kyçe emri i kandidatit të mundshëm, por treva jashtë Shqipërisë prej nga vjen), ministër i Jashtëm do të ishte krejt domethënie serioze pikërisht sepse do ta udhëhiqte diplomacinë e vendit të tij të ndarë pavarësisht forcës së kryengritjeve shqiptare të viteve 1910, 1911, 1912. Ta lëmë mënjanë emrin e të mundshmit kandidat, por të theksojmë rëndësinë madhore se pse një qeveri e Shqipërisë duhet të ketë ministra dhe zyrtarë të tjerë nga territoret e saj etnike. Kolegu Hajdari më pyeti nëse duhej që në qeverinë e re të kryeministrit socialist Edi Rama të përfshihej edhe ndonjë ministër shqiptar nga shteti maqedonas, siç u paralajmërua për Veton Surroin nga Prishtina.

Vlerësimi im është që qeveria e re e zotit Rama nuk duhet të ketë vetëm ministra, por dy zëvendëskryeministra shqiptarë nga jashtë kufijve të Shqipërisë. E para, sepse Shqipëria asnjëherë nuk ka ratifikuar traktatin vrasës të Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës dhe asnjë pakt të fshehtë apo jo që ia ka ndarë vullnetin e shprehur për një shtet të vetëm shqiptar në Kuvendet Madhore të Lidhjes së Prizrenit, në 10 qershor 1878, dhe të Mëvetësisë në Vlorë, në 28 nëntor 1912. E dyta, në Kushtetutë, Shqipëria është e detyruar të përgjigjet për cilindo shqiptar jashtë kufijve. E treta, kandidatët e mundshëm ligjërisht janë shtetas të Shqipërisë ose mund të marrin pa telashe shtetësinë shqiptare. E katërta, që ka rëndësi me shumë peshë, është se zyrtarët e mundshëm nga jashtë Shqipërisë njohin dhe mund të trajtojnë dhe shpjegojnë si dhe të këshillojnë apo veprojnë, zgjidhje për gjendjen e njerëzve tanë që mbetën jashtë nga 29 korriku 1913 në Londër. E pesta, sepse në Kuvendet e përpara Luftës së Dytë Botërore ka pasur deputetë/delegatë të Kosovës.

Kështu që, në bisedën për gazetën “Lajm” të kolegut Hajdari, thashë se në këtë mënyrë, pra duke pasur zyrtarë nga jashtë kufijve londinezë, Shqipëria do t’ua kalojë autoritetin e vet edhe shqiptarëve në Shqipërinë lindore, që ndodhet nën shtetin e maqedonasve, dhe në Shqipërinë verilindore, që hodhi një hap pavarësimi në 17 shkurt 2008, pra Kosovës. Për mua, qeverisë së zotit Rama, është koha për shkak të fuqisë së tij qoftë individuale, qoftë me vota institucionale apo mbështetje popullore, t’i shtohen mundësitë jo për patriotizëm, por për të zgjidhur çështjet jetike. Pra, nuk po lëshoj ndonjë frazë që dashaliqtë të flasin angllëç apo me tërsëllëmë se po ndryshoj kufijtë. Këto “angllëç” dhe “tërsëllëmë” po i përdor ironikisht e jo se i mungojnë të barazvlefshmet e tyre të vetmes gjuhë që kanë shqiptarët, sikurse simbole, flamur e ngjyra.

Andaj, qeverisë së re në ideim çmoj se i duhen dy zëvendëskryeministra, ndoshta njëri të mbulojë diplomacinë dhe tjetri njehsimin e ligjeve mes shqiptarëve, pavarësisht pengesave greke apo sllave, ku përfshihen malazezët, serbët dhe maqedonasit. Shqipëria duhet t’ua kalojë tërësisht autoritetin e saj në përputhje së paku me Prizrenin, Vlorën dhe Kushtetutën, shqiptarëve etnike në Shqipërinë lindore dhe në Shqipërinë verilindore. Pra, e thënë shkurt e trup, duhet ta shpërndajë autoritetin e saj me besim tek aftësitë e shqiptarëve jashtë kufijve londinezë. Duhet që trupa diplomatike të ketë ambasadorë nga Shqipëria, konsull nga Kosova dhe zëvendësambasador nga shqiptarët e lindjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E njëjta formulë, natyrisht duke ndryshuar pozitat mbi bazën e aftësive profesionale të kandidatëve të mundshëm, duhet të aplikohet edhe në vendet e tjera. Duhet që trupat ligjore të kenë në Ministrinë e Drejtësisë, të Mbrojtjes, të Brendshme, të Financave, të Ekonomisë, të Integrimit, ministra, drejtorë apo specialistë nga shqiptarët e jashtë kufijve. Kjo, siç ceka më lart, lehtëson kuptimin e çështjeve që i shqetësojnë ata dhe sidomos të zgjidhjeve të mundshme. Kjo do t’i zbusë palaçollëqet e tregtarëve vogëlanë për domatet, patatet, qepët, çimenton, qumështin apo miellin, e madje edhe sajestarët e skuadrave të ndara futbollistike dhe dhunës, apo rrahjes mes nesh si në basketbollin e djemve (Shqipëri-Kosovë javën e shkuar në Tiranë).

Shqiptarët e Shqipërisë, drejt me thënë, nuk janë shumë të njohur me shqetësimet e vëllezërve jashtë kufijve dhe nuk po fajësohen prej kurrkujt për këtë, sepse zhvillimet kanë qenë të atilla ndër dhjetëravjeçarë. Andaj, vetëm duke qenë pjesë e institucioneve në Shqipëri në çdo nivel, shqiptarët etnikë të Malit të Zi munden ta përcjellin në Tiranë çështjen e Tuzit komunë urbane, çfarë humbin dhe çfarë fitojnë, apo sa i japin dhe sa marrin nga buxheti republikan, ç’është shkollimi thuajse i munguar universitar apo përfaqësimi politiko-shoqëror. Duke qenë një titullar shqiptar nga Ohri në Manastir, nga Kërçova e Struga në Kumanovë, nga Tetova në Sllupçan, nga Gostivari në Shkup e gjetkë, në Shqipëri do të ketë shansin të bëjë të kuptohet përse maqedonasit nuk e duan gjuhën shqipe.

Ky zyrtar shqiptar së andejmi do të shpjegojë dhe këshillojë ç’të bëhet kur Gjykata Kushtetuese ua ka zvogëluar përmasat e simboleve kombëtare të njohura, por jo të respektuara në zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, ngjarjeve të Gostivarit 1997, burgosjeve, politikave diskriminuese… Po edhe se përse në Tetovën thuajse 100 për qind shqiptare janë thuajse 50 për qind policë maqedonas apo edhe në futboll në Strumicën me maqedonë plot nuk ka thuajse fare shqiptarë e jo më policë shqiptarë, por atje po e degdisin Shkëndijën e Tetovës dhe Kombëtaren e shqiptarëve. Nëse një shqiptar zyrtar në qeverinë e Shqipërisë, do të jetë nga Shqipëria e Epërme verilindore apo Lugina e Preshevës, mundësia rritet që të qartësojë përse serbët pengojnë abetaren shqipe, përse njohin kriminelët e tyre si luftëtarë dhe shembin përmendoret e çlirimtarëve tanë. Se përse në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë, Rahovicë, Tërnoc dhe krejt atë anë nuk njihen si popullatë emigrantët e larguar ndër vite dhe sidomos në kohërat e luftërave të nxitura dhe masakrave e gjenocidit serb. E njëjta vlen edhe për hallet e shqiptarëve të mbetur pak tashmë në Nish e Vranjë.

Dhimitër Kaklamanosi i qeverisë greke në vitet ‘20, thoshte se shqiptarët “qartë jetojnë në Maqedoninë Perëndimore”, pra në Konicë e Kostur. Ndaj, sikur një shqiptar në qeverinë e Shqipërisë nga kjo zonë prej nga vinin Faik e Mehmet Konica apo edhe nga Çamëria, do të mund të shpjegonte më mirë veprimtaritë e atyre vëllezërve në SHBA për atdheun në kohërat e vështira të pas ndarjes në Londër. Ndaj, do të ishte shumë mirë nëse zoti Rama e ka ndër mend që një ministër e jo veç ndonjë këshilltar simbolik, ta ketë nga pjesët e Shqipërisë së Prizrenit dhe Vlorës. Kjo garanton që si shtetar ai të mos lërë hapësira keqdashëse të sajesave sllavo-greke për Shqipërinë e Madhe. Ai thjesht do të rikthejë përfaqësimin në një qeveri të shqiptarëve dhe të Shqipërisë anekënd, sikurse u vendos në Prizren dhe në Vlorë.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.